Wednesday, December 23, 2009

Për të mos u plakur…

- Shpëtim Agur Çilotaj është një djalë i rrallë, një shok e një mik i mirë për cilindo që e njeh nga afër apo e lidh puna me të, - kështu më thanë para një viti miqtë e mi çamë nga Fieri.

Këto fjalë m’i pohoi dikur edhe Gramoz Nimani (Naimi) një mik i përbashkët nga Durrësi, të cilit unë i besoj se më ka ndjekur për idealin çam edhe në ditë të vështira, kur ishte i sëmurë e dukej se do të jepte shpirt prej lëngatës.
Dhe ashtu instiktivisht nisa ta vëzhgoja Shpëtimin, para se të vendosja t’i hapja dyert e miqësisë. Dhe tanimë edhe për mua, si njeri i letrave, që e zhbiroj jetën nën një këndvështrim artistik, padyshim edhe për miq të tjerë me përvojë të gjatë njohjesh si e imja, ai është një befasi e këndshme. Dhe, po e theksoj jo pa qëllim, unë nuk gaboj aq lehtë me shijet e mia. Të paktën gjer më sot nuk i kam zhgënjyer asnjëherë lexuesit. Nuk besoj se do t’i zhgënjej edhe me këtë personazh që zgjodha ta paraqes me kaq simpati. Po e përsëris: Shpëtim Çilotaj është vërtet djalë simpatik, fizikisht po e po, por veçanërisht në shpirt. Më besoni se nuk po këmbëngul më kot, prandaj më ndiqni me kureshtje detaj pas detaji dhe do të bindeni se keni përballë një personazh protagonist të denjë për shoqërinë shqiptare. Një 35 vjeçar që lulëzon në kulmin e moshës, mik plot virtyte dhe biznesmen tepër i suksesshëm – ja ky është përkufizimi i saktë i njeriut që rritet hap pas hapi tejet mbresëlënës nëpër radhët e këtij shkrimi dhe në përfytyrimin tonë, i nderuar lexues...

Shpëtim Agur Çilotaj u lind më 24 qershor të vitit 1974 në qytezën e naftëtarëve, në Patos të Fierit, ku kaloi fëmijërinë dhe u arsimua. Pra, filloren, tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme i kreu në vendlindje, kurse të lartën në Universitetin e Elbasanit për Administrim Biznes, Menaxhim. Dhe jo më kot zgjodhi të diplomohej në këtë degë. Vetëkuptohet i nxitur nga gjeni familjar. Gjyshi i tij, Laze Bilaj ishte tregtar, gjë që e trashëgoi edhe Shpëtimi, i nipi, ky biznesmen i suksseshëm. Ndryshe nga gjyshi Laze, babai i tij, Aguri, sot një pensionist i mbajtur mirë, megjithëse 67 - vjeçar, punoi si naftëtar i detyruar prej kushteve që përcaktonte ish-regjimi komunist, si gjithë bashkëqytetarët e Patosit, kësaj zone naftëmbajtëse. Nëna e Shpëtimit, Zonja, sot 64 – vjeçare, punonte në ndërtim.

Shpëtimi është më i vogli i tre vëllezërve, kanë edhe një motër, e përkëdhelura e tyre dhe e prindërve si e fundit e fëmijëve të kësaj familjeje tipike shqiptare, e cila trashëgohet brez pas brezi në Patos, të paktën gjer sa mbahet mend gysh pas gjyshi këtu e treqind vjet më parë. Gjyshi Laze Bilaj u kujdes veçanërisht për Shpëtimin si më të voglin e djemve, duke i rrëfyer përvojat e veta jetësore dhe duke e mësuar si të bëhej njeri i devotshëm për veten, familjen e shoqërinë. Pra, e mësoi si të përvetësonte karakteristikat dhe vlerat më të mira të fisit të tyre, brez pas brezi, të merrte edhe vlera nga vlerat e bashkëmoshatarëve çamë. E kush nuk e njeh Laze Bilajn në Patos e në Fier, veçanërisht familjet çame që erdhën e u ngulën që në vitin 1945, pasi u dëbuan përdhunshëm nga vatani, Çamëria, prej bandave shoviniste greke. Dihet se çamët sot përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës së Patosit e Fierit për vet aftësitë e tyre të rralla gjenetike. Erdhën të traumatizuar prej gjenocidit që ushtruan grekët mbi komunitetin dhe atdheun e tyre, u përshtatën shpejt, u morën me tregti dhe punë artizanatesh, mbijetuan, u riprodhuan, u shtuan e u trashëguan me shumë pasardhës për të siguruar vazhdimësinë e gjenit të vet. Pra, çamët mbijetuan dhe u shumëzuan në Patos si edhe në shumë zona të Shqipërisë, ku ishin vendosur ngulimet e tyre, duke i zgjeruar dhe përforcuar ato në marrëdhënie tepër miqësore edhe me vendasit...

Dashur pa dashur Shpëtimi u rrit e u edukua si fëmijë çam midis familjeve të shumta çame që e kishin shtuar miqësinë me gjyshin Laze Bilaj, mikpritësin e tyre. E nderon e tërë zona Lazen për mikpritjen ndaj çamëve. Ai i mbështeti dhe i ndihmoi shumë për të ngritur shtëpitë dhe tregtinë, mjetin që kanë më për zemër çamët për të siguruar jetesën e tyre. Dhe u lidhën e u vëllazëruan aq shumë saqë çamë e vendas nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Nëpër vite e vite u përzien e u përzien traditat familjare saqë sot e vështirë ta dallosh djaloshin Shpëtim Çilotaj nga një djalë çam dhe anasjelltas.

Në mars të vitit 2002 Shpëtim Çilotaj krijoi kompaninë “Çilotaj” sh.p.k. me qendër në Fier dhe filiale në disa rrethe, e cila falë aftësive të tij menaxhuese u rrit, u zgjerua dhe krijoi kapitale si një ndër bizneset më të qëndrueshëm në Shqipëri. Më vonë, mbi bazën e kësaj kompanie, u krijua “Çilotaj Group” ltd, me qendër po në Fier dhe me filiale në Vlorë, Durrës, Tiranë etj... Kjo kompani e sukseshme sot ka linja prodhimi dhe ndërtimi dhe synon shumë objektiva. Shpëtim Çilotaj thotë se kompania e tyre është e lidhur me kompaninë turke “Kurum”, pronare e ish-metalurgjikut të Elbasanit, dhe tregton hekurin e saj, duke pasur ekskluzivitetin për Jugun e Shqipërisë dhe për Tiranën. “Çilotaj Group” ltd bashkëpunon edhe me kompaninë libaneze “FK Cement” dhe kanë marrë prej tyre ekskluzivitetin e shitjes së çimentos të fabrikës së Fushë Krujës për rrethet Fier e Vlorë. Kjo kompani në Fier ka ngritur edhe linjën e telëzimit apo më saktë të tërheqjes dhe viaskimit të hekurit si dhe linjën për parapërgatitjen e zgarave prej hekuri për platformat prej betoni si dhe për bazamentet e ndërtesave. Në Tiranë kjo kompani merret edhe me ndërtimin e pallateve, kurse në zonën e plazhit të Golemit ndërton objekte turistike. Pra, punojnë me synimin për t’i zgjeruar edhe më shumë mundësitë ndërtuese të kompanisë, e cila sot ka mbi 100 punonjës...

Kjo kompani përfshin edhe shoqërinë e ruajtjes fizike “Çilotaj Security” me administrator Gramoz Nimanin apo Naim Nimani, siç e njohin tërë miqtë e tij.

- Këtë periudhë morëm edhe presidencën e Federatës Shqiptare të Boksit, - thotë me krenari Shpëtimi. – Mos kujtoni se jemi pa përvojë në këtë fushë. I kemi dhënë provat që dimë të administrojmë edhe klube sportive, sepse më parë kemi marrë drejtimin e “Teuta Boks” të Durrësit dhe dolëm me sukses, kështu që i hodhëm sytë edhe më larg. Dhe që ta dini, kjo përkon edhe hobin tim më të madh që janë sportet...

Shpëtimi flet me pasion për atë pjesë të kohës së lirë kur u kushtohet me mish e me shpirt lojërave sportive, futbollit, volejbollit e basketbollit, jo vetëm për të mbajtur trupin në formë si atlet, por edhe për kënaqësi, shlodhje e për të rimarrë forcat për të nesërmen kur i duhet t’u kthehet përsëri punëve ndërtuese. Shpëtimi thotë se bën një jetë tepër të gjallë e emocionuese. I pëlqen të lexojë, të ndjekë filma, i pëlqen muzika, e tërheqin veçanërisht makinat e shpejta aq sa nuk u ndahet lehtë timonit të tyre. Madje i pëlqen edhe të garojë me makina, po t’i jepej mundësia. I pëlqen të udhëtojë në vende turistike, jo vetëm për qëllime biznesi, udhëtime të cilat është i detyruar t’i marrë sa herë i duhet të shkojë në vende të ndryshme për të takuar partnerë të huaj për zgjerimin e investimeve në Shqipëri.

- Shpëtim Çilotaj, - më tregon Naim Nimani, miku ynë i përbashkët, - nuk është thjesht një taksapagues i rregullt i shtetit, por, me atë shpirt fisnik që ka, është nga pak edhe bamirës; ndihmon cilindo që i zgjat dorën për ndihmë, ndihmon veçanërisht kategoritë sociale në nevojë, bashkëpunon me Kryqin e Kuq, mundëson financiarisht shumë veprimtari kulturore etj. Pra, punon me shpirt në shumë drejtime për të mbajtur lart personalitetin dinjitoz që ka... Sidoqoftë, ai e di mirë se ne, miqtë e tij, e kemi nën vëzhgim të rreptë për të mos e lejuar të plaket në shpirt para kohe si shumë të tjerë.

Ky djalë është i përkushtuar edhe pas idealit çam, njëlloj si të ishte një pasardhës i denjë i Çamërisë, - më thonë miqtë e mi çamë dhe unë ndihem edhe më shumë i sigurt në veten time teksa portretizoj tiparet e këtij personazhi kaq të pëlqyeshëm prej opinionit shoqëror që e rrethon. Për hir të së vërtetës, unë e kisha vënë re edhe më parë gadishmërinë e Shpëtimit për ta mbështetur qoftë edhe me fjalët e veta plot pasion idealin çam, por kur shprehen edhe miqtë e mi se ai është një mik i mirë i Çamërisë, ngre duart lart dhe besoj se nuk jam gabuar duke e portretizuar me kaq siguri.

Ky është Shpëtim Agur Çilotaj, djali që s’plaket kurrë në shpirt. Nuk kam se ç’të them tjetër... Nëse miqtë e mi më kanë gënjyer, nëse sytë dhe përvoja ime më gënjyen, keq më vjen: I gënjyeri gënjen, i nderuar lexues...

Elim Xanxari

Monday, December 21, 2009

Nga Shefki Hysa

ÇAMËRIA

Fragment tregimi

Makina rrëshqiste pa u ndier midis blloqeve me ullinj, portokalle, mandarina e limonë, që shtriheshin si një det i gjelbër nëpër fushën e gjerë përqark qytetit kryesor, Gumenicës, të Çamërisë së re apo Thesprotisë (këtë emër mbante edhe në lashtësi kjo trevë), siç e quanin qëllimisht krahinën grekët e sotëm për të zhdukur emrin “Çamëri”. Më tej, në të djathtë, shtrihej deti blu i ndryrë në Kanalin e Korfuzit. Në krahun e majtë ngriheshin një varg malesh, që e ndanin Gumenicën nga Janina e Ali Pashait, e mbronin edhe nga erërat e ftohta të Veriut, duke e shndërruar në një zonë me një mikroklimë tepër të pëlqyeshme për ullinjtë dhe agrumet. Vende-vende të zinte syri edhe blloqe me vreshta dhe me pemët karakteristike të zonave bregdetare mesdhetare të mirëmbajtura me dashuri…

Një sy i mprehtë studiuesi, si i Fatos Mero Rrapaj, që vërente vëmendshëm gjithçka, e kuptonte menjëherë se ajo zonë ushqehej në sajë të bujqësisë, më saktë pemëtarisë, ndoshta edhe turizmit, kurse për industri asqë mund të flitej… Pra, mjediset ishin të virgjëra dhe ashtu të përmbytura në atë diell llapëtitës, megjithëse fundi i vjeshtës, nuk të shkonte kurrë ndër mend se mund të gjeje qoftë edhe një pëllëmbë të natyrës të ndotur. Dhe ky ishte një privilegj për banorët…

Fatosi nuk ngopej së shijuari bukuritë e rralla të asaj natyre ku harmonizoheshin, aq mrekullisht, në një hapësirë disa dhjetëra kilometrash, mali, kodra, fusha, deti… E ç’donte më shumë njeriu për të jetuar “parajsën” tokësore?!… Duhej të ishe i çmendur të hapje luftëra në atë krahinë…
Eh… Grekët!… Po të gërmoje tokën, ku shtriheshin rrënjët e atij gjelbërimi aq mahnitës, patjetër do të hasje në eshtra e skelete të vrarësh të pavarr… Të pavarrët çamë… Dhe kjo ishte vepër e grekëve, e atyre që s’i pranonte as dheu dhe dilnin nga varret netëve si kokudhë e lugetë… Po!… Këta ishin grekët… Dhe pasardhësit e tyre pretendonin për të sjellë paqe e drejtësi në Evropën e Bashkuar… Jo, Zoti nuk duhej të heshtte më!…

Kostandini në timonin e makinës fliste e fliste për elimët, për kalatë e tyre majëmaleve në Kuç, në Mazrek, në Paramithi, për puset në malin e Kladhit, për shpellën në Arpicë, për tre gurët në Paramithi, për gurin në Luarat, të cilin gratë elime e përdornin edhe si magje për të larë rrobat… Po Fatosi hahej më shumë me mendimet e veta se sa dëgjonte…

A e di, Fatos, thoshte Kostandini, se te Qafa e Murit, afër Margëllëçit, elimët kanë punuar për të ndërtuar një mur të lartë të lartë që do të lidhte malin e Kranesë me Çukën e Priftit dhe shpresonin që, kur të hipnin në atë lartësi, do të arrinin qiellin dhe do ta shihnin tërë botën prej andej?… Mirëpo muri që ndërtonin ditën, u rrëzohej natën dhe ata nuk e rreshtnin kurrë punën… A nuk ishte për t’u pasur zili vullneti i tyre?… Sikur ta kishin njerëzit sot, atë fuqi, atë vullnet…, - psherëtinte Kostandini, i cili dukej se e adhuronte marrëzisht, ishte pothuajse i verbuar prej madhështisë së botës elime dhe dëshira për t’u folur të tjerëve për elimët i ishte shndërruar në mani…

Në fund të çdo rrëfimi Kostandini nuk harronte të nxirrte përfundimin se jo vetëm çamët, por tërë shqiptarët janë pasardhës të elimëve, prandaj, ndryshe nga kombësitë e tjera, janë aq të aftë për të mbijetuar edhe në rrethana nga më të jashtëzakonshmet.

Shkëputur nga tregimi “Elimët”,
përmbledhur në vëllimin me tregime
“Aromë Çamërie” (2004).

Wednesday, December 9, 2009

Skulptori çam Idriz Balani

1
Fillesat e fantazisë artistike
I ardhur nga krahina e mrekullueshme e Çamërisë së përvëluar dhe i rritur në bregdetin durrsak që megjithëse i mahnitshëm, kurrë nuk arriti që t’ia shuante mallin dhe trishtimin për historinë e vendlindjes së të parëve të tij, djaloshi nga fshati Vërvë i Konispolit, Idriz Balani, çdo gjë të bukur që kishte në shpirt e derdhi në art. Dhe nëse krateri poetik i shpirtit të tij pati shpërthim të madh, sot kushdo këtë shpërthim mund ta gjejë të përpunuar artistikisht në magmën shpirtërore të dhjetëra ideve e kompozimeve njerëzish të shquar, të ringjallur prej dorës mjeshtërore të Idriz Balanit. Dallgët e bregdetit durrsak dhe dallgët e dhimbjes për historinë e Çamërisë martire janë të ngërthyera së bashku në tiparet e valëzuara të personazheve të tij që rrahin ende papushim fantazinë artistike si dallgët e gjakut çam që i rreh me forcë në deje. Dhe së bashku me punën e përditshme të krijimit, Çamëria i pulson me forcë në dallgët shpirtërore krijuese duke i dhënë edhe atë ushqim shpirtëror të domosdoshëm për një artist me botë të madhe, botë ku notojnë heronjtë biblikë të Çamërisë në eksodin e brendshëm të tragjedisë shqiptare dhe që enden që nga këngët e Çelo Mezanit e deri tek motivet e Bilal Xhaferrit, të cilit Balani, në veprën e fundit po ia kthen Durrësit dhe vendit që Xhaferri e deshi dhe që i shërbeu si një trampolinë për t’u hedhur në etjen e vet drejt lirisë shpirtërore e fizike. Balani po ia kthen tashmë Durrësit në trajtën e një mesie çame në Bronx, me krahë shqiponje të Pirros së Epirit që u thoshte ushtarëve të vet: “Unë jam shqiponja, ju jeni krahët e mi”.
Sot në studion e Idriz Balanit është rikthyer në trajtën e një shqiponje Bilal Xhaferri, dhe që nga atje në pritje të vendit të ekspozimit ai thërret: “Unë jam shqiponja, kur mu deshën pse më latë pa krahë?... Dhe kjo shqiponjë përsëri të sjell shpirtërisht një dëshirë për fluturim drejt Çamërisë... Dhe vetvetiu të lind pyetja: Kur do të hapet deti, kur do të shterojnë dallgët drejt tokës së premtuar e të rrëmbyer barbarisht me zjarr e gjak, që pikon ende nga kthetrat e shqiponjës së plagosur Çamëri?!...
Studio e Idriz Balanit ndodhet në afërsi të bregdetit të Durrësit, aty ku ka kaluar edhe vitet e fëmijërisë së tij. Sot ai mund të renditet në hierarkinë artistike të artistëve monumentalë të vendit si ndër më të mirët. Që nga veprat e para në shkumës në vitet e fëmijërisë dhe sirenat e bëra më rërë, që ishin veprat e para të kërkimit në laboratorin artistik të nën ndërgjegjes në shpërthim, e deri tek zotërimi i sotëm i shesheve të vendekspozimeve të figurave madhore të historisë kombëtare të Shqipërisë, nuk kanë kaluar shumë vite. Idriz Balani ka qenë padyshim ndër më të suksesshmit brez artistësh që me fuqinë e tyre artistike i janë imponuar kërkesave shpirtërore të vendit në çdo hapësirë mbarëshqiptare. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare ai ka bërë bustin e dëshmorit të atdheut, Bido Sejko, emrin e të cilit mbante shkolla e mesme në Konispol. Në vitin 1986, sipas kujtimeve të tij, ka gdhendur portretin e Muharrem Rushitit (Koskalliu), trimit të Çamërisë. “Sirenat” e mitologjisë i kanë sjellë fat atij. Ishte pikërisht një sirenë e konceptuar sipas shijes se tij fëmijërore të asaj kohe që e futi Idrizin në botën e artit të bukur e të veçantë të skulpturës. Ajo qenie e mistershme, fillimisht, i hapi dyert e studios së skulptorit të madh Sabri Tuçe. Dhe koha ka treguar se mjeshtërit e mëdhenj kanë zbuluar e kanë nxjerrë, më pas, talente të mëdhenj. Për këtë “rastësi” Idrizi kujton: “Që i vogël kam filluar, me shkumës, të bëja skulpturat e para. Më pas bënim kuadrate dhe zmadhonim nga kopertinat e librave foto të Skënderbeut, Ismail Qemalit etj. Kam qenë në shkollën fillore kur, rastësisht, takova vajzën e skulptorit Sabri Tuçi, Teutën, e cila sa pa një sirenë deti gjysëm vajzë e gjysëm peshk që e kisha bërë me rërë të lagur në bregdet më tha: “qënke djalë i talentuar”…
Dhe ishte pikërisht kjo nxitje që bëri që në klasën e pestë të fillores Idrizi të fillonte të punonte në studion e Sabri Tuçit,të cilin në vitin 2009 do ia kthente Durrësit në një vepër monumentale në shkëmb dhe në bronx. Do t’ia ringjallte artistikisht qytetit pas baltës së hedhur mbi jetën e profesorit të nderuar.

2
Jeta e lidhur me Çamërinë
Nuk kishte shumë vite që familja e Idrizit kishte ardhur në Durrës. Ai kujton se ata kanë ardhur në Durrës rreth vitit 1954, kur Idrizi ishte vetëm një vjeç. Kishte lindur në Delvinë. Babai i tij kishte qenë partizan në çetën Çamëria dhe punonte në një repart ushtarak të Durrësit. E ëma kishte nisur punë në këtë qytet në bazën grosiste të tregtisë ose BGT, siç quhej atëherë. Bashkëshortët Balani kishin tre fëmijë të cilët nuk iu ndanë asnjëherë punës dhe shkollës. Idrizi, më i madhi, u bë skulptor, Skënderi inxhinier mekanik, ndërsa Sazani studioi për gjuhë të huaja. Më pas Idrizi u martua me Engjëllushen, vajzë Çamërie nga fshati i Hasan Tahsinit dhe i Bilal Xhaferrit, e diplomuar në mjekësi. Me të lindën oy fëmijë: Eneidën, mjeke edhe ajo, dhe djali, Arbëri.
Kur bisedon me Idrizin, ai të thotë me krenari se ka qenë gjithnjë i lidhur shumë shpirtërisht me Çamërinë. “Kur kam qenë fëmijë, - kujton ai, - mbaj mend, që në lagjen ku jetoja e jetoj edhe tani, flitej dialekti çam. Dhe unë nuk e dija që plakave u thonin nënë, por nu, gishtit glisht dhe qumështit klumësht… Mbaj mend që në shtëpinë tonë vinin shumë miq çamë, herë-herë edhe të panjohur, që e gjenin derën e shtëpisë me të pyetur, ngaqë babai gëzonte një respekt të veçantë e kishte emër të mirë në zonën kufitare ku ai kishte punuar.
“Unë, - thotë Idrizi, - i kujtoj me nostalgji ato kohëra. Nuk harrohen lehtë miq si Lutfi Osmani (berber), Xhelo Meto dhe Mulla Mero (babai i Eqerem Dautit) nga goja e të cilëve kam dëgjuar shumë për tragjedinë çame... Ndonëse i vogël mbetesha me gojë hapur dhe herë-herë pa frymë, megjithëse shumë gjëra nuk i kuptoja... Kur u rrita, sipas rregullave të kohës, isha i detyruar të shkruaja biografinë, sa herë që bëja kërkesa për shkollë apo punë dhe, një ndër pikat kryesore që më bënte të ndjehesha më krenar, ishte kur shkruaja që babai im kishte marrë pjesë që në ditën e parë të formimit të çetës partizane “Çamëria”, Markat, më 2 Shkurt 1943.

3
Arti
Idriz Balani tregohet modest teksa na flet për rrugën e ngjitjes së jetës së vet artistike, pa kërkuar të thotë të pathënat e të zmadhojë të paqënat, siç veprojnë shumë të tjerë, që edhe pse nuk kanë dhënë ndonjë kontribut në ndonjë fushë të caktuar, përpiqen të shkruajnë e të përfshijnë në biografitë e tyre, përmes “mercenarëve” të shtypit, gjëra të paqena për të rritur kështu, artificialisht, reputacionin e munguar. Idrizi është nga ata burra që ka përveshur krahët pa asnjë pretendim për llojin e punës, por pa iu ndarë kurrë rrugës artistike. Ai ka punuar, fillimisht, në kantierin detar e më pas në Ndërmarrjen “Nish-Tulla” të asaj kohë, punë tepër e rëndë, por ashtu siç punonte në prodhimin e tullave për strehimin e njerëzve, ai krijonte, shpirtërisht, skulptura të mrekullueshme, për t’ua zbukuruar jetën banorëve të atyre banesave të varfëra. Sot veprat monumentale te Idriz Balanit janë ngado. Në sheshet e kryesore të qytetit të Durrësit ndodhen të ekspozuara busti i Telat Nogës, Kozma Nushit, Naim Frashërit , bust i vendosur fare pranë Shkollës së Mesme me të njëjtin emër, basorelievi triptik, në Shkollën e Mesme “Leonik Tomeo” vëpër e bërë në bashkautorësi me skulptoren Liljana Cika (Kosturi ), monumentin e rrallë të kompozuar në bronx e në shkëmb të mësuesit të tij Sabri Tuçit, monumentin e fshatit Çetë të Kavajës, (vepër e bërë në bashkëpunim me skulptorin e njohur durrsak Dhimitër Harallambi). Në ambientet e brendëshme të shkollës 9-të vjeçare "Viçens Prendushi" është ekspozuar vepra në skulputurë e klerikut të pushkatuar Prendushi. Ai ka gdhendur edhe bustin e Olsi Laskut.
Veprat e Idriz Balanit janë të ekspozuara edhe në Kosovë. Të tilla janë: Busti i Haxhi Zekës, vendosur në qytetin e Pejës më 28 nëntor të vitit 2005, kompozuar në bashkëpunim me kolgun e vet Qazim Kërtusha, busti i Skëndrbeut, vendosur në shkollën “Skënderbeu” të fshatit Blinisht të Pejës, busti i Ibrahim Rugovës, i cili sot ndodhet në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës dhe që pret të ekspozohet në Parkun e këtij qyteti. Edhe pse kemi të bëjmë me një arsenal të vërtetë veprash artistike të ekspozuara në sheshet më kryesore të trevave mbarëshqipëtare, kuptojmë se ato janë vetëm maja e aisbergut e punës artistike të Idriz Balanit.

4
Bilal Xhaferri në Bronx

Bilal Xhaferri ndodhet tashmë në studion e tij. Ai është një monument i sapo përfunduar dhe që pret të niset drejt një piedestali të ri, në një prej shesheve të qytetit të Durr[sit. I konceptuar në një mënyrë artistike të re, Xhaferri i Balanit shpreh konceptimin e ri artistik të brezit të sotëm ku ndërthuret historia, arti dhe pavdeksia e atij që mori fluturimin në drejtim të hapësirave të lirisë së munguar, ndonëse lirinë e vet personale nuk e shkëputi kurrë nga lufta për lirinë e vendit të vet, Çamërisë... Monumenti i Xhaferrit, ndërtuar simbolikisht mbi telat me gjermba në këmbët e një shqiponje, na jep të kuptojmë se, më në fund ai e ka vetëfliruar shpirtin prej luftëtari, ndërsa telat i kanë mbetur ende nëpë këmbë Çamërisë...
Në studio ndodhen edhe variante të tjera të shkëlqyera me portretin e tij simpatik; bashkëbisedojme me Idrizin dhe ai na shpiegon se si i lindi ideja për ta bërë këtë vepër dhe mbi misionin e saj artistik e shpirtëror. Ai thotë: në ato vite kur Xhaferri banonte në Durrës, unë nuk e kujtoj dot se kam qënë i vogël. Po në vitet 1960 - 68 kam njohur një grup të rinjsh të Durrësit, midis të cilëve ishte edhe Abaz Veizi dhe në këtë kohë patëm dëgjuar edhe për Bilal Xhaferrin, por duke patur ai moshë të madhe, unë nuk arrita ta njoh dot dhe sigurisht pas arratisjes së bujëshme të tij, për të kam dëgjuar gjërat më të zeza të mundshme. Si në Durrës, ashtu edhe në Konispol ku përmendej emri i tij. Në biseda të ndryshme me kushëririn e tij Edip Hoxhën, kuptoja se ai e vlerësonte shumë si poet dhe pas viteve 90, në ato pak takime që kam pasur me poetin Namik Mane është folur edhe më shumë për vlerat e tij, por me kaq nuk mund të bëja vlerësimet e duhura si skulptor. Edhe ato pak lexime, shton Idrizi, unë nuk mund të them se i kam lexuar të gjitha veprat e Bilalit, nuk mund të më jepnin shkëndijën krijuese për të bërë këtë vepër. Ajo që më bëri të mendoj për t’ju futur punës, ishte publicistika për Bilal Xhaferrin e shkruar nga shkrimtari Shefki Hysa, të cilin, pasi e lexova, e mora në telefon dhe i thashë shprehimisht që: “Libri yt më ka intriguar të merrem me figurën e Bilal Xhaferrit”...
Që nga ato momente, thotë Idrizi, nuk mendoja thjesht një bust ose portret, por përfytyroja një lloj monumenti ndryshe dhe këtë të vendosur në qytetin e Durrësit, qytet ku Bilali mund të thuhet se e filloi krijimtarinë e tij, u afirmua, u internua, dhe më pas u arratis. Ajo që më bëri përshtypje, thotë me tej autori i monumentit të Xhaferrit, ishte fakti që edhe pse iku në Amerikë, ai kurrë nuk rreshti së punuari për atdheun e vet, Shqiprinë, Kosovën, Çamërinë…
Idrizi zgjat dorën dhe sjell një faqe ballore gazete të tijën dhe thotë se në Amerikë Bilali themeloi e drejtoi revistën " Krahu i Shqiponjës" një revistë politiko, letrare e shoqërore që e botonte Lidhja Çame ne mërgim. Në kopertinën e fotokopjuar të kësaj reviste shihen qartë telat me gjemba dhe zinxhiri. “Ato që rrethonin atëherë Shqipërinë”, - thotë Idrizi.
Më pas Idriz Balani tregon se: “I nisur nga këto detaje, këto tela me gjëmba i ktheva në një motiv, të cilat janë të vendosura nën një kompozim tek pjesa e këmbëve, tela që janë shkelur nga Bilali”... Skulptori hesht pak dhe gjithë frymëzim shton duke folur si me veten: “...Dhe ky krahu i shqiponjës me portretin e tij... shpaloset tamam si një engjëll, i cili do t’i sjellë Shqipërisë Lirinë e Pashmangshme!”...
Idrizi shpiegon dhe komenton edhe dy pasazhe nga vepra poetike e Xhaferrit të vëna mbi monument. Njëra është nga "Baladë çame", ku shkruhet: “Toka Çame e mbuluar nga retë, rënkon e mbytur me gjak dhe lot, e mbetur e shkretë, e mbetur pa zot”... Është kjo një thirrje e hapur për të mos e harruar Çamërinë... Citohet dhe një pjesë tjetër nga poema “Mjegulla” e shkruar disa ditë para se Bilali të arratisej: “Çomaga mizore e kohës, rrëzoi dhe perënditë e pavdekshme!”...
Do të thoja se kjo mënyrë të shkruari, thekson Idrizi, ishte një guxim prej budallai, ishte vetëvrasje t’i shkruaje ato vargje në ato vite, idetë e të cilave realisht ishin të drejtpërdrejta kundër udhëheqjes së kohës. Dihet se censura komuniste e asaj kohe të persekutonte, gjë që e bëri edhe me disidentin Bilal Xhaferri...
Dhe tashmë, falë punës së përkushtuar të skulptorit çam Idriz Balani, Durrësi pret birin e vet shpirtëror Xhaferrin e rikthyer në... bronx!...

Mark Brunga

Tuesday, December 1, 2009

Mësuesi dibran

Gëzim Aqif Bare u lind më 12 qershor 1962 në Zalldardhë të Dibrës. Vendlindja e tij shquhet për traditat e saj të hershme kulturore dhe arsimdashëse, por edhe për trimëri. Mençuria ishte një nga karakteristikat e burrave të kësaj krahine. Me këto cilësi u edukua edhe Gëzimi, i cili mësimet e para i mori në shkollën tetëvjeçare të vendlindjes. Pasi kreu dhe shkollën e mesme në qytetin e Peshkopisë me rezultate të shkëlqyera, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën bio-kimi dhe u diplomua në vitin 1987. Pas marrjes së diplomës filloi punë si mësues në shkollën e mesme të Zalldardhës, në vitin 1991 caktohet edhe drejtor i kësaj shkolle.

Me ardhjen e demokracisë, kur u bë e mundur lëvizja e lirë e popullsisë, Gëzimi vendoset familjarisht në fshatin Sallmone të Durrësit, ndërkohë emërohet si drejtor i shkollës së mesme të bashkuar të Kullës. Në këtë shkollë ai shquhet si mësues i aftë dhe i dashur, si drejtues me përvojë dhe si intelektual me horizont të gjerë, një ndër intelektualët më të spikatur të shoqatës “Malsia”, organizatë joqeveritare e krijuar dhe e drejtuar nga djemtë e larguar nga malësitë veriore dhe të vendosur kryesisht në Shqipërinë qendrore, veçanërisht në Durrësin bregdetar dhe në Kryeqytet.

Për aftësitë e tij në fillimet e proceseve demokratike një ndër forcat politike e propozoi të kandidonte për deputet. Vështirë e pati kundërshtari politik përballë figurës së mësuesit të nderuar, Gëzimit. Në vendlindjen e tij u zhvillua një garë e vërtetë elektorale, të cilën e fitoi kundërshtari, jo për vlerat e larta, por se përfaqësonte partinë politike më të fuqishme. Dhe dihet botërisht që në vende të vogla si Shqipëria, vota i jepet partisë e jo kandidatit. S' ke si i shpëton kësaj mendësie. Ndoshta do ta ndryshojë e ardhmja.

Në zgjedhjet e kaluara për pushtetin vendor, megjithëse Gëzimi kandidoi përsëri në emër të një partie të vogël, mundi të fitonte si këshilltar bashkiak në qytetin e vogël të Sukthit, në sajë të respektit që ka krijuar te njerëzit si mësues dhe si intelektual i nderuar. Arriti të zgjidhej edhe si zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Sukthit, një sukses tjetër ky falë aftësive të veta intelektuale.

Gëzimi shoqërohet veçanërisht me çamët nisur nga traditat e përafërta të Dibrës e Çamërisë. Është mik i tyre dhe i ngacmon shpesh me humor: Të paktën ju, çamët, nuk duhet të qaheni nga ne, malokët, se ju kemi shpëtuar. Që kur zbritëm ne nga malet dhe erdhëm e u vendosëm në bregdet e nëpër fusha, vendasit i harruan sharjet për juve dhe një e dy shprehen ndaj nesh: “Malokët e dreqit”...

Tërë ata që e njohin shprehen me respekt: “Ky djalë vërtet erdhi nga Malsia, por nuk u soll si malok, si "çeçen", si disa të pakulturuar që zbritën nga malet në periferitë e qytetërimit dhe krijuan veç telashe. Përkundrazi, Gëzimi me zotësinë e tij diti si t’i përshtatej qytetërimit dhe të bëhej pjesë e tij. Tani atë nuk e dallon nga ne. Është njeri i thjeshtë e punëtor. Intelektual i zgjuar e iniciator. Mësues model dhe drejtues i zoti. Djem si Gëzimi e nderojnë shoqatën “Malsia”. Lum si shoqata që e ka!”...

Elim Xanxari