Nga Shefki Hysa
"Krastakraus" – Dashuri dhe Qëndresë
Shënime për romanin "Krastakraus" të Bilal Xhaferrit
Bilal Xhaferri (2 nëntor 1935 – 14 tetor 1986), poet, prozator dhe publicist i shquar disident. Autor i shumë veprave ende të papublikuara: "Krastakraus"- kryevepra e tij. Ky do të ishte përkufizimi më i saktë për Bilal Xhaferrin, shkrimtarin e etnisë shqiptare, siç e kanë cilësuar disa studiues.
U lind në Ninat të krahinës së Konispolit, në rrethin e Sarandës, në një familje atdhetare që i përket fisit të dijetarit të shquar enciklopedist Hasan Tahsinit, Rektor i parë i Universitetit të Stambollit.
Më 1945 komunistët i pushkatuan babanë, Xhaferr Ferik Hoxha, për bindje nacionaliste antikomuniste. Bilali mbeti jetim, djalë i vetëm, vëlla i tri motrave. Jeta e tij më vonë do të ishte një fatalitet. Si një Sizif, mbi shpinë do t’i rëndonte guri i rëndë i biografisë së "keqe". Mezi arriti të mbaronte një shkollë për teknik gjeometër dhe jeta e tij zuri të rridhte nëpër kantjeret e vështira të ndërmarrjes rruga-ura, duke ndërtuar dhe asfaltuar rrugë të reja dhe në kërkim të shtigjeve të krijimtarisë letrare.
Më 1966 botoi vëllimin me tregime "Njerëz të rinj, tokë e lashtë" që shkrepëtiu në mendjet e lexuesve si rrufeja në qiell të kthjellët. Talenti i jashtëzakonshëm, Bilal Xhaferri, po sillte në letërsinë shqiptare një frymë të re romantiko-realiste që synonte zgjimin e ndjenjave të fashitura të njeriut të indoktrinuar prej komunizmit. Përkundër "njeriut të ri", bastardit që synonte të gatuante diktatura komuniste, Bilali me krijimtarinë e tij u bënte thirrje shqiptarëve t’i kthenin sytë nga lashtësia, nga të parët e tyre, etërve luftëtarë bujarë e liridashës, zotër të këtyre trojeve amtare.
Më 1967 u botua vëllimi i tij poetik "Lirishta e Kuqe", mirëpo nuk arriti të qarkullonte. Me urdhër të censurës komuniste u shndërrua në brumë kartoni. Në ato pak kopje që arritën të shpëtonin, vjedhur prej dashamirëve të Bilalit, lexuesit, krahas mjeshtërisë artistike, shihnin të spikaste disidenca e heshtur e këtij autori të papërkulur, krenar për gjakun e vet pellazgo – ilir.
Më 24 gusht 1969 Bilal Xhaferri u detyrua të arratisej për në Greqi e mandej të emigronte për në SHBA, në Çikago ku botoi për më shumë se 10 vjet revistën antikomuniste "Krahu i shqiponjës", revistë dygjuhëshe shqip – anglisht.
Vdiq në rrethana të panjohura më 1986, i brejtur nga malli për atdheun dhe urrejtja për komunizmin që e kishte izoluar Shqipërinë përbrenda telave me gjemba.
Romani i tij "Krastakraus" (Kreshta e Krujës, qytet – vendlindja e kryetrimit legjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeut), shkruar që në vitin 1968, u end gjatë nëpër redaksitë e të vetmes shtëpi botuese të shtetit komunist, përderisa përfundoi i burgosur nëpër arshivat e saj për vetë idetë që shtjellonte. U botua vetëm në vitin 1993 prej shtëpisë botuese private "Bilal Xhaferri", krijuar për të përkujtuar emrin e këtij autori të shquar disident.
Romani "Krastakraus" është një vepër monumentale, njëherësh sa klasike dhe moderne. E merr temën nga e kaluara historike e Shqipërisë e pikërisht nga periudha e luftërave heroike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mbretit të shqiptarëve (1417-1467), i cili për një çerek shekulli përballoi me shpatën e vet dyndjet osmane në mbrojtje të shtetit shqiptar dhe të krishterimit. Është një vepër e shkruar mjeshtërisht. Imagjinata e fuqishme e këtij autori depërton nëpër mjegullën e mesjetës dhe përmes tablove dhe detajeve që përshkruan arrin t’i zbresë nga trualli i legjendave heronjtë dhe t’i sjellë ashtu të gjallë në sytë e lexuesve. Përmes jetës dhe bëmave të luftëtarëve të thjeshtë të Gjergj Kastriotit, shpaloset e tërë historia e luftërava shqiptaro – turke, e fitoreve dhe e humbjeve, e tradhëtive dhe e qëndresës.
Në qendër të këtij romani ngrihet figura e Strezit, njërit prej oficerëve trima të gardës së Skënderbeut dhe nëpërmjet linjës së dashurisë së tij për princeshën Ajkuna, në njërën anë dhe veprimtarisë së tij prej luftëtari trim, në anën tjetër, shtjellohen fatet e personazheve të tjerë në situata paqeje dhe betejash.
Bota e personazheve, psikologjia e tyre gërshetohen me natyrën aq sa herë – herë nuk kupton nëse njeriu është krijesë e natyrës apo natyra krijesë e tij. Trinia: Perëndi, natyrë, njeri dhe anasjelltas, ndërthuret si një nyje fatale në botën e secilit personazh si dhe në rrjedhën e ngjarjeve dhe situatave liriko – dramatike të prirura drejt tragjikes që kërcënon fate personazhesh dhe popujsh.
Fundi i këtij romani është një përshkrim mjeshtëror, gati homerik, i një beteje tepër të përgjakshme, pa fitimtarë dhe pa të mundur; i një beteje që nënkupton beteja dhe qëndresa të tjera dhe më të përgjakshme për të siguruar mbijetesën e një populli krenar që di ta jetojë jetën edhe në kohëra paqesh, edhe në kohëra luftërash.
"Krastakraus" është njëherësh simbol i dashurisë dhe i qëndresës njerëzore, është simbol i fitores së qytetërimit përballë dyndjeve barbare të të gjitha kohërave.
Njeriu i sotëm shqiptar gjen nëpër faqet e romanit shembëlltyrën e tij dhe gati dashurohet me vetveten si Narcisi i Mitologjisë përballë veprës së Bilal Xhaferrit. Shpresojmë të jetë një befasi e këndshme edhe për lexuesit ky libër.
Shefki Hysa
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment