Friday, November 30, 2007

REFLEKSE TË NJË JETE

Shkrimtari Shefki Hysa është një emër që kërkon vëmendje: është një Bilal Xhaferr i gjallë, që di të zgjedhë nga jeta me shumë kujdes, ta përpunojë me durim materialin jetësor dhe të na japë pa artificë e përdredhje krijime cilësore. Jo më kot shkrimtari i shquar, Ismail Kadare, pasi u njoh me krijimet e para letrare të Shefki Hysës, do të shprehej i befasuar: "Ç’është ky djalë që shkruan ndryshe"?!…

"Tregimtari im i dashur, me vrojtime të çuditshme dhe ndjenja të holla; shkrimtar i çmuar gjithmonë nga unë e të tjerët", do të shprehej i madhi Dritëro Agolli entusiazt për të ardhmen letrare të Shefkiut dhe nuk do të zhgënjehej…

Dhe vërtet krijimtaria e këtij autori është dhe mbetet tejet befasuese…
Duke u futur thellë në vorbullat e jetës sonë dramatike, ai vëzhgon dhe kap me vetëdije personazhe e situata që i trajton artistikisht me një stil të natyrshëm vetjak, i cili është rezultat sa i veçorive të natyrës së shkrimtarit, aq dhe i rrethanave e kushteve jetësore ku ai u lind, u rrit e jetoi, ku mësoi e punoi, nga një fshat i thellë në Çamërinë veriore, në malet e Bulqizës, nga fushat e Vurgut e të Vrinës, nëpër bulevardet e rrethinat e Tiranës.

Jeta e vështirë, ku çdo hap hidhej me dhembje, duke fituar, po dhe duke lënë diçka nga vetja, ku sfidat e sistemit i dhanë dorën, po që ai s’mund t’u merrte krahun, e ashpërsoi, e egërsoi, por nuk e theu shkrimtarin e ardhshëm. Ja pra pse një lirizëm i egër dhe një cinizëm gati djallëzor përshkon prozën e Shefki Hysës.

Nga krijimtaria e këtij prozatori më kanë dhënë emocione të forta tregimet: "Rrëfimet e një hajduti", "Vejusha e zezë", "Tersi i vjeshtës", "Didini", "Qafa e Botës", "Magjia e qytetit", "Turtullesha dhe djalli", "Statujëza e dashurisë", "Kryeplaku", "Magjia", "Mrekullia e rreme", "Gomarët", "Buzëqeshja", "Ketrushja", "Leksion dashurie", "Poeti dhe pushteti", "Aromë Çamërie", etj., etj…

Tema e Çamërisë në tregimet e Shefki Hysës nuk ka si qëllim të bëjë tematikë, por ajo lind së brendshmi. Shprehjet frazologjike dhe thëniet e urta çame, që na kanë "mbirë në buzë", Shefkiu i përdor bukur e me krenari. Në çdo kthesë të shpirtit të dalin përpara ullinjtë e portokallet e Çamërisë si flakadanë historie e malli…

Dhe pse rri si ai shalqiu i heshtur nën fletë, krijimtaria e Shefkiut është pjekur qëkur, s’ka nevojë që kritika ta provojë dhe pastaj ta thotë fjalën e vet…

Xhemil LATO