Friday, November 30, 2007

Nga Shefki Hysa

I MADH BILAL XHAFERRI, PO NE NUK E KUPTUAM…
Dialog me atdhetarin shqiptaro-amerikan Rexhep Hoxha

- I nderuar Rexhep, mirëse ju gjeta në shtëpinë tuaj këtu në Çikago të Amerikës!… Më kanë thënë në Shqipëri, më thanë edhe këtu në Amerikë, se jeni një ndër emigrantët më të vjetër, më punëtorë dhe më të pasur të komunitetit shqiptaro-amerikan. Keni punuar shumë natë e ditë, me shumë djersë e mund, për të fituar emrin dhe pasurinë që keni. Jeni vërtet burrë i nderuar dhe që ju dëgjohet fjala ashtu siç duhet këtu në Çikago, ndaj kam dëshirë të bashkëbisedoj me ju për jetën tuaj dhe të familjes suaj dhe për lidhjet që keni pasur me mikun e të gjithëve, të ndjerin Bilal Xhaferri…
- Të falemnderit, Shefki, për konsideratën dhe për fjalët e mira që thoni në adresë time! Më bëhet qejfi që flitet kaq mirë për mua në Shqipëri e këtu në Çikago, por të them të vërtetën nuk jam aq sa thonë… Nuk jam aq i pasur… Jam përpjekur të punoj me ndershmëri, të fitoj e të shoh jetën time e të familjes sime larg sherreve, thashethemeve, dredhive e hajnive që ekzistojnë edhe këtu në emigracion, si kudo… Se cili jam unë në të vërtetë më mirë dëgjoje nga goja ime…
- Atëherë le ta dëgjojmë nga goja juaj se kush është Rexhep Hoxha dhe si ka rrjedhur jeta e tij…
- Pra, emri im është Rexhep Hoxha, jam nga Markati i Sarandës. Një brinjë mali dhe nja dy kthesa udhe e ndajnë fshatin tim të lindjes, Markatin, nga fshati Ninat, vendlindja e Bilal Xhaferrit, të cilin e kam njohur që në moshë të vogël, në kohën kur gjyshi i tij, Feriku, u izolua si kulak deri sa vdiq. E kam njohur që në moshë të vogël bashkë me tri motrat e tij: Bekon, Jeten dhe Antikën, aty rreth vitit 1952-1953. Pra e kam njohur atëherë kur Bilalit nuk i mbeti më vend në Ninat. Me sa di, ai u largua dhe shkoi tek një hallë e tij në Shijak, e cila e mori së bashku me Bekon, motrën e madhe. Që nga ajo kohë e deri sa ai emigroi këtu në Amerikë, unë nuk e kisha parë më Bilalin, sepse unë vetë u arratisa…
- Cilat ishin arsyet e arratisjes suaj nga Shqipëria?
- Arsyeja kryesore e arratisjes sime nga shtëpia, nga vendlindja, nga Shqipëria ishte fillimi i persekutimeve që na bëheshin mua, familjes dhe fisit tim. Rridhnim nga një derë e kamur disi dhe në shpirt ishim antikomunistë. Nuk e donim partinë komuniste dhe reformat e saj, metodat e pushtetit të saj për të na marrë pasuritë tona e për t’ua dhënë kokëpalarëve, berbeculëve, atyre që nuk e kishin dashur kurrë punën. Nuk e donim pushtetin që synonte të ulte malet, domethënë të na zhbënte ne, dhe të ngrente fushat, medemek të pasuronte barktharët. Nuk i donim barktharët që na kërcënonin të na merrnin gjithçka, edhe nderin, edhe jetën… Nuk donim asgjë të tyren, përfshirë këtu edhe kolektivizimin e pronës dhe të bagëtive…
- Pra, ju ishit kundër komunizmit, kundër pushtetit popullor, kundër kolektivizimit?
- Po. Unë isha kundër kooperativave. Komunistët për të çuar deri në fund qëllimet e tyre, për të na shdërruar ne si fis në fukarenj e berbeculë, me sebepin që arrestuan kushëririn tim, Selfo Hoxhën, më akuzuan edhe mua, sepse, sipas tyre, unë isha shkaktari i dytë, pas Selfos, që i shtynte njerëzit të mos hynin në kooperativë, që donin të mos bëhej kooperativa. Me sa mbaj mend më 18 maj u arrestua Selfoja. E mbaj mend se në atë kohë më ka lindur djali, Abdullai, dhe unë isha i detyruar që të jetoja si në fshehtësi që të mos më arrestonin. Kjo situate zgjati deri në shator… Unë rrija një muaj fshehur dhe një ditë dilja që të më shikonin njerëzia dhe të thoshnin që nuk isha arratisur… Frika se mos futesha në burg dhe torturohesha si Selfoja më detyroi më në fund që të arratisesha bashkë me gruan dhe fëmijët…
- Kur u arratisët?
- Jam arratisur më 24 shtator të vitit 1956.
- Në ç’drejtim u larguat?
- Kalova kufirin në Janjar dhe u largova drejt Greqisë.
- Qendruat gjatë në Greqi?
- Qendrova shtatë muaj dhe më pas emigrova drejt Belgjikës ku jetova për 12 vjetë me radhë… Aty mësova gjuhën frënge dhe një copë kohë punova edhe si përkthyes, pastaj bëra kartërat dhe vendosa të largohem për në Amerikë…
- Pse nuk qëndruat, por vendosët të largoheshit nga Belgjika?
- Kisha ëndërr të shkoja në Amerikë, pasi aty kisha edhe shumë njerëz të mi dhe siç kisha dëgjuar, jeta kishte më pak vështirësi se në Europë dhe në vende të tjera të botës, ndaj bëra përpjekje që të emigroja nga Belgjika në Amerikë, gjë që s’qe e mundur, pasi unë kisha edhe një djalë të sëmurë. U detyrova të emigroja fillimisht në Kanada për tre vjet e gjysëm dhe atje i bëra dokumentat e rregullta për në SHBA…
- Në ç’vit shkuat në Kanada?
- Në Kanada shkova më 16 qershor 1967, kohë në të cilën bëhej luftë ndërmjet Egjiptit dhe Lindjes së Mesme. U vendosa në një zonë frëngjishtfolëse të Kanadasë dhe krahas punës zura të përgatis kartërat për të emigruar në SHBA…
Në vitin 1968 u arratis edhe Selfoja me Bilalin nga Shipëria… Mua ata më morën në telefon nga kampi, nga Greqia. Duke e ditur aktivitetin antigrek të babait të Bilalit, Xhaferr Ferik Hoxhës dhe duke ditur që grekërit, për hakmarrje dhe ambicje, zhdukin çdo shqiptar që mund të kishte kryer një veprimtari sado të vogël kundrejt tyre, unë iu drejtova me një letër instancave më të larta të OKB-së, meqë kisha pasur rastin të njihja njerëz të lartë gjatë kohës që punoja si përkthyes në Belgjikë. Në atë letër pasqyrova historinë e Bilalit, historinë e babait të tij dhe vura në dukje që ky njeri ishte në rrezik nga qarqe të caktuara të shtetit grek dhe nëse shteti grek zbulonte se Bilali ishte i biri i Xhaferr Ferikut, patjetër do të zhdukej dhe për këtë kërkova mbrojtjen e tij prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Një kopje të letrës ia dërgova Komisionit të Lartë në Gjenevë dhe një kopje tjetër ia dërgova Komisionit të Lartë, dega e New Yorkut. Komisioni i Gjenevës çoi një njeri dhe vizitoi Bilalin në kamp. E pyetën nëse më njihte mua, sepse unë isha prezantuar si kushëriri i tij.
Më në fund letra e arriti qëllimin, pasi Bilalit i dolën në mbrojtje dhe e tërhoqën drejt SHBA-së në një kohë të shkurtër. Kam bindjen se po të kishte qëndruar më shumë në Greqi s’do të dilte i gjallë që andej…
- Po më thoni se ia dhatë ju me letrat tuaja mundësinë Bilalit për të emigruar nga kampet e përqëndrimit të Greqisë për në Amerikë… Besoj se Bilali me atë karakter burrëror që kishte, duhet të jetë treguar patjetër mirënjohës ndaj gjestit tuaj sa patriotik dhe fisnik… Ç’kujtime të tjera ruani nga takimet me Bilalin?
- Ashtu është. Bilali dinte t’i vlerësonte miqtë dhe të ishte shumë mirënjohës për çdo ndihmë që i jepnin, sado e vogël të ishte ajo, gjë që ne të tjerët nuk e kishim… Ai erdhi me ndihmën time në Amerikë, por unë e kam takuar vetëm pas tre vjetësh, sepse ai fillimisht u vendos në New York e më pas filloi të punonte për ca kohë për gazetën "Dielli", por nuk i eci puna si duhet dhe u largua prej tyre…
Të them të vërtetën, Shefki, pasi u takuam, mu dha mundësia që Bilalin ta njihja mirë… Unë, megjithëse herë-herë them me vete dhe me miqtë e mi se përse u dashka që të ngrihet kaq lart figura e Bilalit, përse ju dhe shteti shqiptar e vlerësoni kaq shumë (dhe kjo pikëpamje për arsyen e thjeshtë se kaq ma pret mua dhe sërës sime), kam një respekt të madh për atë dhe për punën e tij. Ky respekt mu krijua, sepse Bilali nuk ka qenë hipokrit, oportunist, megjithëse ka qenë i thjeshtë e shumë delikat… Vërtet ishte njeri i ndjeshëm dhe që prekej lehtë në shpirt si nga e mira dhe nga e keqja, por ishte edhe i vendosur në ato që thoshte e bënte. Një gabim të bëje, apo të shpreheshe kundër çështjes kombëtare dhe ai të hidhej menjëherë në grykë… Nuk donte t’ia dinte se të kishte mik a shok… Nuk të falte për shqiptarizmën… I tillë ishte ai, por ja që ne nuk e kuptuam as atëherë, nuk e kuptojmë as sot shpirtin e tij…
- Cilat ishin arsyet e largimit të Bilalit nga gazeta "Dielli"?
- Dy ishin arsyet e largimit të Bilalit nga gazeta "Dielli", këto sipas gojës së Bilalit, jo sipas mendimit tim: E para, gazeta "Dielli" shkruhej në një gjuhë jo të pastër shqipe, gjysmë shqip e gjysmë anglisht, saqë as vetë ata që e bëjnë këtë gazetë nuk e lexojnë dot. Bilali kërkonte ta ndryshonte këtë lloj gjuhe, por ata nuk e kuptonin gjuhën e Bilalit… E dyta, në organizatën "Vatra", organi i së cilës ishte gazeta "Dielli", pjesa më e madhe e aktivistëve ishin komunistë, ishin aktivistë të "Lirisë" së Bostonit që ishte organizatë prokomuniste dhe të tërë ata që shkruanin te "Liria" e Bostonit, ishin ata që u jepte vizë Enver Hoxha për të vizituar Shqipërinë. Këto ishin dy nga arsyet kryesore që Bilali u largua nga gazeta "Dielli" dhe qëndroi për një kohë të gjatë pa punë, deri sa në vitin 1971-1972 Selfo Hoxha, Ramo Idrizi, Rushit Hoxha etj., u mblodhën bashkë dhe e sollën Bilalin këtu në Çikago.
Pra, po e theksoj se për pak kohë Bilali u fut redaktor në gazetën "Dielli" dhe deshi të bënte aty shumë ndryshime, pasi aty shkruanin shumë bashkatdhetarë që vinin nga treva të ndryshme shqiptare, por gjuha shqipe që përdorej në atë gazetë, siç ju thashë, nuk ishte letrare e pastër, nuk ishte as shqip e as anglisht, por ishte e trazuar. Bilali vendosi të bënte ndryshime dhe kur i ndërmorri këto ndryshime, klanet ekzistuese u zunë me Bilalin. U zunë keqas, sepse Bilali nxorri në pah vlerat e gjuhës dhe letërsisë së sotme shqipe, por ata nuk e kuptonin këtë gjë. Bilali kërkonte të bënte një reformë rrënjësore në gazetën "Dielli", një reformë që të përputhej me reformën e kohës, por ata nuk e lejuan, kështu që ai vendosi të mos bashkëpunonte më me ta… Dhe nuk bashkëpunoi…
Ne e kishim marrë vesh që ai nuk shkonte mirë me ato klane dhe në këtë kohë kishim vendosur të bënim diçka. Po kush do e sillte Bilalin tek ne? E mori përsipër që ta sillte Selfo Hoxha, kunati i tij… I foli Selfoja në telefon Bilalit, rahmet pastë, dhe i kërkoi që të vinte në Çikago:
"Unë qejf kam të vij, - i tha ai. - Dua të shoh edhe hallën, por nuk kam dëshirë që të ndeshem me disa fytyra atje"…
Halla e Bilalit është nëna e Skënderit, Skënder Xhelos apo Skënder Shuaipit, siç e njohin ca të tjerë… Një ndër njerëzit që Bilali nuk dëshironte të takonte ishte Bajrami…
"Ti s’ke nevojë të takosh askënd, - i tha Selfoja. - Eja të jetosh në shtëpinë time, të rrimë bashkë dhe te halla të shkosh sa herë të duash"...
Dhe Bilali e mblodhi dhe erdhi në Çikago… Në këtë kohë Selfoja me Rushitin hodhën mendimin që të bënim "Lidhjen Çame" dhe të nxirrnim në dritë një revistë që do ta drejtonte Bilali. Vendosëm bashkarisht që ishim dakort dhe kështu u bë. Në fillim menduam ta quanim revistën "Lidhja Çame" dhe natyrish ky ishte një emër i mirë, por Bilali këmbënguli që t’ia linim atij në dorë titullin e revistës, që ai vetë do ta drejtonte dhe e drejtoi deri sa dhe vdiq. Revista u quajt "Krahu i shqiponjës’. Ky ishte një emër mjaft domethënës që bëri bujë në atë kohë dhe u vlerësua shumë nga patriotët dhe mbarëshqiptarët që patën rastin ta shfletonin. Kjo revistë dilte një herë në muaj dhe tirazhi i saj në fillim ishte 500 kopje, pastaj erdhi duke u rritur. Çdo muaj paguanim 1100$, aq ishte mundësia jonë në atë kohë… Veç të mos harrojmë se kishte edhe shpenzime të tjera që të mbahej në këmbë revista dhe "Lidhja çame", shpenzime që binin në kurriz të të gjorit Bilal… Sidoqoftë shkrimet e revistës u pritën gjithmonë me mjaft interes dhe u pëlqyen shumë nga të gjithë…
- Thatë se ishit ju patriotët çamë që e ftuat Bilalin të vinte në Çikago dhe të drejtonte revistën e "Lidhjes çame", përse nuk e ndihmuat gjer në fund, por u përçatë dhe e latë pas dore atë dhe punën e tij?
- Në fillim e ndihmuam me sa mundëm… I gjetëm strehim… E strehoi Selfoja në shtëpinë e tij… Pra, Bilali flinte te Selfoja. Do thuash se nuk ishte ndonjë ndihmë e madhe. Vërtet nuk ishte kushedi, ama kuptoheshim njëfarësoj… Mirëpo Bilali edhe me Selfon ka bërë fjalë disa herë, kjo si pasojë e pikpamjeve të tyre të ndryshme, kështu që u ndanë dhe ai u detyrua të merrte dhomë më vete dhe shpenzimet iu shtuan...
Vetëkuptohet që dollarët që "Lidhja Çame" kishte vënë në dispozicion të revistës nuk i dilnin Bilalit për shpenzime të tjera, ndaj ai u detyrua të kërkonte ndihmë nga të tjerët, sepse ne në çdo fund muji i thoshnim: "Ku është revista?… Ne lekët i kem paguar"... Ky ishte gabimi ynë kryesor. I jepnim pak dhe i kërkonim llogari shumë, me vend e pa vend. Ne i kërkonim që ai të punonte për revistën, pa menduar se çdo bënte për të ngrënë, për të pirë e për të fjetur... Megjithëse ne nuk ishim aq të pasur sa të përballonim tërë shpenzimet e "Lidhjes çame", revistën donim që ta nxirrnim vetë, si çamë. Nuk donim të na ndihmonin të tjerët… Ky ishte një gabim tjetër, që na solli përçarjen… Na largoi me Bilalin…
- Po Bilali si reagonte ndaj indiferencës së disa prej bashkatdhetarëve çamë nga grupimi juaj?…
Pavarësisht nga qëndrimi ynë e nga pikëpamjet tona shterpë, Bilali kursente edhe bukën e gojës dhe nuk e linte revistën pa e nxjerrë. Edhe kur nuk arrinte ta nxirrte një muaj, muajin tjetër i nxirrte të dy numrat bashkë. Ai ka bërë shumë për çështjen kombëtare dhe hallall ia bëftë Zoti për këtë. Ai jo vetëm punonte me gjithë shpirt, por i kundërvihej me takt edhe mospërgatitjes dhe injorancës sonë dhe për këtë unë kam shumë kujtime të mira… Të tjerë përkundrazi edhe sot nuk e falin që bindjet dhe karakteri i tij nuk pajtoheshin dot me të tyret…
- Pra, po thoni se Bilali nuk u tërhoq asnjëherë para vështirësive?
- Eh!… I madh Bilal Xhaferri, po ne nuk e kuptuam… Dhe ç’është më e keqja, ca nga ne nuk arrijnë ta kuptojnë as sot, edhe pas kaq vitesh kur ai nuk ndodhet më midis nesh…
As që nuk mund të mendohet se do të tërhiqej Bilali ndonjëherë nga objektivat që i vinte vetes. Ishte i pathyeshëm. Vetëm vdekja do ta ndante nga revista dhe puna patriotike që bënte. Për të nxjerrë revistën atij iu desh të kërkonte ndihmë nga kosovarët si dhe nga Partia e Legalitetit, i kërkoi ndihmë edhe Agim Sulës, djalit të ambasadorit shqiptar në Egjypt. Deri në atë kohë Egjypti njihte pushtetin e Mbretit Zog, ndaj mbante ende si ambasador një nga përfaqësuesit e tij…
Ne ishim kundër bashkëpunimit me të tjerët, ndaj u mblodhëm dhe vendosëm që në revistën tonë të mos bënim propogandë partiake, të mos shkruanim për asnjërën nga partitë e mërgimit si Legaliteti, Balli etj., por si çamër të kërkonim dhe të mbanim qëndrim vetëm ndaj çështjeve kombëtare. Pra, vendosëm që në revistë t’i bënim ismet historisë së krahinës sonë… Kjo si ide nuk ishte e keqe, edhe Bilali nuk ishte kundër kësaj, por në praktikë ishte e parealizueshme, sepse ne asnjëherë nuk arritëm të jepnim mbështetjen e duhur financiare për botimin e revistës…
Në të tilla kushte, e pëpsëris, Bilali vetëkuptohet që do të lidhej me tërë ato forca apo persona që e mbështesnin me financë, qofshin ato edhe grupime politike si Legaliteti e Balli. Kjo ne nuk na pëlqente dhe më në fund u tërhoqëm duke ia lënë Bilalit në kurriz tërë barrën e revistë dhe të "Lidhjes Çame"…
Bilali, edhe pse më shumë i vetëm, diti të mbijetojë dhe ta nxirrte revistën deri sa vdiq nga një sëmundje e papritur… Vdiq në një nga spitalet e Çikagos, pas një operacioni…
Pavarësisht nga keqkuptimet dhe ngatërresat, ngatërrohen edhe zorrët në bark ndonjëherë, ne u mblodhëm dhe e varrosëm me nderime… E meritonte të nderohej për punën e madhe patriotike që kishte bërë… Ishte tjetër gjë që ne asnjëherë nuk e kuptuam dhe ende nuk e kuptojmë sesa i madh ishte Bilal Xhaferri…

SHEFKI HYSA
SHBA, Çikago, më 30. 04. 1995

No comments: