Si një engjëll
Bashkëbisedim me talenten e rrallë Xhulia Xhekaj
Xhulia Xhekaj, vogëlushja dymbëdhjetë vjeçare, të bën menjëherë për vete që në çastin e parë të njohjes me mënyrën se si flet e si sillet lirshëm, me çiltërsinë fëminore me zgjuarësinë dhe veçanërisht me pasjonin që e karakterizon për letërsinë. Ka një portret të rrallë që të rrëmben aq sa të kujton një engjëll të vogël, me ata sy të qeshur që xixëllijnë zjarrin që ushqen pareshtur imagjinatën e saj, me atë vështrim të mprehtë poshtë dy vetullave të zeza si pendë korbi, vështrim që aty të zhbiron e aty bëhet ëndërrimtar. Ka një fytyrë bardhoshe e të imtë, në tiparet harmonike të së cilës gjithmonë lodron e ia beh e qeshura, madje edhe atëherë kur Xhulia detyrohet të shtiret serioze apo e nxehur nga prapësitë e rëndomta të jetës.
Ja si e prezanton Xhulia veten e saj me ato nazet e moshës:
- Jam dymbëdhjetë vjeç, kam lindur në qytetin e Vlorës dhe jetoj në Tiranë që prej moshës dy vjeçare.
Studioj në shkollën "Konferenca e Pezës" dhe përpiqem me gjithë shpirt që të jem shembull në mësime dhe në gjithçka. Mbi të gjitha më pëlqen të shkruaj. Dua të shkruaj gjëra reale, jo si në përralla, megjithëse jam ca ëndërrimtare. Ëndërroj të shëtis nëpër botë e të zbuloj sa më shumë nga të panjohurat e saj.
Vitin që shkoi Xhulia doli para lexuesve me një novelë që titullohet "Një engjëll pa krahë". Ajo na rrëfen me krenari fëmije se kopjen e parë të këtij libri, ia ka dhuruar zonjës Liri Berisha, e cila njihet si një persolalitet që u përkushtohet fëmijëve, veçanërisht të talentuarve si Xhulia.
Krahas mësimeve që i zgjerojnë horizontin e dijeve, ajo gjen kohë edhe për të shkruar. Hedh në letër copëza nga bota e saj me dëshirën që kur t’i lexojnë bashkëmoshatarët të bëhen gjithmonë e më të mirë, fëmijë të mbarë që do të rriten e do të drejtojnë me mençuri botën drejt një qytetërimi përherë e më të bukur, si në përralla.
Këto ditë Xhula ka dorëzuar në shtyp një roman tepër interesant jo vtëm për bashkëmoshatarët e saj, por edhe për të rriturit, me titull "Me putrat tona shëtitëm botën". Kur lexon sadopak nga krijimtaria e Xhulias, mund të thuash pa frikë se talenti i saj në të shkruar është jo vetëm i pazakontë për moshën, por një dhuratë nga Zoti që duhet vlerësuar nga të gjithë.
Kur e pyet vogëlushen Xhulia se si nisi të shkruajë, ajo përgjigjet me çiltërsi:
- Po ja, unë kam një shoqe të ngushtë që quhet Pamela dhe një shok, i cili është më i vogël se ne në moshë, që e ka emrin Genti dhe ne të tre kishim vendosur të bënim një libër së bashku.
Pamelës i pëlqejnë shumë kafshët dhe donte që librin ta bënim për kafshët. Gentit i pëlqen shumë sporti dhe dëshironte të shkruanim për sportin, ndaj unë vendosa që të shkruaja më vete, pasi kishim dëshira të ndryshme nga njëri-tjetri.
Shkrimtaria e vogël, Xhulia, ka ëndrra dhe plane të mëdha për të ardhmen. Ajo është një vajzë impulsive që di të ndërtojë marrëdhënie të shkëlqyera jo vetëm me prindërit, babin Aranitin dhe mami Sanien, por me të gjithë shoqet e shokët e saj.
- Unë i dua shumë mamin e babin. Ata kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë shembull në jetën time. Mami për mua është edhe shoqe edhe nënë. Me të diskutoj për të gjitha shkrimet e mia. Edhe me vëllain tim të vetëm kam marrëdhënie të shkëlqyera, ai është shoku im më i mirë e më i besuar… Kam edhe shumë shoqe e shokë që më duan e i dua shumë.
Xhuli të tërheq jashtë mase me mënyrën si flet e diskuton, si të qe një vajzë e rritur dhe jo një fëmijë që sa ka nisur të hedhë hapat e para në jetë. Ajo jo vetëm që shkruan shumë bukur dhe është patjetër një talent i rrallë për moshën e saj, por mbi të gjitha është shumë e sjellshme dhe e zgjuar, pra është si një engjëll i vërtetë që do ta admironte gjithkush. Shpirti i saj i brishtë duket se rrezaton vetëm butësi e dlirësi.
- Mua më pëlqen shumë të shkruaj, por kur të rritem mendoj të bëhem gjygjtare. Dua që në këtë botë të vë sadopak drejtësi në gjithçka. Më dhemb në shpirt kur shoh njerëz që lypin në rrugë… Dua që jeta e të gjithë njerëzve të jetë një pranverë pa mbarim… Sidoqoftë nuk do të rresht as së shkruari…
Dylbere DIKA
Tuesday, March 11, 2008
Subscribe to:
Posts (Atom)