Friday, November 30, 2007

Nga Shefki HYSA

I njohuri i panjohur – Bilal Xhaferri

Bilal Xhaferri, shkrimtari dhe poeti i rebeluar me dyert e shpirtit të shkallmuar, me hapësirat shpirtërore të bastisura e të shkretuara prej sulmeve të kundërshtarëve të tij komunistë, prej braktisjes dhe tradhëtive të atyre që ishin deklaruar në ditë të mira si shokë dhe miq të tij, të cilët, në ditët e vështira, ndër të parët e denoncuan si Juda Krishtin, me dashje e padashje, nga frika apo cmira, dhe ia bënë edhe më të vështirë jetën, duke e joshur pabesisht drejt pusirave e kurtheve, përmes përgjimeve të syve tinëzarë të djajve të ferrit të diktaturës; kurrë nuk rreshti së dashuri njerëzit e thjeshtë si vetë ai, madje pati fuqi të falë edhe spiunët e vet; kurrë nuk rreshti së urryeri servilët dhe kriminelët që e prinin Shqipërinë dhunshëm drejt vorbullave të ferrit. Bilal Xhaferri, si në atdhe dhe larg në mërgim, mbeti njëherësh i paepur dhe fisnik, sa i rreptë me mashtruesit dhe i brishtë e tepër njerëzor, mëshirëmadh si një Krisht me miqtë, megjithëse e shitën, sa i huaj dhe i afërt, sa i vrazhdë gati ujk i pazbutur dhe tejet i qytetëruar, sa i ndërlikuar si nyje tragjikisht fatale dhe i hapur si një horizont i kaltër mbi detet e Jugut, sa i pakuptuar dhe i kuptuar, sa i madhërishëm e parathënës si një profet aq i dlirë si një fëmijë lozonjar, sa i fshehtë aq dhe i zjarrtë në dashuri si një Narcis apo Erosi i lashtë. Dhe i tillë ishte në jetë dhe në artin e vet Bilal Xhaferri. Heshturazi i lakmuar dhe i përbuzur, sa pranë jetës dhe pranë vdekjes, sa gjenial dhe i nëpërkëmbur. Jeta dhe krijimtaria e tij janë mpleksur në atë mënyrë saqë nuk kupton se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra. Dhe kjo mbase se jeta ka ushqyer krijimtarinë e tij dhe krijimtaria jetën.
Vështirë ta përkufizosh personalitetin e Bilal Xhaferrit të sakrifikuar si njeri dhe si artist. Gjithmonë hasesh me fakte dhe detaje të reja që të shpërfytyrojnë përmasat e mëparshme të jetës dhe të veprës së tij. Kur kujton se i ka ardhur fundi enigmës së tij, ajo çuditërisht rishfaqet me labirinte të tjera si të papriturat e reflektimeve të prizmit. Pra, sa po të mbushet mendja se e ke njohur të shfaqen rishtas shumë të panjohura të universit të tij. E në këto kushte për tërë ata që ngulmojnë për ta njohur, mund të shërbejë, si një përcaktim përafërsisht i saktë, me të cilin përkufizon njëherësh heroin lirik dhe vetveten Bilal Xhaferri, togfjalëshi aksiomë: "Një i njohur i panjohur". Pikërisht "i njohuri i panjohur", ky është Bilal Xhaferri në jetë dhe në krijimtari. Një përkufizim që shpreh pak dhe fsheh shumë, mirëpo duam apo s’duam, ky është dhe mbetet më i sakti. Fshehtësia, misteri janë karakteristika që mbështjellin shpesh gjeninë krijues për shumë arsye. Midis të tjerash edhe dëshira për të qenë të vetmuar në procesin e krijimit, sa më larg zhurmave të rëndomta të botës njerëzore. Një vetmim i perëndishëm i domosdoshëm për ligjësitë dhe mekanizmat e krijimeve të perëndishme. Përkundrazi gjenive klasikë, Bilal Xhaferri, nuk i druhej të zakonshmes, por vetmimit, të huajëzimit. Ai jo rrallë mbetej i pakuptuar prej njerëzve që e rrethonin, ose më saktë i keqkuptuar dhe si i tillë, shpeshherë e ndiente veten të huaj si në atdhe edhe në mërgim. Jo rrallë e ndiente veten të huaj edhe në ato rrethe shoqërore ku nuk e kursente dashurinë, ku ishte gati edhe të vetësakrifikohej për lumturinë e të tjerëve. Dhe çuditërisht i huaj se i huaj mbetej. Ndoshta jo më kot shprehet në një varg: "Të huaj jemi kudo që vemi". Është njeriu që dashuron shumë dhe nuk ia kthejnë dashurinë, njeriu që i hap dyert e shpirtit me shpresë se të tjerët do të përfitojnë sadopak prej thesareve të tij, por çuditërisht në vend që t’i jenë mirënjohës, ia përdhosin, ia grabisin vlerat. Madje edhe disa prej atyre që shtireshin si miqtë e tij. Dhe tërë këto nuk janë thjesht hamendje për të nxitur fantazinë e kuriozëve, por një realitet tashmë i arkivuar nëpër dosje.
Bilal Xhaferri është shembull i artistit mbi jetën dhe veprën e të cilit janë gdhendur kobshëm gjurmët e genocidit të ushtruar prej ish pushtetit komunist. Le të psallin ish komunistët se nuk kanë ushtruar genocid në Shqipëri. Ndryshe flet vepra e tyre makabre, ajo vepër që sajuan duart e tyre kriminale, mbi njerëzit dhe idetë, në të gjitha fushat e jetës. Ndryshe flasin dosjet e diktaturës, shkruar me gjakun e të martirizuarve. Ndryshe flet edhe dosja e Bilal Xhaferrit e sajuar mjeshtërisht prej inkuizitorëve për ta gjymtuar jo vetëm shpirtërisht si krijues, por edhe fizikisht si njeri përbrenda qelive. Mirëpo nuk ia arritën sepse shpirti poetik i Bilal Xhaferrit që e parandjente në çdo hap rrezikun, guxoi dhe u arratis për në botën e lirë, në SHBA. Censorëve dhe pseudomiqve të Bilal Xhaferrit, nuk u mbeti veçse të burgosnin një pjesë të krijimeve të tij nëpër kasafortat e arshivave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si krijime antikomuniste.
Një krijimtari që çuditërisht "akuzon" krijuesin. Një krijues i "akuzuar" dhe viktimë e veprës së vet, kështu e përfytyronin inkuizitorët e kuq Bilal Xhaferrin dhe krijimtarinë e tij. Dhe ia ngritën kurthin e vdekjes me ndihmën e Judëve, por jo fort i kënaqshëm rezultati në rastin e Bilal Xhaferrit. Sidoqoftë, dosja që sajuan është një dëshmi që flet për burgosjen e disidencës së krijuesit.
Disa nga poezitë e poetit të burgosura në dosjet e ish sigurimit të shtetit, na ranë në dorë të fotokopjuara nëpërmjet dashamirëve tanë. Janë poezi në dorëshkrim me shkrimin origjinal të Bilal Xhaferrit, poezi të shkruara në vitet ’60-të dhe të papublikuara gjer më sot, të cilat shprehin hapur disidencën e këtij krijuesi rebel. Idetë e tyre janë vërtet tepër të rrezikshme për diktaturën komuniste, të mjaftueshme për të ndërtuar akuzën e shumëdëshiruar prej inkuizitorëve, për ta çuar ndoshta edhe drejt vdekjes së programuar krijuesin heretik. Këto poezi dëshmojnë njëherësh tmerrin e diktaturasve prej artit të vërtetë, si dhe përgënjeshtrojnë pikëpamjet e atyre studiuesve që pretendojnë se Bilal Xhaferri u arratis për të gjetur mundësinë e shprehjes së disidencës së vet. Kodra pas bregut, siç thotë një fjalë e urtë, sepse poezitë e burgosura në dosje thonë të kundërtën. Bilal Xhaferri guxoi dhe e shprehu disidencën e vet, madje në shumë mënyra, qysh në fillimet e krijimtarisë së tij, shumë kohë përpara se të arratisej. Dhe ishte pikërisht kjo disidencë që shkaktoi dëbimin e tij prej Lidhjes së Shkrimtarëve komunistë, heqjen e të drejtës së botimit, internimin në Hamallë të Durrësit, si dhe përndjekjet, përgjimet dhe spiunimet e shumta që përgatitën dosjen për ta burgosur. Disidenca i rrezikoi jo vetëm krjimtarinë, por edhe jetën, prandaj Bilali u detyrua të arratisej. Këtë e tregojnë edhe poezitë e dosjes. Ato, njëkohësisht, duke qënë dorëshkrime origjinale, nxjerrin në dritë edhe disa abuzime që janë bërë me të drejtën e autorit të poetit Bilal Xhaferri. Është për të ardhur keq që ndonjë prej atyre poezive, mund ta hasësh të botuar si të tjetërkujt. Mosmirënjohje e dyfishtë. Sidoqoftë ne shpresojmë në ndërgjegjen e atyre që në një mënyrë a në një tjetër e kanë përvetësuar një pjesë të krijimtarisë së Bilal Xhaferrit apo do të vazhdojnë të spekulojnë me të…
Duke besuar në ndjenjën e pendesës njerëzore, po ju përmendim edhe një herë gjestin fisnik të poetit Edip Hoxha prej qytetit të Durrësit, i cili është njëherësh nxënësi i dikurshëm i Bilalit në krijimtari, si dhe kushëri i tij. Bilali i kishte falur dikur dy prej poezive të veta, të cilat u botuan në vitet ‘60 me emrin e Edipit, pa e ditur kush tjetër. Edipi e ndjeu se duhet t’ia kthente "borxhin" profesorit të vet, Bilal Xhaferrit, dhe e pati fisnikërinë për t’i kthyer revistës "Krahu i Shqiponjës" (nr. 41, tetor 1995).
Shpresojmë edhe njëherë se gjesti i Edipit nuk do të jetë i vetëm. Është në nderin e gjithë atyre që e kanë pjesë-pjesë, ta përqëndrojnë në një dorë të kujdesshme tërë krijimtarinë e këtij krijuesi të jashtëzakonshëm si në jetë edhe në art, gjë që e dëshmojnë edhe fragmentet e vjershave të nxjerra prej dosjes që i kishte hapur ish sigurimi i shtetit, disa prej të cilave po i botojmë me synimin për të plotësuar sadopak figurën e "të njohurit të panjohur" – Bilal Xhaferri, të cilit edhe në mërgim nuk iu nda dashakeqësia e diktaturasve komunistë, madje edhe pasi ndërroi jetë...

No comments: