Nga Shefki Hysa
BIDONVILASIT
- Zemërimi im kësaj here i ngjan një thike, një shpate, një kobureje, një maliheri, një topi a ku ta di Unë…
- Me një fjalë, një arme. Paske rrjedhur, or Unë... Paraqet rrezikshmëri të lartë. Duan njoftuar autoritetet të të mbyllin në Çmendinë…
- E gjete! Një arme! Të më falin paqësorët e kësaj bote dhe të mos frikësohen se nuk kam ndërmend të shndërrohem në vrasës. Të më falësh edhe Ti që nuk i pëlqen rebelimet, trazirat, përplasjet, goditjet e më the të thashë të kësaj natyre, por ja që s’kisha ç’bëja, u detyrova t’u drejtohesha armëve.
- I falur qofsh! Por kam kuptuar se nuk i vë re kurrë lajthitjet e tua, or Trimi Unë, sado ta menderosësh.
- Eh! Desha s’desha më detyroi halli të armatosem e të mbrohem, të kundërpërgjigjem e të sulmoj për të zbythur Ata që më çanë k…, drejt territorit të tyre, aty ku i kruajnë brirët orë e çast me llojin e vet.
- Më ngjan se po kruhen edhe brirët e tu, or Unë, prandaj të rrosh vetë se mendja të ka lënë shëndet…
- Pra, siç të thashë, u detyrova të tjetërsohem e të rrëmbej armën për të flakur zuzarët në Bidonvilën e tyre dadaiste. Të më falë Salvador Dalia se nuk kam asgjë kundër Perandorisë së tij Artistike, Dadaizmit. Inatin e kam me Ata që ma zgjuan, me bidonvilasit, që më çanë k… me tamtamet e tyre, duke i shitur mend njëri-tjetrit se sa të mëdhenj janë në Bidonvilën e vet.
- E ç’është kjo Bidonvila, mos vallë ndonjë geto a ndonjë mal plehërishteje e krijuar me bidona bosh?
- Le të themi se është një farë perandorije e ndërtuar me bidona bosh, or Ti trutharë. Mëso ta vlerësosh kundërshtarin, sadopak, siç thotë edhe shprehja "Hasmin mos e duaj, por hakun ia ruaj"…
- Dhe ç’bëjnë këta bidonvilasit në perandorinë e tyre?
- Më preve fillin e arsyetimit, or Ti Toç. Bëjnë gjoja art e letërsi dhe thonë poshtë e lartë se janë me demek Dalitë shqiptarë nën bekimin e Dondoizmit.
- Ky Dondoizmi mos është ndonjë rrymë letrare shqiptare?
- Ç’rrymë letrare, mor të kripsha trutë?! Është rrymë hajdute…
- E çfarë vjedh?
- Përpiqet të vjedhë, më saktë. Ministri i Kulturës bashkë me zotërinë Dondo, Këshilltari i tij i Parë, duan të vjedhin Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
- E si u vidhka Lidhja? A nuk është një organizatë joqeveritare jofitimprurëse, pra një nocion abstrakt?
- Duan të vjedhin Selinë e saj, ndërtesën e zyrave të administratës së Lidhjes, mor tutkun.
- E ç’e duan?
- Ta bëjnë pallat…
- Po ajo pallat është…
- Hajvan! Është pallat me tre kate e duan ta bëjnë tridhjetë.
- Punë e madhe. Le ta bëjnë… I shtohet një shumëkatësh tjetër qendrës së Kryeqytetit, Tiranës…
- Ashtu thua Ti, or kokëgdhë? E përse luftoj Unë atëherë?
- Mos lufto, kush të tha të luftosh?
- Shih, shih, kokëqypi! E di çdo të thotë të vjedhësh godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë? Të bësh disa krime njëherësh. Së pari është ndërtesë e vjetër me arkitekturë karakteristike me vlera muzeale dhe nuk mund të prishet. E dyta është pronë private e Lidhjes dhe si e tillë është e shenjtë dhe të vret Zoti, po ta vjedhësh dhe ta prishësh, dhe më kryesorja është i vetmi tempull i kulturës shqiptare i pavarur nga hajduti Dondo.
- Prandaj kërkon ta vjedhë Ky, zotëria Dondo?
- Ta pret mendja. I therin sytë kur e sheh, prandaj është vënë në krye të bandës bidonvilase dhe kërkon ta grabisë e t’ia dhurojë Ministrit të Kulturës…
- Që Ministri i Kulturës ta bëjë Pallat Kulture?
- Ç’dërdëllis, mor Ti, Hajvan! Që t’ia dhurojë Kryeministrit…
- Dhe Kryeministri ta bëjë Pallat Qeverie?
- Oh, ç’më çmendi! Pallat Qeverie thua Ti, mor debil?! E do që t’ia dhurojë së Bijës, që Ajo të ndërtojë një pallat sa më të lartë dhe të konkurojë me dy gratë e tjera më të pasura në Shqipëri…
- Pse paska gra kaq të pasura Shqipëria?
- Nuk e di Ti, o kokëtul, se Shqipëria është pronë e tri grave, njëra më e re dhe më e pushtetshme se tjetra?! Janë tri zonja kryepolitikanësh, që rivalizojnë si e si të zhvasin njëra-tjetrën, domethënë kush e kush të zotërojë copën më të madhe të Shqipërisë.
- Atëherë u dashka të luftosh me tri kuçedra… Kanë për të të shqyer, or Unë… Harroje luftën për Lidhjen dhe Shqipërinë dhe fillo të përgatitesh për në botën e pasvdekjes…
- Me tri kuçedra? E nga na doli kjo teori?
- Or Unë, kot që më mbahesh si më i zgjuari i botës!… Godinën po e vjedh sot e Bija e Kryeministrit, Asaj nesër do t’ia vjedhë Gruaja e Dytë e pasnesër Lidhja do të bëhet pronë e Gruas së Tretë e kështu me radhë, dorë më dorë, pambarimisht pasuri e të tria grave politikane, si vetë Shqipëria…
- Me sa duket nuk ka dalë më kot shprehja "zuri buçja një lepur"… Kështu edhe puna jote, or Ti, të pret b… spango një herë në hënë…
- Patjetër, or Unë, që të rroftë mendja se po të shpie për lesh… Nuk luftohet për Lesh e Li e Lidhje me Qeverinë… Le ta vjedhin Lidhjen… Le të shkojë për Lesh Lidhja dhe jo miku im, Unë… Mos u bëj si Don Kishoti e të luftosh me mullinjtë e Dondos… Le ta grabisin Lidhjen…
- Nuk më trembin pallavrat e tua, or Ti. Dije mirë se nuk tërhiqem lehtë nga betejat e mia… Unë kushtroj: Sipas ligjeve në fuqi, blejeni Lidhjen, prisheni kur të doni dhe ndërtoni ç’të doni!… Blejeni dhe ligjet mësohuni t’i zbatoni!…
- Kësaj i thonë "Përc moj Babo" andej nga anët tona… Më kot këmbëngul, o Zotëria Unë, se nuk bëhet luftë me Ujin, Zjarrin dhe Qeverinë…
- E po Unë nuk di të tërhiqem…
- Bjeri, bjeri murit me kokë… Se Qeveria është mur e shkuar murit…
- Unë nuk kam punë me Qeverinë, do të kacafytem me Dondon dhe bidonvilasit…
- Ha, ha, ha! Nuk ta mban të matesh me Kryeministrin e as me Ministrin e Kulturës?!
- Është Dondua shkaktari e jo Kryeministri… Dondo Kryebidonvilasi ia mësoi zanatin Ministrit dhe Ministri udhëzoi Kryeministrin…
- Arsyetime boshe që nuk ma mbushin mendjen, megjithatë për kuriozitet si nisi ky debat?
- Kjo hajdutëri, thuaj, kjo luftë e madhe me Ata që duan të varrosin kulturën shqiptare, bidonvilasit dondoistodadaistë…
- Fjalëshumë e për lumë, mor zotëria Unë… Shqiptarët e gjorë, të varfër e të lodhur nuk njohin Dalinë e vërtetë francez (e dinë shumë mirë se ekziston një Balzak) dhe jo më bandën bidonvilase shqiptare, fotokopje e fotokopjeve më të shëmtuara të jashtëqitjeve të Dalisë…
- Të lumtë, or Ti. Kësaj here ke folur si burrat, njëlloj si Unë!… Dhe shmangen shqiptarët prej tyre përqeshës me shprehjen "Përc moj Babo" se na çatë k… me gjoja artin tuaj dadaistodondoist"… Bandat si bandat, duke mos e kuptuar gjuhën e figurshme të popullit, përciatin e përciatin me njëri-tjetrin pseudoartin e tyre (gjithmonë nën bekimin e Dondos) dhe të dehur nga vetëlëvdatat, delirantë, me himnpërsiatës-marshet në gojë, dalin nga territori i Bidonvilës dhe barbarisht turren drejjt qytetërimit, me një fjalë i çajnë… (kësaj here le të themi "veshët") njerëzisë. Qytetaria psherëtin si me vete "Eh, or Zot!" dhe e duruar, me një pamje tejet përçmuese në fytyrë, me shprehjen proverbiale "Përc moj Babo" në buzë, u kthen shpinën e bezdisur dhe shikon hallet e saj e shqetësuar për të siguruar bukën e përditshme.
- Eh!… I duron njerëzia, po nuk i durojmë dot Unë, Ti e miqtë tanë intelektualë dhe me të drejtë zëmë e rebelohemi. Më kupton, or Ti?!… Rebelohemi se nuk na lënë rehat në jetën tonë. Dhe i themi njëri-tjetrit: "Ia behën bidonvilasit! (Dikur thuhej: "Erdhën barbarët, vikingët, gotët, visigotët, hunët, xhingiskhanët, mongolët, sllavët, turqit, grekët"!) O burra të ngjeshim armët e t’i zbythim në Bidonvilën e tyre se po na çajnë k… Dhe duam s’duam bëhemi armëtarë si armatolët e qëmoçëm e luftëtarë si kalorësit e mbretit Artur të Kamelotit apo trimat e Skënderbeut… Pra, nga halli bëjmë armë e armatosemi e dashur padashur shndërrohemi në luftëtarë…
- Luftëtarë zeza! Ngatërrestarë thuaj! Se nuk ngacmohet tufa e grerëzave kur del nga foleja e uritur dhe vërdalliset tërbimthi për ushqim, or Unë… Lëre të bredhë se do të lodhet e do të qetësohet…
- Më fal, or Ti, Paqësori… Të më falin edhe të tjerët që nuk e duan luftën, por po të them se po demonstron një teori gandiste, kapitullante e ku di Unë se çfarë pallavrash po më dëfton… Ta dish mirë, or Ti, se bidonvilasit janë më të këqinj se barbarët e të gjitha kohërave me ato tamtamet e veta dadaiste (të bekuara nga idhulli i tyre Dondo)… Unë dhe shokët e mi tashmë i kemi rrëmbyer armët! Edhe njëherë të na falin paqësorët për trazirat, u këshilloj që të sodisin artin e armatorit nëpër dorezat e thikave, shpatave, kobureve, pushkëve e topave dhe gdhendjet, zbukurimet, ornamentet e lajlelulet e argjendta e të arta të milleve, këllëfëve e mbajtëseve të tyre. Këtë lloj arti e kemi për të kënaqur sytë e miqve, kurse tehet dhe grykat e armëve për… për Ata që na zgjuan inatin, për përcëistët dondoistë… Le të durojnë edhe ca miqtë sa t’i flakim bidonvilasit në Bidonvilë… Le të kënaqin imagjinatën edhe me artin tonë të të luftuarit… Mbase nuk jemi mjeshtra si armatolët e luftëtarët gjyshër e stërgjyshër shqiptarë, të tillë na bëri halli, por si tek armët dhe te lufta jonë shihet qartë shpirti i rebeluar ndaj së keqes bidonvilase. Dhe dihet se vlerat burojnë nga shpirti njerëzor, arti i vërtetë buron nga zemrat e intelektualëve e talenteve të mëdhenj, jo nga përciatjet e mendjeve perverse djallëzore bidonvilase. Dhe ta dish mirë, or Ti mik, se Unë dhe shokët e mi jemi burim, përrua, lumë, një rrjedhë e lirë e vërtetë e fuqishme, nuk jemi pikëz, bulëz, curril, cërrël, cërthël shtërngimi, shtërzimi e shfryrjeje diareike bidonvilase dondoiste. Me një fjalë, siç thua zotrote Ti, "Përc moj Babo", pra, britmë abuzive aromëkeqe prapanice si përcëizmi e tamtamet bidonvilase dondoiste…
- Ha, ha, ha! Të paska pjerdhur mendja të pjerdh dhe goja më duket, or Unë, me këto farë fjalime moralizuese. A je në gjendje të mbrohesh nga e keqja që po të turret? Po qe se jo, mbylle me kaq!…
- Më fal, or Ti, se u zgjata ca me këtë farë paraqitjeje mërzitëse, me këtë lloj curriculumi bezdisës dërdëllitës, por dua që të kuptosh se nuk ka në botë gjë më të shpifur se përciatjet bidonvilase, mor po as fjalët për t’i përshkruar nuk gjenden përveçse shprehjes popullore në gojën tënde: "Përc moj Babo!" Pra, një shprehje e artë popullore që i shumëzon bidonvilasit me zero. Kështu bëjmë edhe Unë e shokët e mi, i shumëzojmë me zero derisa rrinë të mbyllur në Bidonvilë dhe kruajnë brirët e kurrizin brenda llojit… Mirëpo ja që nuk durojmë dot kur Ata, të dehur e delirantë, kapërcejnë kufijtë e dalin për të bezdisur e bastisur qytetërimin me dëshirën e egër për ta shndërruar në Bidonvilë ku të jehojnë veç përciatjet e tamtamet e fantaksura dondoistodadaistodondoiste. Jo! Kjo nuk mund të durohet e të tolerohet siç bën Ti dhe qytetarët e thjeshtë. Unë dhe shokët e mi, përkundrazi, do t’i luftojmë!
- Luftoni si t’ua dojë koqja e qejfit. Po ç’kusur kanë shqiptarët që të durojnë edhe pordhët tuaja, or Unë…
- Të bidonvilasve, or Ti, Hajvan mosmirënjohës!
- E mora mesazhin. Tani të lutem, or zotëria Unë të më shpjegosh se si nisi e gjithë kjo gurgule.
- Ta shpjegoj Unë, ashtu si e kam kuptuar, se të vërtetën e plotë të kësaj potereje e dinë vetëm Ata, bidonvilasit dhe zotëria Dondo.
- Një mbrëmje ashtu befasisht e pabesisht si në të gjitha llojet e dyndjeve barbare, Atadushi, Datadushi, Fatadushi, Satadushi, Matadushi, Patadushi e të tjerë ushusha ia behën nëpër ekranet e televizioneve, vetëkuptohet me porosi e bekim të zotërisë Dondo dora vet dhe, pasi u ranë tamtameve për madhështinë e perandorisë bidonvilase ku lulëzojnë dadaizmodondoizmi e dondoizmodadaizmi i kohëve moderne shqiptare, papritur e kujtuar telepubliku, derdhën lot e thanë se dikur na paskësh ekzistuar edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe paskësh qenë një Dinosaur Gjigand, që tanimë për fatin e sat të keq ishte shndërruar në një Zhabë Lilipute, e cila, fatkeqësisht, në luftën e egër për mbijetesë nuk do të rezistonte gjatë. Do të vetëzhbëhej, do të vetasgjësohej… Në të tilla kushte ishte e domosdoshme, edhe për hatër të madhështisë së perandorisë bidonvilase, që të ndërmerrej një nismë për zhbërjen dhe asgjësimin një sahat e më parë të kësaj krijese fatkeqe të nëpërkëmbur prej kohërave moderne… Ndoshta mund të zbatohej një euthanazi Made in Bidonvila në këtë rast. Pra një procedurë injeksioni që mund të përshpejtonte vdekjen dhe do ta shpëtonte Zhabën nga dhimbjet e padurueshme të asaj agonie të gjatë që po përjetonte e gjora. Pra me të thënë e me të bërë: bidonvilasit shpallën zhdukjen e Zhabës-Lidhje…
- Po përse ta zhdukin kur sot ekzistojnë lloj-lloj metodash shkencore që mund ta ripërtërijnë Zhabën e ta bëjnë prapë Dinosaur. Një Lidhje-Dinosaur besoj do t’i shërbente kulturës shqiptare…
- Thua Ti, po ç’thonë Ata, bidonvilasit… Nuk i ha meraku Ata për kulturën qytetare shqiptare, por për fatin e Perandorisë Bidonvilë. Po të ripërtërihej Zhaba në Dinosaur, të gjithë do t’i kthenin sytë drejt saj, do ta adhuronin dhe askush nuk do të kujtohej për ekzistencën e Bidonvilës. Ose kulti i Lidhjes-Dinosaur, ose i Bidonvilës… Të dy kultet bashkë vetëkuptohet nuk mund të qëndrojnë, na i bëkan karshillëk njëri-tjetrit. E Bidonvila nuk mund ta durojë e ta tolerojë lulëzimin e kulturës qytetare. Atëherë, vetëkuptohet, vdekje Zhabës-Lidhje!… Ky arsyetim sipas logjikës bidonvilase, më kupton?
- Të kuptoj, por s’të marr vesh… O zotëria Unë, kjo farë Bidonvila a nuk përpiqet t’u shesë artin e vet shqiptarëve?
- Patjetër! Këtë e di dhe bufi që Ata përpiqen të na shesin atë farë përcarti…
- Po kjo Lidhja a nuk shet art?!
- Në një farë mënyre po. Më saktë shpërndan Artin e Vërtetë, pak a shumë si ato valët televizive që i kapin antenat e televizorëve dhe pastaj Unë e Ti kënaqemi duke parë bukuritë e ekranit…
- Shkëlqyeshëm! Le të vazhdojë ta bëjë Lidhja këtë punë, meqë e ka bërë dhe më parë… Ata bidonvilasit dhe Ajo Bidonvila le të shohin punën e vet në Perandorinë e tyre.
- Or Ti Toç! Nuk ke haber fare nga dynjaja?! Kështu thua Ti, po ç’thonë bidonvilasit…
- E ç’thonë se na plase?!…
- Deklarojnë me të madhe se Lidhja nuk ekziston dhe se një të vdekuri, si puna e saj, nuk ka ç’i duhet pasuria! Thonë kështu se këtu e kanë hallin, të trashëgojnë godinën e saj për qëllimet e tyre… Thonë edhe se Lidhja e meritonte të vdiste, se ishte një organizëm i ardhur nga Epoka e Gurit, më fal, do të thosha Epoka e Komunizmit… Shtojnë se një organizëm në agoni sjell më shumë dëm se dobi dhe duhet hequr qafe. Pra Zhaba-Lidhje në agoni nuk ka sesi të rrezatojë art e kulturë. Këtë mund ta bëjë vetëm e vetëm Bidonvila. Pra, poshtë Lidhja e rroftë Bidonvila! Rroftë përckultura që rrezaton Ajo… Kjo është logjika bidonvilase…
- Përsëri nuk të mora vesh, or zotrote Unë! Këta bidonvilasit nuk e duan Lidhjen meqë është organizëm i Epokës Primitive apo ngaqë tashmë është katandisur nga Dinosaur në Zhabë dhe si e tillë nuk i ka mundësitë të mbijetojë? Kjo farë gjëri e lashtë mund të shërbejë edhe si muze, mbase ka vlera muzeale, edhe për këtë meriton të jetojë… A nuk është, fjala vjen, Partia Socialiste pasardhëse e Partisë së Punës?…
- He, he! Budalla! Komunist i poshtër! Nuk hoqe dorë nga idetë komuniste… Sa për dijeni të gjitha partitë shqiptare janë pasardhëse të denja të Partisë së Punës dhe kanë të drejtë morale të bëjnë hije mbi Shqipëri se nuk i prish ndonjë punë Bidonvilës. Madje bidonvilasit në të vërtetë janë militantët më të zellshëm të këtyre partive. Me Lidhjen ndryshon puna. Bidonvila, me ato marifetet e saj prej magjistareje, kërkon ta integrojë shpirtin e Lidhjes në brendinë e vet… Pra, i duhet edhe shpirti i Zhabës…
- Shumë mirë… Shpirti i Zhabës le të integrohet në Bidonvilë, ashtu siç do të integrohet Shqipëria në Evropë…
- Ti do më çmendësh! Ç’po thua, Ti, mor tutkun?! Shqipëria do të integrohet në Evropë dhe jo në Zulustan!… Kurse Bidonvila është Zulustan e shkuar Zulustanit… A e ke idenë se ç’po më rekomandon?!… Dëshiron që Unë e Lidhja të shndërrohemi në Zulu të Afrikës?!… Hajde mik, hajde! Të lumtë!...
- E po më fal, or Unë, se nuk të vrava! Më shkrepi të bëja njëherë rolin e negociatorit të Paqes, por ky vend vdes për luftën… Në hale të gomarëve të vejë!…
- I pari Ti, or Ti, gomar e shkuar gomarit! Po qenkam edhe Unë gomar si Ti që shpresoj dritë nga terri i mendjes sate…
- Se mos i pëlqeu kujt mendimi im?! A nuk të thashë pak më parë se sot ka plot mënyra shkencore që e shndërrojnë Zhabën në Dinosaur brenda ditës? Të thashë po nuk ia vure veshin fjalës sime…
- E si na qenka ky marifet?! Ndonjë lloj magjie e zezë? Pa ma shpjego më konkretisht?!
- Po ja a nuk kanë hyrë edhe në Shqipëri ato hormonet që e rrisin dhe e pjekin brenda ditës bostanin aguridh dhe që kastravecin e bëjnë të madh sa një kungull?! Nja ca lugë hormone në grykë Zhabës esëll që pa gdhirë mirë dhe në darkë e ke Dinosaur e shkuar Dinosaurit…
- Ha, ha, ha! Po më propozon metoda alla shqiptarçe, or Ti miku im mendjefyell?! Metoda bidonvilase… E pompojnë shoku-shokun bidonvilasit me gjithfarë hormonesh dhe fryhen e fryhen si dordolecë-gogolë e trembin tërë botën. Dhe Ti më thua të bëhemi bidonvilas edhe Unë e shokët e mi shkrimtarë e artistë?!…
- E po atëherë luftoni! Kruajini brirët e thyeni qafën për një Zhabë!… Po ju zë goja lesh duke thirrur: "Lufta, Lufta, Lufta!… Dhe shkofsh për lesh, or Unë Luftëtari, bashkë me shokët e miqtë e tu!…
- T’u thaftë gjuha, or Ti, Trapi i Paqes! U bëfsh bidonvilas, or Ti, Turpi i Paqes! Ti që ëndërron të pajtosh Ujkun me Qingjin, vdeksh qesharak!… Në jetë të jetëve nuk pajtohen Ujku e Qingji, Bisha e Ushqimi, or Ti, Zhabë e shkuar Zhabës!… As bidonvilasit nuk bëhen miq… Prandaj Unë kam të Drejtë që luftoj… Dhe ta dish se e Drejta zhytet, por nuk mbytet. Herët a vonë triumfon. Unë jam Luftëtar i së Drejtës… Dhe e Drejta jonë në mos triumfoftë në institucionet e shtetit e nëpër gjykatat shqiptare, gjë që nuk bën vaki se bidonvilasit i kanë blerë, i kanë pronë të tyre gjithë pushtetet e Shqipërisë, patjetër do të triumfojë në Gjykatën e Strasburgut…
- Ha, ha, ha! Po Ata edhe Strasburgun mund ta blejnë, or Unë hajvani?!…
-E po ka një Gjithëfuqi që nuk e blejnë dot, Zotin!… Dhe vjen një ditë që ndëshkimit të Zotit nuk i shpëton askush, or budalla bidonvilas! Dhe tani më lër të rend sheshbetejave për të zmbrasur Bidonvilën nga Shqipëria ime…
Shefki Hysa
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment