Albania invalide... Sos!...
Dikur mbijetoi, por...
Thonë se dikur jetonte e Bukura e Dheut. Ndrinte ajo vetë, ndrinte dhe gjithçka përqark saj. Nuk kishte të krahasuar bukuria e saj, as ditën e as natën: Del o diell të dal, del o hënë të dal.
Thonë se të Bukurën e Dheut fillimisht e quanin Pellazgji. Ishte aq madhështore, e hirshme dhe magjiplotë saqë u dashuruan marrëzisht pas saj tërë fqinjët dhe të largëtit që njiheshin me të, të qytetëruarit dhe barbarët. Po Pellazgjia rrinte krenare në jetën e vet. I nderonte dhe i respektonte tërë ata që i vinin rrotull, pa iu përulur askujt.
Na u bënë ziliqarë barbarët për krenarinë, vlerat dhe thesaret e saj. Dhe dikur iu turrën për ta mposhtur me përdhunë. U kacafytën gjatë barbarët me të, i rrëmbyen aty-këtu edhe copa stolish e thesaresh, megjithatë Pellazgjia nuk u mposht…
Ajo që mbeti pas atyre betejave grabitqare u quajt Iliri. Barbarët u kacafytën edhe me Ilirinë, i rrëmbyen të tjera thesare, të tjera stoli, po ajo nuk u dha. Tashmë e quanin Arbëri dhe trashëgonte ende një pjesë nga hiret e së Bukurës së Dheut, Pellazgjisë. Ashtu e hijshme, si gjithë të Bukurat e Dheut nëpër përralla, megjithëse e lodhur nga kacafytjet e gjata përdhunuese, Arbëria e paepur rrezatonte në sytë e barbarëve që nuk e duronin dot dritën e qytetërimit të saj. Dhe ata vrisnin mendjen si ta mposhtnin. Dhe i turreshin përsëri e përsëri, ditëve e netëve, gjatë dimrave e beharëve, i grabisnin stolitë, e plagosnin, e gjakosnin, i këpusnin gjymtyrët, por ajo, megjithëse mpakej e mpakej prej dhunës, nuk jepej. Ashtu e mpakur dhe e paepur ngjante rishtas e bukur dhe rrezatonte qytetërim në sytë e armiqve barbarë që donin ta zhbënin me çdo kusht.
Tashmë ca e thërrisnin Albani e ca të tjerë Shqipëri. Armiqtë si gjithmonë e kishin halë në sy dhe i turreshin përbindshëm bukurisë së saj...
Shqipëria e vogël, për mendjen e mbrapshtë të barbarëve, ishte Pellazgjia e dikurshme që ende nuk ishte epur prej dhunës grabitëse, prandaj nuk duhej lënë rehat. Ajo duhej zhdukur…
Kjo farë Shqipërie ishte apo nuk ishte Pellazgjia e dikurshme?!… Debatonin e debatonin armiqtë e saj dhe i turreshin përsëri për ta zhbërë që të mos i mbetej as nami e as nishani Pellazgjisë së dikurshme që rronte ende në gjenet e Shqipërisë…
Armiqtë e saj tashmë ishin jo vetëm barbarët, por edhe fqinjët e qytetëruar. Edhe ata i lakmonin ato pak thesare që trashëgonte Shqipëria prej Pellazgjisë së dikurshme…
Ishte apo nuk ishte Pellazgjia?!… Tashmë gjithçka ishte shndërruar në legjendë… Pellazgjia, e Bukura e Dheut, tashmë ishte një përrallë që u rrëfehej netëve kalamajve…
Ndërkohë dilte dikush që vendoste të eksploronte viset e legjendës. Dhe duke kërkuar nëpër udhët e vështira të meditimit muzgjeve të legjendës, si arkeolog i paepur, dikushi po zbulonte copëza stolish, gurë të çmuar, diamante e perla, që përbënin dikur thesaret e bizhuterive të Pellazgjisë…
Dikush, duke kërkuar, zbuluar dhe restauruar copëzat e bizhuve të grabitura nëpër shekuj nga trupi i Pellazgjisë, arrinte të rindërtonte profilin e Albanisë prej të Bukure Dheu… Dhe kështu, dalëngadalë legjenda po shndërrohej në realitet… Mirëpo, ky realitet, megjithëse u përkiste kohëve moderne, vazhdonte të ishte tejet shqetësues për stërnipët e qytetëruar të barbarëve të dikurshëm...
Dhe ata, me mençurinë djallëzore të stërgjyshit Odise, i dhuruan një kalë të bardhë politikës shqiptare, një kalë paqeje, në dukje, mutacion i Kalit të Trojës...
Dhe politika mutante shqiptare ia shaloi kalit të bardhë dhe iu turr për ta shkatërruar Shqipërinë për hesap të padronëve të vet... Dihet se lufta brenda llojit është vdekja më e sigurt... Padronët e rinj të politikës tiranike shqiptare e dinin mirë këtë fakt dhe përfundimin që do të sillte...
Dhe kështu, shpirtrat e barbarëve të dikurshëm më në fund mund të ndiheshin të qetë... Shqipërisë më në fund po i vinte fundi prej vetë politikës shqiptare, prej mutacionit të llojit të vet...
Dikur mbijetoi Shqipëria, por sot po vdes...
Sos!... Shqipëria po vdes!...
Ej, Shqipëria po vdes!... Shqiptarë, zgjohuni prej gjumit të vdekjes!... Shqipëria po vdes!...
Nuk e besoni?!...
Po këlthas se Shqipëria, ku edhe vdekja blihet e shitet, po vdes!... Kuptojeni në kuptimin e mirëfilltë të fjalës: po vdes!...
Besomëni!... Po vdesin shqiptarët dhe shqiptaria!... Po vdesin liria, idealet, shpirti!...
Kuptojeni mirë, fjalët e mia janë klithmë e pashpresë në këtë agoni kolektive më e rëndë se agonitë e shkaktuara nga murtajat e mesjetës evropiane... Sos!... Shqipëria po vdes!... Po vdes nën lëngimin e murtajës politikë!... Politikës shqiptare që blihet e shitet përditë te padronët grekë e serbë... Sos!... Sos!... Sos!...
Nuk më besoni?!... Në këtë vend, gjithçka blihet e shitet prej politikës që blihet e shitet për vete te armiqtë tanë tradicionalë!... Gjithçka blihet e shitet me urdhër të Berishës e të Ramës, nga klanet e Berishës e të Ramës, për klanet e Berishës e të Ramës... Në këtë vend të varfër ku po rrënohen gjenet, traditat dhe kultura, mbijetojnë vetëm injoranca dhe frika!... Dhe vdekja!... Dhe vdekja... Dhe vdekja!...
Po ju kujtoj se në këtë vend ku mbizotëron murtaja e politikës, mbijeton ende i vetmi ideal, Çamëria!...
Po kujt i plasi për Çamërinë, do thotë dikush në prag të vdekjes, kur edhe vet çamët janë ftohur dhe i kanë kthyer prapanicën këtij ideali?!...
Vërtet, nuk i plas askujt prej atyre që përjetojnë agoninë e vet!...
Eeej, ndoshta i plas Amerikës për Çamërinë, njëlloj si për Kosovën, se aha... atdhetarizmi shqiptar po vdes... shqiptarët po vdesin për vete!...
Eeej!... Në këtë agoni mesjetare që ka pllakosur Shqipërinë e kohëve moderne, mundohem të mbijetoj edhe unë... Më besoni, mundohem të mbijetoj me shpirt ndër dhëmbë!...
Dhe në buzë të greminës së mbijetesës, u kujtova dikur dhe i dërgova një mesazh mikut tim çam, deputetit Shpëtim Idrizi: I nderuar, ke Shansin e Madh të Epokës së Madhe të Dinosaurve që të bësh Epokë!... Përqafoje fort idealin çam dhe shpëtoje Çamërinë!... Mos e humb këtë shans!...
Miku im, Shpëtimi, të paktën në dukje, përpiqet për ta mbajtur gjallë idealin çam, për ta shpëtuar Çamërinë!... Ishalla nuk po tjetërsohet edhe ai, të blihet e të shitet si gjithçka tjetër shqiptare me urdhër të Berishës e të Ramës për hesap të klaneve të Berishës e të Ramës!...
Eh!... Në këtë vend, pronë e Zotit, ku politika pretendon rolin e Zotit, duhet që të shesësh edhe prapanicën për t’u “ringjallur” e për të fituar Statusin e Zombit... Duhet t’ia shesësh Berishës ose Ramës... Kështu duan të thonë... Ca që nuk i binden politikës...
Ej, shqiptarë, kujdes!... Tundini prapanicat e mos harroni se edhe ato janë pronë e Zotit!... Dhe dijeni mirë se nuk abuzohet aq lehtë me pronat e Zotit!... Nuk blihen e shiten pronat e Zotit aq lehtës as prej politikës!... Qoftë ajo më e sofistikuara dhe më djallëzorja!...
O Zot!... A ka Zot që ta shpëtojë Shqipërinë prej vdekjes, e cila blihet e shitet si gjithçka tjetër me urdhër të Berishës e të Ramës?!... Na duhet të gjithëve e fortë Albani-Shqipëria, or miq… Na duhet se pa të nuk do të gëzojmë as emrin e ndritur: shqiptar!...
Me siguri, Albania invalide nuk i duhet as Evropës!… Një Shqipëri e vdekur nuk i shërben askujt, besoj as politikës së shitur shqiptare… Sos!…
Eeej, shqiptarë, zgjohuni prej gjumit të vdekjes!... Ngrehuni si stërgjyshët tanë pellazgo-ilirë që u rilindën sa herë si feniksi prej hirit të vdekjes së vet!…
Shpëtojeni Shqipërinë evropiane prej shkretëtirës që i shkakton murtaja politikë që blihet e shitet për hesap të padronëve të vet, pronarë të kalit të bardhë të vdekjes!… Sos!... Sos!... Sos!...
Shefki Hysa
Thursday, August 12, 2010
Subscribe to:
Posts (Atom)