Monday, December 10, 2007

Vdekje Vdekjeve
Shënime për librin "Mos ma kujto vdekjen" të poetes Rudina Hasa

Poetja e re 18-vjeçare Rudina Sami Hasa me vëllimin e parë poetik "Mos ma kujto vdekjen", paraqitet te lexuesi me atë vrull ndjenjash që do ta kishte zili cilido krijues. Në tërësi vëllimi i saj i ngjan një klithme kushtruese me tone femërore sa të brishta e këngëzuese aq edhe të thekshme, si klithma e një drenushe, pas kapërcimit të një rreziku tejet vdekjeprurës.

Këlthet një shpirt adoleshent që e do marrëzisht jetën, dhe po marrëzisht urren me tërë fuqinë vajzërore gjithçka që ndjell sadopak vdekjen. Tepër e re Rudina dhe si e tillë tepër e etur për ta jetuar jetën, në të gjitha ngjyrat e gëzuara, në të gjithë spektrin e ylbertë të dashurisë, larg grisë që trashëgon ajo në këtë periudhë kalimtare, prej atij terri ku të zihej fryma.

Vdekje vdekjeve! Jo vdekjes natyrale, vdekjeve aksidentale që këpusin mizorisht jetë njerëzore që sapo i kanë kapërcyer pragjet e fëmijërisë.

Vdekje vdekjeve që përgjojnë tinëzisht jetën në çdo hap! Ky është lejtmotiv i poezisë së Rudinës. Mos jua kujtoni vdekjen të rinjve, kujtojuni sukseset që i presin në çdo kthesë të jetës.

I urojmë edhe Rudinës një jetë plot të papritura me funde të lumtur e për më tepër arriftë «Kilimanxharon» e poezisë.

SHEFKI HYSA

No comments: