"TË KAM FALUR"
Me të ngritur receptorin e telefonit fiks të shtëpisë sime, njoha zërin e mikut tim Seit Myrto.
- E di që je për t’u sharë, por nejse, – ia nisi Seiti. - Si more Namik, të mos kujtohesh njëherë për mua, të takohemi, të pijmë ndonjë kafe, të ndërrojmë ndonjë muhabet, se të kam dashur gjithmonë, more qerrata, se u bëmë muaj pa u takuar.
Ndërsa ai fliste, unë përfytyroja këtë burrë që i ka kaluar të shtatëdhjetat, kushëririn e afërt të Bilal Xhaferrit, që është një njeri fjalë-urtë dhe i zgjuar si Sokrati, që kushdo që ta njihte do të ishte i nderuar.
Ai fliste dhe fliste... Unë hera herës i përgjigjesha me doza justifikimi, duke i thënë se ma hante kohën biznesi im i mundimshëm.
- Ore, lëri justifikimet me mua, – ma kthente.
Të kuptohemi, ne ndrronim fjalë shpirti me njëri-tjetrin, me nota të thella dashurie.
-Do ta dish pse të kam falur? – më pyeti Seiti në një rast. – Të kam falur, – u përgjigj po vetë, – se diku kam lexuar se po shkruan një libër me kujtime për jetën e Bilalit. E po shyqyr, që gjete kohën dhe vendose njëherë! Por edhe unë kam një kujtim të bukur nga Bilali, kam një letër që e ruaj që nga viti 1963 dhe po ta dhuroj ty.
NAMIK MANE
I dashur Seit!
Sonte mora telegramin tuaj. E quaja si të harruar dhe të lënë pas dore punën e tregimit "Në rrugë", prandaj lajmi për botimin e tij më gëzoi. Po gëzimin më të madh e ndjeva kur lexova gjashtë emrat e radhitur në fund të telegramit. Ju falenderoj thellë nga zemra që ju më kujtoni, që interesoheni për mua dhe që gëzoni të kem sukses. Nuk besoj se do kish ndonjë gjë tjetër, e cila do më prekte më shumë se fjalët e mira të njerëzve të mij. Kur mendoj se midis lexuesve të mi ini dhe ju, e ndiej vehten të lumtur dhe shumë të emocionuar; më duket sikur, duke lexuar ndonjë shkrim timin, ju mbani në dorë zemrën time.
Të kërkoj të falur, Seit, që nuk të kam shkruar letra për një kohë kaq të gjatë. Si njeri i kujdesshëm, i rregullt dhe korekt, ti sigurisht, do e kesh marrë për fyerje heshtjen time. Po nuk duhet ta marrësh ashtu. E vërteta është se jam fajtor. Këtë e pranoj, pa i bërë asnjë koment për justifikim. Unë jam tmerrësisht i parregullt në letra, po kjo ama, nuk më pengon që ta ruaj gjithnjë të freskët miqësinë dhe dashurinë për njerëzit që i dua. Këtu s’duhet të dyshosh.
U gëzova shumë që i dhe provimet, e beson se u gëzova me të vërtet shumë. Kjo për ti qe një punë jo e vogël, tani do e kesh më të lehtë, meqë e hodhe vitin e vështirë. Po me punë si shkon? Ini të gjithë mirë ju andej? Halili më ka shkruar dhe i kam shkruar. Ai është mirë tani po mërzitet shumë. Edhe unë mërzitem sa s’ka ku shkon më. Jam fare vetëm, pa asnjë shok me të cilin të bëj një bisedë për të qenë. Mungesën e Halilit e ndjej shumë. Pothuaj tërë jetën kam qenë i vetëm e i vetmuar, pa shokë, fillikatë në botë, po tani ka ardhur koha që nuk e duroj dot vetminë, nuk e duroj dot këtë jetë prej endacaku. Unë kam frikë se ky fat do më ndjekë gjithmonë. Kur të mbaroj ushtrinë, ku të shkoj e ta fus kokën? Rrugëve do të mbetem përsëri... Po djalli ta marrë! Le të bëhet si të bëhet!
Jam duke shkruar një tregim që titullohet "Puthja" dhe them se do e mbaroj mbrënda kësaj jave. Gjithashtu po punoj për përfundimin e dy novelave që i kam filluar këtu e një vit më parë. Njërën prej këtyre novelave donja ta paraqitnja në konkursin e 20 vjetorit të ushtrisë, po nuk e përfundova dot. Do bëj përpjekje që, në Konkursin e 20 vjetorit të çlirimit të dërgoj një vëllim me tregime. Gjatë muajve të fundit më janë botuar tre tregime, në "Nëndori" në "Zërin e Rinisë" dhe në "Dritën". Po të ra në dorë "Nëndori" i gushtit, lexoje tregimin që është botuar atje (titullohet "Dashuri dhe fate"). Atje flitet edhe për ti.
Shkurtimisht, kaq për "aktivitetin tim letrar". I shkrova të gjitha këto se, nga njëra anë, nuk kam për çfarë tjetër të të shkruaj dhe, nga ana tjetër, e di se ti interesohej sinqerisht për shkrimet e mija, gjë e cila më bën të të jem falenderonjës.
Me kaq po e përfundoj letrën. Do të shkruaj përsëri. Më shkruaj edhe ti. Letrat e tua unë i kam pritur me gëzim dhe kënaqësi të veçantë.
Të fala Baba Hoxhës dhe Dajko Shahinit. Të fala Lalos, Dizos, Beshos, Selamit, Tasimit.
Të përqafoj dhe të puth me mall
Yti, Bilali
Poliçan, 13 Tetor 63
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment