Shefki Hysa, Sekretar i LSHA të Shqipërisë
E DËNUAR ME VDEKJE NGA POLITIKA
Rekuiem për Letërsinë Shqiptare
1
Arsyeja nën thundrën e paarsyes
Politikat e të gjitha shteteve pa tru në të gjitha kohërat (që kur lindën shtetet e gjer sa të jetë jeta) e kanë dënuar me vdekje letërsinë dhe artin e vërtetë. Kështu, në dukje pa arsye, kanë vepruar edhe politikat shqiptare që nga fillimet e letërsisë dhe artit tonë e në vazhdim. Ec e merre vesh, arsyeja në jetë të jetëve nën thundrën e paarsyes…
E kotë shpresa se politikat postkomuniste do të ndryshonin mendim dhe do ta mbështesnin e do ta nxisnin zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare (e veçojmë letërsinë jo paqëllim). Përkundrazi, kanë vepruar, veprojnë dhe do të veprojnë njëlloj si politikat simotra pa tru, të vjetra a të reja qofshin: "Letërsia e dënuar me vdekje!"
Dhe arsyeja e paarsyes dihet, letërsia e vërtetë me mesazhet që bart dhe përcjell nuk u ka shërbyer kurrë politikave (të mosndryshimit), por prirjeve të zhvillimit e përparimit njerëzor dhe si e tillë ka qenë, është dhe do të mbetet një nga opozitat e përjetëshme më të pakorruptuara e të pa kompromentuara.
Ndryshe nga arti, gjuha konvecionale e të cilit ka qenë, është dhe do të jetë e vështirë për t’u kuptuar nga injoranca e politikës, letërsia flet me gjuhën e njerëzve dhe sado të përpiqet për ta fshehur me mjete të figurshme atë që dëshiron të thotë, përsëri kuptohet (qoftë e kuptuar edhe me vonesë si barcoletat prej mendjes së policit) dhe mbetet e zbuluar dhe e rrezikuar në mëshirën e të pamëshirshmit paarsye. Pra, letërsia me gjuhën e saj të drejtpërdrejtë është jo vetëm kundërshtare e përherëshme e politikës, por herë-herë edhe armike e saj. Pikërisht nga kjo armiqësi me politikën ka lindur edhe termi "Letërsi Disidente" e Shkrimtar Disident"…
Në këtë shkrim që është një thirrje për ndihmë, një "SOS" për dashamirët që kanë veshë, sy dhe mendje të kthjellët, do të përpiqem të arsyetoj e të argumentoj me një gjuhë sa më të thjeshtë (të pëlqyeshme edhe për politikanët) se ç’po ndodh me letërsinë shqiptare këtë të dënuar të përjetëshme prej paarsyes së politikës.
Ky shkrim (të më falin studiuesit për pasaktësitë e mundshme, nëse gabimisht ka mbetur ndonjëri gjallë) ka vlera unikale vetëm për opinionin shqiptar, ka vetëm pasaportë shqiptare dhe nuk dihet nëse do të arrijë të marrë ndonjëherë vizë për jashtë shtetit në ndonjërën prej ambasadave a konsullatave të huaja në territorin shqiptar, kështu siç e ka katandisur Shqipërinë politika e mosarsyes (Letërsia dihet se është e burgosur)…
2
Letërsia tekst i shkruar
Çdo krijim letrar që nga fjalët e urta, shprehjet e figurshme frazeologjike, proverbat, anekdotat, mitet, legjendat, gojëdhanat, përrallat, bejtet, vjershat, poezitë, tregimet, novelat, romanet, dramat, komeditë e më the e të thashë, janë vepra njerëzore ku përmblidhet me mençuri e art përvoja e një çasti, e një periudhe kohe apo e tërë jetës së një individi apo e një grupimi individësh. Nuk ka rëndësi nëse krijuesi është një individ anonim (populli) apo një individ i përveçëm, fjala vjen Homeri. Rëndësi ka fakti se krijuesi nëpërmjet krijimit ka shfaqur dëshirën për t’u përcjellë përvojën e vet atyre që e rrethojnë. E në këtë rast krijimtaria merr dashur padashur rolin e një testamenti. Dhe tanimë dihet (jo vetëm nga ligjvënësit e ligjzbatuesit) se një testament e ka vlerën e vet unikale e ligjore vetëm kur është i shkruar.
E si rrjedhojë, në mos gaboj, duhet të kenë qenë letrarët ata që kanë menduar të parët se duhej shpikur shkrimi për t’i shkruar tekstet e thënieve të tyre (artistët naivë e kishin më të thjeshtë: me bojën e gjakut të trupit sajonin nëpër faqe shpellash e shkëmbenjsh figurat e imagjinatës së vet dhe kështu u përcillnin mesazhet e shpirtit bashkëkohësve, pavarësisht sa kuptoheshin. Besoj janë kuptuar nga stërnipët e tyre arkeologë e studiues arti.) Dhe të gjitha gjasat të çojnë në përfundimin se ishin shkrimtarët ata që shpikën shkrimin.
Në mbështetje të kësaj hipoteze flasin edhe zbulimet e para të pllakave prej argjile me shkrimin e lashtë të sumerëve që dokumentojnë Epin e Gilgameshit, një ndër krijimet më të hershme e më mbresëlënëse të njerëzimit, nëpërmjet të cilit njihemi me historinë e zhvillimeve të jetës sa të qetë dhe konfliktuoze, dramatike e tragjike të atyre fiseve të lashtë parababilonas.
Pra, Eposi i Gilgameshit, ky krijim popullor, kjo letërsi e fëmijërisë së njerëzimit, që shpreh tërë spekrin e ndjenjava të harkut dashuri-urrjetje, është tashmë një tekst i shkruar, një testament i përvojës njerëzore sumere që pasqyron artistikisht jo vetëm botën shpirtërore të krijuesit dhe të bashkëkohësve të vet, por edhe portretin e politikës që sundonte atë kohë. Pra, vini re, historia e ekzistencës së një politike sunduesi na vjen e shkruar dhe e pasqyruar nëpërmjet individit të sunduar, krijuesit, shkrimtarit, letrarit…
3
Letërsia pasqyrë artistike e një realiteti kohor
Çuditërisht, shkrimtari, njeriu i nëpërkëmbur nga politika, shkruan tekstin e pasqyrës së një realiteti e në të vërtetë na del primari, në plan të parë, si forcë lëvizëse, zhvilluese, përparuese, edukuese, pra, në fakt, forcë vendimtare, ndryshe nga politika shtypëse që i pretendon tërë këto cilësi, i propogandon për demagogji dhe synon të kundërtën, prirjen për mosndryshim, statuskuo, stanjacion e më the e të thashë terma të tjera politike të kësaj natyre që i shërbejnë sunduesit për të bërë zap kundërshtarët, opozitën, "armiqtë" e përjetësisë së pushtetit të tij…
Kini parasysh: "Politika proletare në plan të parë!"… Kështu pretendonte deri dje diktatura komuniste shqiptare dhe dihet katastrofa që solli politika e saj e verbër e mosarsyes… Bëmat e Diktatorit dhe diktaturasve po harrohen dhe po lartësohen veprat e Kadaresë, Fishtës, Konicës, Xhaferrit e të tjerë shkrimtarëve të nëpërkëmbur… Diktatori dhe diktaturasit tashmë janë thjesht karaktere-demonë të përshkruar nëpër faqet e veprave të këtyre shkrimtarëve jetërrezikuar…
Ja si rrodhën ngjarjet dhe ndryshuan përgjithmonë raportet politikë-letërsi. Janë ndryshuar aq rrënjësisht e diametralisht në të kundërt saqë sikur të ishte e mundur e të ngjallej Diktatori nuk do të mund ta besonte kurrë se madhështia e tij e dikurshme një ditë u mpak e shndërrua në ca radhë të një teksti letrar. U bë fragment i asaj letërsie që politika e tij komuniste e dënoi me vdekje, siç dënoi edhe vetë autorët e saj, Bilal Xhaferrët… Pra, e mbisundoi gjatë paarsyeja arsyen, politika letërsinë. Mirëpo ja që vjen një ditë dhe rivendoset rregulli, mbizotëron arsyeja, mbizotërojnë ligjet e Zotit… Letërsia e shndërron politikën thjesht në lëndë të parë prodhimi, në material artistik… Dhe nëpër perandoritë artistike mbretër e perandorë të vërtetë janë shkrimtarët, politikanët janë thjesht plebej ashtu siç meritojnë të jenë në jetë të jetëve… Këtë e harrojnë tërë politikat në pushtet… Harrojnë se nuk janë jetëgjata perandoritë pushtuese… Këtë fakt e kanë harruar edhe politikat shqiptare konuniste dhe postkomuniste…
Po ju sjell një argument tjetër, veprën e Homerit. Ishte ky gjeni i Antikitetit që përshkroi në veprën e vet gjigande në mënyrën më të përsosur artistike historinë e zhvillimeve të shoqërisë njerëzore në Greqinë e Lashtë dhe në shtetet përqark saj. Nëpërmjet veprës homeriane, kësaj pasqyre artistike të mrekullueshme, ne me imagjinatën tonë shohim si në një film realitetin e jetës së stërgjyshëve të njeriut modern dhe bindemi se psikologjia e jetesës në kohët e vjetra ishte pak a shumë ajo e sotmja, pavarësisht nga mjetet e veglat e punës dhe armët primitive të luftës. Shoqëria njerëzore e dikurshme, njëlloj si edhe sot, sundohej nga politika që luftonte me të gjitha mjetet e padrejtësisë për pasuri e pushtet në kurriz të varfërisë së shtetasve të vet dhe të popujve fqinjë. Dhe po të analizosh me kujdes veprën e Homerit, del në përfundimin se politikanët e sotëm nuk u lënë asgjë mangut Menelaut, mbreti spartan, Akilit, Patroklit apo cilitdo luftëtari zulmëmadh të testamenteve artistike të kohëve të shkuara… Homerët e të gjitha kohëve ishin të detyruar prej sunduesve që të merrnin rolin e të sunduarve, e të shtypurve, e të përbuzurve dhe jetërrezikuarve, megjithëse ishin mbretër e shkuar mbretërve me mendjen e artë që u kishte falur Zoti. Ndonjëherë përfundonin edhe në pozitën e skllavit, pa asnjë të drejtë mbi jetën e tyre, si Ezopi. Përfundonin edhe pa kokë si shkrimtarja çifute Ana Franku e masakruar prej nazistëve hitlerianë…
Mos vallë ka ndonjë ndryshim të madh midis Menelaut dhe Hitlerit?!… Nuk e besoj… Si njëri dhe tjetri janë dy heronj demonë të përshkruar mjeshtërisht nëpër veprat e Homerëve, të cilat i studiojnë nëpër shkolla dhe edukohen me aq dëshirë gjithë fëmijët e botës, si ata që do të bëhen politikanë të padrejtë dhe ata që udhëhiqen nga prirjet homeriane për t’u bërë shkrimtarë, letrarë të përbuzur e jetërrezikuar prej politikës…
4
Letërsia mision
Politika rrënon shoqërinë njerëzore me paarsyen e vet. Sillet barbarisht me çdo vlerë që buron prej arsyes së Zotit, dhunon elitat intelektuale, masakron tërë individët mendjendritur që u tregojnë udhën e së vërtetës njerëzve të thjeshtë, me qëllim që ata, të verbuar e të varfëruar, t’i kthejnë sytë vetëm nga politika e politikanët dhe të adhurojnë fuqinë e Pushtetit dhe të pasurive të familjeve të tyre… Nuk e besoni?!… Atëherë le t’u drejtohemi fakteve. Për gati pesëdhjetë vjet Diktatori shqiptar luftoi me të gjitha mjetet kultet e Zotit, varfëroi ekonomikisht dhe mendërisht shqiptarët, sajoi një çelës kopil, Njeriun e Ri, që mbyllte të gjitha dyert e dijes, dhe u mundua të rrënjosë në kujtesën e programuar të këtij përbindshi kultin e udhëheqësit komunist si çlirimtar i botës. Familja e Diktatorit lulëzonte në luks, ishte pronare e gjithë Shipërisë, ndërkohë që Njeriu i Ri punonte si skllav e nuk e mbushte kurrë barkun me bukë… Internoi, burgosi dhe pushkatoi tërë inteligjencën që nuk i bindej ideologjisë së tij. U hoqi të drejtën e botimit shkrimtarëve që mendonin ndryshe, censuroi dhe ndaloi botimin e veprave të tyre dhe të sa e sa shkrimtarëve përparimtarë botërorë që rrezikonin jetëgjatësinë e Pushtetit të tij me idetë e tyre demokratike antikomuniste.
Shkrimtari Ismail Kadare, intelektuali më i shquar i viteve të diktaturës, ndoshta shumë herë më i mençur edhe se vetë Diktartori, një ndër shqiptarët më të përkëdhelur dhe më të rrezikuar njëherësh, ishte dhe nuk ishte pronar i një apartamenti tre plus një në një kohë që sipas ligjeve të Zotit, për mençurinë dhe intelektin që zotëronte, mbase i takonte të ishte dhe qytetari i parë i Shqipërisë… Nuk ishte dje se e shtypte Hija e Diktatorit, por do apo nuk do politika, është sot. Skrimtari Ismail Kadare është Ambasadori i Vërtetë i Kulturës Shqiptare në Botë…
Shkrimtarët janë si profetët. Me fjalët, sjelljet, veprimet dhe veprën e tyre, në mënyrë të drejpërdrejtë apo të nënkuptuar, sado të nëpërkëmbur dhe të rrezikuar nga politikat, parathonë fatin e një shoqërie… Pra janë misionarë dhe vepra e tyre është një mision më vete. Homeri paratha fundin e Antikitetit të kapërthyer nga intrigat politike dhe ethet e luftërave për Pushtet e pasuri në kurriz të njerëzimit. Homerë të tjerë parathanë fundin e Romës dhe të perandorive të mëvonshme… Lexojmë veprat e tyre dhe përveç kënaqësisë estetike dhe interesit emocional që na zgjojnë, marrim dije e informacion mbi historinë dhe tentencat e zhvillimeve njerëzoje nëpër shekuj, mësojmë për kulturën e vendeve dhe të popujve të ndryshëm, për individë udhëheqës dhe heronj, për gjuhën, psikologjinë e konstruktin e tyre shpirtëror e sa e sa fakte e argumente mbi ekzistencën, dallimet dhe përafritë e racave njerëzore në botë…
5
Shkrimtari misionar
Pra, nga mënyra se si pasqyron realitetin shoqëror dhe tendencat e zhvillimit, letërsia shfaqet si një mision dhe shkrimtari si një misionar fisnik që me veprën e tij mundohet të emancipojë shoqërinë njerëzore. Po sa mund dhe sakrifica i duhen një misionari për të përballuar me sukses ngarkesën e një misioni?! Dihet se Krishti u kryqëzua nga politika bashkëkohëse, njëlloj jetërrezikuar kanë qenë edhe shumë profetë të tjerë para dhe pas Krishtit gjer te Muhameti, të cilit ia shpëtoi jetën sa e sa herë vetë i Madhi Zot. Misionet e misionarët e krishtetë kudo në vendet e pazhvilluara si në Afrikë e gjektë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të rrezikojnë të përdhunohen e të humbasin edhe jetën nën thundrën e politikave të paarsyes, njëlloj si gazetarët e shkrimtarët në vijën e parë të luftërave e konflikteve rajonale nëpër botë. Sakrifikohen profetë e shkrimtarë e askush prej tyre nuk tërhiqet nga misioni për të parathënë fundin e një politike të caktuar.
Krishti paratha fundin e Perandorisë Romake dhe gjithçka se çdo të ndodhte më vonë në botë, pavarësisht se qëndrimi i tij nuk u pëlqeu romakëve dhe e kryqëzuan.
Fishta, Konica, Xhaferrët, Blloshmët, Nelajt shqiptarë u rebeluan kundër politikës diktaturase komuniste dhe e paguan kush me syrgjyn e kush me jetë veprimin e tyre. Letërsia e tyre u burgos nëpër kasafortat e arkivave dhe një pjesë e mirë e saj ende nuk po e sheh dritën e botimit që fëmijët tanë të mësojnë prej të vërtetave të saj dhe jo prej mashtrimeve e zbukurimeve që serviri për pesëdhjetë vjet letërsia e oborrit komunist.
Përse u dashka që në tekset e letërsisë shqiptare të shohim ende vetëm sajesa letrare me "bëmat heroike dhe fitoret e lavdishme të komunizmit"?! Kujt i intereson që t’u servirë ende pasardhësve të Fishtës, Konicës e Xhaferrit bëmat e persekutorëve të tyre të përshkruara me aq delir nga grafomanët e epokës komuniste?!
Po letërsia postkomuniste?!… Përse nuk nxitet e financohet, por heshtet për të njëlloj si për letërsinë disidente?!… Dhe ç’është më e keqja pengohet (e kini parasysh se si u soll politika me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë)!
Nuk e di arsyen, por ndoshta kjo statuskuo i vjen për shtat edhe Ministrit të Kulturës, i cili del në ekranet e televizioneve dhe me poza prej Neroni, deklaron plot kompetencë se në Shqipëri nuk ka më shkrimtarë e letërsi, nuk ka krijimtari letrare postkomuniste dhe se "të fundmit e mohikanëve" na paskan qenë Kadareja e Agolli dhe mjaft! Dhe këtë "fakt" mundohen ta argumentojnë edhe oborrtarët e tij, ata që e ëndërrojnë letërsinë si lopë që mëkon me qumësht dëshirat e veta dhe të fëmijëve të tyre dhe e përfytyrojnë shkrimtarin si bari të tufës të emëruar e të paguar prej padronit. E njëjta psikologji dhe politikë diktaturase si e djeshmja dhe mjaft!…
6
Letërsia lopë qumështore që mëkon…
Në të vërtetë letërsia është edhe lopë me qumësht dietik që në mungesë të qumshtit të nënës përdoret për të mëkuar fëmijën. Dihet se nënave që u thahet gjiri përdorin qumështin e lopës për të mëkuar të vegjlit dhe jo qumësht dhie, gomarice e më the e të thashë… Pra, letërsia njëlloj si lopa ka veti ushqyese, ushqen shpirtërat njerëzorë, i rrit ata të shëndetshëm, i ushqen me të vërtetën e tendencave të zhvillimit shoqëror, pikërisht me atë ushqim që nuk i intereson politikës… Këtu kanë zanafillë dhe abuzimet e politikës…
S’dihet sesi (vetëkuptohet rastësisht!) Bilal Xhaferri në vitet ’60 mundi të botonte në gazetën "Zëri i Rinisë" vjershën "Baladë çame", një himn i vërtetë si "Marsejeza", kushtuar Çamërisë martire, çështjen e së cilës politika komuniste e varrosi, njëlloj edhe ajo e sotmja: trembet ta mbështesë. Xhaferri e pësoi, u syrgjynos prej politikës, por ushqeu e mbajti gjallë gjatë shpirtërat atdhetarë me atë baladë që edhe sot kushtron në mendjet e intelektualëve që mbështesin zhvillimet e çështjes kombëtare shqiptare. Politika edhe sot nuk ndihet rehat dhe nxihet në fytyrë kur dëgjon "Baladën çame", i intereson më shumë statuskuoja e vendosur dikur njëanshmërisht në marrëdhëniet me Greqinë, sesa ndonjë zhvillim i papritur i çështjes çame. Pra, arsyetoni, "Balada çame", ky qumësht i "letërsisë-lopë" kaq mëkues për atdhetarët, i tmerron politikanët, të cilët për të ruajtur politikën e mosndryshimit, ose do ta rrëmbejnë lopën dhe do ta mbarështojnë në stallat e tyre, duke ndërhyrë në gjenet e saj për ta përshtatur gjenetikisht sipas interesave (letërsia e oborrit komunist a socrealizmi), ose do ta ngordhin me lloj-lloj mënyrash atë dhe bariun e saj (të paemëruarin zyrtarisht!), siç ngordhën dikur Fishtën, Konicën, Xhaferrin, shkrimtarë të etnisë shqiptare.
Pra, politika me lloj-lloj mjetesh propagandistike demagogjike a të dhunës së Pushtetit të vet ndërhyn dhe e tjetërson gjenetikisht letërsinë, e metamorfozon në një OMGJ shterpë, pavarësisht se rrënon vlerat e vërteta letrare kombëtare dhe i degdis në thesin e antivlerave, mjafton që të përmbushë interesat e militantëve dhe të trashëgimtarëve të saj. Kështu mjetet, format, mënyrat dhe medodat nepotike të pushtetit politik dominojnë edhe procesin artistik, duke dëmtuar mekanizmat dhe ligjësitë reale të krijimit letrar, duke e shndërruar krijimtarinë në një kllounado-bufonadë dhe gjithçka përfundon në një farsë të shëmtuar që i serviret lexuesit të sunduar dhe fëmijëve të tij si një vlerë e rrallë, "shenjtëria" e së cilës buron nga maja e piramidës shtetërore.
Me shkrimtarët, duke qenë të varfër ekonomikisht, politika merret edhe më lehtë. I fton të lënë mënjanë misionin e tyre të vërtetë dhe t’u këndojnë bëmave e heroizmave të saj, ose në të kundërt, po nuk u bindën, i shpërfill, ua poshtëron dhe ua mohon vlerat dhe në vend të tyre emëron edhe pseudoletrarë të mirëpaguar prej saj (shikoni "Tirana Observer", datë 31.08.2007, "100 shkrimtarët më të mirë shqiptarë"). Ata dhe vetëm ata, të mirëpaguarit, e bëjnë përsosmërisht rolin e zagarit dhe të lopçarit, duke i shërbyer letërsisë-lopë sipas katalogut metodik të parapërgatitur nga këshilltarët militantë shtetërorë (të mirëpaguar edhe ata).
Në procesin e metamorfozimit të lopë-letërsisë, qumështi i së cilës destinohet vetëm për elitën zyrtare dhe trashëgimtarët, tekefundit kurorëzohet qëllimi i politikës: letërsia hyn në oborr dhe si një oborrtare e përulur u thur lavde e hosanara monarkëve e bijve, pavdekësisë së pushtetit të tyre komunist e neokomunist.
E kështu në rrjedhën e këtij procesi të sofistikuar bijtë monarkë dhe bijtë e politikanëve përgatiten për t’u dekretuar dhe dekretohen edhe vetë ata si letrarë e artistë (shembuj mund të gjeni sa të doni, po t’u drejtoheni mbiemrave që kanë uzurpuar mediat dhe institucionet zyrtare kulturore e letraro-artistike shqiptare që prej vitit 1945 e në vazhdim)…
E kështu letërsia shqiptare është tanimë përballë dy alternativave: një e dënuar me vdekje, ose një lopë e politikës…
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment