Thursday, December 27, 2007

NJË JETË KUSHTUAR ARTIT
Shënime për valltarin e koreografin e shquar Bashkim Braho


Artisti Bashkim Braho, valltar e koreograf i shquar shqiptar, me origjinë fisnore nga krahina martire e Çamërisë, u lind më 20 mars 1948 në Tiranë. Talenti i tij si valltar spikati që në moshë shumë të vogël. E motra e shoqëronte me tingujt e dajres, ndërsa ai kërcente përpara të afërmve, duke hedhur kështu hapat e parë drejt një karriere tepër të suksesshme që ka karakterizuar e vazhdon të karakterizojë tanimë jetën e tij.

Bashkim Brahua mbaroi shkollën fillore "Kosova" në Tiranë dhe njëkohësisht vazhdonte të kërcente me grupin e valleve të pallatit të pionerëve të kryeqytetit shqiptar.

Më vonë mbaroi edhe liceun artistik "Jordan Misja", ku i zhvilloi më tej dhuntitë e tij artistike.

Koreografi Bashkim Braho e filloi karrierën e tij si kërcimtar në vitin 1962, kur ishte student i shkollës së kërcimit pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. Gjatë asaj periudhe ishte një nga studentët më të preferuar të kërcimtarit dhe koreografit të famshëm, artistit të merituar Gëzim Kaceli, i cili vinte prej shkollës së baletit të Moskës.

Në vitin 1967 Bashkimi u punësua në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, nder që u rezervohej vetëm pak njerëzve në atë kohë në Shqipëri.

Në vitin 1972 ishte solisti i parë i këtij ansambli.

Viti 1986 artistin profesionist Bashkim Braho e gjeti si pedagog të shkollës Koreografike.
Në vitin 1990, me fillimin e periudhës postkomuniste demokratike në Shqipëri, Bashkimi krijoi dhe udhëhoqi ansamblin folklorik "Krahu i Shqiponjës" që korri suksese brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Ansambli "Krahu i Shqiponjës" ka dhënë shfaqje të shumta të frymëzuara nga perlat e folkorit të lashtë shqiptar edhe në Kroaci, Turqi, Spanjë e gjektë, ku për interpretimet e mrekullueshme është vlerësuar shumë për arritjet artistike skenike, mori dhe medalje nderi nga Këshilli Spanjoll i Artit.

Bashkim Brahua ka kërcyer si profesionist edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë për njëzet e gjashtë vjet.

Nga viti 1986 deri në 1995 Bashkim Brahua ishte profesor në shkollën e baletit në Tiranë.

Karriera e tij e gjatë dhe e suksesshme artistike përfshin turne ndërkombëtare në gjashtëmbëdhjetë vende të Europës, Afrikës dhe Azisë, në të cilat është nderuar me medalje ari e shumë çmime prestigjioze.

Në vitin 1995 Bashkim Brahua u vendos në Boston, por kjo lëvizje jo vetëm që nuk e ndali karrierën e tij artistike, përkundrazi shënoi themelimin e grupit të valleve "Bashkimi", i cili vazhdon të sjellë në skenat artistike të botës valle nga të gjitha trevat shqiptare.

E veçanta e grupit "Bashkimi" është fakti se koreografi Bashkim Braho përzgjodhi kërcimtarë nga krahina të ndyshme të trojeve shqiptare, individë me dhunti e aftësi të rralla që e njihnin mirë artin koreografik.

Grupi artistik "Bashkimi" tanimë ka mbushur një pjesë të mirë të jetës kultuore të komunitetit shqiptar në SHBA dhe është një ndër formacionet më profesioniste të Diasporës sonë.

Më 19 qershor 2003 grupi "Bashkimi" dha shfaqje edhe për nder të presidentit Bill Klinton.

Nën drejtimin e mjeshtrit Bashkim Braho ky grup ka marrë pjesë në Festivalin e Përvitshëm Ballkanik në Natic, në Festivalin Ndërkombëtar në Boston, në Festivalin Ballkanik në Worchester, si dhe në të mirënjohurin Festivalin e Përvitshëm Shqiptar në New York, ku është nderuar për mjeshtërinë e interpretimit dhe individualitetin artistik.

Artisti Bashkim Braho, si valltar e koreograf, tanimë është një nga emrat më të spikatur të artit kombëtar shqiptar e veçanërisht në Komunitetin e Shqiptarëve të Amerikës, lauretat i shumë skenave prestigjioze nëpër botë.

I urojmë suksese pas suksesesh dhe jetë sa më të gjatë për t’i përjetuar ato, mjeshtrit të shquar, artistit të palodhur, valltarit e koreografit të talentuar Bashkim Braho, i cili ndrin si një yll gjithandej skenave të festivaleve e në shërbim të njerëzve artdashës të kësaj bote kaq të trazuar nga të papriturat e kohëve të vështira që jetojmë.

Redaksia e revistës "Krahu i Shqiponjës"

Tiranë, 2007