Monday, December 3, 2007

Nga Shefki Hysa

FUQIA PÊR TÊ RIKRIJUAR LIRINÊ
Shënime për romancën "Bukuroshja me hijen" e shkrimtarit Pjetër Arbnori

Duhet të jesh patjetër njeri me zemër tejet të ndjeshme, të jesh shkrirntar me të vërtetë i talentuar që të kesh njëherësh durim e fantazi për të endur mjeshtërisht me majën e penës velin farfuritës e idilik të një plazhi veror, i ndryrë përbrenda qelive të një burgu të llahtarshëm si ai i Burrelit. E pabesueshme, megjithatë realitet. Ish i burgosuri politik Pjetër Arbnori, në kushte terrori të egër, nëpër terrin e qelisë të ndriçuar vetëm me dritëzën e syve dhe zjarrin e kujtimeve të rinisë së hershme që s'arrin t'ia përlyejë dhuna fizike e psikike, që s'ia shuan dot uria, rreket jo thjesht për të mbijetuar, por edhe për të mprehur mendimin dhe ndjenjën e për t'i ngjizur pastaj në një art të veçantë. Kjo është romanca "Bukuroshja me hijen". Fati i saj është një pjesë e fatit të autorit, e atyre njerëzve që dolën së fundi në dritë, prej rrethimit të telave me gjemba, me shpirt ende të pacënuar, në sajë të shpërthimit të energjive të fjetura.
E lexon këtë romancë e nuk ke se si të mos drithërohesh jo vetëm nga gjendjet e përprushura lirike dhe mesazhet që përçon, por për faktin se si ajo është krijuar përbrenda skutave të ngrehinës së tmerrit të burgut famëkeq të Burrelit. Nuk do ta tepronim aspak, po të shprehemi në mënyrë figurative, se kjo vlerë artistike është ngjizur e rritur njëlloj si perlat përbrenda guaskës së molusqeve të nëndeteve të thella. Gjuetarët e perlave e dinë se ç'heqin për t'i zbuluar e nxjerrë prej thellësive detare e për t'i vënë në shërbim të njeriut të tilla thesare.
Pra, kjo romancë që s'ka asgjë të përbashkët me tmerret e burgjeve, përkundrazi është një përpjekje e suksesshme e autorit, sa dëshirë dhe trill, për t'i kënduar ndjenjës njerëzore të stërlashtë sa vetë njeriu, dashurisë. Megjithëse në një fushë ku kanë hyrë e kanë dështuar shumë shkrimtarë, Pjetër Arbnori, sipas mënyrës së vet, me ngjyrimet e botës së tij emocionale, më në fund, ia del mbanë t'i thurë një himn të ri dashurisë, veshur kësaj here me karakteristika nga më shqiptaret.
Ata që do ta lexojnë këtë romancë, do të binden se pas botimit të novelës "Kur dynden vikingët", shtëpia botuese "Bilal Xhaferri" paraqet një tjetër dëshmi artistike për talentin e pamohueshëm të këtij autori, tashmë jo të ri në moshë, por të ri në shpirt. "Bukuroshja me hijen" është një sfidë për skeptikët, për nihilistët, për mediokrët. Edhe pse brenda errësirës së burgjeve, ai në shpirtin e në veprën e tij ruajti pastërtinë e dritës, kur shumë shkrimtarë të tjerë, edhe pse jetuan në dritë, në jetën e tyre zuri vend errësira e diktaturës.
Pjetër Arbnori do ta zërë vendin që i takon në letërsinë tonë. Ai si një gjuetar i palodhur me siguri do të vazhdojë kërkimin e të tilla perlave në detet e mundimshme të krijimtarisë për kënaqësinë e atyre që e njohin vlerën e mrekullive. Dhe e ardhmja ka për ta shpërblyer, duke e skalitur emrin e tij në kujtesën e kohës.

No comments: