SHKRIMTARI QË THYEN KORACËN
E VLERAVE TË DIKTUARA
Me një fëmijëri të vështirë, me gjunjë të përgjakur, me shputat e këmbëve të përbaltura, plot gjëmbaçë luleverdhash, me mollëzat e gishtërinjve të grisura prej manaferrave, me sytë të përskuqur nga bujanat e ftohta të lumit Pavël, guvave të të cilit zinte troftë e merluc; me gjymtyrë të kalitur pjerrësive të ashpra të shkëmbenjve ku gjurmonte foletë e thëllënxave e pelistereve, Shefki Hysa kapërceu pragun e puberitetit dhe hyri në një rini problematike. Me një xhaxha të dënuar politik, me babanë të vdekur në moshë të re, me një familje viktimë të luftës së klasave, një tufë fëmijësh si një tufë harabelash u lanë në mëshirën e fatit, u ushqyen me farëza bimësh si zogjtë në rrasat e gurëve, gjithnjë të rrezikuar prej grackës, me lëkurën e duarve të nxirë prej lëngut të gorricave dhe arrave të breglumit për të shuar urinë përherë të pranishme, me një napë prej pëlhure të ashpër me librat e fletoret e shkollarit, ata u poqën e u rritën.
Dhe erdhi një ditë që i riu shtatvogël, me fytyrë të vranët si prej burri, shkoi në shkollën e mesme të Konispolit. Ishte i shkathët si shqarth atje ku duhej të dilte në pah, e nuhaste dhe mund ta mbërthente notën e mirë, por asnjëherë nuk u vlerësua siç duhet, jo se nuk e meritonte, por në një klasë me të kishte ca fytyra të bukura djemsh të përkëdhelur prej klimës politike, të cilët detyrimisht duhet të ishin të parët e klasës, se dhe bursat e studimit dhe stofrat e zgjedhura dhe vashat gushëbardha duhej të ishin vetëm për ta.
I përmbajtur deri në ftohtësi, çehrepikëlluar, i kalitur në atmosferën e një shpërfilljeje shoqërore, pa mundur dot ta shijonte rininë e vet, i privuar nga e drejta e arsimit të lartë, u detyrua të hynte në ndërmarrjen e bonifikimit për t’u bërë buldozerist. I ambientuar me erën e naftës e të grasos, i pasuruar me një fjalor shoferësh, po shumë pranë virgjinitetit të natyrës, filloi të mprehë penën e gazetarit dhe të rrëfimtarit për të ravijëzuar një profil të ri të vetëvlerësimit. Me thonj e me dhëmbë u kap pas mundësisë për ta vazhduar me çdo kusht shkollën e lartë si student i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës, falë dashamirësisë së njohur të Dritëro Agollit për krijuesit e rinj, në luftë me biografinxirësit, që nuk iu ndanë asnjëherë. Kështu, me mund e përpjekje, falë ambicies së tij për të ecur përpara, po dhe të lindur e të edukuar si një reagim kundërshtues ndaj një realiteti të mbrapshtë, ai theu koracën e sistemit të vlerave të diktaturës, për të afishuar aftësitë e komunikimit dhe talentin e sigurt.
Autor i veprave në prozë, si: "Turtullesha dhe djalli", (tregime), "Robër të paqes", (roman), "Parajsa e mallkuar", (roman), "Rrëfimet e një hajduti", (tregime), si dhe botues, kryeredaktor dhe redaktor i vazhdimit të revistës "Krahu i shqiponjës", (të themeluar prej poetit, shkrimtarit e publicistit Bilal Xhaferri në SHBA), Shefkiu mundi të tërheqë vëmendjen e lexuesit shqiptar me individualitetin e vet të spikatur.
Pranimi i diversiteteve dhe respektimi i vlerave të vërteta të shkrimtarëve dhe artistëve, pavarësisht prej pozicionit të tyre ekonomik, politik ose shoqëror, është domosdoshmëri historike që do të kushtëzojë ecurinë e shoqërisë shqiptare. Si një ndër prozatorët më të talentuar dhe më produktivë Shefki Hysa vjen në letërsi me një begati motivesh e temash që burojnë nga njohja e drejtpërdrejtë e jetës, pasi ka pirë ujë në burimet e saj, në ujëmbledhësa e brigada ndërtimi, në klasat e shkollave ku ka dhënë mësim, në rrethinat e Sarandës e të Bulqizës, por dhe në qendra qytetare dhe në kryeqytet, ku ka punuar si gazetar. Proza e Shefkiut ka një frymë të thellë realiste, sepse në të përjetimet vetjake gërshetohen me elementet e biografisë sonë të përbashkët.
Një referencë e çfarëdoshme në emrat e vendeve ku ndodhin aksionet tregimtare dhe romaneske, ose një listim i protagonistëve do të na bindte se kemi të bëjmë me një burim të pazëvendësueshëm frymëzimi dhe një mundësi për paraqitje të hollësishme dhe bindëse të mjediseve dhe karaktereve: Foinike, Dodona, Konispoli, Saranda, Pandalejmoni, Qafëbota, Qafëbualli, Bulqiza, Tirana, Çikagoja, Mileja, Mëllezi, Mali i Shenjtë, Gryka e Xhindeve, Çuka e Kryqit, Epiri, Kosova, Çamëria, etj. Këtë argument e përforcon edhe përdorimi i emrave të njohur historikë e bashkëkohorë, si: Pirroja i Epirit, Hasan Tahsini, Enver Hoxha, Nikita Hrushovi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Bilal Xhaferri ose trajta të shkurtuara e tjetërsuara të tyre, si: Xhek Hyz (Shefki Hysa), Xheki Vilëza (po ai), Ben Lleiz (Arben Iliazi), Ali Arkeologu (Halil Shabani), Cifja (Josif Papagjoni), Gim dizinjatori (Agim Mato), etj. Një shtresim më vete përbëjnë emrat simbolikë që mbështeten në ngjarje dhe tipa realë: Pedagog Ramushi, Nondë Kaqoli, Bill Burreci, Kapo Erosi, Kurrizo Hefesti, Ramush Kaleci, Kryeredaktor Kopani ose emërtime të përdorura si nofka, të krijuara në bazë epitetesh, vesesh etj. si: Babloku, Kryeplaku Maliq, Dullë Baxhaja (i marrë nga Dosja H), Xan Gungaçi, Kritik Nofullkali, Zaçe Gudufi, Dudum Polici, Dajo Kali, Cereberi, Çalamani, Capori Gungo, Satanai, Farmaku, Esmeralda, Lina, Lirika, Rozafa, Zemëria, Demona, Bardha, Eli, Turtullesha, Diella, Kumria, Afërdita, Vejusha e zezë, Princesha Marsiana, Marsida, Kullumbria etj. Kjo botë emrash është e goditur dhe domethënëse dhe do të përbënte një objekt studimi më vete.
Karakterin realist të prozës së Shefkiut e nxjerr më në dukje edhe gjuha e pasur me shprehje frazeologjike, me dialektalizma, zhargone që funksionalizohen sidomos në gojën e personazheve. Krahas prirjeve realiste të prozës së Shefki Hysës, vërejmë në të edhe elemente, po edhe konceptime të një proze, e cila, duke u mbështetur në krijimtarinë popullore dhe në teknikat bashkëkohore letrare, na shfaqet sa komplekse aq dhe e pasur në strukturat e saj në dukje të thjeshta, po tepër ekspresive. Duhet theksuar se kjo shprehimësi ka si bazë dramacitetin e materialit jetësor të qëmtuar e mbledhur nga shkrimtari.
Tregimi "Didini", që ka për protagonist personazhin me të njëjtin emër, një nacionalist i zënë në besë, i tradhtuar dhe i pushkatuar, që nuk gjen prehje në varr dhe endet si zogth në gërmadhat e shtëpisë së vjetër, është një model artistik i përdorimit me mjeshtëri të elementeve magjike, shprehje e realizmit magjik në letërsinë tonë. Po kështu, skena e bisedës së Kadaresë me Pirron e Epirit, ëndrrat e gjalla të disa protagonistëve etj. mbështesin idenë se realizmi magjik në letërsinë tonë nuk është importuar prej Italisë apo Amerikës Latine, prej Dino Buxatit, Garcia Markezit apo Izabelë Alendes, por është pjellë e ndikimit të folklorit shqiptar, produkt i përrallave fantastike që e popullojnë atë, pra është një procedim artistikisht i natyrshëm dhe i përligjur. Ndikimi i folklorit duket më së miri te tregimi tjetër si të thuash magjik "Turtullesha dhe djalli ", ku operohet me të njëjtat mjete artistike, me shndërrimin e vajzës në turtulleshë e djalit në fëshfërimë. Roli i hijeve, si personazhe hije ose figura hije në librat e Shefkiut shpirti apo hija e Didinit p.sh. flet edhe më shumë në dobi të ekzistencës së realizmit magjik në letërsinë shqiptare "Shpirti ndali pezull frullizën e vet mbi çatinë e shtëpisë së vjetër" (Rrëfimet e një hajduti, fq.51).
Thelbi i artit në këtë kuptim nuk është pasqyrimi natyralist, por transformimi estetik i realitetit mbi bazën e kategorive kryesore estetike, ku i bukuri bëhet më i bukur (Rozafa, Afërdita, Esmeralda, Diella) dhe e shëmtuara më e shëmtuar (Kryeplaku, Babloku, Dudumi): "Fytyra kuqalashe e Bablokut, e madhe dhe e rrumbullakët, me një rrjetë rrudhash të thella, si të çara me thikë…të vështronte përmes dy zgavrave si dy plagë të freskëta, ku zverdhnin dy sy me bebëzat si dy thëngjij të shuar, të ngecur në rrjetëza damarësh të kuq."(Parajsa e mallkuar, fq.122)
Mbi këtë parim ngrihen hyjnitë dhe përbindëshat, e madhërishmja dhe groteskja. Kryeplaku, Kapo Erosi, Kurrizo Hefesti; Babloku dhe Dudumi; gomari president dhe hallva nën qeleshe s’janë gjë tjetër veçse mishërime artistike, ku realiteti është ndryshuar e transformuar përmes hiperbolizimit të tipareve, sjelljeve dhe qëndrimeve, duke arritur kështu figurën groteske, e cila krijon një efekt estetik më të ndjeshëm si arketip i së shëmtuarës dhe qesharakes. Mishërime të së keqes, me fytyra si lëkurëkuq indigjenë, me shprehjen herë të një pafajësie idiote, herë të egërsisë së bishës që skërmit dhëmbët, herë fodullë e cinikë, herë përçartës si karikatura, ata janë simbole të Pushtetit dhe Dhunës ose zbatues të verbër të këtyre. Kështu autori ia arrin që përmes gërshetimit të elementeve natyraliste dhe ekspresioniste të realizojë deri në detaje perversitetin, neverinë që të ngjallin personazhet, kur hanë kërmë si kafshët grabitqare, kur gërrhasin si derrat në llucë dhe kur urinojnë poshtë tavolinës. Të motivuara mjeshtërisht janë edhe veprimet e tyre kriminale të kryera me gjakftohtësi dhe paramendim. Vrasjet e Dardanit, Albanit, Rozafës dhe Xhekit e dëshmojnë këtë makabritet.
Nëse ka figura artistike të mëdha, nga ato që përbëjnë gjetje artistike në veprat letrare në rastin tonë të tilla janë figurat e Bablokut dhe Dudumit, të cilat duhen parë së bashku, si përfaqësuese të Pushtetit dhe Dhunës. Merita e autorit është dhënia e dy arketipeve socialpolitikë që kanë sunduar Shqipërinë gjatë gjithë kohërave deri nga fundi i shekullit XX. Sa e sa bajraktarë, kryepleq, bejlerë, qehallarë, komandantë xhandarmërie, kryetarë kooperativash, shefa policie, drejtorë, deputetë e ministra kanë qenë të tillë ndër ne. Me qindra. Përbindësha me fytyrë babaxhani, përbindësha me fytyra përbindëshash, shpirtkatran e rrezikzinj që nuk harronin herë pas here të na hidhnin hi syve duke bërë ndonjë të mirë publike ose në dobi të një fakiri, "një të mirë" për emër. "Filani bën dhe të mira", thoshte për ta fshatari naiv. Kryeplaku, në tregimin me të njejtin titull, është vazhdim i të njëjtit tip me Bablokun, veçse një bablok jo i socializmit, por i demokracisë (lexo anarkisë) shqiptare. Ky tip ka evoluar, por gjithësesi ngjall një neveri më të madhe dhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi me realitetet tona të mbrapshta. Megjithatë, shmangia e ngjyrave bardhë e zi dhe vendosja e këtyre tipave në situata konkrete i bën ata artistikisht të besueshëm.
Edhe Kapo Erosi me Kurrizo Hefestin janë si dy gjysma të një të tëre. Ngjyrimi dhe hiperbolizimi që ka përdorur autori ka krijuar dy personazhe të ndryshëm jo vetëm në paraqitje fizike, po dhe si karaktere. Sa është i bukur dhe tërheqës Kapo Erosi, i aftë të thithë si me magnet dhe të joshë rreth vetes gjithë bukurinë femërore, aq i shëmtuar dhe i neveritshëm është Kurrizo Hefesti, pre e të cilit bie gjithë bota femërore e joshur pas Kapo Erosit, i cili është i paaftë për të përmbushur kënaqësitë e tyre seksuale. Edhe kjo dyshe të kujton Pushtetin dhe Dhunën (lexo Bablokun dhe Dudumin), por në një kuptim më të tërthortë. Femrat i josh pushteti i Erosit dhe i mposht dhuna e Pallës. Kjo dyshe stigmatizon aspektin moral të shoqërisë së sotme, bëhet padashur portreti i saj.
* * *
Veç gjuhës letrare në brendësi të veprës së Shefki Hysës gjallojnë edhe trajta dialektore jugore dhe veriore të marra nga mjediset e punës dhe në funksion të psikologjisë së personazheve. Por gjuhën e këtij prozatori në të vërtetë e karakterizon dëshira dhe përpjekja për të gatuar trajta të reja, shpesh kalke gjuhësore me brumin e magjes sonë gjuhësore ose për të aktivizuar forma të rralla, të cilat kanë efekt në shprehjen e ideve, në portretizime dhe i japin tablosë artistike ngjyrim të veçantë emocional. Ja disa prej tyre: Qenia u rialarmua, qëndrim lajkosës, pritje e ankthshme, tejlodhëse, mugu perandorak, rrokullimë makabre, kryeidhull i Perandorisë, strukur në padukshmëri, yllësi dritash, e qeshur kilikosëse, dashuri çmendurake, agjerim vejushan, vetmim pleqëror, terri i shpellës trungore, trup i sendërzuar, hidhësirë yndyrore, trokama e lugëve, shpirtra dimërakë, rrënoja të mistershme, dëborëra të përbaltura etj. Nganjëherë këto arritje gjuhësore pikëzohen rreth një emri apo trajte të tij, në fjalëformim dhe në fushat leksikore të fjalëve kyçe, si p.sh.: Qafëbota, qafëndrra, qafëshpresa; theqafja, qafëhumbja; Qytetborxhi, Borxhqyteti; ose jam Dullë Baxhaja, shumëduarshi, shumëzërshi, shumëfytyrshi, shumipadukshmi, shumikudondodhuri… Dhe situatat e reja ligjërimore e kërkojnë që në funksion të ideve të jepen fjalë të reja, ose me kuptime të reja, p.sh: ideja se kemi të bëjmë me një qenie imorale jepet me fjalët: gjurmues femrash, kërkues, lakmues i fshehtë, i mizëron trupi prej dëshirës dashurore, orgasmë demoniake, betejë erotike. Një lajm i keq përcillet me mjete dhe karakterizime të tilla: korbtelefoni, telefonkorbi, krrakaviste, kobndjellësi, koblajmi, rrufelajmi etj. Këto struktura fjalëformuese kam përshtypjen se nuk janë pa ndikim nga fjalori i një prej idhujve të tij letrarë, shkrimtarit Ismail Kadare. Por, gjithsesi, puna me risitë gjuhësore shkon më tej kur ato shërbejnë për të ndërtuar aliteracione dhe organizime tingëllore harmonike që krijojnë koherenca me thelbin e realiteteve. P.sh.: Gjahtari i gjurmëve të gjakut, dashuria e shndërroi në dem për Dananë, korba me krrokama kobëzeza, dyzim i përllogaritur prej mendjesh djallëzore etj. Këto organizime tingëllore dhe gjuha metaforike, simbolike dhe metonimike e autorit e sjellin prozën e tij shumë pranë poezisë, pasi dihet se janë mjete dhe teknika shkrimi të saj.
Për të krijuar efekte stilistike autori përdor dendur prapashtesa funksionale, shpesh zvogëluese: vagullimthi, vetëtimthi, topituras, verbtas, përdhunisht, tërbimthi, ciklonthi (si ndajfolje); plakarushi, plakaruqja, engjëllthi, dhëndërrushi, bulevardth, qytetth, zogth, lendinëz, qeleshez (emra); i përplakur, i përhirtë, i përplagur (mbiemra) etj. Këto operacione morfologjike në strukturën e fjalës në të vërtetë e freskojnë atë, e bëjnë më kuptimore dhe mendimpërçuese e ndjenjëpërcjellëse. Për të parë anën funksionale të tyre, më konkretisht po japim ndonjë ilustrim si: e mbante veten dinjitare si Penelopa,… kapi me majat e gishtave antenëzën dhe qeleshen e ngriti lart;… muret ishin përhirë, tjegullat murrëtyer;… puthi thithmën si një luleshtrydhe të vogël,… me një ton këngëzues… u nëpërdhëmba etj.
Përdorimet e vulgarizmave nga ky autor kanë funksion artistik që justifikojnë demokratizimin e artit, të drejtën e qytetarisë së fjalëve, e vërtetësisë së rrethanave etj. Po nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë shkaku tjetër. Shkrimtarët dhe artistët përgjithësisht nuk janë as të përkëdhelurit e natyrës dhe as të favorizuarit e pushtetit, kjo gjuhë i vë ata më pranë masës së njerëzve të thjeshtë, lexuesve të tyre realë, pasi edhe ata nuk e diferencojnë veten si autorë idealë, përkundrazi më shpesh ndjehen autorë realë, njerëz me mish e gjak, dhe kjo gjuhë, si mund të thuash, është shprehja e pakënaqësisë, revolta e tyre e brendshme.
Të dalim te një problem i ri. Eshtë fjala te tonaliteti kumtues dhe ndikues i veprës letrare dhe artistike, ndryshe te qëndrimi ideoemocional i autorit. Dihet se këto tonalitete dhe qëndrime janë reflektive ndaj realiteteve të ndryshme social-politike, ekonomike e kulturore, por në radhë të parë ato shprehin botëkuptimin dhe botëpërjetimin e artistit. Ai ka një origjinë shoqërore, burimet e pasurisë, gjendjen ekonomike, angazhimin politik, bindjet ideologjike, psikologjinë si njeri dhe si artist. Në këto kushte ai nuk mund të jetë i imunizuar nga ndikimi i politikës, por do të ishte e domosdoshme të mos binte pre i saj.
Në veprën e tij letrare Shefkiu përgjithësisht i shpëton kësaj gracke. Atje vërtet jep një komandant katil që të vret me plumb pas koke, por ka ndërkohë dhe një infermjere partizane që i dhimbset njeriu, që bën çmos ta shpëtojë atë. Atje stigmatizohet realizmi socialist, por flitet me adhurim për Ismail Kadarenë, si personazh te "Robër të paqes", ose Dritëro Agollin e Bilal Xhaferin po këtu. Në ndonjë rast, si te "Robër të paqes" skena e ferrit, që në fakt është tepër episodike dhe s’ka të bëjë me linjat kryesore të zhvillimit të konfliktit, ku shkrimtarët e realizmit socialist s’e lenë njeri tjetrin të ngrejë kokë, shpjegohet me zilinë e përjetshme të krijuesve, por edhe me politikën e shtetit për t’i vënë ata kundër njeri-tjetrit dhe kjo ka qenë reale. Skenat e tjera janë të justifikuara me thelbin simbolik të personazheve kryesore. Megjithatë, autori ndonjëherë nuk i është shmangur me vetëdije teprimit. "Gosti bishash, Luani rrëmben kofshën (Babloku), Ujku një pjesë gjoksi (Dudumi), Çakejtë ca brinjë ( ca kuadro të partisë e të pushtetit) dhe hienat (ca komunistë të thjeshtë dhe minatorë të dalluar) ç’mbetet prej gostisë së bishave. Dudumi p.sh. përshkruhet jo si një njeri i ligjit, por si një gjigandopolic, një shtazë dykëmbëshe, si një qenie injorante, bariu ujk i racës njerëzore të këtij qytetferri. Dhe vetë qyteti është i frikshëm, i mbështjellë me një peliçe të vjetër malesh dhe një kasketë të zezë resh mbi krye, një qytet që konsumon vetëm speca, të cilat e kanë barkun bosh për vete dhe s’mund të mbushin barkun e minatorëve etj. Duhet thënë se nuk ndryshonte shumë nga kjo tablo Bulqiza ose Memaliaj i viteve ’80. Edhe fakti që me të njëjtat ngjyra të gjalla e skena groteske përshkruhen dhe Babloku e Dudumi si përfaqësues e produkte të së djeshmes dhe Kryeplaku e Kumria si përfaqësues e produkte të së sotmes, të bindin se autori nuk i shikon gjërat bardhë e zi, se teprimi është procedim artistik e jo afishim politik. Në romanin "Parajsa e mallkuar", në skenën hyrëse portretizimi i të dy palaçove që janë munduar nëpër shekuj të shkatërrojnë Shqipërinë, skenat e betejës për kurorën e kryeidhullit në kapitullin për Malin e Shenjtë e veçanërisht te tregimi "Perandoria e idhujve", afishohet mendimi se idhujt janë fatkeqësia jonë kombëtare.
Autorit i dhimbset ky vend ndaj dhe, sa herë gjen rast, nxjerr në pah ashkun e tij atdhetar, dhimbjen për Çamërinë e për çështjen çame, për Kosovën e çështjen kosovare, për gjithë Shqipërinë e çështjen mbarë shqiptare. Skenat me Pirron e Epirit, me Bilal Xhaferrin, e masakrës zerviste në Çamëri, e Qafës së Botës, me dy emigrantët në Amerikë etj., të krijojnë një bindje të tillë. Vallë edhe sa kohë do të endemi si çifuti në shkretëtirë?
E megjithatë autorit nuk i mungon shpresa dhe optimizmi. Vizatimi i ca karaktereve me zemër të madhe si xha Mihoja, plaku magjik i liqeneve, prania e shumë çifteve të dashuruara, që në emër të një ndjenje të madhe dinë të sakrifikojnë, nënvizojnë këtë besim.
Një nyje tjetër e rëndësishme artistike në veprën narrative të këtij autori, ku ai spikat dukshëm për vlera të arrira, është padyshim zhbirimi psikologjik i personazheve, i ndjenjave, mendimeve, sjelljeve dhe qëndrimeve të tyre, veçanërisht në momente kulmore dhe konfliktuale. Në romanin "Parajsa e mallkuar", në momentin kur para Xhekit ka dy rrugë: ose i dashuruar me Rozafën, jo thjesht për dhimbsuri, por për ndjenja të vërteta njerëzore dhe dashuri të sinqertë, duke duruar privacionet dhe sakrificat jetike, ose në shtrat me Diellën, bukuroshen ideale që nuk i ka asnjë faj, pasi edhe ajo vetë është viktimë e Bablokut, me të cilën e pret Tirana, posti, jeta e rregulluar, por pa dinjitetin njerëzor, lufta e motiveve është e gjatë dhe Xheki e ka vërtetë të vështirë të vendosë. Ajo që triumfon në shpirtin e tij lidhet ngushtë me forcën e karakterit të tij, kur merr vesh se Rozafën e masakruan për t’i hapur rrugën e martesës Diellës. Ai nuk heziton të sakrifikojë, duke e paguar mospranimin me vdekje, aty në mal, në të ftohtë, në errësirë, në gojën e ujqve. Edhe në shumicën e tregimeve, veçanërisht në ato ku autori nuk përdor truke dhe artifica, por lëngu jetësor është i drejtpërdrejtë, motivimi psikologjik është i gjetur natyrshëm, ai rrjedh së brendshmi, prej aksionit dhe karakterit të personazheve, nuk është një stisje e jashtme për të ligjësuar ndryshoret e personalitetit. Le të kujtojmë tregime të tilla, si: "Didini", "Dëshmia", "Magjia e qytetit", "Ullinjtë", "Qopeku", "Plaku i liqeneve" etj.
Krijimtaria e Shefki Hysës na flet qartë se ai di të pjekë vepra arti me brumë nga magjja e vet. Ka shkrimtarë që kanë shkruar një jetë dhe s’kanë pjekur një kulaç nga gruri i tyre.
Me punë të palodhur, me kulturë e pasion ai do të dijë ta mbrujë e ta pjekë përherë e më mirë bukën e tij letrare. Krijimtaria e deritanishme na jep të drejtën të shpresojmë.
Bardhyl MALIQI
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment