Monday, December 10, 2007

Eva e mashtruar
Shënime për librin me poezi "Engjëll mëkatar" të poetes Mirela Rrapi

"Engjëll mëkatar" titullohet vëllimi i parë poetik i 18-vjerçares Mirela Rapi, por mund t'i përshtatet bukur dhe sinonimi "Eva e mashtruar". Çuditërisht të gjithë adoleshentet e kanë nga një brengë, zhgënjimin prej dashurisë së parë. Dashurojnë tek partneri imazhin e mrekullueshëm, që krijon bota e tyre ndjesore dhe kur ndeshin, të shumtën e rasteve, te cilësitë e rëndomta të të dashurit, zhgënjehen dhe ndihen të mashtruara siç u ndie Eva, gruaja e parë në tokë, pasi kafshoi mollën e ndaluar, e joshur prej Djallit. Zhgënjimi pllakos si një masë errësire mbytëse në shpirtin e tyre, aq sa, herë-herë, duket_e pashpresë dalja prej asaj nate. Shumica e vajzave me kurajë arrijnë të gjejnë, më në fund, dritën e shpëtimit në vetvete dhe atëherë i kthejnë krahët dëshpërimit, rendin në kërkim të dashurisë së vërtetë me përmasa reale. E tillë është dhe heroina e poetes së re Mirela Rapi, një "Engjell mëkatar" apo një "Evë e mashtruar", që kërkon "Parajsën" e vet në këtë botë mëkatare, qoftë dhe larg në galaktika të reja të fantazisë.

Shefki Hysa

No comments: