Monday, December 3, 2007

Nga Shefki Hysa

TË MIRATOHET REZOLUTA ÇAME?!

Thuhet se shteti shqiptar e përkrah çështjen çame dhe se politikanët po përpiqen për zgjidhjen e saj. Bukur. Po që nga viti 1990, kur u rivendos sistemi demokratik në Shqipëri, janë rreth 15 vjetë që thuhet e thuhet dhe nuk veprohet. Dihet se nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Flasin individualisht politikanë e zyrtarë të lartë, të paktën një herë në mot, sidomos përfaqësues të Opozitës (Pozita druhet se mos e prish me Athinën). Po a e dini se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar, institucional i shkruar që të shprehet pro kësaj zgjidhjeje përveç një projektrezolute të rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 26 mars 2004? Pra gjer më sot llafe dhe vetëm llafe! Dhe dihet se llafet i merr era…
Përse xhanëm nuk bëhet diçka konkrete, të paktën të hartohet një dokument zyrtar ku shteti të marrë përsipër konkretisht qoftë edhe me dy fjalë zgjidhjen e kësaj çështjeje!? Nuk e di dhe as dua të paragjykoj. Di vetëm se po veprohet gabim dhe ky është një fatalitet për çamët dhe për Shqipërinë.
Deputeti Pëllumb Xhufi në intervistën e vet shprehet se Shteti Shqiptar është borxhli i çamëve. Unë do të shtoja se po zhytet gjer në grykë në këtë borxh, madje po mbytet. Po përse të bjerë kaq poshtë shteti ynë? Përse të vazhdojë të mbajë mbi shpinë kusuret e ish Shtetit Komunist, i cili, me vetëdije të plotë, me një pseudodekret, në vitin 1953 deklaroi se u hoqi çamëve shtetësinë greke dhe u dha atë shqiptare. Si e vulosi në këtë mënyrë fatin e çamëve, i mbylli nëpër rezervate, ngulime të detyruara, si të ishin indigjenë, dhe u caktoi një risk sipas dëshirës së tij, si të ishte Zoti i tyre. Dihet se vetëm Zoti cakton risqe dhe meqë shteti nuk ishte Zoti, çamët vetëkuptohet mbijetuan siç dinë të mbijetojnë ata si askush tjetër…
Po përse përsëri në kufi të mbijetesës çamët? Përse përsëri në mëshirën e Shtetit Demokratik Shqiptar? Ish Shteti Komunist deklaroi se do t’i shkelte me këmbë dhe pati burracakërinë e i shkeli. Po Shteti Demokratik pse hesht në një kohë që edhe heshtja dihet se vret? Përse kaq i druajtur shteti ynë si të ketë tredhur veten?! Apo e kanë tredhur të tjerët dhe veçse përpëlitet si epileptik para kësaj çështjeje?!…
Doni argument? Patjetër! Në fund të vitit 2003 mezi arritëm të bindnim disa deputetë se duhej përgatitur një projektrezolutë në mbështetje të problemit çam. Në mars të vitit 2004 Komisioni Kuvendor për Politikën e Jashtme e miratoi projektrezolutën dhe pas debateve të shumta me grupet parlamentare u dha konsensusi nga spektri politik që ajo të votohej në një seancë të Kuvendit. Ndërkohë pati zëra se nuk ishte e nevojshme miratimi i një rezolute, se ajo më shumë do ta dëmtonte se sa do ta ndihmonte zgjidhjen e problemit, se shteti ishte përpjekur e do të përpiqej për ta zgjidhur çështjen çame me bisedime me palën greke, etj., etj., llafe e llafe të kësaj natyre. Pra gjithandej majtas e djathtas lumë llafesh që besoj se mundoheshin të justifikonin sjelljen prej të tredhuri të të nderuarit shtetit tonë.
Pyes: Po të ishte kaq e parëndësishme, kaq e pavlevshme apo e dëmshme projektrezoluta për problemin çam, përse u shqetësuan aq shumë deputetët minoritarë sa patën kurajën të shpreheshin në media kundër saj?! Përse u vunë aq shumë në lëvizje përfaqësuesit e lobit grek në SHBA si e si për ta penguar?! Dhe ia arritën…
Më 26 mars 2004 në orën 10.00 forcat speciale të policisë shqiptare rrethuan selinë e Kuvendit dhe gjakosën çamët e tubuar për të demostruar paqësisht në mbështetje të miratimit të rezolutës së tyre, ndërkohë që ajo rrëzohej me votat e deputetëve socialistë që abstenuan me një urdhër të ardhur nga larg dhe një pakice deputetësh të djathtë që iu shmangën votimit. Është për të ardhur keq se nga gjithë deputetët e së majtës në pushtet votuan pro vetëm pesë deputetë: Dritan Prifti, Sabit Broka, Skënder Gjinushi, Taulant Dedja dhe Zydi Pepa. Po të tjerët? U rroftë atdhetarizmi!…
Po bëjmë përpjekje të reja për ta rifutur në axhendën e Kuvendit Projektrezolutën Çame. Deputeti i PD, Preç Zogaj, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Politikën e Jashtme është angazhuar për të hapur një dialog mes Komisionit që drejton, drejtuesve të Shoqërisë Politike Atdhetare "Çamëria" dhe Medias, si dhe për të krijuar kushte për miratimin e një rezolute. Ka premtuar mbështetje edhe deputeti i PR, Arjan Madhi. Jemi në pritje. Presim dhe shpresojmë që kësaj here të miratohet Rezoluta Çame.
Ne, çamët, si përherë paqësorë, i bëjmë thirrje politikës shqiptare, ndërgjegjes së secilit deputet të votojë pro rezolutës, se vetëm kështu mund t’i themi opnionit botëror që na mbështet: Ja një dokument zyrtar i Shtetit Shqiptar që përpiqet seriozisht për zgjidhjen e drejtë të çështjes së shqiptarëve çamë. Pra, Rezoluta duhet miratuar!

Shefki HYSA

No comments: