Nga Arben ÇOKAJ
Kosova - sfidë mes SHBA dhe Rusisë
Në përpjekjen e saj për pavarësi, Kosova po kalon një rrugë të vështirë. Politikanët dhe analistët shqiptarë nuk kanë pse të entuziazmohen apo dëshpërohen nga ngjarjet që shoqërojnë këtë rrugëtim të Kosovës drejt pavarësisë. Aktorët shqiptarë, të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë proces, që njihen edhe si Grupi i Unitetit, sidoqoftë, po tregojnë maturi dhe konsistencë në kërkesat dhe argumentet e tyre, në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe popullit të saj, pavarësisht se vëmë re edhe kritika për punën e tyre, si dhe ndonjë analizë pesimiste, sikur ndonjë diplomat i huaj e paska në dorë ta ndajë Kosovën, apo të vendosë mbi fatin e saj. Askush nuk mund të vendosë për Kosovën kokë më vete!
As trojka e krijuar për të kryer një seancë suplementare bisedimesh prej 120 ditësh, nuk i merr vendimet me kokën e tyre. Diplomatët përfaqësues, ai amerikan, evropian dhe ai rus, secili në vete, ruan interesat politike të vendit apo vendeve që ai përfaqëson, përsa i përket mendimit të shprehur për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në gjithë këtë lojë nervash të një diplomacie të nivelit të lartë, duhet të kuptojmë një rregull themelor të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare: rregullin tërhiq dhe lësho, ose thënë ndryshe tërhiq e mos e këput. Vendet e perëndimit, si vendet më të zhvilluara ekonomikisht dhe politikisht do të triumfojnë në fund me vullnetin e tyre për statusin final të Kosovës. Rusët si engjëlli mbrojtës i Serbisë në Ballkan, kanë shtruar dhe shtrojnë në këtë proces kërkesa nga më të paarsyeshmet, vetëm që të marrin sa më shumë prej Kosovës, të fitojnë kohë, siç edhe kanë bërë, por nuk do mund ta ndalin këtë shtet të ri, që po vjen dita-ditës duke u formësuar në Evropë.
Është e arsyeshme që disa politikanë e analistë shqiptarë të frikësohen nga pretendimet e Rusisë. Nuk duhet të frikësohemi, por duhet të tregojmë kujdes maksimal dhe të qëndrojmë fort në kërkesat tona. Rusia është një vend i madh dhe ne nuk mund ta injorojmë rolin e saj në politikat ndërkombëtare. Interesat e vendeve të mëdha i injorojnë shpeshherë interesat e vendeve të vogla - këtu e ka bazën frika dhe mosbesimi. Por ne nuk duhet të harrojmë se Kosova është pjesë e një interesi perëndimor! Presioni që ka bërë dhe po bën Rusia, e ka dhënë tashmë ndikimin e saj negativ, qoftë me lëshimet e mëdha para pakicës serbe në planin Ahtisari, qoftë edhe me vonesën relative në përcaktimin e statusit të Kosovës. Në diplomaci njihet mjaft mirë koncepti i fitimit në kohë. Serbët, të mbështetur nga rusët, e kanë aplikuar edhe në këtë rast këtë strategji, por duhet të kemi parasysh se edhe politika perëndimore ka si strategji të veten, që ta arrijë suksesin gradualisht, duke u imponuar me butësi dhe jo me agresivitet.
Sa herë që Kosova vlerësohet se po merr mbështetje për pavarësi, ku shtete të rëndësishme si Italia psh. mbështesin hapur planin Ahtisari, del një Koshtunicë, një ministër i jashtëm rus, apo ndonjë president rumun, dhe skërmisin dhëmbët, duke kërcënuar përkundër vullnetit politik të dy milion kosovarëve, dhe përkundër interesave strategjike të një paqeje afatgjatë, që SHBA-të dhe vendet e BE-së dëshirojnë të arrijnë me statusin e Kosovës. Ajo që është më e rëndësishme dhe që populli e politikanët tanë nuk duhet ta harrojnë, sido që të jetë mbështetja e perëndimorëve, e fortë apo e butë, duhet të ndjehemi me fat, që Kosova është bërë pjesë e interesit perëndimor dhe duhet të sillemi politikisht dhe ekonomikisht në ruajtje të këtyre interesave, të cilat për herë të parë në histori, na kanë bërë pjesë të tyre.
Konotacioni fetar që serbët janë munduar të përdorin sa herë ka ardhur çështja e Kosovës në shqyrtim, është një histori e vjetruar. Të gjitha strukturat e vendosjes, e dinë tashmë se problemi fetar nuk është një çështje që ka ndikim themelor në Kosovë - ajo që ka ndikim është pikërisht çështja nacionale. Diplomacia ruse e ka vënë re se SHBA-të kanë interesa strategjike në Kosovë dhe po mundohen sistematikisht që të marrin diçka, nëse detyrohen të japin diçka. Meqë Rusia nuk mund ta mbajë më Kosovën nën Serbi, diplomatët e Dumës ruse thonë: pse të mos përfitojmë edhe ne nga kjo kundërshti? Është një logjikë e thjeshtë, nuk ka pse të tregohemi emocionalë. Edhe ne po të jemi në vendin e tyre, kështu do të kishim bërë - dhe ne si shqiptarë, nëse nuk e kemi bërë këtë gjë siç duhet në histori, kjo ka ardhur më shumë nga fakti se kemi qenë të vegjël, apatikë dhe të paorganizuar siç duhet. Prej kësaj kemi humbur shumë territore. Por ka më shumë se kaq në gjithë këtë histori...
Ndikimi osman në shoqërinë shqiptare i la shqiptarët jashtë interesit strategjik të perëndimit dhe me një mentalitet tribal e fisnor, që është trashëguar ndjeshëm edhe në ditët e sotme. Të tjerët, sidomos perëndimorët, nuk të pranojnë lehtë, nëse nuk je si ata. Sot gjërat zhvillohen në një kohë tjetër. Shoqëria njerëzore është bërë më e zgjuar. Roli fetar ka kaluar në plan të dytë - më tepër rëndësi kanë të drejtat e njeriut dhe të drejtat ndërkombëtare, qoftë ato humanitare etj. Koncepte këto, që në fillim të shekullit të kaluar kishin një rëndësi të dorës së dytë, apo sapo kishin filluar të formësoheshin.
Politikanët e mëdhenj të fillim-shekullit të kaluar, si Uillson, Klemanso, Llojd Xhorxh apo Orlando nuk ishin të çliruar nga paragjykimet e kohës së tyre. Ata bënë një punë kolosale në konferencën e paqes, për përcaktimin e kufijve të shteteve, duke dëmtuar njëkohësisht jo vetëm tokat që banoheshin me shqiptarë, por edhe kombe të tjera. Por sot, ne duhet të rikujtojmë se askush nuk na e ka fajin më shumë se vetvetja, që nuk ditëm të ngrinim zërin e përbashkët për të mbrojtur interesat tona. Edhe sot në racën shqiptare vëren defekte trashanike të një trashëgimie kokëshkretë, gjë që përçohet edhe në politikën dhe diplomacinë që ne luajmë. Është normale tek ne të ndodhë, që të vlerësojmë kinezin, turkun apo një të huaj tjetër, më shumë se fqinjin tonë shqiptar, i cili mund të ketë bindje të ndryshme nga ne. Kjo është fatale dhe vazhdon të na kushtojë shtrenjtë. Sa më parë ta kuptojmë këtë, aq më mirë për ne.
Por duhet thënë gjithashtu se sot, drejtuesit politikë të Kosovës paraqiten më unikë. Dikush është mësuar që unicitetin ta shohë si në kohën e komunizmit, me një kokë. Në demokraci ky rregull nuk funksionon. Politikanë me bindje të ndryshme dhe nga parti të ndryshme duhet të veprojnë bashkë për interesa të përbashkëta. Këtë po bën edhe Grupi i Unitetit në Kosovë. Pra bashkimi i disa njerëzve me pikëpamje të ndryshme por me interesa të përbashkëta, është sot më rezultativ, se sa dalja me një kokë të vetme, shpeshherë të ideologjizuar - karakteristikë e monizmit.
Për të faktorizuar veten në skenën ndërkombëtare, Rusia po luan lojën e një djali plang-prishës. Dhe kjo ndodh jo vetëm në rastin e Kosovës. Punët duhen parë me maturi dhe jo me folklorizëm patriotik e patetizëm. Edhe pse lëvizja për vetëvendosje bën përpjekje për përcaktimin e statusit të Kosovës kokë më vete nga vetë kosovarët, duhet të kemi parasysh se kjo punë nuk është aq e lehtë dhe mund të përbëjë një tejkalim të atyre normave dhe rregullave ndërkombëtare, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet kombeve. Shpallja unilaterale e pavarësisë nga Kosova - një pretendim i lëvizjes "vetëvendosja", dhe njohja më pas e saj nga SHBA-të dhe vendet e BE-së, i jep Rusisë të drejtën për të shkelur më pas disa rregulla ndërkombëtare, në lidhje me disa nga ish-republikat ruse. Për të mos humbur terren në planin ndërkombëtar, amerikanët dhe evropianët po lëshojnë pe në trajtimin e çështjes së Kosovës dhe gjetjen e zgjidhjes duke kënaqur shqiptarët e serbët, në mënyrë që ata të merren vesh me njëri-tjetrin, pavarësisht se kjo ngjan me një misioni të pamundur.
Pastaj se çfarë plani do ndiqet për ta bërë Kosovën një shtet të pavarur, kjo mbetet për t'u parë. Por jo të gjitha mundësitë janë ezauruar. Ajo që ne duhet të besojmë është se Kosova, me ose pa dëshirën ruse, me ose pa dëshirën serbe, do të bëhet shumë shpejt një shtet i pavarur. Rruga që do ndiqet drejt pavarësisë pretendohet të jetë sa më e arsyeshme dhe e pranueshme. Shtetet perëndimore nuk kanë se si ta humbin këtë betejë! Ne jemi sot pjesë e lojës së tyre. Dhe të mos ua lëmë pasivisht të gjitha punët në dorë atyre. Pjesa më e madhe e punës na takon ne. Se sa do të jemi ne në gjendje ta mbajmë mbi shpatullat tona këtë përgjegjësi, kjo është një çështje tjetër.
Duhet të fillojmë të mendojmë!
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment