Monday, December 3, 2007

Nga Shefki Hysa

PARALAJMËRIM
Shënime për novelën "Kur dynden vikingët" e shkrimtarit Pjetër Arbnori


Sapo lexon titullin e librit "Kur dynden vikingët" të shkrimtarit Pjetër Arbnori, mendja të shkon menjëherë te dyndjet barbare qysh ndër kohërat më të lashta. Përfytyron jo pa dhimbje qytetërime të tëra të zhdukura, popuj të zhbërë, raca e gjuhë të asimiluara. Vandalët të etur për zulmë, u kanë gllabëruar edhe shpirtin, jo vetëm materien, pa mundur të njerëzohen kurrë, t’u ngjasojnë sadopak atyre që mundoheshin të nënshtronin.
Po autori për ç’dyndje bën fjalë? Mos vallë për murtajën komuniste? Shënimi "Shkruar në burgun e Burrelit" qysh në krye si një nëntitull domethënës, të nxit mendimin se, në këtë libër, objekt i shkrimtarit rebel e kundërshtar i denjë politik i ish diktaturës, duhet të jetë pikërisht ajo klimë ferri që zotëronte gjithë lindjen komuniste e në veçanti Shqipërinë. Mirëpo që në fjalinë e parë të kësaj novele përballesh me Rajhun e tretë të ish Gjermanisë naziste. Pra, është fjala për diktaturën hitleriane, një ndër modelet më të përkryera të makinave shtypëse antinjerëzore të tipit stalinist. Shpërngulja e ngjarjeve nëpër labirintet e Gjermanisë naziste, nuk është gjë tjetër veçse mesazhi i autorit ,i dërguar nga burgu i Burrelit për ngjashmërinë e krimeve të nazizmit dhe komunizmit në jetën familjare, shoqërore e politike. Madje, të zgjohet edhe kureshtja për të zbuluar raportin midis simbolikës dhe realitetit që bart në vetvete togfjalëshi "dynden vikingët". Pse jo "dyndeshin vikingët"? Ku e ka sekretin dhe epërsinë përdorimi i kohës së tashme të foljes dynden, në krahasim me trajtën e së shkuarës që mund t’i përshtatej edhe periudhës së zhvillimit të ngjarjeve?
Ende vazhdojnë të dynden vikingët? Në ç’përmasa dhe cilat janë pasojat e dyndjeve?
Të mundojnë një copë herë të tilla pyetje, por shpejt harrohesh në një lexim tejet emocional para asaj hapësire të çuditshme që të shpaloset e gjallë ndër sy, si brigjet tunduese e ndjellëse të sirenave të Odisesë apo si ishujt magjikë të Çirçeve ku më pas përjeton veç ankth, dhimbje, revoltë e tmerr për atë përçudnim njerëzor që të pret udhën.
Erna e hijshme flokëverdhë e sykaltër që magjeps edhe lexuesin, jo vetëm të shoqin, personazhin kryesor, me vështrimet dhe sjelljet e saj ,ku pas pasqyrimeve të gjireve të qeta shpirtërore fshihen trazimet e grackat e së keqes, është magjistarja e kohëve moderne. Vjen një çast dhe diku ngecet e nis të shplekset pëlhura e mashtrimit e endur gjatë në vegjen e padukshme të ndryrë nëpër skutat e ngrehinës diktaturë.
Atëherë del fytyra e vërtetë e Ernave me tërë shëmtimin dhe përçudnimin, pabesinë dhe kurthet që bartin shpirtrat e tyre të zinj. Atëherë s’ka se si të mos e vësh re përqasjen që autori u bën, përmes realitetit hitlerian, diktaturave të të gjitha kohëve. Madje edhe ish diktaturës shqiptare. Vdekja mbetet e neveritshme dhe gjëmëzezë në çdo rrethanë, formë e mënyrë që të ndeshesh me të. Vdekja është vdekje edhe kur të vjen prej puthjeve të vampirëve si Erna, simotrat e së cilës i kemi hasur gjatë viteve të diktaturës komuniste. Për autorin diktatura nuk është thjesht një mekanizëm i verbër, por mendja e zezë dhe dora vrastare e demonëve si avokati fon Shvajcer, i besuari fanatik i partisë-shtet. Dogmat partiake, ideali i tij i vetëm, siç është figura e demonit sinonim i së keqes. Ai njëherësh si hije nuk ndodhet askund dhe ndodhet kudo. Madje edhe shpirti i Ernës, është hija e tij, mendësia dhe tërë veprimtaria e përfaqësuesve të ligjeve e të shtetit, nuk janë gjë tjetër veç pronë e tij. Jo pa dhimbje e ndrydhje të zemrës, pa rrënqethje të mishit, paralelisht me leximin e veprës, na vijnë ndër mend tërë ajo gardë makabre partiako-shtetërore, me sekretarët e partisë, aktivistët e spiunët e lagjeve e oficerët e sigurimit që arrinin gjer aty saqë e fusnin ndokënd në burg edhe pse e kish gruan të bukur. Pra, faqet e librit e zbulojnë dalëngadalë atë botë meskine, servile, prapaskeniste e njëherësh kriminale që rrafshon çdo vlerë njerëzore, botën komuniste të themeluar për gati 50 vjet edhe në Shqipëri. E ngjashme si dy binjakë me nazizmin gjerman diktatura e kuqe. Me sa duket autori shënon nazizmin e qëllon komunizmin, atë murtajë, që i mori rininë, familjen e gjithçka. Të joshte si kënga e sirenave, si pamja e mrekullueshme e Çirçeve dhe e tërë magjistareve, propoganda hitleriane apo ajo enveriane dhe pastaj ashtu si pakuptuar ta përdhoste moralin, ndërgjegjen e po të kundërshtoje të merrte dhe shpirtin nëpër katakombat e saj, siç veproi edhe me autorin duke e përplasur burgjeve të zeza. Këtë "këngë" ndjellakeqe që shpërndan gjithandej jonet e vdekjes e ndien gjer në palcë kur lexon këtë vepër të Pjetër Arbnorit. Ndien gjithashtu edhe atë revoltë që duhet ta ketë frymëzuar aty në qelinë e errët kur ngjizte materialin jetësor për ta shndërruar në art. Kjo novelë tejet realiste me një ndjenjë të pakufishme humanizmi, që ndoshta askush nuk e priste nga një i persekutuar si Pjetër Arbnori (30 vjet burg), tingëllon si një aktakuzë e fuqishme për të gjitha kohërat e diktaturave, të atyre që kaluan e që mund të vijnë. Mjerë kulkturat e qytetërimet botërore përballë diktaturave! S’janë asgjë dyndjet e lashta të vikingëve, në krahasim me rroposjet që shkaktojnë diktaturat e monstrat e tyre, vikingët e rinj. Vdiq nazizmi, ra edhe komunizmi në Shqipëri, mirëpo rreziku i dyndjes së vikingëve ende nuk ka rreshtur. Prandaj titulli i këtij libri është njëkohësisht edhe një kushtrim për vigjilencë: kujdes, o njerëz, ruhuni nga vikingët e kohëve moderne!
Vërtet me pak faqe kjo novelë, por për nga idetë dhe mesazhi është një vepër dinjitoze që të kujton "Fati i njeriut" e Shollohovit, "Shkretëtira Tartare" e Dino Buxatit, "Plaku dhe deti" e Hemingueit, etj. Është si të thuash, një poemë për rezistencën e njeriut të nëpërkëmbur, të të gjitha kohërave, ndaj demonëve të natyrës apo të shoqërisë njerëzore. Njëkohësisht është edhe një sinjal i qartë që të jep të kuptosh se sa shumë ka humbur Shqipëria duke persekutuar talente të tilla si Pjetër Arbnori me shokë. Se mund të jenë me dhjetëra të tjerë ata që s’arritën kurrë ta thonë këngën e tyre, nga ferri i birucave qoftë edhe të vonuar.
Në fund të fundit ky libër është një befasi e këndshme dhe një fillim i suksesshëm që paralajmëron një ndihmesë të madhe, jo thjesht për lavdi vetjake të autorit, por në shërbim të kombit.

Shefki Hysa

No comments: