Monday, December 3, 2007

ANA JO VETËM LOJË NË INTERNET
(Anës dhe bashkëmoshatareve të saj me të ardhme ende të turbullt)

Tregim i jetuar


- Aty je?
- Në zyrë jam. Në linjë më ke…
- Të vjen sot ai?
- Kush ai?… I huaji?… Pastaj ti duhet ta dish më mirë…
- Po unë thjesht pyeta, nuk desha të bëja retorikë…
- Edhe unë thjesht u përgjigja…
- Me pyetje retorike?
- E pra, moj Ana e mirinformuar, besoj se duhet ta dish kohën e saktë të ardhjes së italianit, mikut tonë biznesmen, se shkëmbeve email me të, pa marrë leje qoftë edhe formalisht prej meje… Zhvleftësove padashur edhe etikën e mirësjelljes diplomatike që na karakterizon ne, shqiptarëve, në marrëdhënie me të huajt që vijnë për të investuar në Shqipëri.
- … …
- Nuk të vjen mesazhi?
- … …
- Apo e ndien se e ke shkelur mirëbesimin me të dyja këmbët?
- … …
- Ah, je një ti!… Ej, Anusha, moj Tanusha e Krajlit, je në linjë?!… E kam primtuar listën me ato telefonat që kërkoje në internet…
- Mirë, mbaje të ma japësh më vonë…
- Po kur, ti përton aq shumë sa mezi vjen të më takosh?
- Po do vij…
- Epo shyqyr, eja se më thave syrin!
Në vend të përgjigjes ajo më dërgoi simbolin e një fytyre përqeshëse, prandaj ia ktheva:
- Ky mesazhieri yt nuk qesh shumë.
Dërgoi një tjetër që hingëllinte së qeshuri.
- Ky po! – iu përgjigja.
- Po ky bebi i bukur, si të duket?
- I bukur, vetëkuptohet, kështu si foto, po ku ta gjej atë realin? Unë di se ti nuk ke beb. Nga doli ky bebi befas?! – e ngava sa i ngacmuar dhe i intriguar prej fotos së qeshur të bebushit që më pushtoi ekranin e kompjuterit dhe imagjinatën.
- A e shikon? Shikoje mirë! - shkroi ajo dhe më dërgoi një fytyrë të ngërdheshur.
- Bebin a surratin? I pashë. Po nuk më the nga doli ky beb!… Po ky surrati pse bën si majmun?
- Ky po zbardh dhëmbët…
- Po pse i zbardh?
- Sepse qesh…
- Po pse qesh?
- Me ato që thua e nënkupton ti…
- … …
- Po këta që po kërcejnë të pëlqejnë?
- Uau, shumë! Po kush janë? Mos janë mami e babi i bebit?!– brofa i nxitur prej atij çifti vizatimor vallëzuesish.
- A e mban mend Haidin? - dredhoi ajo.
- Patjetër! E kam ndër sy filmin vizatimor "Haidi"… Po çfarë simbolizon ky çift kukullash vallëzuese?!
- Hiç… Haidi m’u kujtua ashtu kot…
- Ashtu kot fare?
- Po.
- Ehhh! Sa gjëra shkojnë kot në këtë botë! – e ngacmova.
- … …
- Ana a e di që mund të bëjmë bashkë një romancë? Kaq të veçanta janë këto replikat hidh e prit!
- Po, do t’i ruash ti? Apo t’i ruaj unë?
- Unë nuk di t'i ruaj, megjithatë mendoj se duhet rritur edhe ca intensiteti i këtij dialogu…
- Po, po ta lë radhën ty ta djallosësh dialogun… E di si ruhen?
- Jooo!
- Sipër bebit tim, atij që kam në foto, e shikon një shigjetë me kokë poshtë?
- Po. Mund të kesh edhe një beb të vërtetë, po të pëlqen, - vijova lojën.
- Kliko aty dhe del "file"… Prapë kliko te "file"... Pastaj "save"... Më fal…
- Jo, nuk del…
- Si nuk del?
-Nuk del, pra… Del "block this contact"
- Sipër bebit tim, mor, ke një shigjetë të vogël me majë poshtë… Lart fare…
- Të rroftë bebi! E gjeta!
- Kliko "file"… "save"… pas "save" del "ok"…
- T'i jap "ok"?
- Ok!
- Ku ruhet?
- Në my documents ruaje.
- Ruhet vetë po i dhe "ok"?
- Po…
- Obooo, ç'lojë intriguese!
- Të pëlqen?
- Po fluturoj, por jo me… presh… Po për pjesën më vonë si veprohet?
- E ruan sërish…
- Epo u dashka të bësh dialog të gjatë e pastaj ta ruash me një emër, fjala vjen, "Anusha"… Si Tanusha e Krajlit në Eposin e Mujit…
- Epo ashtu, si të thuash ti…
- Epo nuk kemi shumë kohë të lirë, megjithatë më jep ndonjë ide romani a romance…
- "Bisedë në internet"… A të pëlqen si titull?
- Ou! Megjithëse do të shkonte më shumë… Mbase diçka më intime… Mbase, fjala vjen… Lëre, s’po e them fare… Po personazhet?
- Unë dhe ti…
- Shumë mirë! Fillojmë!
- Mirë, nise ti i pari… Nise…, - pohoi ajo.
Heshta një hop i ngacmuar djallëzisht në mendime.
- Nise, pra! - ngulmoi Ana.
- Atëherë po rrëfej: Ana hyri papritur në jetën time e shoqëruar me një gocë shkurtabiqe si për t’i theksuar më tepër hiret e veta…
- Po më bën të qesh… Ajo më solli mua tek ty, po të kujtohet. Ishe njohur më parë me atë gocën shkurtabiqe, siç thua ti, në mos gaboj, pastaj u njohe me mua, të pëlqyeshmen…
- Megjithatë unë e pëlqeva Anën edhe pa kontrastin e shkurtabiqes… Ashtu elegante, e hollë dhe e hijshme në trup, si atlete, por paksa e hutuar në pamje e në sjellje, kuptova se ajo bukuroshe e bënte për bukuri naiven… Atë, naiven e hirshme, që të nxit të mendohesh se si e sa e kur e më the e të thashë...
- Po unë si të përgjigjem tani?
- Atë e di ti… Unë thjesht jam duke përshkruar Anën e asaj dite… Anën mbresëlënëse e paksa hutaqe… Besoj, në dukje hutaqe, sa për sy e faqe…
Ndërkaq Ana dërgoi simbolin e një zgërdhimjeje.
- A e di që Ana mund të dalë një personazh i rrallë? – theksova ngacmimthi.
- Ah?! Pse jo?
- Del, veçse do kohë që ta studiosh nen për nen, - ia ktheva në gjuhë ligjvëvësi.
Ajo dërgoi një pamje qesëndisëse.
- Se në parim është hata fare! - shtova unë.
- Eh! Po mbes pa fjalë.
- Epo më ngjaj mua, eja e bëhu shkrimtare që të të mos shterojnë fjalët… Rritu të rrëfesh bëmat dhe vuajtjet heroike të shqiptarëve për të siguruar bukën e gojës në epokën e tyre postkomuniste në këtë fillimshekulli të trazuar. Të gjurmosh aventurat e tyre për të hyrë në Evropë, megjithëse denbabaden evropianë… Ja, ngjaji asaj shoqes sime, Mozës, që erdhi dje e më tha se ishte një ndër shkrimtaret më të mëdha të kohës sonë dhe se në romanin e saj të fundit kishte mundur të skaliste historinë e vetë Medesë moderne, Medesë shqiptare, historinë e një vajze pa origjinë, e një "kopileje" të përfolur nga përqarku e të etur për dashuri prindërore, e cila gjakon të realizojë ëndrrën e lashtë të familjes… Po ti, Ana?… Mos rri kot duke dredhur zinxhirin…
- Edhe pa zinxhir kam mbetur...
- Po je pa oshkur e pa zinxhir, problem vërtet i vështirë!
- Ahaaa! Më bëre të qesh tani…
- Me oshkurin e këputur a me Mozën që thotë se ia kalon Anës?
- Me të dyja…
- Epo nuk them më kot unë se pas asaj naives fshihet një gjigande që shprehet me "uh e ah" sa të marrë frenat e situatës…
- Eh!
- … …
- … …
- Sapo më mori Moza në telefon…
- E çfare të tha?
- Ouuu, Ana është me kilometra larg, më tha, nuk bëhet dot as dunë rëre e jo kodër, por unë ia ktheva se ajo mund të bëhet edhe mal, po të dëshirojë.
- Thuaji që Ana do ta kalojë ty…
- Mua apo Mozës?!… Megjithatë unë nuk bëhem ziliqar sikur të mundësh të ma kalosh. Më pëlqen fakti të kem një nxënës që të ma kalojë, aq më tepër një nxënëse si ti…
- Eh! Dua pak si shumë kohë…
- Epo stërvitu, mos rri e mbështjellë me perde naiviteti.
- Janë perde të trasha, më pengojnë perspektivën…
- Eja se i grisim bashkë e i flakim… Pse janë shokët?
- Po, ke të drejtë, prandaj janë… Për ndihmë janë...
- Epo shkundu atëherë e lufto…
- Epo do punojmë… Avash-avash… Se pa punë jam unë…
- Meqe je e papunë tundu vendit, vraje pak më shumë tulin e trurit… ose të...
- Tulin e trurit po e vras duke kërkuar punë njëherë, por nuk ka gjëkundi… Sa për tulin e… tuleve, po e lë të qetë hë për hë…
- Kujdes tulin, të thashë!…
- Mor, lëre tulin, ti, se mua më duhet punë për rrogë…
- Epo kur nuk ka punë për rrogë, nuk do të thotë se nuk ka mundësi të tjera, fjala vjen, aftësimi i vetes për krijuese… për gazetare… për shkrimtare… për… për…
- Duhet të bëhem me rrogë njëherë…
- Janë plot vajza me CV të llahtarshme dhe nuk gjejnë dot punë për rrogë, moj zonjushë… Dhe sa për dijeni punë për rrogë gjen talenti ose tuli. Se kështu e ka kjo jetë: të godet o në lule, o në tule… Zgjidh e merr: vra mendjen ose tulet. Po prite për rrogë, mbarove fare si mendje dhe të rrofshin tulet. Atëherë mund t’i vësh në punë edhe ato, tulet… E siguron menjëherë rrogën, po i vure tulet në punë… Megjithëse vjen një ditë e do plakesh e nuk ta varin më as si paraqitje… Atëherë nuk të shërbejnë më as tulet… A më kupton, moj trime?!…
- Të kuptoj, o trim!
- Bën sikur kupton, më duket. Se, në mos gaboj, nuk po i vë në punë as dhuntitë e as tulet …
- Kuptoj! Nuk bëj… Si thua ta vazhdojmë bisedën pak më vonë?… Kam uri... Më hahet diçka tani…
- Shyqyr që të hahet ajo diçkaja se më le edhe mua pa bërë punën e ditës…
- Ah, domethënë të pengova?!
- Jo dhe aq… Nuk më the mese do ushqehesh?…
- Të shoh, nuk e di… Jam mendjeprishur… pa ndonjë dëshirë interesante…
- Epo dihet, vdes interesantia kur nguron t’i kthesh jetës lulet e jo tulet… Dhe është kohë e humbur për mua të merrem me Anën jointeresante… Me një lojë në internet… Ushqehu e trashi tulet, më mirë, zonjushë…. Besoj se së shpejti do të të hyjnë tulet në punë…
- Mirë, mirë, se e sqarojmë më vonë këtë variant. Pak më vonë do flasim përsëri… Ok?…

Shefki HYSA

No comments: