Nga Shefki Hysa
BILAL XHAFERRI: "E DASHURA IME E VETME – SHQIPËRIA"
Dialog me atdhetarin shqiptaro-amerikan Elez Bardhi
- I nderuar Elez, nga bisedat që kam pasur me bashkatdhetarët tanë këto ditë në Çikago, më kanë thënë se ju ishit një nga miqtë më të mirë të Bilal Xhaferrit. Si jeni njohur me të?
- Me Bilal Xhaferrin, rahmet pastë, jam njohur në fund të vitit 1974. Më vonë kam njohur edhe kunatin e tij Selfo Hoxhën e plot bashkatdhetarë të tjerë. Ishim thuajse në të njëjtën moshë. Ai të bënte për vete me thjeshtësinë dhe zgjuarsinë që e karakterizonte. Kohët e para na duhej të punonim shumë dhe paradite nuk kishim kohë të takoheshim, zakonisht pinim nga një kafe bashkë, por nuk hynim shumë në muhabete personale. U miqësuam me kalimin e viteve. Koha që kam kaluar me Bilal Xhaferrin ka qenë koha më e bukur që mund të kalohet me një mik e patriot njëherazi. Ai i kishte të gjitha virtytet e një shqiptari atdhetar. Për të nuk kishte shqiptarë të Kosovës, shqiptarë të Çamërisë, shqiptarë të Shqipërisë së Jugut, Veriut a Shqipërisë së Mesme. Për të ishim të gjithë gjaku i paraardhësve dhe gjaku i filizëve të rinj. Nuk dua ta zgjas shumë, sepse për Bilalin veç fjalë të mira mund të thuash.
- Nga bisedat që bënit me Bilalin, ju ishit të një mendimi me të?
- Pothuajse. Unë e dëgjoja me vëmedje Bilalin kur fliste se ai ishte shumë i ditur dhe i informuar për gjithçka ndodhte në Shqipëri dhe në botë. Të tërhiqte pa masë fjala e tij dhe të bënte ta dëgjoje me respekt dhe me kuriozitet. Pjesa më e madhe e emigrantëve që vinin nga Shqipëria apo nga trevat e tjera shqiptare ishin të keqinformuar për gjendjen politike të Shqipërisë, kurse Bilali e kishte prekur më nga afër, e kishte jetuar komunizmin e asaj kohe, ndaj dhe ishte më i ditur. Dhe ishte në gjendje në çdo moment që t’ju shpjegonte të tjerëve atë që ndodhte vërtet në Shqipëri. Ne që kishim më shumë kohë larg e kujtonim Shqipërinë vend të fortë, njëlloj si Izraelin. Bilali vetëm qeshte kur na dëgjonte. Një herë kur po diskutonim për të ardhmen politike të Shqipërisë njëri nga shokët tanë e pyeti: "Tani që Enver Hoxha është plakur dhe Stalini me Rusinë i kanë lënë shëndenë komunizmit, çdo të bëhet me Shqipërinë?"…
Ai nuk foli. Heshtte dhe në heshtjen e tij lexohej se nuk kishte shumë shpresë te e ardhmja e afërt e Shqipërisë. Komunizmi për Bilalin do të shkrihej dalëngadalë dhe do të mbetej në historinë e vendeve që e kishin atë sistem, si një njollë, si një nismë e pasuksesshme që do të linte pasoja negative…
- Për çfarë çështjesh diskutonit më shpesh me Bilalin?
- Për Kosovën dhe Çamërinë… Çështja e Kosovës ishte një nga pikat ku më të shumtën e rasteve na përputheshin idetë…
Bilali besonte se do të zgjidhej një ditë problemi i Kosovës. Megjithatë duhen 20-30 vjet që kjo çështje të zgjidhet, më thoshte shpesh duke tundur kokën.
- Cilat qenë synimet që i kishte vënë vetes Bilal Xhaferri këtu në emigracion, sipas jush?
- Bilali qe vërtet një njeri i madh, mund të thuash me plot gojën. Ai përveç botimit të revistës "Krahu i Shqiponjës" që e kishte pikë të dobët, kishte si program të vetin që të bashkonte njerëzit. Synonte të bashkonte atdhetarët shqiptarë apo parti të ndryshme shqiptare këtu në emigracion që përpiqeshin për një Shqipëri të lirë nga komunizmi, pasi thoshte se të bashkuar do të kemi më shumë vlera, më shumë dinjitet dhe do të arrijmë më shumë sukses në realizimin e idealit tonë.
- Dhe ia dëgjonin fjalën Bilal Xhaferrit?
- Me thënë të vërtetën pjesa më e madhe po… Unë kam respekt për të gjitha partitë e krijuara në emigracion, por fatkeqësia e tyre ka qenë gjithmonë se ato nuk kanë mujt me qenë të bashkuara në kërkesat dhe qëllimet e tyre. Pikërisht bashkimi ka qenë edhe qëllimi i Bilalit. Për bashkim u fliste gjithë patriotëve ai. Shfrytëzonte çdo rast, sidomos festat kombëtare si festa e flamurit, e pavarësisë, etj. kur njerëzit bëheshin bashkë. Di se Bilali nga ana e tij ka takuar disa herë mbretin Leka, Abaz Ermenjin e Ballit Kombëtar apo edhe patriotë të tjerë me dëshirën për t’i parë të bashkuar. Bilali thoshte gjithmonë se dua ata njerëz, ato parti që e luftojnë komunizmin. Ai kishte ideal bashkimin e Shqipërisë… Përpiqej ditë e natë për idealin e tij, aq sa linte pas dore edhe veten.
Shpeshherë e ngacmoja dhe e pyesja nëse kishte ndonjë të dashur dhe ai më përgjigjej: "Nëse merrem me gjëra të tilla harroj parimet dhe idealin tim më të madh, Shqipërinë. E dashura ime e vetme është Shqipëria"…
- Gjatë kontakteve që kam pasur me miq dhe të njohur të Bilal Xhaferrit si në Shqipëri dhe këtu, kam marrë vesh se ka qenë një nga emigrantët më aktivë në Amerikë. Ai bënte çmos dhe lidhej edhe me bashkatdhetarët tanë në Kanada, në Australi e në mbarë Europën. Cili është mendimi juaj?
- Bilal Xhaferri vërtet kishte lidhje me bashkatdhetarët tanë në mbarë botën. Merrte avionin dhe zhdukej për ditë të tëra. Unë prisja të takoheshim, kur ai më merrte papritur në lelefon dhe më thoshte se fliste nga Turqia, Zvicra, Kosova, Maqedonia… Ishte i paparë, i kudogjendur… Ai do të kishte bërë edhe më shumë për idealin e tij si shqiptar, po të kishte më shumë të holla. Besa e tij vlente më shumë se pasuria e çdo emigranti që e mohonte dhe e shiste emrin shqiptar. Bilal Xhaferrin unë kurrë nuk e harroj dot dhe akoma nuk kam gjetur ndonjë djalë shqiptar që t’i afrohet zgjuarsisë dhe guximit të tij…
- Zotëri Elez, a vepruan apo u paralizuan Lidhja Çame dhe Lidhja Kosovare pas vdekjes së Bilal Xhaferrit?
- Sa ishte gjallë Bilal Xhaferri e shëtiti tërë qytetin e Çikagos për të takuar krerë partish, emigrantë të ndryshëm, veçanërisht çamët e kosovarët. Bënte të pamundurën që të mbaheshin gjallë Lidhja Çame dhe Lidhja Kosovare. Nuk lodhej duke shpërndarë revista falas për t’i bindur atdhetarët që të organizoheshin. Paraja dhe lodhja nuk kishin fare rëndësi për Bilal Xhaferrin, ai rrinte pa ngrënë për veten e tij dhe paratë që mundte t’i siguronte i harxhonte për botimin e revistës, për shpërndarjen e saj në të katër anët e botës. Çdo ditë që kalonte nga njohja me Bilal Xhaferrin ai më dukej gjithmonë e më i afërt, gjithmonë e më i dashur dhe i pazëvendësueshëm, shqitpar i vërtetë…
- Pse nuk donte që të martohej Bilali? Përse nuk krijonte familje?
- E kisha pyetur disa herë, por ai shpeshherë më shmangej. Diku nga viti 1982-1983 e takova dhe gjatë muhabetit i thashë: Pse nuk martohesh, Bilal?… Ka ardhur koha që të krijosh familje. Jeta vetmitare nuk është e kollajtë…
Ai m’u përgjigj shkurt: "Komunizmi i ka ditët e numëruara dhe nëse bie komunizmi në Shqipëri unë dua që të jem atje. Po të jem me grua dhe me fëmijë, ata nuk do të dëgjojnë që të shkoj përsëri atje… Dikur do të rrëzohet komunizmi, Shqipëria do të çlirohet dhe unë do të rikthehem në atdheun e lirë dhe do të marr një nuse shqiptare"… Kështu më tha atë ditë, kështu ,ë justifikohej shpesh sa herë ia hapja muhabetin e familjes…
- Ç’punë bënte Bilal Xhaferri, përveç veprimtarisë patriotike?
- Për shumë kohë ai ka punuar kamarier në një lokal e më vonë punëtor në një fabrikë hekurishteje.
- Sa ka qenë pak a shumë paga mujore e tij?
- Me aq sa di, ai merrte 1200-1300 dollarë në muaj. Dhe të gjitha I shpenzonte për botimin e revistës dhe për idealin e tij…
- Me kë shoqërohej më shumë Bilali këtu në Amerikë?
- Bilali për mua ka qenë internacional. Ishte i gjendur për shqiptarë të Kosovës, për shqiptarë të Shqipërisë, për shqiptarët e Çamërisë. Ishte i gjendur për priftërinjtë, hoxhallarët e dervishët, për të bardhët e të zintë. I donte me shpirt njerëzit e mirë, Bilali. Të gjithëve ai u fliste me shpirt e zemër, të gjithë ishin njëlloj për të. Ai ishte mjeshtër për t’i bërë për vete njerëzit, për t’i bashkuar në gëzime e hidhërime. Sa ishte gjallë Bilal Xhaferri jemi mbledhur bashkë si emigrantë shqiptarë, jemi takuar shpesh me njëri-tjetrin, kemi biseduar e kemi qarë hallet për vete e për Shqipërinë e shtypur nga komunizmi, por si vdiq ai, na mori dreqi i mallkuar...
- Thuhet se Bilal Xhaferrit i kanë bërë disa herë atentate, si qëndron e vërteta?
- Se si është e vërteta, zotni Hysa, askush nuk e di me saktësi. Unë di vetëm se Bilali i ka pritur armiqtë e tij me ballëhapur dhe me gjoks përpara. Ai dinte më shumë se ne të gjithë, por kurrë nuk është fshehur apo larguar nga rreziku. Ama letrat anonime, telefonatat e kërcënimet i ka pasur të panumërta. Mbaj mend që njëherë që bëhej mbledhja e partisë së Lëvizjes së Legalitetit dhe e Lidhjes Çame, Bilalit iu bë atentat, por e shpëtuan makinat e policisë që lëviznin shpesh në rrugët e Çikagos. Bilal Xhaferri erdhi në mbledhje një orë me vonesë dhe kishte plagë në të gjithë trupin.
Di se i kanë bërë edhe nja dy herë të tjera atentate. I kanë djegur edhe bibliotekën dhe dhomën në hotelin ku rrinte. Dhe këto veprime jam i sigurt se i kanë bërë komunistët...
- Si vdiq Bilal Xhaferri, sipas jush?
- Me thënë të vërtetën ai ankohej shpesh se kishte një dhimbje koke që iu shtua kohët e fundit aty nga mesi i vitit 1986. Aty nga fillimi i tetorit të atij viti, mora vesh se ishte shtruar papritur në spital. Shkova dhe e pashë. E gjeta me kokën të qethur zero dhe me një fashë të vogël. Më tha se e kishin operuar nga një tumor. Ndihej mirë dhe do të delte së shpejti nga spitali. Nga sa mbaj mend ndihej i fortë… U ndava me llafin se do të takoheshim pas tre-katër ditësh, mirëpo kur prisja të takohesha, mësova se Bilali kishte vdekur papritur ditën që do të dilte nga spitali… Thanë se ishte vdekje normale, por unë për vete nuk e besoj… Ka zëra se e kanë hequr qafe në spital, megjithatë Zoti i Madh e di të vërtetën…
Me vdekjen e Bilalit ne, emigrantët. humbëm një mik të mirë, një mësues të dashur, Shqipëria humbi një shkrimtar të madh, një gazetar, një politikan të mençur e largpamës, një intelektual të shquar që rrallë e gjen në këtë botë…
SHEFKI HYSA
SHBA, Çikago, më 2 maj 1995
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment