Monday, December 10, 2007

Demoni
Shënime për librin "Rebel" të Shpëtim Roqit


Pushteti, në të gjitha kohërat, shumë a pak, kërkon bindje gjer në fanatizëm, ushtarë të nënshtruar, radhë shpirtrash të vdekur, nga baza e në majë të piramidës. Pushteti është uniformitet, unison politik. Pushteti vetëm kështu mbijeton. Pushteti i druhet mendimit të lirë, shpirtit të gjallë e rebel.

Pushtetarët i tremben LIRISÊ. Nuk bëhet fjalë për liri absolute, por për liritë njerëzore, për atë frymëmarrje shoqërore që i duhet patjetër njeriut për të qenë NJERI. Për atë hapësirë shpirtërore që synojnë poetë si Shpëtim Roqi. Po mjerisht, janë të paktë shpirtrat pa pranga paragjykimesh, shpirtrat e lirë. Aq të paktë, saqë pushteti në emër të shumicës, guxon t’i anatemojë, t’i gjymtojë, t’i nënshtrojë, t’i skllavërojë; po të mundet edhe t’i asgjësojë...

Sa të rrallë mbeten shpirtrat e lirë. Pikërisht ata shpirtra, imazhin e të cilëve bartin poezitë e Shpëtimit. Rebelë që orë e çast sfidojnë pushtetarët, që orë e çast u rri mbi krye mallkimi i pushtetarëve. Mallkimi i pushtetarëve që shenjojnë me gishtin tregues: "DEMONI"! Ja, "Demoni"! "Përzejeni Demonin!

Dhe turma fanatikësh syverbuar, në kor, përsërisin: "Demoni, Demoni! Përzereni Demonin!"
Paçka se përballë tyre ngrihet Engjëlli Mbrojtës. Paçka se predikon lirinë e tyre, gjallërinë njerëzore...

DEMONI! Në fakt, Demoni, është figurë mitologjike. Megjithatë, pushtetarët e thërrasin sa herë në skenën politike, kur shpallin heretikë kundërshtarët e vet.

Pikërisht ky DEMON këlthet nëpër vargjet e poetit Shpëtim Roqi. Do ta gjeni të shpirtëzuar në poezinë e tij...

Shefki Hysa
Vetëtimëz loti dhe qeshje
Shënime për librin "Krisja e zemrës" e poetit Gjin Progni

Gjin Progni i përket brezit të poetëve më të rinj shpirti i të cilëve, falë demokracisë, arriti të dalë nga gërmadhat e shpirtave që përçudnoi gjatë 50 vjetëve ferri i diktaturës enveriste. Zhgënjim, dëshpërim, dhimbje dhe pak shpresë, fare pak shpresë - ja ky është sedimenti i tërë asaj gjigandomanie iluzore me lindjet dhe perëndimet e përgjakura, me ngjyrat e ndezura alla socialiste që i servirte propaganda komuniste "njeriut të ri", krijesës së vet manekine.

Këtë e vëren edhe në vjershat e Gjin Prognit, ndër më të talentuarit midis atyre zërave poetikë që po ndihen. Është dashuria e vetmja ndjenjë, që u jep, herë-herë, tone optimiste vargjeve të tij të mbingarkuara me dramën e kohës. Një dashuri kapriçioze si gjithë dashuritë që zënë fill qysh me trillet e Adamit e Evës, dashuri sa e ëmbël dhe herë-herë gati hyjnore, aq cfilitëse e zemërplasëse. Madje e has në tërë indet e poezisë së vëllimit "Krisja e zemrës" këtë ndjenjë tejet njerëzore aq sa krijohet imazhi që universi poetik i Gjinit nuk është gjë tjetër veç një zemër gjigande që mundohet të ndryjë brenda vetes tërë gjithësinë e në pamundësi zhgënjehet e dëshpërohet e kriset e pikon dhembje e revoltë.

Midis lotëve vetëtin herë-herë dhe e qeshura e çiltër e poetit, humori i të riut që dhe pse zemërplasur kujtohet më në fund se jeta është e gjatë dhe duhet jetuar. E për ta jetuar atë duhet të ecë.

Në këtë ecje sa lodhëse dhe tërheqëse drejt të panjohurave të fatit të njeriut, i urojmë Gjin Prognit majat e suksesit, pas daljes në dritë të librit të parë "Krisja e zemrës".

Shefki Hysa
Vdekje Vdekjeve
Shënime për librin "Mos ma kujto vdekjen" të poetes Rudina Hasa

Poetja e re 18-vjeçare Rudina Sami Hasa me vëllimin e parë poetik "Mos ma kujto vdekjen", paraqitet te lexuesi me atë vrull ndjenjash që do ta kishte zili cilido krijues. Në tërësi vëllimi i saj i ngjan një klithme kushtruese me tone femërore sa të brishta e këngëzuese aq edhe të thekshme, si klithma e një drenushe, pas kapërcimit të një rreziku tejet vdekjeprurës.

Këlthet një shpirt adoleshent që e do marrëzisht jetën, dhe po marrëzisht urren me tërë fuqinë vajzërore gjithçka që ndjell sadopak vdekjen. Tepër e re Rudina dhe si e tillë tepër e etur për ta jetuar jetën, në të gjitha ngjyrat e gëzuara, në të gjithë spektrin e ylbertë të dashurisë, larg grisë që trashëgon ajo në këtë periudhë kalimtare, prej atij terri ku të zihej fryma.

Vdekje vdekjeve! Jo vdekjes natyrale, vdekjeve aksidentale që këpusin mizorisht jetë njerëzore që sapo i kanë kapërcyer pragjet e fëmijërisë.

Vdekje vdekjeve që përgjojnë tinëzisht jetën në çdo hap! Ky është lejtmotiv i poezisë së Rudinës. Mos jua kujtoni vdekjen të rinjve, kujtojuni sukseset që i presin në çdo kthesë të jetës.

I urojmë edhe Rudinës një jetë plot të papritura me funde të lumtur e për më tepër arriftë «Kilimanxharon» e poezisë.

SHEFKI HYSA
Kapriçiot e moshës
Shënime për librin "Yjet e ëndrrave" të Etleva Shahinit"

Kush nuk e jetoi adoleshencën e nuk i ndjeu kapriçiot e kësaj moshe kaq kritike, kur ndihesh sa fëmijë dhe i burrëruar, sa fluturak dhe i mençur, megjithëse as fëmijë e as i ri e as burrë. Një mot i paqendrueshëm adoleshenca, shi dhe diell, tufan i rrëmbyer dhe frullizë pranverore, acar dhe zheg; një pafundësi të kundërtash që çuditërisht bashkëjetojnë brenda një shpirti. Kupto, po të duash se ç’ligjësi veprojnë në shpirtin adoleshent, ku pranvera dhe dimri dhe dielli dhe bora dhe flladi dhe era e marrë vrullojnë në një llavë që përcakton karakteristikat e kësaj moshe.

E tillë është edhe Etleva Shahini.

Duke qenë njëkohësisht edhe poete, shpirti i saj i demostron edhe më fuqishëm kapriçiot e moshës. E këto kapriçio tejet origjinale janë mishëruar edhe në vargjet e librit të saj të parë "Yjet e ëndrrave".

Shefki Hysa
Eva e mashtruar
Shënime për librin me poezi "Engjëll mëkatar" të poetes Mirela Rrapi

"Engjëll mëkatar" titullohet vëllimi i parë poetik i 18-vjerçares Mirela Rapi, por mund t'i përshtatet bukur dhe sinonimi "Eva e mashtruar". Çuditërisht të gjithë adoleshentet e kanë nga një brengë, zhgënjimin prej dashurisë së parë. Dashurojnë tek partneri imazhin e mrekullueshëm, që krijon bota e tyre ndjesore dhe kur ndeshin, të shumtën e rasteve, te cilësitë e rëndomta të të dashurit, zhgënjehen dhe ndihen të mashtruara siç u ndie Eva, gruaja e parë në tokë, pasi kafshoi mollën e ndaluar, e joshur prej Djallit. Zhgënjimi pllakos si një masë errësire mbytëse në shpirtin e tyre, aq sa, herë-herë, duket_e pashpresë dalja prej asaj nate. Shumica e vajzave me kurajë arrijnë të gjejnë, më në fund, dritën e shpëtimit në vetvete dhe atëherë i kthejnë krahët dëshpërimit, rendin në kërkim të dashurisë së vërtetë me përmasa reale. E tillë është dhe heroina e poetes së re Mirela Rapi, një "Engjell mëkatar" apo një "Evë e mashtruar", që kërkon "Parajsën" e vet në këtë botë mëkatare, qoftë dhe larg në galaktika të reja të fantazisë.

Shefki Hysa
E kemi amanet Çamërinë dhe amanetin nuk e tret as dheu
Intervistë me zotin Tahir Muhedini, kryetar i PDI

- Nga vjen Tahir Muhedini dhe cila është rrjedha e tij në lumin e jetës

- Jam Tahir Muhedini, lindur dhe rritur në lagjen "Ali Demi", në Tiranë, me origjinë çame. Jam i diplomuar për drejtësi, biznesmen, deri në çastin kur pranova të më zgjidhnin kryetar të PDI. Tani merrem me drejtimin e PDI me dëshirën e vetme për të mbrojtur interesat e popullsisë çame, për të bërë të mundur rikthimin në vatanin tonë, andej nga na kanë dëbuar përdhunisht. Familja ime është me origjinë nga Paramithia e Çamërisë, besoj e keni parasysh. Është zona që u ndesh e para me mizorinë e shovinistëve grekë. Bandat zerviste më 27 qershor 1944 masakruan rreth 600 burra, gra e fëmijë në Paramithi dhe prej andej dhuna e tyre u përhap në gjithë Çamërinë, derisa tërë çamët muslimanë u dëbuan nga shtëpitë dhe vatani i tyre. Tashmë dihet që 27 qershori përfaqëson ditën e genocidit të shovinistëve grekë ndaj popullsisë së pambrojtur e të pafajshme çame.

- Çfarë përfaqëson për zotin Muhedini çështja çame?

- Tashmë, duke e ditur se jam me origjinë nga Paramithia, qyteti çam që u përgjak, u dogj dhe u shkatërrua i pari nga shovinistët grekë, besoj se e kuptoni se ç’përfaqëson ideali çam për një pasardhës të atij vendi martir. Ata, të parët tanë, kanë rënë dëshmorë të lirisë, të bindjeve dhe besimit të tyre; janë vrarë në mënyrë gjakatare, ndonëse të pafajshëm. Pra, na masakruan dhe na kanë dëbuar padrejtësisht nga atdheu ynë, gjë që duhet të ishim rikthyer me kohë në shtëpitë tona, po të mos këmbëngulte politika greke se nuk e njeh problemin çam, se i përket së kaluarës historike e të tjera justifikime si këto, në një kohë që bëhet copë që të sistemohen në varreza dëshmorësh ushtarët e tyre që erdhën si pushtues në Shqipëri gjatë luftës dhe u vranë në këtë tokë. Megjithatë për mua, Tahir Muhedinin, i duhet thënë "po" ngritjes së varrezave të të rënëve grekë në Shqipëri, por ama duhet që edhe shteti grek të kujtohet se ka një problem të hapur me atë shqiptar, problemin çam dhe së bashku të bëjnë të pamundurën që edhe të parët tanë çamë të kenë varrezat e tyre në Çamëri, në Greqi, që ne të kemi të drejtën të shkojmë e t’i vizitojmë ato varre, derisa të bëhet e mundur që të rifitojmë shtetësinë, të drejtën e pronës dhe të gjitha të drejtat njerëzore si tërë shtetasit grekë. Këto i them sepse unë gjykoj se është mirë të mos shohim nga e shkuara me arsyetim të errësuar, por të vështrojmë të ardhmen në mënyrë europiane, se vetëm kështu mund të bëjmë të tjerët të kuptojnë se çamëve duhet t`u jepet domosdoshmërisht mundësia e kthimit në territoret dhe shtëpitë e tyre dhe sigurisht rifitimi i shtetësisë greke, të cilën kurrë nuk e kanë mohuar. Unë, personalisht, nuk e di nëse tradita e amanetit është element i kulturës greke, njëlloj siç është në kulturën e popullit shqiptar, prandaj nevojitet një mënyrë për t`ua bërë me dije atyre këtë fakt. Ne e kemi AMANET Çamërinë (kujtimet, shtëpitë, tokat, shtetësinë) nga të parët tanë dhe amanetin nuk e tret as dheu…


- Duke qenë se drejtoni PDI-në, një parti relativisht e re në politikën Shqiptare, a mund të na thoni se çfarë synoni të arrini nëpërmjet programit të saj?

- Partia për Drejtësi dhe Integrim në zgjedhjet e fundit lokale, duke u prezantuar vetëm në zonat elektorale ku dihej se kishte elektoratin e vet dhe jo në të gjithë Shqipërinë, arriti të fitonte një përqindje modeste të zgjedhjeve në rang Republike, por ka dalë parti e parë dhe më e votuar në rrethin e Delvinës, forcë e katërt në rrethin e Vlorës, forcë e dytë politike në rrethin e Patosit, forcë e dytë politike në Komunën e Sukthit dhe në disa komuna të tjera. Në këtë mënyrë çamët e lënë pas dore në të gjitha pushtetet, tashmë përfaqësohen nga bijtë e tyre, janë në gjendje të thonë fjalën e tyre. Ja këtë synon PDI, që Komuniteti Paqedashës Çam, nëpërmjet një partie politike të përfaqësohet drejtëpërdrejt në pushtetin politik lokal të Republikës së Shqipërisë, siç u përfaqësua dhe siç do të përfaqësohet më vonë edhe me deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë ky komunitet e di se ka një "derë" institucionale ku mund të trokasë, të kërkojë apo të japë ndihmë, duke marrë pjesë aktive në jetën politike të qytetit, komunës apo bashkisë që i përket. Unë dëshiroj të theksoj nëpëmjet kësaj interviste se ky komunitet demokrat dhe dashamirës është anëtarësuar, ka propozuar dhe zgjedhur në rrugë demokratike dhe statutore përfaqësues të tij në forumet e larta politike të PDI-së dhe duke kandiduar me siglën e PDI-së në këto zgjedhje lokale arriti të mirëpërfaqësohet në pushtetin e parlamenteve lokale të Shqipërisë dhe kjo padyshim do të shërbejë si eksperiencë për përfaqësim të këtij komuniteti në Parlamentin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa në planin ndërkombëtar dëshiroj të theksoj se për herë të parë në historinë politike shqiptare një delegacion i një partie shqiptare si PDI, arriti të shprehte shqetësimin 62-vjeçar të popullsisë çame në Parlamentin Europian dhe për herë të parë përfaqësues të këtij parlamenti dëgjuan drejtpërdrejt zërin dhe kërkesat e popullsisë çame nëpërmjet një partie politike, e cila ka në betejat e saj kryesore zgjidhjen demokratike të këtij impassi historik, të problemit të Çamërisë.

- Me sa dimë edhe kohët e fundit keni bërë disa takime të sukseshme në Strasburg dhe Bruksel lidhur me çështjen çame. Komenti juaj për këto arritje?

- Po. Në tetor të vitit shkuar një delegacioni i përbërë nga djem përfaqësues të Komunitetit Çam realizoi një vizitë në Parlamentin Europian. Ky delegacion u takua edhe me znj. Doris Pack, Kryetare e Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Jug-Lindore. Takimi kaloi në mirëkuptim të plotë dhe në fund zonjës Pack iu dorëzua dosja e përgatitur në lidhje me Çështjen Çame, e cila në përmbajtjen e saj ka analiza politike ekspertësh ndërkombëtarë për historinë dhe rrugët e zgjidhjes së këtij problemi të lënë në harresë. Më datë 25 tetor zonja Doris Pack në takimin që pati kokë më kokë me mua personalisht, si Kryetar i PDI-së, ndërmjet të tjerash më premtoi se do të influenconte në mundësimin e vajtjes së popullsisë çame në Atdhe dhe sigurisht në nderimin e varreve të të parëve të tyre. Zonja Pack më premtoi gjithashtu se Çështja Çame do të diskutohej edhe në raundin e 13-të të bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të Shqipërisë me BE-në, siç është bërë realitet dhe juve jeni të informuar. Ajo më premtoi gjithashtu se do të komunikonte për këtë çështje edhe me eurodeputët grekë të Parlamentit Europian.

- Sipas jush cilat janë rrugët që do të çonin në një zgjidhje të drejtë e të shpejtë të Çështjes Çame?

- Sigurisht ndërkombëtarizimi i saj. Kur ishim në Strasburg dhe në Bruksel, eurodeputët Marco Pannella, lider historik i Partisë Radikale Italine, Marco Cappato, drejtues i Partisë Radikale Italiane së bashku me anëtarë të tjerë të Grupit Liberal Demokrat të Parlamentit Europian, na premtuan se do të shihnin mundësinë e propozimit të një Rezolute Parlamentare ku të kërkohet me terma urgjence hapja e dialogut midis Athinës dhe Tiranës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të popullsisë çame dhe praninë e ndërkombëtarëve. Ndërsa Graham Watson, Kryetar i Grupit Liberal Demokrat të Parlamentit Europian (Britania e Madhe) me Baroneshën Sara Ludford, anëtare e Grupit Liberal Demokrat dhe anëtare e Dhomës së Lordëve në Angli, pasi janë informuar për rastin e mosrespektimit të standarteve të të drejtave të njeriut për popullsinë çame, na kanë premtuar se dosjen tonë do t`ia kalonin Komisionit të Lirive të Njeriut dhe Komisionit të Politikave të Jashtme të Parlamentit Europian. Për ta mbyllur këtë argument dua të them se të gjitha këto aktivitete të suksesshme përbëjnë vetëm hapin e parë të rëndësishëm në rrugën e vështirë të realizimit të amanetit të të parëve të Komuniteti Çam.

- Çfarë do t’i sugjeronit poltikës, shtetit shqiptar dhe institucioneve më të larta në vend, përfshi këtu edhe presidentin Moisiu, që të ndikonin pozitivisht në zgjidhjen e problemit në fjalë?

- Partia për Drejtësi dhe Integrim dëshiron t’u kërkojë publikisht institucioneve të Shtetit Shqiptar të verifikojnë zhvillimet në zbatim të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve dhe sigurisht në lidhje me pronat në Greqi të të gjithë shtetasve shqiptarë dhe atyre çamë në veçanti. Unë dëshiroj t`i kujtoj opinionit shqitar, opinionit grek dhe atij ndërkombëtar se pakica greke në Shqipëri, pas përfitimesh të njëpasnjëshme të shumë pronave në Shqipëri, tani me politikën e legazimeve të Qeverisë aktuale, po përfiton përsëri pa asnjë dallim nga ajo pjesë e shtetasve të tjerë shqiptarë që kanë zënë troje në mënyrë të paligjshme. PDI gjithashtu dëshiron t`u kujtojë institucioneve të shtetit shqiptar se pa zgjidhjen e këtyre çështjeve themelore që e shqetësojnë Komunitetin Çam, nuk ka marrëdhënie dypalëshe reciproke, por vetëm marrëdhënie ndërvarësie midis atij që komandon dhe atij që vetëm bindet.
Nga Arben ÇOKAJ

Kosova - sfidë mes SHBA dhe Rusisë


Në përpjekjen e saj për pavarësi, Kosova po kalon një rrugë të vështirë. Politikanët dhe analistët shqiptarë nuk kanë pse të entuziazmohen apo dëshpërohen nga ngjarjet që shoqërojnë këtë rrugëtim të Kosovës drejt pavarësisë. Aktorët shqiptarë, të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë proces, që njihen edhe si Grupi i Unitetit, sidoqoftë, po tregojnë maturi dhe konsistencë në kërkesat dhe argumentet e tyre, në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe popullit të saj, pavarësisht se vëmë re edhe kritika për punën e tyre, si dhe ndonjë analizë pesimiste, sikur ndonjë diplomat i huaj e paska në dorë ta ndajë Kosovën, apo të vendosë mbi fatin e saj. Askush nuk mund të vendosë për Kosovën kokë më vete!

As trojka e krijuar për të kryer një seancë suplementare bisedimesh prej 120 ditësh, nuk i merr vendimet me kokën e tyre. Diplomatët përfaqësues, ai amerikan, evropian dhe ai rus, secili në vete, ruan interesat politike të vendit apo vendeve që ai përfaqëson, përsa i përket mendimit të shprehur për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në gjithë këtë lojë nervash të një diplomacie të nivelit të lartë, duhet të kuptojmë një rregull themelor të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare: rregullin tërhiq dhe lësho, ose thënë ndryshe tërhiq e mos e këput. Vendet e perëndimit, si vendet më të zhvilluara ekonomikisht dhe politikisht do të triumfojnë në fund me vullnetin e tyre për statusin final të Kosovës. Rusët si engjëlli mbrojtës i Serbisë në Ballkan, kanë shtruar dhe shtrojnë në këtë proces kërkesa nga më të paarsyeshmet, vetëm që të marrin sa më shumë prej Kosovës, të fitojnë kohë, siç edhe kanë bërë, por nuk do mund ta ndalin këtë shtet të ri, që po vjen dita-ditës duke u formësuar në Evropë.

Është e arsyeshme që disa politikanë e analistë shqiptarë të frikësohen nga pretendimet e Rusisë. Nuk duhet të frikësohemi, por duhet të tregojmë kujdes maksimal dhe të qëndrojmë fort në kërkesat tona. Rusia është një vend i madh dhe ne nuk mund ta injorojmë rolin e saj në politikat ndërkombëtare. Interesat e vendeve të mëdha i injorojnë shpeshherë interesat e vendeve të vogla - këtu e ka bazën frika dhe mosbesimi. Por ne nuk duhet të harrojmë se Kosova është pjesë e një interesi perëndimor! Presioni që ka bërë dhe po bën Rusia, e ka dhënë tashmë ndikimin e saj negativ, qoftë me lëshimet e mëdha para pakicës serbe në planin Ahtisari, qoftë edhe me vonesën relative në përcaktimin e statusit të Kosovës. Në diplomaci njihet mjaft mirë koncepti i fitimit në kohë. Serbët, të mbështetur nga rusët, e kanë aplikuar edhe në këtë rast këtë strategji, por duhet të kemi parasysh se edhe politika perëndimore ka si strategji të veten, që ta arrijë suksesin gradualisht, duke u imponuar me butësi dhe jo me agresivitet.
Sa herë që Kosova vlerësohet se po merr mbështetje për pavarësi, ku shtete të rëndësishme si Italia psh. mbështesin hapur planin Ahtisari, del një Koshtunicë, një ministër i jashtëm rus, apo ndonjë president rumun, dhe skërmisin dhëmbët, duke kërcënuar përkundër vullnetit politik të dy milion kosovarëve, dhe përkundër interesave strategjike të një paqeje afatgjatë, që SHBA-të dhe vendet e BE-së dëshirojnë të arrijnë me statusin e Kosovës. Ajo që është më e rëndësishme dhe që populli e politikanët tanë nuk duhet ta harrojnë, sido që të jetë mbështetja e perëndimorëve, e fortë apo e butë, duhet të ndjehemi me fat, që Kosova është bërë pjesë e interesit perëndimor dhe duhet të sillemi politikisht dhe ekonomikisht në ruajtje të këtyre interesave, të cilat për herë të parë në histori, na kanë bërë pjesë të tyre.

Konotacioni fetar që serbët janë munduar të përdorin sa herë ka ardhur çështja e Kosovës në shqyrtim, është një histori e vjetruar. Të gjitha strukturat e vendosjes, e dinë tashmë se problemi fetar nuk është një çështje që ka ndikim themelor në Kosovë - ajo që ka ndikim është pikërisht çështja nacionale. Diplomacia ruse e ka vënë re se SHBA-të kanë interesa strategjike në Kosovë dhe po mundohen sistematikisht që të marrin diçka, nëse detyrohen të japin diçka. Meqë Rusia nuk mund ta mbajë më Kosovën nën Serbi, diplomatët e Dumës ruse thonë: pse të mos përfitojmë edhe ne nga kjo kundërshti? Është një logjikë e thjeshtë, nuk ka pse të tregohemi emocionalë. Edhe ne po të jemi në vendin e tyre, kështu do të kishim bërë - dhe ne si shqiptarë, nëse nuk e kemi bërë këtë gjë siç duhet në histori, kjo ka ardhur më shumë nga fakti se kemi qenë të vegjël, apatikë dhe të paorganizuar siç duhet. Prej kësaj kemi humbur shumë territore. Por ka më shumë se kaq në gjithë këtë histori...

Ndikimi osman në shoqërinë shqiptare i la shqiptarët jashtë interesit strategjik të perëndimit dhe me një mentalitet tribal e fisnor, që është trashëguar ndjeshëm edhe në ditët e sotme. Të tjerët, sidomos perëndimorët, nuk të pranojnë lehtë, nëse nuk je si ata. Sot gjërat zhvillohen në një kohë tjetër. Shoqëria njerëzore është bërë më e zgjuar. Roli fetar ka kaluar në plan të dytë - më tepër rëndësi kanë të drejtat e njeriut dhe të drejtat ndërkombëtare, qoftë ato humanitare etj. Koncepte këto, që në fillim të shekullit të kaluar kishin një rëndësi të dorës së dytë, apo sapo kishin filluar të formësoheshin.

Politikanët e mëdhenj të fillim-shekullit të kaluar, si Uillson, Klemanso, Llojd Xhorxh apo Orlando nuk ishin të çliruar nga paragjykimet e kohës së tyre. Ata bënë një punë kolosale në konferencën e paqes, për përcaktimin e kufijve të shteteve, duke dëmtuar njëkohësisht jo vetëm tokat që banoheshin me shqiptarë, por edhe kombe të tjera. Por sot, ne duhet të rikujtojmë se askush nuk na e ka fajin më shumë se vetvetja, që nuk ditëm të ngrinim zërin e përbashkët për të mbrojtur interesat tona. Edhe sot në racën shqiptare vëren defekte trashanike të një trashëgimie kokëshkretë, gjë që përçohet edhe në politikën dhe diplomacinë që ne luajmë. Është normale tek ne të ndodhë, që të vlerësojmë kinezin, turkun apo një të huaj tjetër, më shumë se fqinjin tonë shqiptar, i cili mund të ketë bindje të ndryshme nga ne. Kjo është fatale dhe vazhdon të na kushtojë shtrenjtë. Sa më parë ta kuptojmë këtë, aq më mirë për ne.

Por duhet thënë gjithashtu se sot, drejtuesit politikë të Kosovës paraqiten më unikë. Dikush është mësuar që unicitetin ta shohë si në kohën e komunizmit, me një kokë. Në demokraci ky rregull nuk funksionon. Politikanë me bindje të ndryshme dhe nga parti të ndryshme duhet të veprojnë bashkë për interesa të përbashkëta. Këtë po bën edhe Grupi i Unitetit në Kosovë. Pra bashkimi i disa njerëzve me pikëpamje të ndryshme por me interesa të përbashkëta, është sot më rezultativ, se sa dalja me një kokë të vetme, shpeshherë të ideologjizuar - karakteristikë e monizmit.

Për të faktorizuar veten në skenën ndërkombëtare, Rusia po luan lojën e një djali plang-prishës. Dhe kjo ndodh jo vetëm në rastin e Kosovës. Punët duhen parë me maturi dhe jo me folklorizëm patriotik e patetizëm. Edhe pse lëvizja për vetëvendosje bën përpjekje për përcaktimin e statusit të Kosovës kokë më vete nga vetë kosovarët, duhet të kemi parasysh se kjo punë nuk është aq e lehtë dhe mund të përbëjë një tejkalim të atyre normave dhe rregullave ndërkombëtare, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet kombeve. Shpallja unilaterale e pavarësisë nga Kosova - një pretendim i lëvizjes "vetëvendosja", dhe njohja më pas e saj nga SHBA-të dhe vendet e BE-së, i jep Rusisë të drejtën për të shkelur më pas disa rregulla ndërkombëtare, në lidhje me disa nga ish-republikat ruse. Për të mos humbur terren në planin ndërkombëtar, amerikanët dhe evropianët po lëshojnë pe në trajtimin e çështjes së Kosovës dhe gjetjen e zgjidhjes duke kënaqur shqiptarët e serbët, në mënyrë që ata të merren vesh me njëri-tjetrin, pavarësisht se kjo ngjan me një misioni të pamundur.

Pastaj se çfarë plani do ndiqet për ta bërë Kosovën një shtet të pavarur, kjo mbetet për t'u parë. Por jo të gjitha mundësitë janë ezauruar. Ajo që ne duhet të besojmë është se Kosova, me ose pa dëshirën ruse, me ose pa dëshirën serbe, do të bëhet shumë shpejt një shtet i pavarur. Rruga që do ndiqet drejt pavarësisë pretendohet të jetë sa më e arsyeshme dhe e pranueshme. Shtetet perëndimore nuk kanë se si ta humbin këtë betejë! Ne jemi sot pjesë e lojës së tyre. Dhe të mos ua lëmë pasivisht të gjitha punët në dorë atyre. Pjesa më e madhe e punës na takon ne. Se sa do të jemi ne në gjendje ta mbajmë mbi shpatullat tona këtë përgjegjësi, kjo është një çështje tjetër.

Duhet të fillojmë të mendojmë!
Nga Emrie Krosi

Çamëria.

Gjyshi më ka treguar: "Bijë,
atje, përtej mjegullës së maleve,
ndodhet një tokë e përgjakur
që quhet Çamëri!…
Është tokë e bukur!
Pjellore!…
Si Kosova…
Bijë,
një ditë do jetë pjesë e Shqipërisë"…
Përtej kreshtave të kuqërremta,
në Çamëri
ende shfryjnë shtëllunga tymi,
hiri i shtëpive,
i ullinjve
rrugëve bëhet kalldrëm.
Një ninullë zogu,
mbi një kurorë të shkrumbuar ulliri,
përflaket mbrëmjeve
të "Golgotës" arvanitase,
(atdheut jetim të Bilal Xhaferrit),
Çamërisë…
Çamët, si muhaxhirë,
"ngarkuan" këngët,
në djepat pa emra,
pa fëmijë…
S`të falim
as ty, Çamëri!
S`të falim
as ty, Kosovë!…
A jeton dot trupi pa gjymtyrë?

Emrie Krosi