Nga Shefki Hysa
Sa pranë dhe larg Çamërisë
Në mëngjesin e 27 qershorit të vitit 2006 një autokolonë e madhe me autobuzë dhe makina me targa të shumë rretheve të Shqipërisë, ecnin qetas nëpër rrugën zakonisht të heshtur të zonës Xarrë-Mursi-Konispol në drejtim të pikës doganore të Qafës së Botës, në kufi me Greqinë. Mund të numëroje mbi njëqind autobuzë e shumë më tepër autovetura, një vargan automjetesh i paparë ndonjëherë atyre anëve, të cilat vunë në lëvizje tërë policinë rrugore të rrethit Sarandë për të shmangur pasojat e mundshme të një trafiku të tillë të mbingarkuar.
Xhadeja e paasfaltuar nga fshati Shkallë deri në Qafë të Botës ishte shndërruar e tëra në një shtëllungë pluhuri që mbështillte tërë varganin e makinave, që lëviznin ngadalë aq sa për një çast të krijonin përshtypjen e një ceremoniali mortor zyrtar të rangut kryeministror, presidencial ose mbretëror. Vetëm për një çast ama, se kur shihje flamujt kombëtarë që valëviteshin e kuqëlonin nëpër makina dhe ylberin e banderolave që mvishte autokolonën e përzihej me pluhurin, mendoje se kishe të bëje me një zhvendosje masive të karakterit festiv, tip dasme a pelegrinazhi mbretëror përrallor. Them përrallor se askujt që ishte soditës rastësor i këtij migrimi nuk ia priste mendja se ç’donte këtyre anëve, në një zonë më shumë të lënë qëllimisht pas dore se të harruar, një shpurë e tillë mbretërore. Për ku shkonte ky kortezh i çudishëm në ritmin e të cilit një sy i mprehtë mund të dallonte përzierjen e ngjyrave të jetës dhe të vdekjes?!… Për ku po dyndej kjo rrjedhë dasmo-kësodhi a kësodho-dasme në këtë skaj të humbur kufitar?!… Kush ishin këta krushq me pamje herë prej dasmorësh e herë kësodhtarësh?!…
Prej kureshtjes të shkonte syri te fjalët e shkruara nëpër banderola dhe kuptoje menjëherë se ishin pjesëtarë të komunitetit çam në Shqipëri. Po ç’donin çamët, këta muhaxhirë shpresëthyer, në Konispol, drejt Qafës së Botës?!…
Mos vallë po shpërnguleshin për në Greqi?! Mos vallë u ishte dhënë e drejta të riktheheshin në vatanin e tyre, në Çamëri, pragu i së cilës zë fill një pëllëmbë matanë Qafës së Botës, nga ku i kishin dëbuar përdhunisht pesëdhjetë e një vjet më parë?!...
Mos vallë Greqia ishte penduar për genocidin që kishte ushtruar dikur mbi ish shtetasit e saj, çamët, me kombësi shqiptare, për tërë ato vrasje e therje burrash, grash e fëmijësh të pafajshëm, për përdhunimet e vajzave e nuseve, grabitjet e pasurive, djegiet e shkatërrimet e shtëpive gjer edhe dhunimet e varreve?!… Mos vallë u kishte kërkuar falje për tërë krimet zerviste, për dëbimin masiv pa të drejtë kthimi nga vendlindja, Çamëria, atdheu i vet stërgjyshor, për mohimin e tërë të drejtave të tyre njerëzore, për abuzimet kriminale dhe heshtjen e mëvonshme shumë vjeçare ndaj problemit çam, heshtje përbuzëse, denigruese e mohuese që vazhdon të ndiqet edhe në periudhën e tanishme nga politika greke?!… Mos vallë politikanët grekë i prisnin matanë kufirit shtetëror shqiptar me tufa lulesh e buzëqeshje vëllazërore: "Bujrum, mirëseerdhët në atdheun tuaj, në shtëpitë tuaja! T’i gëzoni dhe na falni për të ligat që ju kemi bërë! Që sot e tutje le të rrojmë bashkërisht në paqe si motet e shkuara…
Jo! Ky arsyetim është thjesht një hamendje iluzive e një vëzhguesi të përciptë, e një derr idealisti të pandreqshëm.
Përballë çamëve, që u derdhën prej makinave në Qafë Botë si një liqen lotësh dhimbjeje e malli, nxinin kordonët e policisë shqiptare. Një digë e forcës shtetërore, policia. Bën detyrën. Ruan kufirin shtetëror. Parandalon çdo kalim të paligjshëm, që mund të interpretohet si dhunim i kufijve shtetërorë të fqinjës së dashur, Greqisë…
Mijëra çamë nën vapën përvëluese demostrojnë paqësisht dëshirën e tyre për t’u rikthyer në shtëpitë e vendlidjes që ndodhen matanë shpinave të kordonëve të policisë shqiptare dhe shpinave të policisë sekrete greke që ashtu si padukshëm e fshehtas ka mbirë e shumëfishuar në çdo shkurre e gëmushë të asaj pjese të Qafës së Botës që shtrihet brenda kufirit helen, më saktë në Çamëri…
Çamët shpresëthyer demostrojnë paqe me shpresë se mos kushedi… ndodh ndonjë çudi… Shpresojnë, këndojnë e vallëzojnë dallgët përvëluese të mallit e të dhimbjes së tyre…
Policitë e të dy vendeve mike, njëra haptas e tjetra fshehtas, mbrojnë kufijtë shtetërorë se mos kushedi…
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment