nga NATASHA LUSHAJ
Ligjërime të krenarisë shqiptare
1.
Opinionet e studimeve dhe të kritikës shqiptare për letërsinë "e ndaluar" të gjysmëshekullit që shkoi, për nga kriteret dhe metodat e analizës, në përcaktimet dhe konkluzionet, kanë mbetur në të njëjtin nivel të "paraerës" së sistemit bashkëkohor të vlerësimeve kritike për letërsinë. Edhe vlerat e pretenduara të autorëve dhe veprave të socrealizmit, shpesh me terminologji të pandryshuar, veç janë futur në thonjëza për t’u distancuar politikisht, janë ngritur në katror me një minus ironik (hiperbolë e përmbysur) dhe pas barazimit automatikisht është shkruar: ± zero. Të mbetura pa fjalën bindëse të mendimit shkencor, ato më shumë çorientojnë se ndihmojnë në kapërcimin e tranzicionit të stërzgjatur të studimeve tona për letërsinë.
Mbetet ende pa përgjigje pyetja se ç’rrjedhë do të kishte marrë letërsia shqipe, për shembull, pa atë ndërprerje të ashpër të mesviteve ’70, ashtu si dhe enigma e drejtimit estetik apo të nivelit që do të kishte arritur krijimtaria e autorëve, të cilëve iu pre në mes mundësia e zhvillimit të plotë të talentit të tyre. Botimet e këtyre 10-12 viteve të fundit, sidomos i asaj që është quajtur "letërsia e ndaluar", nuk e kanë ndryshuar opinionin e studiuesve për prirjet, tiparet e veçanësitë e letërsisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX në tërësi; zërat madhorë kanë mbetur po ata. Është konstatuar se "disidenca letrare" nuk arriti të përvijonte as profile origjinale dhe as grupime që të ndiqnin rrjedhat e rrymave estetike, të teknikave e, natyrisht, zhanret bashkëkohore (me ndonjë përjashtim xixëllues, kapriçioz dhe ende i paeksploruar tërësisht si Trebeshina, sikur vetëm ai!), duke arritur maksimumi deri te thjesht ndikimet ose imitimi, pa folur për platforma teorike filozofike dhe estetike. Është, si të thuash, se e vetmja disidencë letrare e socrealizmit ishte e natyrës ideopolitike. Në dukje, një paradoks.
Por nëse letërsia e socializmit e pranonte tendencën e saj ideopolitike, në favor të platformës filozofiko-estetike të saj për vënien e artit "në shërbim të politikës së partisë, të pushtetit të proletariatit dhe masave të gjera të popullit", të mbrojtur mirë-keq, ndonjëherë po nga ata teoricienë që sot e luftojnë, cila ishte platforma e letërsisë dhe arteve të "disidencës letrare" (përveç ndonjë "letre të hapur" të S. Malëshovës, M. Myftiut dhe K. Trebeshinës) dhe, më kryesorja, cilat qenë rezultatet e saj konkrete në krijimtarinë letrare që sot t’ia kundërvëmë nivelit të procesit të zhvillimit letrar të arritur në tërësi nga shkrimi shqip i letrave? Shpjegimet dhe konkluzionet për probleme të tilla ende mbeten të padefinuara në rrafshin e argumentimit analitik të shkencës së letërsisë, se në rrafshin e argumentimit ideopolitik, ndoshta ka aty-këtu dhe më shumë mllef.
Nga ana tjetër, në letërsinë shqiptare deri në fund të viteve ‘90, në krijimtarinë e autorëve më të mirë brenda kufijve (edhe të atyre që nuk rezultuan si disidentë), të mos flasin për letërsinë që shkruhej në Kosovë, shqipja në vetvete arriti t’i përpunonte mjetet gjuhësore e stilistike të një gjuhe moderne me kontributin e tërë brezave krijues, të paktën që nga Rilindja e këtej, brenda dhe jashtë kufijve, në më shumë se një shekull jetë aktive të fjalës artistike. Diku-diku pranohet se gjuha e letërsisë shqiptare, që në fund të viteve ’80, e kishte arritur stadin e përdorimit si një gjuhë sintetike moderne, brenda përvijimit tërësor të tablosë stilistike të shqipes në të gjitha nivelet, por kjo nuk do të thotë se pranuam që letërsia shqipe eci në një hap me novitetet e mëdha filozofiko-estetike e të teknikave të shkrimit të quajtura moderne a moderniste.
Në këtë pikë është pohuar, nga kritika e pas ’90-ës, prania e ndikimeve, shfrytëzimi i elementeve të veçanta të mënyrës së ligjërimit, teknikave e mjeteve që ngrihen mbi koncepsione moderniste për fjalën dhe aktin krijues, por gjithnjë si asimilime brenda specifikave të ngushticës ideologjike e politike të metodës zotëruese dhe forcës së origjinalitetit të autorëve më potencialë. Brenda këtyre konteksteve, simbolika dhe alegoria shumështresëshe e veprave mbarti dhe mbart gati me të njëjtën peshë emocionale mesazhet e kohës kur u shkruan dhe mesazhe për kohëra të tjera, pa arritur te hermetizmi apo errësimi eliptik i strukturës së tekstit letrar apo "përmbysja" e poetikave, që të kërkonte madje edhe një lloj të ri leximi dhe lexuesi. Modelit folklorik të ligjërimit (për pasojë, edhe të leximit, i tipit tradicional, kryesisht emfatik e deklamativ), pasojë e një jetësimi shumëshekullor kryesisht oral, krijuar e ngulitur nga folklori, nuk iu largua përgjithësisht as Rilindja e letërsia e gjysmës së parë të shekullit XX, deri në vitet ’50 e pak më tej, me përjashtime e thyerje fatlume në vitet ’20-‘30. Zhvillimet tërësore në prozë e poezi çuan te shija e një leximi të tipit intelektual, që mbështetej në aftësitë imagjinative e intuitive të lexuesit për shijimin "e brendshëm" të kuptimësive dhe kadencave melodike në poezi dhe tipet e rrëfimit e të strukturave kompozicionale në prozë.
Më të fuqishme u ndien thyerjet e ndikimet bashkëkohëse në letërsinë e shkruar në Kosovë që në vitet ’70-’80, ku liria, madje cytja drejt modernistes e perëndimores (veç modelet brenda kufijve të mos ndiqeshin) nuk fshihte dot mungesën e një lirie tjetër, jetike si ajri, rrezikun e zhbërjes kombëtare dhe parandjenjën e përplasjeve të ardhshme jo thjesht kulturore. Pa ngurruar mund të thuhet se letërsia e shkruar në Kosovë, pikërisht këtë llavë të nëndheshme, ka elementin e vet më të fuqishëm dhe, megjithë prirjen më të dukshme drejt modernistes, ndoqi (sidomos me përfshirjen në procesin e unifikimit të gjuhës standarde letrare dhe frymën kombëtare të mesazheve) të njëjtën rrjedhë zhvillimi me atë brenda kufijve, duke marrë e dhënë me intensitete të ndryshme në kohë në rrafshin gjuhësor e stilistik dhe atë të strukturave ideo-simbolike. Është interesante të vihet re edhe se si kornizat e njëjta (mbarëkombëtare) të socrealizmit dhe tendencat për tejkalimin apo anashkalimin e tyre dhanë rezultate të ndryshme në kontekste social-kulturore (ndoshta edhe për shkak të fasadave të ndryshme e të përkohshme social-politike) dukshëm të ndryshme brenda të njëjtit proces zhvillimi të gjuhës së letërsisë shqipe në të dy anët e kufirit, e cila, pranohet, e ruajti koherencën sa për hir të ligjësive të brendshme gjuhësore e stilistike, aq edhe si reaksion ndaj imponimit të faktorëve jashtëletrarë. Në këtë letërsi disidenca e vërtetë, pra, përsëri shfaqet jo në rrafshin estetik e të teknikave të shkrimit me socrealizmin jugosllav, që dhe ai, si politika e shtetit të vet, luante me sloganin e lirisë e të bashkëjetesës së kulturave të popujve (e të kujtohet maska në torbën e Rapsodit, te romani "Rrathë" i M. Camajt), por në pikëvështrime të ndryshme të konteksteve jashtëletrare.
Ngjan se letërsia shqiptare, ashtu si kombi i vet, duhet të zgjidhë më parë problematikën social-politike mbarëkombëtare, para se të ngrejë në nivelin e primatit çështjet specifike të estetikës së formave të shprehjes artistike. Ose këto mund të ecin paralelisht, por sidoqoftë, në të dyja rastet, shumëçka duhet rishikuar nga fillimi.
2
Në jetën e njeriut shpesh rrethanat vetjake dhe ato social-kulturore të kohës e vendit të tyre luajnë rolin e esencës që ngjyros tiparet dhe veçantinë e tipit. Thyerjet dhe traumat ose trysnia e vazhdueshme e gjendjes së pafavorshme për të shprehur vlerat e vetes, në varësi të karakteristikave psikike të individit, ndodh që t’i sfumojnë e degradojnë ato, por mund edhe t’i shpalosin më fuqishëm, te njerëzit e fortë, për të cilët nuk ekziston fjalia "s’e bëj dot". Është fat kur kjo forcë shpirtërore dhe e karakterit priret nga e mira dhe e bukura, ndryshe do të ishte një "anti" e pashërueshme urrejtjeje dhe agresiviteti, për të cilën nuk do të kishin kuptim fjalët "nder", "mirënjohje", "drejtësi" dhe "humanizëm". Të dyja këto derivate të psikikës nën presion, shoqëria shqiptare i ka njohur të manifestuara në forma nga më të ndryshmet e më të habitshmet etike dhe politike, por i ka njohur edhe në shprehjen nëpërmjet krijimtarisë artistike dhe, në të dyja rastet, pasojat janë reflektuar te vepra. Kjo ka dalluar krijuesin dhe letërsinë e vërtetë.
Shefki Hysa, si njeri dhe krijues, duket se e ka këtë fat, ai mbetet portreti i njeriut që beson deri në fund tek e mira dhe e bukura e sidomos te vetja.
Janë të njohur vepra dhe autorë botërorë shumë të suksesshëm që, në perspektivën e filozofisë së "të përjashtuarve" nga rrethi social i vlerave dhe pabarazia e shpërndarjes së prodhimtarisë mendore e materiale të saj, afirmojnë disa "anti-parime" morale dhe estetike (juridike etj., etj.), si sfidë ndaj hipokrizisë së një shoqërie ose të shoqërisë në përgjithësi. Në këto raste mund të flitet për një "antiestetikë", e cila në themel mbështetet në të njëjtin truall të thelbit njerëzor të së drejtës dhe lirisë, në prirjen kah e mira dhe e bukura. Ndryshon vetëm pika e nisjes, si në një univers paralel, me idealin e ndreqjes së asaj që është ndërtuar keq që në zanafillë. Kjo "disidencë" sociale dhe estetike ngre në sipërfaqe mjerimin e nëndheshëm të basifondeve, që konteston shkëlqimin e arritjeve me polarizimin ekstrem në rrafsh global dhe ka realizime befasuese në planin estetik dhe artistik.
Duket se edhe krijimtaria tregimtare e Shefki Hysës nuk bën përjashtim nga këto tipare, të cilat e përcaktojnë në pjesën më të madhe prozën shqiptare të shekullit që shkoi si realiste, me tendencën për të shfrytëzuar teknika shkrimi, konceptime bashkëkohëse të kohës dhe hapësirës apo në ndërtimin e personazhit, me nuancat e konceptit të absurdit ose me përdorimin e alegorisë, të së magjishmes, së mrekullueshmes dhe fantastikes së përrallës.
Kjo padyshim është vlerë.
3
Tematikisht krijimtaria tregimtare e Shefki Hysës priret nga e sotmja, madje duke e sjellë edhe të shkuarën nëpërmjet retrospektivës në funksion të saj. Personazhet e tregimeve të tij shpesh ngjajnë si të ndërtuara me një bollëk detajesh autobiografike. Ai ka gjetur këndin e vet të shikimit: njeriu nën presionin e shtetit totalitar, por edhe cmirës, lakmisë, vanitetit, mediokritetit dhe hipokrizisë njerëzore, të cilat i mbijetojnë çdo sistemi politik si mikrobet temperaturës zero. Është shumë interesante të vëresh se si në çdo paragraf pohohet me forcë të çuditshme ekzistenca e vlerave të njeriut, mirësia e tij e brendshme, guximi dhe pathyeshmëria e besimit te vetja. Të gjitha personazhet kalojnë çaste traumatike, gati të humbasin në mjegullën e dobësisë e dëshpërimit nga goditjet e fatit e pabesisë njerëzore apo nga boshatisja e brendshme, si mungesë e idealeve të bukura, por autori nuk pranon që hija e pesimizmit ta ndjekë lexuesin pasi mbaron tregimi. Optimist i pandreqshëm, ai gjen mënyrën për ta nxjerrë heroin e vet nga situata e errët: herë me simbolikën e kthjelltësisë së ajrit në majën e shenjtëruar të Tomorrit ("Magjia"), herë nga mirësia e një njeriu të pabujshëm që di të "zbusë përbindëshat" ("Zbutësi i përbindëshit"), herë nga magjia e dashurisë dhe e bukurisë ("Buzëqeshja", "E panjohura"), mjaft herë të tjera për hir të artit, punës dhe shpirtit krijues ("Ëndërrimtarja") dhe sidomos, në ato krijime që lidhen me çamët e Çamërinë, nën dallgën e dhimbjes dhe të mallit për dheun e tyre.
Gjuha e thekur alegorike dhe ironike e shfrytëzon hiperbolën dhe kontrastin në mënyrë të përhershme, pa u ikur referencave me mjedise, tipa e ngjarje konkrete te realitetit shqiptar. Në tregimin shumë të realizuar "Gomarët" satira ndërthur problematikën sociale me ato të raporteve të individit me shtetin, të luftës së përjetshme mes aftësisë dhe paaftësisë, sikur të kujton satirat e Fishtës, një paralele jo aq e largët e motivit të dallimit mes patriotit dhe pseudopatriotit, intelektualit dhe pseudointelektualit. Hiperbola dhe alegoria këtu mbështetet në detaje reale, që çuditërisht (jo dhe aq "çuditërisht" në Shqipërinë tonë, për fat të keq) nuk tingëllojnë të trilluara dhe ngrihen natyrshëm në nivelin e groteskes (komikja e përzjerë me të frikshmen, paradoksalen dhe të neveritshmen), pa dalë megjithatë nga natyra moralizuese e fabulës, sepse tregimi në themel është një gërshetim i tipareve të fabulës me tregimin realist. Zgjidhja (një rastësi më tepër se në logjikën e tipit) synon ta bëjë më komplekse, figurën e "Luanit plak" (ish-presidenti), pa i shpëtuar një lloj skeme kompromisi. Po edhe kjo është brenda natyrës së tregimeve të tjera të autorit: nuk do ta shtyjë hidhësirën deri në skaj, me gjithë ambiguitetin e natyrës së lojës në oborrin e pushtetit, gjithsesi realiste, do të thotë: që s’ngre iluzione false për humanizmin ose drejtësinë e kulluar. Kur e mbaron së lexuari, ke ndjesinë se autori ka thurur një parabolë alegorike, e cila, në mos tjetër, të bën të kthjellët e skeptik ndaj idoleve të rreme.
Në të njëjtën linjë tematike dhe me vlerësimin satirik të situatave dhe tipave socialë vjen tregimi "Kryeplaku", i ndërtuar me mjetet e groteskut dhe hiperbolës, ku ndërthuren disa plane tematike dhe tipologji karakteresh (tipi i pushtetarit të vogël, i cili të kujton "Bretkosën që u bë ka" dhe përfaqësuesen e mafias ekonomike që kërkon tani të zërë kryet e vendit edhe në politikë), duke i vendosur në situata të cilat i thërrmojnë jo nga ndonjë faktor kontrastues (dërrmues) jashtë botës së tyre, por pikërisht nga e keqja që mbartin me zullumin e pangopësisë dhe degradimin moral të llumit që pasurohet papritur. Në këto lloje tregimesh e keqja vihet që në fillim në plan zhvlerësues, me perspektivë mohuese, duke e vënë në teh të së qeshurës asgjësuese, pa e fshehur dot një dëshpërim të thellë e të mezidukshëm.
Mjaft tregime që prekin sfera të moralit të kohës ndërtohen si rrëfime realiste shumë të ndjera, me struktura të larmishme kompozicionale. Autori shfaq një aftësi të habitshme vëzhguese ndaj njeriut dhe dukurive sociale, prej këtej tregimet kanë detaje, hollësira e fakte pa fund, krejt tipike, të përdorura me mprehtësi, me të cilat krijon karakteret vanitoze dhe ambicioze, mendësinë tipike të kohës për fitime të shpejta dhe abuzive, të pasivitetit dhe ëndërrimit me sy hapur, dramën e të ndershmit të varfër, shfrytëzimin e paskrupullt e të pafre të pushtetit etj.
Ashtu si në librat e tjera me tregime të autorit, problematika sociale aktuale zë një vend të rëndësishëm, gjë që e dallon nga mjaft krijues që i shmangen asaj, duke mos arritur të përballojnë trysninë emocionale të faktit të përditshëm, i cili, për t’u kthyer në fakt artistik, kërkon aftësi të veçantë depërtuese në kryqëzimin e faktorëve të shumtë që e shkaktojnë dhe, njëkohësisht, "shkëputjen" figurative ndaj tyre. Këtë guxim krijues autori Shefki Hysa e gjen në vetvete, falë aftësisë së vëzhgimit të mprehtë dhe qëmtimit të realitetit përqark. Është e kuptueshme se hapi i dytë dhe më i rëndësishëm është gjetja e formës në të cilën do të shfrytëzohet fakti si i tillë, sepse nuk mjafton tregimi i tyre në vijën reale të rrjedhës së kohës. Në një vepër të vërtetë artistike nuk mjafton të kesh fakte të fuqishme, ato duhet të jenë edhe domethënëse artistikisht (vepron ligji i seleksionimit dhe kombinimit) domethënë ato kthehen në mjete, jo në qëllim në vetvete për t’i shpallur; ato duhet të krijojnë një sistem unik mjetesh shprehëse në nivele të ndryshme kuptimore dhe figurative, që thellohen në nëntekst me anë të analogjisë, paralelizmit, kontrastit etj. Koha reale përthyhet në plane "virtuale" kohësh që e nxjerrin nga graviteti i rrjedhës së saj objektive gjatë rrëfimit, duke i dhënë atij gjerësi, universalitet dhe natyrshmëri, i kthen figurat (tipat, fatet njerëzore, personazhet) në përftesa simbolike, alegorike dhe metaforike; pra vetë koha artistike bëhet pjesë e shprehimësisë, si një nga mënyrat që e shpëton zërin autorial nga tendencioziteti i hapur. Shefki Hysa arrin shpesh të dalë nga shtrëngesa e faktit si të tillë dhe e kohës reale në rrjedhën e saj. Kjo ndodh në tregimet më të mira, ato të cilat që nisje janë ngritur mbi të menduarit e figurshëm dhe që nuk e thyejnë këtë linjë gjatë rrëfimit. Ndonjëherë, nga pasuria e materialit që ka në vetëdijën e vet qytetare dhe dëshira për të derdhur sa më shumë informacion te lexuesi, harrohet se gjatë shkrimit duhet të zotërojë vetëdija e krijuesit, që peshon rreptësisht çdo fjalë e sekuencë, zot dhe adhurues sa i së vërtetës, aq edhe i harmonisë së përsosur, pra i masës. Kjo nis që tek fraza, paragrafi dhe tërë ngrehina e tekstit letrar. Në tregimin "Sida", që e gjejmë edhe në librin "Rrëfimet e një hajduti", fakti i molepsjes së njeriut shqiptar me sëmundjen e shekullit është shfrytëzuar mrekullisht, si në një lojë të ankthshme, për të nxjerrë në plan të parë shëmti të tjera të marrëdhënieve njerëzore, po aq të tmerrshme dhe shkatërruese sa SIDA, pa të dhënë mundësi të lehtësohesh nga drithërima për asnjërën prej tyre. Aty nuk ka ngjarje në kuptimin klasik ose ngjarja në vetvete nuk ka potencial të mbajë në këmbë, ashtu siç është dhënë, çastin e ngarkesës emocionale që pëson rrëfyesi. Janë me qindra ngjarje të tilla që i dëgjojmë përditë (një shef maniak që heq nga puna vartësen, nëse nuk përshtatet me kërkesat e tij). Trysnia e dendurisë së fakteve, mjerisht edhe më të rënda, nuk të lë vend për reaksion emocional dhe aq më pak krijues. Autori ka zgjedhur të merret jo me faktin, por me përjetimin e tij dhe jo nga pikëvështrimi i vajzës, por i gazetarit. Kjo i ka dhënë dorë të merret jo me përshkrimin e drejtpërdrejtë të ngjarjes, por me brendësinë e gazetarit-rrëfimtar, duke e ngritur ngjarjen në nivelin ideosimbolik me një gjetje (njolla në qafën e vajzës, që ai dyshon se është shenjë e sidës, po mund të jetë edhe krejt tjetër) që i jep thellësi edhe nëntekstit, edhe figurës.
Sado që shfrytëzon gjerësisht mjetet e së mrekullueshmes, fantastikes dhe magjikes, tregimet e Shefki Hysës mbeten realiste edhe për hir të shijeve dhe koncepteve që ai ka për të bukurën dhe artin. Në tregimin "Mrekullia e rreme" figura e dashurisë dhe ajo e artistit (punëtorit të fjalës) ndahen nga një fill i hollë, madje zëvendësojnë alegorikisht njëra-tjetrën si vlera njerëzore dhe kuptim jete. Me mjetet e përrallës ai sjell e vë përballë dy lloje bukurish, njëlloj trullosëse, si e Bukura e Dheut dhe "paja" e saj, biblioteka e dijeve, libri, letërsia, përkundër lirisë për t’u shërbyer njerëzve me artin dhe dijet. Gjendja e ëndrrës, kllapisë apo "shokut" psiko-emocional shpesh janë vetëm mjete për të krijuar kontrastin mes ëndrrës dhe realitetit, për të shpalosur cytjen drejt së pamundurës, por jo për të dhënë dilema ekzistenciale nëpërmjet zbulimin intuitiv të thyerjeve e pragjeve psikike me bazë instiktet dhe komplekset tragjike të individit, të ndrydhura nën peshën e dhunimit prej moralit e normave të shoqërisë që deformojnë unin e tij, si te shkrimtarët modernistë. Sado absurde të tingëllojnë situatat në të cilat vihet personazhi, përshkrimi i botës dhe mjedisit mbeten realist dhe absurdi u takon paradokseve të fatit jo konceptimit të figurës dhe, aq më pak, mënyrës me të cilën përdoret fjala gjatë rrëfimit.
Siç është e kuptueshme, një nga motivet më të dhimbshme dhe më të parapëlqyera është ai që lidhet më origjinën e ligjërimeve të mallit dhe krenarisë çame. Në mjaft raste edhe personazhet autori nuk ngurron t’i identifikojë si "një atdhetar çam", "burrat e Çamërisë", "një poet çam" etj. Me këtë identitet mjediset, shqetësimet, tipat dhe vlera autentike shkojnë drejt përgjithësimit. Në tregimin "Xhemili", poeti çam "shumëzohet" në dhjetëra fate njerëzish të varfër që përfundojnë tragjikisht, duke e bërë edhe më të thekshme thirrjen për humanizëm, sepse është fjala për një poet.
Si përfundim, duhet theksuar se shkrimtari Shefki Hysa është një zë që rreket, me pikësynim të qartë artistik, të jetë i barabartë me veten, çka do të thotë se ai po ecën me konsekuencë në rrugën e ravizimit të profilit të vet si krijues i mirëfilltë.
NATASHA LUSHAJ
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment