Tuesday, December 4, 2007

SHEFKI HYSA

Për fisin dhe veten

U lind në Ersekë më 20 korrik 1957 në një familje intelektuale. Babai i tij, Mazari, ishte mësues me vllehtë atë periudhë dhe ndiqte shtegtimin e tyre baritor, veronte në malet e Gramozit dhe dimëronte në Sarandë, duke mos iu ndarë shkollimit të fëmijëve çobanë. Nëna, Bahrieja, ishte shtëpiake dhe shtegëtonte që të kujdesej për familjen.
Shefkiu i përket një fisi të vjetër atdhetar të vendosur në Shalës të Konispolit rreth shekullit të 18-të, ndoshta në periudhën e muslimanizimit të kësaj krahine, sepse cilësohet si një ndër shtatë fiset e para themeluese të fshatit Shalës, sipas kujtesës popullore. Vetëkuptohet ishin fis i pasur, merreshin me blektori dhe bujqësi, kishin shumë pyje, kullota dhe toka buke, rrjedhimisht do të ishin dhe atdhetarë dhe do ta mbronin edhe me gjak shtëpinë e tyre, Atdheun, nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.
Gjyshi i Shefkiut atdhetari i shquar Shefki Hoxha (ishin edhe fetarë brez pas brezi prandaj mbanin edhe mbiemrin "Hoxha") njihet si një ndër themeluesit e klubeve të para atdhetare të Konispolit dhe të Filatit, si financues i shkollave të para shqipe në zonën e Çamërisë (në Konispol, Filat e Gumenicë), dhe si kundërshtar i ashpër i të gjitha pushteteve, si me atë turk edhe më vonë me pushtetin mbretëror të Zogut.
Në vitet 20-të Shefki Hoxha u shqua si demokrat, përkrahës i Nolit dhe i qeverisë së tij reformiste, pavarësisht nga fakti se mund t’i prekeshin pasuritë. Ishte kjo një nga arsyet që u burgos nga Zogu. Madje për këtë arsye poeti popullor i zonës këndonte: "Telegramet venë e vinë,/ të ngrenë xhandarmërinë,/ thonë për një rebelim,/ Çamëria s’iu bindka Mbretit,/ Naltmadhnisë së Tij Ahmetit./ Në Shalës muarr Shefkinë,/ në Konispol Maze Haminë/ dhe Xhafo Pandalejmoninë"…
Shefki Hoxha u sëmur në burgun e Lezhës dhe në vitin 1936 vdiq, si pasojë e lëngatave të burgimit.
Babai i Shefki Hysës, Mazari, u përndoq si antikomunist nga diktatura, pavarësisht se shtëpia e tyre në Shalës ishte mbështetja kryesore e luftës, bazë partizane. Në vitin 1960 Mazarin e larguan nga arsimi, për shkak të vëllait të tij nacionalist, Sadedinit, të pushkatuar pa gjyq nga komunistët më 13 nëntor të vitit 1943 në spitalin partizan të Theollogos.
Pra, më në fund familja e tyre ishte përfshirë nga mekanizmi i verbër i luftës së klasave, gjë që e cënoi rëndë edhe Shefkinë, pas vdekjes së babait, Mazarit, në vitin 1976.
Megjithatë Shefkiu arriti të mbijetonte, falë genit që trashëgonte nga të parët e fisit. Pas dhjetë vjetësh përpjekjesh xheklondoniane arriti të siguronte një të drejtë studimi për letërsi në Univeristetin e Tiranës. Ishte këmbëngulja e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, i cili nga pozitat e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si dhe në disa raste të tjera, si edhe në rastin e Namik Manes, iu imponua strukturave të pushtetit totalitar për të rishikuar biografinë e Shefkiut, që t’i jepej e drejta e mohuar për të studiuar në Universitet.
Më në fund Shefki Hysës i ishte vlerësuar talenti prej prozatori me individualitet krijues të spikatur, siç shprehej kritika për tregimet e tij të para lirike të mirëpritura nga opinioni letrar dhe lexuesit.
"Tregimtari im i dashur, me vrojtime të çuditëshme dhe ndjenja të holla; shkrimtar i çmuar gjithmonë nga unë e të tjerët", kështu shprehej Dritëroi entuziast për të ardhmen letrare të Shefkiut dhe nuk do të zhgënjehej.
Tani, siç dihet, Shefkiu është autor i disa vëllimeve me tregime dhe romaneve nga më të pëlqyerat. Ishte drejtues i disa gazetave në vitet e pluralizmit dhe sëfundi vazhdon të jetë botues i revistës "Krahu i Shqiponjës" themeluar në mërgim në Çikago të SHBA prej shkrimtarit të shquar disident, Bilal Xhaferrit.
Pra, pas shumë përpjekjesh në vitin 1989 u diplomua për gjuhë-letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ka kryer disa specializime në fushën e botimeve dhe të marrëdhënieve publike e ndërkombëtare.
Gjatë viteve 1991-97 ka punuar si gazetar në gazetën "Çamëria" dhe kryeredaktor në gazetat "Kombi" e "Dielli".
Që nga viti 1997 vazhdon të punojë në Administratën e Kuvendit të Shqipërisë.
Ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë Shoqatën Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe Shtëpinë Botuese "Bilal Xhaferri".
Ka botuar vëllimet me tregime "Turtullesha dhe djalli" (1992), "Rrëfimet e një hajduti" (1998), "Aromë Çamërie" (2004), "Mrekullitë e rreme" (2005) dhe romanet "Robër të paqes" (1994), "Parajsa e mallkuar" (1997).
Që nga viti 1995 vazhdon të drejtojë dhe botojë të përmuajshmen "Krahu i Shqiponjës", revistë Politike, Kulturore, Letrare dhe Shoqërore, e botuar për herë të parë më 1971, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA. Themelusi, botuesi dhe drejtuesi i saj ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935 në Ninat të Konispolit dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969 si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986 në Çikago të SHBA.
"Krahu i Shqiponjës" ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale e antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të Lirë Properëndimore.
Në faqet e revistës trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja çame, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.
Bilal Xhaferri arriti të botonte 39 numra.
Që në vitin 1995 e në vazhdim "Krahu i Shqiponjës" vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri" (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) themeluar e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Bilal Xhaferrit si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish diktaturës komuniste shqiptare.
Shefki Hysa, në cilësinë e Botuesit dhe Kryeredaktorit të kësaj reviste të përmuajshme, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 80 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të Bilal Xhaferrit.
Ideali i tij: Çamëria dhe Shqipëria etnike.

No comments: