Monday, December 10, 2007

Demoni
Shënime për librin "Rebel" të Shpëtim Roqit


Pushteti, në të gjitha kohërat, shumë a pak, kërkon bindje gjer në fanatizëm, ushtarë të nënshtruar, radhë shpirtrash të vdekur, nga baza e në majë të piramidës. Pushteti është uniformitet, unison politik. Pushteti vetëm kështu mbijeton. Pushteti i druhet mendimit të lirë, shpirtit të gjallë e rebel.

Pushtetarët i tremben LIRISÊ. Nuk bëhet fjalë për liri absolute, por për liritë njerëzore, për atë frymëmarrje shoqërore që i duhet patjetër njeriut për të qenë NJERI. Për atë hapësirë shpirtërore që synojnë poetë si Shpëtim Roqi. Po mjerisht, janë të paktë shpirtrat pa pranga paragjykimesh, shpirtrat e lirë. Aq të paktë, saqë pushteti në emër të shumicës, guxon t’i anatemojë, t’i gjymtojë, t’i nënshtrojë, t’i skllavërojë; po të mundet edhe t’i asgjësojë...

Sa të rrallë mbeten shpirtrat e lirë. Pikërisht ata shpirtra, imazhin e të cilëve bartin poezitë e Shpëtimit. Rebelë që orë e çast sfidojnë pushtetarët, që orë e çast u rri mbi krye mallkimi i pushtetarëve. Mallkimi i pushtetarëve që shenjojnë me gishtin tregues: "DEMONI"! Ja, "Demoni"! "Përzejeni Demonin!

Dhe turma fanatikësh syverbuar, në kor, përsërisin: "Demoni, Demoni! Përzereni Demonin!"
Paçka se përballë tyre ngrihet Engjëlli Mbrojtës. Paçka se predikon lirinë e tyre, gjallërinë njerëzore...

DEMONI! Në fakt, Demoni, është figurë mitologjike. Megjithatë, pushtetarët e thërrasin sa herë në skenën politike, kur shpallin heretikë kundërshtarët e vet.

Pikërisht ky DEMON këlthet nëpër vargjet e poetit Shpëtim Roqi. Do ta gjeni të shpirtëzuar në poezinë e tij...

Shefki Hysa

No comments: