Monday, December 3, 2007

Nga Shefki Hysa

TË MIRATOHET REZOLUTA ÇAME?!

Thuhet se shteti shqiptar e përkrah çështjen çame dhe se politikanët po përpiqen për zgjidhjen e saj. Bukur. Po që nga viti 1990, kur u rivendos sistemi demokratik në Shqipëri, janë rreth 15 vjetë që thuhet e thuhet dhe nuk veprohet. Dihet se nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Flasin individualisht politikanë e zyrtarë të lartë, të paktën një herë në mot, sidomos përfaqësues të Opozitës (Pozita druhet se mos e prish me Athinën). Po a e dini se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar, institucional i shkruar që të shprehet pro kësaj zgjidhjeje përveç një projektrezolute të rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 26 mars 2004? Pra gjer më sot llafe dhe vetëm llafe! Dhe dihet se llafet i merr era…
Përse xhanëm nuk bëhet diçka konkrete, të paktën të hartohet një dokument zyrtar ku shteti të marrë përsipër konkretisht qoftë edhe me dy fjalë zgjidhjen e kësaj çështjeje!? Nuk e di dhe as dua të paragjykoj. Di vetëm se po veprohet gabim dhe ky është një fatalitet për çamët dhe për Shqipërinë.
Deputeti Pëllumb Xhufi në intervistën e vet shprehet se Shteti Shqiptar është borxhli i çamëve. Unë do të shtoja se po zhytet gjer në grykë në këtë borxh, madje po mbytet. Po përse të bjerë kaq poshtë shteti ynë? Përse të vazhdojë të mbajë mbi shpinë kusuret e ish Shtetit Komunist, i cili, me vetëdije të plotë, me një pseudodekret, në vitin 1953 deklaroi se u hoqi çamëve shtetësinë greke dhe u dha atë shqiptare. Si e vulosi në këtë mënyrë fatin e çamëve, i mbylli nëpër rezervate, ngulime të detyruara, si të ishin indigjenë, dhe u caktoi një risk sipas dëshirës së tij, si të ishte Zoti i tyre. Dihet se vetëm Zoti cakton risqe dhe meqë shteti nuk ishte Zoti, çamët vetëkuptohet mbijetuan siç dinë të mbijetojnë ata si askush tjetër…
Po përse përsëri në kufi të mbijetesës çamët? Përse përsëri në mëshirën e Shtetit Demokratik Shqiptar? Ish Shteti Komunist deklaroi se do t’i shkelte me këmbë dhe pati burracakërinë e i shkeli. Po Shteti Demokratik pse hesht në një kohë që edhe heshtja dihet se vret? Përse kaq i druajtur shteti ynë si të ketë tredhur veten?! Apo e kanë tredhur të tjerët dhe veçse përpëlitet si epileptik para kësaj çështjeje?!…
Doni argument? Patjetër! Në fund të vitit 2003 mezi arritëm të bindnim disa deputetë se duhej përgatitur një projektrezolutë në mbështetje të problemit çam. Në mars të vitit 2004 Komisioni Kuvendor për Politikën e Jashtme e miratoi projektrezolutën dhe pas debateve të shumta me grupet parlamentare u dha konsensusi nga spektri politik që ajo të votohej në një seancë të Kuvendit. Ndërkohë pati zëra se nuk ishte e nevojshme miratimi i një rezolute, se ajo më shumë do ta dëmtonte se sa do ta ndihmonte zgjidhjen e problemit, se shteti ishte përpjekur e do të përpiqej për ta zgjidhur çështjen çame me bisedime me palën greke, etj., etj., llafe e llafe të kësaj natyre. Pra gjithandej majtas e djathtas lumë llafesh që besoj se mundoheshin të justifikonin sjelljen prej të tredhuri të të nderuarit shtetit tonë.
Pyes: Po të ishte kaq e parëndësishme, kaq e pavlevshme apo e dëmshme projektrezoluta për problemin çam, përse u shqetësuan aq shumë deputetët minoritarë sa patën kurajën të shpreheshin në media kundër saj?! Përse u vunë aq shumë në lëvizje përfaqësuesit e lobit grek në SHBA si e si për ta penguar?! Dhe ia arritën…
Më 26 mars 2004 në orën 10.00 forcat speciale të policisë shqiptare rrethuan selinë e Kuvendit dhe gjakosën çamët e tubuar për të demostruar paqësisht në mbështetje të miratimit të rezolutës së tyre, ndërkohë që ajo rrëzohej me votat e deputetëve socialistë që abstenuan me një urdhër të ardhur nga larg dhe një pakice deputetësh të djathtë që iu shmangën votimit. Është për të ardhur keq se nga gjithë deputetët e së majtës në pushtet votuan pro vetëm pesë deputetë: Dritan Prifti, Sabit Broka, Skënder Gjinushi, Taulant Dedja dhe Zydi Pepa. Po të tjerët? U rroftë atdhetarizmi!…
Po bëjmë përpjekje të reja për ta rifutur në axhendën e Kuvendit Projektrezolutën Çame. Deputeti i PD, Preç Zogaj, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Politikën e Jashtme është angazhuar për të hapur një dialog mes Komisionit që drejton, drejtuesve të Shoqërisë Politike Atdhetare "Çamëria" dhe Medias, si dhe për të krijuar kushte për miratimin e një rezolute. Ka premtuar mbështetje edhe deputeti i PR, Arjan Madhi. Jemi në pritje. Presim dhe shpresojmë që kësaj here të miratohet Rezoluta Çame.
Ne, çamët, si përherë paqësorë, i bëjmë thirrje politikës shqiptare, ndërgjegjes së secilit deputet të votojë pro rezolutës, se vetëm kështu mund t’i themi opnionit botëror që na mbështet: Ja një dokument zyrtar i Shtetit Shqiptar që përpiqet seriozisht për zgjidhjen e drejtë të çështjes së shqiptarëve çamë. Pra, Rezoluta duhet miratuar!

Shefki HYSA
Nga Shefki Hysa

Çamët do t’i marrin patjetër pronat!

Vendimi nr. 5/ 2006 i Gjykatës së Lartë të Greqisë për pronën e një individi, i cili nuk kishte as lidhjen më të vogël me Çamërinë, u shfrytëzua në mënyrë absurde nga politika greke për të ringritur edhe njëherë dallgët e mërisë ndaj popullsisë çame muslimane të dëbuar me dhunë më 1944 nga bandat shoviniste të Gjeneralit Zerva prej truallit amë, Çamërisë. Ishte një preteks i ri që të ngjalleshin edhe njëhjerë pretendimet e vjetra greke se gjoja çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të fashizmit dhe si të tillë nuk meritojnë të riatdhesohen në Greqi dhe të përfitojnë pronat që kanë pasur. Me këtë politikë cinike, duke shfrytëzuar konjukturat e zhvillimeve ballkanike e eurpoiane nëpër vite, heshtjen denigruese të ish shtetit komunist shqiptar ndaj çështjes çame, si dhe drojtjen e shtetit demokratik shqiptar, shtet paralitik i vogël dhe ende në pelena prej më shumë se 15 vjet demokraci, pra i paaftë për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, grekët ia kanë arritur qëllimit ta anashkalojnë genocidin që kanë ushtruar gjyshët e tyre ndaj një popullsie të pambrojtur e të pafajshme dhe padrejtësinë që kanë bërë e bëjnë duke i mohuar verbërisht të drejtat themelore të pronës, shtetësisë, rikthimit në shtëpinë e vet, etj.
Mbase duhet t’u rikujtoj grekëve se si çamët, të përndjekur nga bandat zerviste, në vitin 1944, lanë mbrapa të afërmit të masakruar e të pavarr, shtëpitë e djegura dhe vatanin të shkretuar për të gjetur strehë përkohësisht këndej kufirit shtetëror, në Shqipëri, pranë vëllezërve shqiptarë. E braktisën vatanin me shpresë se dikur do të kthjellohej arsyeja e turbulluar e gjyshërve grekë dhe do të merrnin kurajë për të kërkuar falje, do të dënonin fajtorët e masakrës dhe do të lejonin rikthimin e mërgatës çame në shtëpinë e saj. Mirëpo nuk ndodhi kështu, përkundrazi u thellua mëria greke, nuk u kujtuan as ndërkombëtarët për këtë tragjedi ballkanike që pikon ende gjak dhe çamët vazhdojnë të jenë edhe sot në Shqipëri, refugjatë të përjetshëm.
Ende jetojnë me shpresë në zbutjen e politikës greke, me shpresë se nipat do të kërkojnë falje në emër të gjyshërve dhe do t’u rikthejnë të drejtat e mohuara, me shpresë se dikur do ta ngrejnë zërin shteti shqiptar dhe ndërkombëtarët, po qe se vazhdon të heshtë padrejtësisht politika greke e të ngrejë mjegull mërie. Ata janë të duruar dhe vazhdojnë të durojnë me një buzëqeshje dhimbjeje e shprese në fytyrat e paqme. Durojnë se e dinë se një ditë çdo padrejtësi merr fund. Ata e dinë se askush nuk guxon t’ua tjetërsojë pronën, as vetë shteti e politika greke.
Dihet botërisht se si mund të tjetërsohet një pronë: nëpërmjet shitblerjes, dhurimit dhe trashëgimit. Nuk ka ligj në botë që të tjetërsojë pronat e një popullsie të tërë. Le të shohin ëndrra me sy hapur grekët. Le të hipotekojnë ëndrrat se pronat nuk mund t’ua mohojnë dot kurrë çamëve në asnjë mënyrë.
Pretendojnë se çamët ishin bashkëpunëtorë të fashizmit, po a besohet kjo? Si mund të jenë bashkëpunëtorë fëmijët të lindur e të palindur, gratë e të moshuarit? Dhe ç’është më kryesorja këtë nuk mund ta përcaktojë politika as çfarëdo lloj opinioni publik. Është gjykata institucioni që vendos për fajësinë a pafajësinë e individit, gjykon se është a jo bashkëpunëtor dhe se duhet sekuestruar apo jo prona e tij. Le të vendosin gjykatat greke për individët ish bashkëpunëtorë në se ka pasur. Nuk jam kundër t’u sekuestrohet edhe pasuria ish bashkëpunëtorëve. Nga ana tjetër dihet që gjykata kurrsesi nuk mund të gjykojë një popullatë në mënyrë kolektive, aq më tepër politika. Atëherë pse u dashka të paragjykohet prej politikës greke vendimi 5/2006 i Gjykatës së Lartë Greke siç është paragjykuar padrejtësisht nëpër vite komuniteti çam dhe të nxirren përfundime sa arbitrare dhe të dëmshme jo vetëm për çamët, por edhe për vet imazhin e Greqisë europiane, e cila demostroka para botës së qytetëruar në mënyrë naïve se tashmë nuk ekziston më çështja çame dhe se pronat përfundimisht i përkasin shtetit dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë me to: Mund t’ia shesë a t’ia dhurojë kujt të dojë.
Arsyetimi im: Le ta provojë! Dihet që nuk do t’ia arrijë, aq më tepër që për një problem të kësa natyre që i ka kaluar hapësirat e kufijve të Greqisë, tashmë nuk mund të vendosin dot politika e ligjet e shtetit grek. Në të tilla raste vendosin politika dhe ligjet ndërkombëtare. Dhe besoj se ndërkombëtarët nuk do ta shkelin kësaj here, siç ndodhi më 1944 kur u anashkalua genocidi grek ndaj Çamërisë, sepse Globi ishte përfshirë nga Lufta e Dytë Botërore.
Arsyetimi në vazhdim: Le të mos duan grekët, le të mos e ngrejë zërin as shteti shqiptar, le ta vonojnë edhe ndërkombëtarët ndërhyrjen e tyre të supozuar, çamët do t’i marrim një ditë pronat. Dhe kjo do të ndodhë brenda pak vitesh. Më besoni.
Ju pyes: A do të anëtarësohet dikur Shqipëria në Europë?! Përgjigjia: Besoj se po! Pra, shqiptarët do të përfitojnë barazi me shtetasit europianë. Po ashtu edhe çamët. Në këto kushte a nuk u lind e drejta t’i kapin për veshi shtetasit grekë (e them në mënyrë figurative), të cilët i kanë në përdorim pronat çame dhe t’u thonë: "Mjaft i mbajtët, tani janë tonat"!
Dhe ata duan s’duan do të dorëzohen e do t’i lirojnë pronat. Dihet se nuk ka ligj që ta pengojë të barabartin t’ia marrë gjërin e vet të grabitur të barabartit. Ky është fakt dhe ju pëlqen apo jo arsyetimi im, kështu ka për të ndodhur. Çamët do t’i marrin patjetër pronat!

Shefki HYSA
Nga Shefki Hysa

Sa pranë dhe larg Çamërisë

Në mëngjesin e 27 qershorit të vitit 2006 një autokolonë e madhe me autobuzë dhe makina me targa të shumë rretheve të Shqipërisë, ecnin qetas nëpër rrugën zakonisht të heshtur të zonës Xarrë-Mursi-Konispol në drejtim të pikës doganore të Qafës së Botës, në kufi me Greqinë. Mund të numëroje mbi njëqind autobuzë e shumë më tepër autovetura, një vargan automjetesh i paparë ndonjëherë atyre anëve, të cilat vunë në lëvizje tërë policinë rrugore të rrethit Sarandë për të shmangur pasojat e mundshme të një trafiku të tillë të mbingarkuar.
Xhadeja e paasfaltuar nga fshati Shkallë deri në Qafë të Botës ishte shndërruar e tëra në një shtëllungë pluhuri që mbështillte tërë varganin e makinave, që lëviznin ngadalë aq sa për një çast të krijonin përshtypjen e një ceremoniali mortor zyrtar të rangut kryeministror, presidencial ose mbretëror. Vetëm për një çast ama, se kur shihje flamujt kombëtarë që valëviteshin e kuqëlonin nëpër makina dhe ylberin e banderolave që mvishte autokolonën e përzihej me pluhurin, mendoje se kishe të bëje me një zhvendosje masive të karakterit festiv, tip dasme a pelegrinazhi mbretëror përrallor. Them përrallor se askujt që ishte soditës rastësor i këtij migrimi nuk ia priste mendja se ç’donte këtyre anëve, në një zonë më shumë të lënë qëllimisht pas dore se të harruar, një shpurë e tillë mbretërore. Për ku shkonte ky kortezh i çudishëm në ritmin e të cilit një sy i mprehtë mund të dallonte përzierjen e ngjyrave të jetës dhe të vdekjes?!… Për ku po dyndej kjo rrjedhë dasmo-kësodhi a kësodho-dasme në këtë skaj të humbur kufitar?!… Kush ishin këta krushq me pamje herë prej dasmorësh e herë kësodhtarësh?!…
Prej kureshtjes të shkonte syri te fjalët e shkruara nëpër banderola dhe kuptoje menjëherë se ishin pjesëtarë të komunitetit çam në Shqipëri. Po ç’donin çamët, këta muhaxhirë shpresëthyer, në Konispol, drejt Qafës së Botës?!…
Mos vallë po shpërnguleshin për në Greqi?! Mos vallë u ishte dhënë e drejta të riktheheshin në vatanin e tyre, në Çamëri, pragu i së cilës zë fill një pëllëmbë matanë Qafës së Botës, nga ku i kishin dëbuar përdhunisht pesëdhjetë e një vjet më parë?!...
Mos vallë Greqia ishte penduar për genocidin që kishte ushtruar dikur mbi ish shtetasit e saj, çamët, me kombësi shqiptare, për tërë ato vrasje e therje burrash, grash e fëmijësh të pafajshëm, për përdhunimet e vajzave e nuseve, grabitjet e pasurive, djegiet e shkatërrimet e shtëpive gjer edhe dhunimet e varreve?!… Mos vallë u kishte kërkuar falje për tërë krimet zerviste, për dëbimin masiv pa të drejtë kthimi nga vendlindja, Çamëria, atdheu i vet stërgjyshor, për mohimin e tërë të drejtave të tyre njerëzore, për abuzimet kriminale dhe heshtjen e mëvonshme shumë vjeçare ndaj problemit çam, heshtje përbuzëse, denigruese e mohuese që vazhdon të ndiqet edhe në periudhën e tanishme nga politika greke?!… Mos vallë politikanët grekë i prisnin matanë kufirit shtetëror shqiptar me tufa lulesh e buzëqeshje vëllazërore: "Bujrum, mirëseerdhët në atdheun tuaj, në shtëpitë tuaja! T’i gëzoni dhe na falni për të ligat që ju kemi bërë! Që sot e tutje le të rrojmë bashkërisht në paqe si motet e shkuara…
Jo! Ky arsyetim është thjesht një hamendje iluzive e një vëzhguesi të përciptë, e një derr idealisti të pandreqshëm.
Përballë çamëve, që u derdhën prej makinave në Qafë Botë si një liqen lotësh dhimbjeje e malli, nxinin kordonët e policisë shqiptare. Një digë e forcës shtetërore, policia. Bën detyrën. Ruan kufirin shtetëror. Parandalon çdo kalim të paligjshëm, që mund të interpretohet si dhunim i kufijve shtetërorë të fqinjës së dashur, Greqisë…
Mijëra çamë nën vapën përvëluese demostrojnë paqësisht dëshirën e tyre për t’u rikthyer në shtëpitë e vendlidjes që ndodhen matanë shpinave të kordonëve të policisë shqiptare dhe shpinave të policisë sekrete greke që ashtu si padukshëm e fshehtas ka mbirë e shumëfishuar në çdo shkurre e gëmushë të asaj pjese të Qafës së Botës që shtrihet brenda kufirit helen, më saktë në Çamëri…
Çamët shpresëthyer demostrojnë paqe me shpresë se mos kushedi… ndodh ndonjë çudi… Shpresojnë, këndojnë e vallëzojnë dallgët përvëluese të mallit e të dhimbjes së tyre…
Policitë e të dy vendeve mike, njëra haptas e tjetra fshehtas, mbrojnë kufijtë shtetërorë se mos kushedi…
Nga Shefki Hysa

PASHË LOT BURRASH

Ata ishin njëmijë burra, një sallë plot e përplot, ku s’hidhje dot as kokrrën e mollës, ku të zihej fryma prej ajrit të rralluar nga njëmijë mushkërri. Të tjerë ngjisheshin në korridor, shkallëve dhe në hyrje të pallatit të kulturës.

Njëmijë burrat e asaj salle, me atmosferë gati të asfiksuar, përfaqësonin disa mijëra të tjerë dhe ata, mijërat, komunitetin çam të Vlorës.

Ishte gusht, zheg përjashta dhe zheg në sallë. Burrave, nëpër vragat e thella të rrudhave, u rridhnin rrëkeza djersësh. Megjithatë nuk ankoheshin, prisnin të dëgjonin gojëhapur. Burra, jo llafe! Vrazhdësi e heshtur me veshët pipëz. Në pritje të lajmësit, që sillte lajm nga vetë Amerika, kaptuar shumë dete e oqeane.

M’u drithërua zemra. Ishte diçka e rrallë të shihje të bashkuar njëmijë burra çamë. Përpara kisha një copë të vetë Çamërisë. Të gjallë! Merrte frymë me vështirësi në sytë e mi, ashtu stoike si disa dekada të shkuara, kur kërcëllohej nga zervistët grekë. Në pritje të zërit të shpresës, Amerikës së mrekullive. Vetë Kongresi Amerikan ishte interesuar për Çamërinë, jo shaka, prandaj djemtë e saj donin të dinin të drejtën. Me sa duket po ritroket ora e Çamërisë!
Nuk ka shoqëri "Çamëria", nuk ekziston as problemi çam, kishin ngritur supet grekët, duke luajtur të paditurin në Kongresin Amerikan. Nënteksi: Nuk ka ekzistuar as Çamëria!…
Njëmijë burra me njëmijë palë mushkërri, që i frynin si gjyrik zjarrit të shpresës, në atë sallë-vullkan i ndrydhur zemërimi, a nuk ishin një copë e përvëluar Çamërie?! Dymijë palë sy drejtuar lajmësit, që vinte nga Kryeqyteti, Tirana, a nuk ishin dymijë porta të shpirtrave mallvaluar të Çamërisë?!… Të asaj Çamërie që dikur greku e poqi dhe e dogji, tinëz e tinëz, e shkrumboi për ta zhbërë si Odiseu Trojën?! Dhe greku, kur pandehu se e zhbëri, trumbetoi në veshët e shurdhët të botës: S’kishte, s’ka dhe s’do të ketë Çamëri!

Kështu veproi dhe tha greku, po harroi se Çamëria do të mbetej e gjallë, ashtu si Shqipëria e shkrumbuar nga barbarët ndër muzgje shekujsh, ringrihej agimeve prej hirit të vet. Dhe mbeti e gjallë. Kisha përballë shembëlltyrën e vet Çamërisë!

Le të heshtë shteti shqiptar, faqen e zezë pastë! Ne nuk do të heshtim, ngulmoi lajmësi, Kryetari i Shoqërisë Politike Atdhetare "Çamëria". Me zërin tonë flet dhe Amerika: Çamëria është e gjallë!

Salla befas brohoriti vullkanthi: Çamëria është e gjallë!

Pashë fytyrat e burrave të thinjur në radhët e para. U rrudhën edhe më. Ishin gjyshër e sikur u bënë në çast stërgjyshër. U drodhën supet e tyre të krusura, si të rënduara papritur nga mijëra e mijëra vite Çamërie. U rëndonte shpirtërat brenga-Çamëri, po ende nuk e lëshonin veten. U ishin krusur supet, por peshën e dheut Çam e ndanin me bijtë, me nipat… Njëmijë burra mbanin mbi supe vetë Çamërinë!

Pashë sytë e burrave të thinjur, që sapo u thinjën edhe më nga zemërata dhe malli. Sy të mjegulluar, që shpërthyen habitshëm në currila lotësh. Pashë lotë burrash! Burrat qanin! O Zot, a qajnë burrat?! Nuk kisha parë kurrë lotë burrash!… Më vdiq baba dikur… Mbaj mend se nuk qava. Megjithëse isha i vogël, u ndjeva në çast burrë dhe çuditërisht se ku më shterën lotët. Sytë e mi shprehnin veç një shkretëtirë pikëllimi. Nuk qajnë burrat, ngushëlloja veten dhe vendosa të mos e vështroja fytyrën e babait meit. Doja të më mbetej në mend fytyra e tij e gjallë… Nuk mund ta lëshoja veten… Burrat nuk qajnë! Dhe nuk lotova… Isha burrë…

Çuditërisht burrat para meje lotonin! Dhe nuk di në ishin lotë brenge a malli! Burrave u qante vetë shpirti! O Zot, ç’forcë i shtrydhte shpirtërat e atyre burrave, që lotonin si fëmijë?! Thonë se plaku ndonjëherë bëhet çilimi… Thonë… Po ata ishin burra e jo pleq. Ishin gjyshër e baballarë të vetë Çamërisë…

Sidoqoftë, burrat lotonin dhe lotët e tyre, si vetë ata, ishin dëshmi e ekzistencës së Çamërisë. Burra të përlotur ndoshta prej kujtimit të dheut çam të ngjizur prej esht-rave të të parëve të tyre. Lotët u brilonin rrudhave. Brilantë lotësh! Vlera e tyre ndoshta do të mjaf-tonte për ta blerë truallin çam. Në ankand. Qoftë edhe me një drejtues hileqar ankandesh, si Europa, kjo kurva plakë, që i ka mbyllur sytë në jetë të jetëve para tragjedisë çame, shkaktuar nga kodoshi i saj grek. Të blesh shtëpinë tënde, rrëmbyer çnjerëzisht nga një kurvë e një kodosh, me gurët e çmuar të lotëve të tu, më e ndershme se ta rirrëmbesh! Kështu është kur shteti yt hesht dhe kur bota europiane shurdhohet rreth teje!

Megjithatë nuk hesht Amerika e mrekullive. Në zërin e saj jehon dhe zëri i Çamërisë. Nuk është e domosdoshme ta blejmë në ankandet hileqare Çamërinë. Do detyrohen të na e kthejnë. Dhe thinjoshët lotojnë ndoshta prej gëzimit. Më në fund shpresojnë në mrekullinë e Amerikës. Lotët e tyre dëshmojnë se kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjallë, derisa të shkelin paqësisht e të prehen përgjithmonë në dheun çam, përbri varreve të të parëve të tyre…

Ndoshta ishte kjo arsyeja që çamët e moshuar të Vlorës derdhën lotë… Bashkë me ta edhe unë shpresoj dhe besoj…
Besojmë në drejtësinë amerikane…
Nga Shefki Hysa

PARALAJMËRIM
Shënime për novelën "Kur dynden vikingët" e shkrimtarit Pjetër Arbnori


Sapo lexon titullin e librit "Kur dynden vikingët" të shkrimtarit Pjetër Arbnori, mendja të shkon menjëherë te dyndjet barbare qysh ndër kohërat më të lashta. Përfytyron jo pa dhimbje qytetërime të tëra të zhdukura, popuj të zhbërë, raca e gjuhë të asimiluara. Vandalët të etur për zulmë, u kanë gllabëruar edhe shpirtin, jo vetëm materien, pa mundur të njerëzohen kurrë, t’u ngjasojnë sadopak atyre që mundoheshin të nënshtronin.
Po autori për ç’dyndje bën fjalë? Mos vallë për murtajën komuniste? Shënimi "Shkruar në burgun e Burrelit" qysh në krye si një nëntitull domethënës, të nxit mendimin se, në këtë libër, objekt i shkrimtarit rebel e kundërshtar i denjë politik i ish diktaturës, duhet të jetë pikërisht ajo klimë ferri që zotëronte gjithë lindjen komuniste e në veçanti Shqipërinë. Mirëpo që në fjalinë e parë të kësaj novele përballesh me Rajhun e tretë të ish Gjermanisë naziste. Pra, është fjala për diktaturën hitleriane, një ndër modelet më të përkryera të makinave shtypëse antinjerëzore të tipit stalinist. Shpërngulja e ngjarjeve nëpër labirintet e Gjermanisë naziste, nuk është gjë tjetër veçse mesazhi i autorit ,i dërguar nga burgu i Burrelit për ngjashmërinë e krimeve të nazizmit dhe komunizmit në jetën familjare, shoqërore e politike. Madje, të zgjohet edhe kureshtja për të zbuluar raportin midis simbolikës dhe realitetit që bart në vetvete togfjalëshi "dynden vikingët". Pse jo "dyndeshin vikingët"? Ku e ka sekretin dhe epërsinë përdorimi i kohës së tashme të foljes dynden, në krahasim me trajtën e së shkuarës që mund t’i përshtatej edhe periudhës së zhvillimit të ngjarjeve?
Ende vazhdojnë të dynden vikingët? Në ç’përmasa dhe cilat janë pasojat e dyndjeve?
Të mundojnë një copë herë të tilla pyetje, por shpejt harrohesh në një lexim tejet emocional para asaj hapësire të çuditshme që të shpaloset e gjallë ndër sy, si brigjet tunduese e ndjellëse të sirenave të Odisesë apo si ishujt magjikë të Çirçeve ku më pas përjeton veç ankth, dhimbje, revoltë e tmerr për atë përçudnim njerëzor që të pret udhën.
Erna e hijshme flokëverdhë e sykaltër që magjeps edhe lexuesin, jo vetëm të shoqin, personazhin kryesor, me vështrimet dhe sjelljet e saj ,ku pas pasqyrimeve të gjireve të qeta shpirtërore fshihen trazimet e grackat e së keqes, është magjistarja e kohëve moderne. Vjen një çast dhe diku ngecet e nis të shplekset pëlhura e mashtrimit e endur gjatë në vegjen e padukshme të ndryrë nëpër skutat e ngrehinës diktaturë.
Atëherë del fytyra e vërtetë e Ernave me tërë shëmtimin dhe përçudnimin, pabesinë dhe kurthet që bartin shpirtrat e tyre të zinj. Atëherë s’ka se si të mos e vësh re përqasjen që autori u bën, përmes realitetit hitlerian, diktaturave të të gjitha kohëve. Madje edhe ish diktaturës shqiptare. Vdekja mbetet e neveritshme dhe gjëmëzezë në çdo rrethanë, formë e mënyrë që të ndeshesh me të. Vdekja është vdekje edhe kur të vjen prej puthjeve të vampirëve si Erna, simotrat e së cilës i kemi hasur gjatë viteve të diktaturës komuniste. Për autorin diktatura nuk është thjesht një mekanizëm i verbër, por mendja e zezë dhe dora vrastare e demonëve si avokati fon Shvajcer, i besuari fanatik i partisë-shtet. Dogmat partiake, ideali i tij i vetëm, siç është figura e demonit sinonim i së keqes. Ai njëherësh si hije nuk ndodhet askund dhe ndodhet kudo. Madje edhe shpirti i Ernës, është hija e tij, mendësia dhe tërë veprimtaria e përfaqësuesve të ligjeve e të shtetit, nuk janë gjë tjetër veç pronë e tij. Jo pa dhimbje e ndrydhje të zemrës, pa rrënqethje të mishit, paralelisht me leximin e veprës, na vijnë ndër mend tërë ajo gardë makabre partiako-shtetërore, me sekretarët e partisë, aktivistët e spiunët e lagjeve e oficerët e sigurimit që arrinin gjer aty saqë e fusnin ndokënd në burg edhe pse e kish gruan të bukur. Pra, faqet e librit e zbulojnë dalëngadalë atë botë meskine, servile, prapaskeniste e njëherësh kriminale që rrafshon çdo vlerë njerëzore, botën komuniste të themeluar për gati 50 vjet edhe në Shqipëri. E ngjashme si dy binjakë me nazizmin gjerman diktatura e kuqe. Me sa duket autori shënon nazizmin e qëllon komunizmin, atë murtajë, që i mori rininë, familjen e gjithçka. Të joshte si kënga e sirenave, si pamja e mrekullueshme e Çirçeve dhe e tërë magjistareve, propoganda hitleriane apo ajo enveriane dhe pastaj ashtu si pakuptuar ta përdhoste moralin, ndërgjegjen e po të kundërshtoje të merrte dhe shpirtin nëpër katakombat e saj, siç veproi edhe me autorin duke e përplasur burgjeve të zeza. Këtë "këngë" ndjellakeqe që shpërndan gjithandej jonet e vdekjes e ndien gjer në palcë kur lexon këtë vepër të Pjetër Arbnorit. Ndien gjithashtu edhe atë revoltë që duhet ta ketë frymëzuar aty në qelinë e errët kur ngjizte materialin jetësor për ta shndërruar në art. Kjo novelë tejet realiste me një ndjenjë të pakufishme humanizmi, që ndoshta askush nuk e priste nga një i persekutuar si Pjetër Arbnori (30 vjet burg), tingëllon si një aktakuzë e fuqishme për të gjitha kohërat e diktaturave, të atyre që kaluan e që mund të vijnë. Mjerë kulkturat e qytetërimet botërore përballë diktaturave! S’janë asgjë dyndjet e lashta të vikingëve, në krahasim me rroposjet që shkaktojnë diktaturat e monstrat e tyre, vikingët e rinj. Vdiq nazizmi, ra edhe komunizmi në Shqipëri, mirëpo rreziku i dyndjes së vikingëve ende nuk ka rreshtur. Prandaj titulli i këtij libri është njëkohësisht edhe një kushtrim për vigjilencë: kujdes, o njerëz, ruhuni nga vikingët e kohëve moderne!
Vërtet me pak faqe kjo novelë, por për nga idetë dhe mesazhi është një vepër dinjitoze që të kujton "Fati i njeriut" e Shollohovit, "Shkretëtira Tartare" e Dino Buxatit, "Plaku dhe deti" e Hemingueit, etj. Është si të thuash, një poemë për rezistencën e njeriut të nëpërkëmbur, të të gjitha kohërave, ndaj demonëve të natyrës apo të shoqërisë njerëzore. Njëkohësisht është edhe një sinjal i qartë që të jep të kuptosh se sa shumë ka humbur Shqipëria duke persekutuar talente të tilla si Pjetër Arbnori me shokë. Se mund të jenë me dhjetëra të tjerë ata që s’arritën kurrë ta thonë këngën e tyre, nga ferri i birucave qoftë edhe të vonuar.
Në fund të fundit ky libër është një befasi e këndshme dhe një fillim i suksesshëm që paralajmëron një ndihmesë të madhe, jo thjesht për lavdi vetjake të autorit, por në shërbim të kombit.

Shefki Hysa
SILUETË NË DRITË – BILAL XHAFERRI
Trialog me poetin Namik Mane, bashkëkohës dhe miku i Bilal Xhaferrit, shkrimtarin Shefki Hysa dhe gazetaren Dylbere Dika

1
NAMIK MANE

U lind në mars të vitit 1942 në fshatin Koskë të Filatit të Çamërisë në një familje me tradita të mëdha atdhetare e kulturore, familje, që i përkiste një fisi të pasur ekonomikisht, që ndihmoi edhe në krijimin e shkollës së parë shqipe në vendlindje. Babai i tij, Ali Rustem Mane, njeri trim dhe i besës, la pas Koskën dhe, i detyruar prej masakrave zerviste, u vendos fillimisht në Shijak dhe ashtu si në Çamëri u morën me blektori. Në vitin 1946 kishin 560 krerë dele dhe për këtë pasuri të sapovënë i arrestuan Alinë dhe vëllezërit. Ishin familje antikomuniste dhe regjimi diktatorial nuk i shihte me sy të mirë, pavarësisht nga ndihmat e shumta që i kishin dhënë luftës antifashiste. Ishin strehuar dhe ushqyer shumë partisanë të çetës Çamëria në shtëpinë e tyre në Koskë. Midis tyre edhe drejtues kryesorë të lëvizjes komuniste, megjithatë asnjëherë nuk u vlerësuan për këtë ndihmë, përkundrazi u persekutuan sistematikisht. Në vitin 1948 blenë një shtëpi dhe u vendosën në qytetin e Durrësit, ku vazhduan traditën prej blektori, derisa u shtetëzua gjithçka dhe ekonomia private u ndalua prej diktaturës.
Shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen Namiku i kreu në Durrës. Kreu edhe shkollën teknike elektrike për të pasur një profesion, sepse e dinte që nuk do ta lejonin të vazhdonte shkollën e lartë. Filloi punë si elektricist në ndërmarrjen ushqimore deri në vitin 1968, kur e internuan në Hamalle të Durrësit.
Namiku, i ushqyer nga traditat më të mira të fisit të tij dhe të kulturës çame në përgjithësi, u shfaq që në fillim të viteve 60-të si një poet i talentuar me vjershat e para të botuara në shtypin letrar. Shokët dhe miqtë e tij të parë ishin poeti Bilal Xhaferri dhe letrarët e rinj si Moikom Zeqo, Bardhyl Agasi, etj.
Në vitin 1967 anëtarësohet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndërkohë po përgatitej për shtyp nga shtëpia botuese shtetërore "Naim Frashëri" libri i tij poetik "Lirikat e ushtarit", të cilin ia pezullojnë për shkaqe politike, i hoqën dhe të drejtën e botimit nga të gjitha organet letrare, pavarësisht nga përpjekjet e shumta të miqve poetë për ta rehabilituar, veçanërisht të Dritëro Agollit, i cili në fillim të viteve 80-të arriti t’ia rikthente të drejtën e mohuar të botimit.
Në vitin 1968 në internim në Hamalle përfundoi edhe poeti Bilal Xhaferri dhe Namik Mania do t’i shtynte ditët e vuajteve së bashku me të për gati një vit. Filluan të punonin për të realizuar një nga projektet e tyre të hershme vëllimin e përbashkët poetik "Një siluetë në errësirë" dhe e përfunduan këtë libër, mirëpo nuk arritën ta botonin, sepse, në fund të muajit gusht 1969, Bilal Xhaferri u arratis nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe pas një qëndrimi të shkurtër prej disa muajsh në Janinë, mërgoi në SHBA.
Pas mërgimit të Bilal Xhaferrit poeti Namik Mane sikur u ftoh me letërsinë dhe vetëm në vitin 1995 e harroi "mërinë" me të kur botoi vëllimin e tij poetik "Pjergulla e lotëve" kushtuar mikut të dikurshëm shkrimtarit të shquar Bilal Xhaferri, përgatitur për shtyp prej shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri".

2
SHEFKI MAZAR HYSA

U lind në Ersekë më 20 korrik 1957 në një familje intelektuale. Babai i tij, Mazari, ishte mësues me vllehtë atë periudhë dhe ndiqte shtegtimin e tyre baritor, veronte në malet e Gramozit dhe dimëronte në Sarandë, duke mos iu ndarë shkollimit të fëmijëve çobanë. Nëna, Bahrieja, ishte shtëpiake dhe shtegëtonte që të kujdesej për familjen.
Shefkiu i përket një fisi të vjetër atdhetar të vendosur në Shalës të Konispolit rreth shekullit të 18-të, ndoshta në periudhën e muslimanizimit të kësaj krahine, sepse cilësohet si një ndër shtatë fiset e para themeluese të fshatit Shalës, sipas kujtesës popullore. Vetëkuptohet ishin fis i pasur, merreshin me blektori dhe bujqësi, kishin shumë pyje, kullota dhe toka buke, rrjedhimisht do të ishin dhe atdhetarë dhe do ta mbronin edhe me gjak shtëpinë e tyre, Atdheun, nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.
Gjyshi i Shefkiut atdhetari i shquar Shefki Hoxha (ishin edhe fetarë brez pas brezi prandaj mbanin edhe mbiemrin "Hoxha") njihet si një ndër themeluesit e klubeve të para atdhetare të Konispolit dhe të Filatit, si financues i shkollave të para shqipe në zonën e Çamërisë dhe si kundërshtar i ashpër i të gjitha pushteteve, si me atë turk edhe më vonë me pushtetin mbretëror të Zogut.
Në vitet 20-të u shqua si demokrat, përkrahës i Nolit dhe i qeverisë së tij reformiste, pavarësisht nga fakti se mund t’i prekeshin pasuritë. Ishte kjo një nga arsyet që u burgos nga Zogu. Madje për këtë arsye poeti popullor i zonës këndonte: "Telegramet venë e vinë,/ të ngrenë xhandarmërinë,/ thonë për një rebelim,/ Çamëria s’iu bindka Mbretit,/ Naltmadhnisë së Tij Ahmetit./ Në Shalës muarr Shefkinë,/ në Konispol Maze Haminë/ dhe Xhafo Pandalejmoninë"…
Shefki Hoxha u sëmur në burgun e Lezhës dhe në vitin 1936 vdiq, si pasojë e lëngatave të burgimit.
Babai i Shefki Hysës, Mazari, u përndoq si antikomunist nga diktatura, pavarësisht se shtëpia e tyre në Shalës ishte mbështetja kryesore e luftës, bazë partizane. Në vitin 1960 Mazari e larguan nga arsimi, për shkak të vëllait të tij nacionalist, Sadedinit, të pushkatuar pa gjyq nga komunistët më 13 nëntor të vitit 1943 në spitalin partizan të Theollogos.
Pra, më në fund familja e tyre ishte përfshirë nga mekanizmi i verbër i luftës së klasave, gjë që e cënoi rëndë edhe Shefkinë, pas vdekjes së babait, Mazarit, në vitin 1976.
Megjithatë Shefkiu arriti të mbijetonte, falë genit që trashëgonte nga të parët e fisit. Pas dhjetë vjetësh përpjekjesh xheklondoniane arriti të siguronte një të drejtë studimi për letërsi në Univeristetin e Tiranës. Ishte këmbëngulja e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, i cili nga pozitat e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si dhe në disa raste të tjera, si edhe në rastin e Namik Manes, iu imponua strukturave të pushtetit totalitar për të rishikuar biografinë e Shefkiut, që t’i jepej e drejta e mohuar për të studiuar në Universitet.
Më në fund Shefki Hysës i ishte vlerësuar talenti prej prozatori me individualitet krijues të spikatur, siç shprehej kritika për tregimet e tij të para lirike të mirëpritura nga opinioni letrar dhe lexuesit.
Tregimtari im i dashur, me vrojtime të çuditëshme dhe ndjenja të holla, kështu shprehej Dritëroi entuziast për të ardhmen letrare të Shefkiut dhe nuk do të zhgënjehej.
Tani, siç dihet, Shefkiu është autor i disa vëllimeve me tregime dhe romaneve nga më të pëlqyerat. Ishte drejtues i disa gazetave në vitet e pluralizmit dhe sëfundi vazhdon të jetë botues i revistës "Krahu i Shqiponjës" themeluar në mërgim në Çikago të SHBA prej shkrimtarit të shquar disident, Bilal Xhaferrit.

3
DYLBERE DIKA
U lind në Sllovë të Dibrës më 4 shtator të vitit 1979.
Është gazetare dhe poete e re e talentuar. Ka botuar vëllimin e saj të parë me poezi "Parajsa e shitur", që u mirëprit nga lexuesit si dhe vëllimin me tregime "Dhe dita vdes".
Punon për të përgatitur vëllimet e saj të tjera me poezi e me tregime.
Është zëvendëskryeredaktore e revistës "Krahu Shqiponjës".

Dylberia: - Zoti Namik, dihet tashmë që keni qënë një nga miqtë më të afërt të Bilal Xhaferrit, për të mos thënë miku i vetëm i ngushtë me të cilin ai ndau vështirësitë e shumta të viteve të internimit të përbashkët, madje edhe gëzimet dhe brengat e ditëve të fundit, para se të mërgonte përgjithmonë nga Shqipëria. Ju lutem a mund të na tregoni se kur dhe si jeni njohur?

Namiku: - Ekzaktësisht nuk e mbaj mend datën dhe vitin e njohjes me Bilalin. Kujtoj pak a shumë se kjo njohje lidhet me vitet e para të përpjekjeve të mia në fushën e krijimtarisë letrare. Jemi takuar në Lidhjen e Shkrimtarëve me Bilalin dhe që në momentin e njohjes lidhja jonë erdhi duke u forcuar në një miqësi të rrallë, tejet të qëndrueshme. Ishte shtytja ime dhe e Gjergj Vlashit, që e detyroi Bilalin të vendosej me banim në Durrës. Fillimisht filloi punë në Shijak e më vonë në parkun e automjeteve të Durrësit.

Dylberia: - Ç’mbresa ju ka lënë miqësia me Bilalin?

Namiku: - Thashë se lidhja jonë ishte shpirtërore. Mundoheshim të plotësonim njëri tjetrin. Mjafton t’u sjell një fakt të gjallë që flet vetë. Një natë vendosa të shkoj për ta gdhirë me Bilalin, siç bënim shpesh duke diskutuar për letërsinë dhe për vjershat e shoku shokut. Vëllai më i madh më lutet që të nesërmen të merrja me vete edhe belin amerikan, të cilin ia kishte huajtur Bilalit për të punuar qilizëm tokën e vreshtave. Ishte periudha kur ndodheshim të internuar në Hamalle të Durrësit. Bilalin nuk e gjeta vetëm. Me sa duket partia shtet gjente gjithmonë mënyrën për të kontrolluar çdo lëvizje të të dyshuarve. Ishte një agronom që banonte ngjitur me shtëpinë e tij. Çuditërisht atë mbrëmje ne ishim të detyruar të silleshim si të huaj. U tjetërsuam krejtësisht. Nuk ishim mësuar të kishim nëpër këmbë një të tretë, që nuk na shqitej. Kaloi mesnata dhe ai nuk largohej. Erdhi gruaja për ta marrë, e mbaj mend si tani, një biondinë e hollë e gjatë, jashtëzakonisht simpatike, tepër kryeneçe, si një xhinde magjepsëse, e vetmja gjë e bukur e asaj nate, dhe ai nuk donte të largohej nën preteksin se ishte kënaqësi e rrallë ta gdhije në një shoqëri shkrimtarësh. Oh, ç’hipokritë jemi treguar atë natë! U munduam të ishim sa më bindës në sytë e tij, recituam për partinë dhe për komunizmin e ç’nuk sajuam të ishim sa më bindës në sytë e të tretit. Të nesërmen, ndërsa largohesha nëpër mjegull, me belin amerikan të tim vëllai në sup, sillja nëpër mend netët e tjera që kisha kaluar me Bilalin. Sillja ndërmend fytyrën e tij të vuajtur, atë Bilal të pamposhtur, që kishte mbajtur diellin mbi kurriz, vargjet e tij të rralla, veçanërisht thënien koka e E. Hoxhës si oturak, fluturoi nga Moska në Pekin dhe çuditesha si ishim tjetërsuar natën e shkuar, përballë hijes së një të panjohuri, mbi të gjitha komunist, i cili i prishi gjithë planet tona. Kishim ndërmend të lexonim dramën e Bilalit "Kodra e Perlave", por nuk bëmë gjë tjetër veçse u shtirëm. Bilali thoshte se sa herë hap dritaren më mbush aroma e Muskatit dhe Perlës, në një kohë që, në të vërtetë, dhoma mbushej me erën e rëndë të këpucëve të vjetra të barakës së këpucarit aty pranë, sepse ishte vjeshtë e vonë dhe vreshtave u ishte vjelë prodhimi, u kishin rënë edhe gjethet. Eh, nuk më hiqet nga mendja ajo natë. Me mbresat e saj kam shkruar tregimin "I treti", që ju e keni botuar në numrin e kaluar të revistës "Krahu i shqiponjës".

Shefkiu: - Namik, më thuaj të vërtetën, midis të tjerash që ju bisedonit përkundër regjimit komunist, a e keni diskutuar mdonjëherë ikjen e Bilalit apo ju e morët vesh pasi ai ishte arratisur nga Shqipëria?

Namiku: - Bilali u arratis nga fundi i muajit gusht të vitit 1969. Ti e di iku nga Janjari i Konispolit, një fshat buzë kufirit me Greqinë, disa kilometra larg Ninatit, vendlindjes së Bilalit. Je vetë nga ato anë dhe e ke vetë parasysh pozitën gjeografike të asaj zone. Kishim gjashtë shtatë muaj që thurrnim plane për arratisjen e tij, madje u sajua edhe një fejesë me një vajzë të atyre anëve për t’u justifikuar largimi nga vendi i internimit. Bilali mendonte se edhe po të ikte, dy motrat e tij do t’i largonin nga fshati buzë kufirit dhe për më mirë do të shkonin, sepse në atë fshat merrnin tridhjetë lekë të vjetra për ditë pune, kurse në vendin e internimit, pavarësisht se të mbikqyrura prej policisë, do të merrnin shumë më tepër, gjë që do të mund të ushqeheshin më mirë dhe vërtet ashtu ndodhi. Unë, përkundrazi, nuk mund të largohesha, se të afërmit e mi do t’i largonin nga Durrësi e kushedi se ku do të përfundonin, në ndonjë nga kampet e vështira të internimit. Dhe do të varrosja për së gjalli jo pak, por 56 vetë. Vetë punoja si elektiçist, por më vinte aq keq për nuset e vëllezërve që punonin në baltën e kënetës, me aq sakrifica. Megjithatë nuk doja të përfundonin edhe më keq. Kishim menduar edhe një plan tjetër më parë, që Bilali të arratisej me anijet e portit, kishim biseduar edhe me një marinar, mirëpo ishte rrugë e vështirë. Bilalit i duhej të qëndronte të paktën dy orë në ujë, gjë që nuk rezistonte dot me atë trup të lodhur shumë nga puna e rëndë fizike në kënetë.

Shefkiu: - A patët probleme pas arratisjes së Bilalit?

Namiku: - Padyshim që kisha probleme. Biografisë sime familjare si antikomunist, iu shtua edhe miqësia me të arrtisurin jashtë shtetit, me një të ashtuquajtur tradhtar dhe armik të betuar të partisë dhe komunizmit. Shtëpia jonë rrinte gjithmonë e rrethuar nga tre katër spiunë. Sa herë dilnim jashtë ata iknin me vrap e fshiheshin si të fantaksur. Megjithatë nuk më morën kurrë në pyetje. Mbaj mend se pak kohë pas arratisjes së Bilalit, desha të botoj një libër me poezi. Takova Dritëro Agollin dhe Anastas Kondon, i cili ishte sekretar i partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Më tha se kisha qenë miku i Bilal Xhaferrit dhe do të bëja mirë të kthehesha mbrapsht. Dhe nuk munda ta botoj. Vonë, shumë vonë m’u dha e drejta e botimit. Kur ai doli, Dritëroi më tregoi se Bilali kishte shkruar një reportazh "Nga Durrësi në Tiranë" shumë të ashpër, kundër pushtetit komunist. Vetë nuk e kam lexuar atë shkrim.

Shefkiu: - Cilët ishin letrarë të tjerë miqtë tuaj të asaj periudhe dhe a patën probleme ata?

Namiku: - Ishin të shumtë letrarët që e simpatizonin Bilal Xhaferrin, por ai mbante afër Moikom Zeqon dhe më pak Bardhyl Agasin. Unë isha rritur me ta dhe ishim miq. Mbaj mend se Moikomin e thërrisnim Tovi. Quhej Molotov, mirëpo kur erdhi në Tiranë për të botuar një libër, Kadareja i sugjeroi dhe e ndihmoi të ndërronte emrin, pasi nuk i lejohej të botonte me një emër të tillë, emër rus. Kështu, pra, Tovin e thirrën Moikom Zeqo. Kur Tovin e pyetën për Bilalin, pas arratisjes, ai qe përgjigjur: "E njoh si mik të Namikut, por ishte më i mirë se ai…" Nuk di të jetë rënduar apo dënuar kush prej ikjes së Bilal Xhaferrit. Ai gëzonte respekt të madh gjithandej dhe askush nuk e kritikonte për veprimin, veçse pëshpërisnin me keqardhje, që humbi ai talent i jashtëzakonshëm.

Shefkiu: - Po me krijimtarinë e Bilalit, çfarë u bë pas arratisjes së tij?

Namiku: - Shkrimet ende të pabotuara të Bilalit më mbetën mua. I frikësuar prej ndonjë kontrolli të papritur, vendosa t’i varros për së gjalli në dhe. Dikush nga miqtë tanë më paralajmëroi se rrezikoja të përfundoja në burg, po të m’i gjenin ato shkrime. Mbaj mend se më duhej të punësoja time motër. Shkova te kryetari i këshillit dhe ai sa më pa, meqenëse më njihte si fytyrë, më premtoi se do të më ndihmonte. Pimë edhe nga një gotë, por kur u kujtua dhe më pyeti për emrin u bë papritur esëll. Ti je miku i atij shkrimtarit të arratisur, më tha? Ruaju se po të gjetën edhe një nga vjershat e tij, e pësove. Kështu që desha s’desha i mbështolla shkrimet me një qese plasmasi dhe i futa në dhe për t’i nxjerrë andej pas gati njëzetë vjetësh. Ishin të mikura dhe të palexueshme prej lagështirës. Më erdhi keq se humba edhe vëllimin e përbashkët "Një siluetë në errësirë". Shpesh ne shkruanim poezi me të njejtën frymë revolte dhe kishim vendosur t’i botonim dikur në të njëjtin vëllim poetik, të cilin menduam ta titullonim "Një siluetë në errësirë" nisur nga titulli i një vjershe. Vargjet e asaj vjershe ishin, për sa mbaj mend: "Unë do ju shfaqem në errësirën me mjegull, profil i ngritur plot dhëmbje dhe përbuzje. Për mua s’do ju tregojnë gjë yjet, as erërat, as shndritjet e bronxëta të siluetës sime. Për mua do dëshmojnë vetëm plagët e mia, për mua do dëshmojë vetëm vdekja ime."

Shefkiu: - Keni pasur ndonjë kontakt me Bilalin pas arratisjes së tij nga Shqipëria?

Namiku: - Ishte e pamundur të kontaktoje me një të arratisur në ato vite, kështu që edhe unë s’i pata mundësitë. Madje, për të qenë tepër i sinqertë, nuk ma mbante as të pyesja për fatin e tij të mëtejshëm, trembesha. Ndonjëherë më vinte në vesh ndonjë informacion i pakonfirmuar dhe aq.

Dylberia: - Zoti Namik, për të qenë tepër e sinqertë, megjithëse kam qenë dhe mësuese letërsie, unë pak njohuri kam për veprën dhe jetën e Bilal Xhaferrit dhe kjo jo për fajin tim. Ndoshta për faj të institucioneve që hartojnë programet e shkollave, sepse në tekstet mësimore pak ose aspak flitet për Çamërinë dhe për çështjen çame, për historinë dhe letërsinë e saj, vetëkuptohet, pak ose aspak flitet edhe për Bilal Xhaferrin dhe për veprën e tij. Madje edhe në Universitet. Me sa di janë programuar vetëm pak orë mësimi, edhe ato lihen në dëshirën e mësuesit, në një kohë që flitet ende me aq pasion për shumë shkrimtarë të pavlerë të periudhës së socializmit. Do të desha të di diçka më shumë për krijimtarinë e Bilalit, mbase kështu do të kënaqni edhe kureshtjen e lexuesve. Ju kur e keni përmendur për herë të parë Bilal Xhaferrin dhe veprën e tij?

Namiku: - Vetëkuptohet se pas arratisjes së Bilal Xhaferrit as që bëhej fjalë të përmendej ai dhe vepra e tij. Heshtja e akullt rëndonte mbi të. Madje po harrohej. Vetëm në periudhën e pluralizmit guxuam të kujtrohemi edhe për figurën e Bilal Xhaferrit. Unë shkrova për herë të parë në gazetën "Drita" më 7 korrik 1991 dhe më vonë në gazetën "Çamëria" dhe në gazeta të tjera. Kanë shkruar edhe të tjerë, por meritën më të madhe për çvarrimin e figurës së Bilal Xhaferrit, nga varri i harresës, ku e kishin flakur censorët e komunizmit, si dhe për lartësimin e figurës së tij e ka Shefki Hysa. Ka bërë një punë titanike Shefkiu si me shtëpinë botuese "Bilal Xhaferri" edhe me shoqatën me të njëjtin emër, derisa e ringriti në nivelet që e meritonte atë figurë të shquar. Ishte puna e tij këmbëngulëse, që arriti të bindë strkturat e shtetit të ri demokratik për të finacuar veprimtarinë ceremoniale të kthimit në Atdhe të eshtrave të Bilal Xhaferrit, si dhe në dhënien e titullit "Martir i Demokracisë", prej Presidentit të Republikës. Dhe Shefkiu i përballoi i vetëm këto sfida nga Çikagoja e SHBA e deri në Tiranë e në Sarandë, ku prehen tashmë eshtrat e mikut tim të dikurshëm. Një punë të lavdërueshme Shefkiu ka bërë dhe bën edhe me revistën "Krahu i Shqiponjës", të cilën e ka botuar fillimisht Bilali në Amerikë. Shefkiu filloi ta botojë në Shqipëri dhe po bën të pamundurën për ta mbajtur gjallë këtë tribunë të shtypit të lirë ku ka folur së pari i jashtëzakonshmi Bilal Xhaferri. Ju, nëpërmjet kësaj reviste mund t’i bëni thirrje shtetit dhe strukturave të tij që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur veprës së Bilal Xhaferrit, ashtu siç e meriton.

Shefkiu: - Të mbetemi te vepra e Bilal Xhaferrit dhe jehona e saj në Shqipëri dhe në trojet përqark, ku banojnë shqiptarë. Studiuesi kosovar Sabri Hamiti ka bërë një studim me vlera të rralla për këtë figurë: "Bilal Xhaferri – shkrimtar i etnisë". Fishta, Konica, Xhaferri, shprehen në Kosovë, si për një trini të shenjtë të etnisë shqiptare. Shiko, sa vlerësohet në Kosovë figura e Bilalit. Këtu, në Shqipëri, përkundrazi, flitet më pak, kur informacioni është i madh. Madje, ndonjëherë edhe dizinformohet për këtë figurë nga ndonjë studiues dhe ky dizinformacion përcillet edhe në Kosovë dhe gjektë. Një miku ynë shprehet në shkrimet e tij se Bilali iku në Amerikë, domethënë u arratis për të shprehur disidencën e vet. Madje unë e kam kundërshtuar në shkrimet e mia, nisur edhe nga fakti që Bilali guxoi dhe përdori si mbiemër letrar emrin e babait të tij, Xhaferrit, të pushkatuar si nacionalist antikomunist. Bilali ishte dissident, që në Shqipëri, them unë. Kjo duket po të analizosh edhe veprën e tij të botuar në ato vite. Cili është mendimi juaj?

Namiku: - Në një nga numrat e gazetës "Drita", janar 1995, me sa mbaj mend, kam botuar një shkrim "Korrigjime në biografinë e Bilal Xhaferrit dhe kam replikuar për këtë problem. Për mua është e pafalshme të thuash se Bilali u arratis për të shprehur disidencën e vet. Jo, ai ishte dissident këtu, në Shqipëri, që në ato vite. Kam parasysh faktin se ai e kishte babanë të pushkatuar si nacionalist antikomunist nga regjimi diktatorial shqiptar. Babai i tij quhej Xhaferr Hoxha. Po ç’bëri Bilali? Në vend të mbiemrit Hoxha, përdori emrin e babait si mbiemër letrar, siç shpreheni edhe ju, Shefki, në shkrimet tuaja. Pra u vetëquajt Bilal Xhaferri, duke përjetësuar kështu emrin e babait të pushkatuar. Ky ishte një veprim i hapur prej disidenti. Ju do të thoni se nuk e dinin këtë fakt komunistët? E dinin, mirëpo talenti dhe fama e menjëherëshme e Bilalit ishin aq të mëdha, saqë nuk ngrente peshë ky fakt. Madje simpatia dhe dashuria e mjediseve letrare ishin kaq të mëdha për Bilanin, saqë minimizohej shumë problemi i biografisë së tij. Kur do të botohej vëllimi poetik "Lirishta e kuqe" e Bilalit, mbaj mend një debat që u zhvillua midis Dhimitër Fullanit, shef i poezisë dhe Bilalit, në prani të Adriatik Kallullit, redaktor i librit. Bëhej fjalë për një vjershë, ku një ushtar i Skënderbeut, pas betejës së Torviollit, kërkonte trupin e babait të vrarë për ta varrosur. Dhimitri i thotë Bilalit se ne e dimë që ti e ke babanë të pushkatuar dhe në këtë poezi duket se aludon për veten, sikur je në kërkim të varrit të babait, prandaj duhet ta heqësh nga libri.
Lexova edhe parathënien e librit, që më dhe ti, librit me poezi të Bilalit "Eja trishtim" botuar nga Rilindja e Kosovës. Në atë parathënie profesori dhe studiuesi i nderuar Sabri Hamiti thotë se cezura letrare bazohej edhe në cmirën e shkrimtarëve. Kjo është e vërtetë, por jo plotësisht në rastin e Bilalit. Kanë qenë të shumtë shkrimtarët që e donin Bilalin. Mund të përmend Vath Koreshin, Dhimitër Verlin, Dalan Shapllon, Adriatik Kallullin, Trim Gjatën, Todi Lubonjën, Fatos Arapin, Dritëro Agollin e shumë e shumë të tjerë. Atë nuk e vrau cmira, por ideologjia dhe sigurimi i shtetit. Ishte e pafuqishme dashuria e shkrimtarëve për ta mbrojtur prej ideologjisë. Thuhet edhe se kryevjersha "Baladë çame" është botuar në vitin 1991. Nuk është e vërtetë. Është botuar që në vitin 1966 në "Zërin e Rinisë". Dhe të botoje një poezi si ajo në ato vite për Çamërinë ishte guxim i madh.

Shefkiu: - Kokëkrisje ishte të botoje "Baladën çame" në vitet e diktaturës. Keni shumë të drejtë. Unë e kam parë me sytë e mi të botuar, duke shfletuar koleksionet e "Zërit të Rinisë" të viteve 60-të. Dhe më ka lënë mbresa të jashtëzakonëshme ajo poezi, si një hymn i martrizimit të Çamërisë. Një poezi – hymn e papërsëritshme, si Marsejeza. Mjaftonte ajo poezi brilante dhe Bilali mbetej poet i madh. Botimi i veprës së tij të plotë, do t’ia nxirrte në pah gjithë vlerat, ashtu si rrezatimet e një prizmi prej diamanti gjatë rrotullimit, në dritën e diellit. Dhe atëherë do të shpalosej madhështia e tij e vërtetë. Mirëpo kjo kërkon ende kohë dhe mund. Botimi i veprës së plotë, do të shmangte përfundimisht edhe ndonjë tendencë të minimizimit të vlerave të Bilalit prej ndonjërit, si në Shqipëri, edhe në komunitetin shqiptaro – amerikan, në SHBA. Kur isha në Çikago, ku Bilal Xhaferri ishte vendosur së fundi dhe botonte "Krahun e shqiponjës", vura re cmirën e dikujt për të. Pse ndodhte kjo sipas mendimit tuaj?

Namiku: - Shiko, për mendimin tim sigurimi i shtetit shqiptar vepronte edhe në Diasporë dhe ndoshta njerëz të paguar janë munduar ta pengojnë Bilalin në veprimtarinë e tij letrare, t’ia ulin vlerat në sytë e komunitetit. Dhe pjesërisht ia arritën. Siç e dini dhe ju, i bënë dy herë atentat, pa arritur ta zhduknin fizikisht, i dogjën studion, e tjera të kësaj natyre. Saktësisht unë nuk e di se ç’ka ndodhur me të, por një gjë i kam thënë jo pa mllef një përfaqësuesi të komunitetit shqiptaro amerikan: Jua dërguam Bilalin shkrimtar të madh dhe na e kthyet kufomë. Sidoqoftë Bilali ishte dhe mbetet shkrimtar i madh dhe vlerat e tij nuk mund t’i mohohen, përkundrazi koha do t’ia lartësojë edhe më shumë.
DRITËROI NË NJË DRITË TË RE
Trialog midis shkrimtarit Dritëro Agolli, shkrimtarit Shefki Hysa dhe gazetares Dylbere Dika

Dylberia: - Jeni cilësuar gjithmonë si gjeniu i letrave shqipe, megjithëse problemet, që keni hasur gjatë jetës tuaj krijuese, kanë qenë të shumta. Ju lutem a mund të na thoni diçka rreth disidencës suaj, në se shprehem qartë, në regjimin komunist dhe vlerësimeve në sistemin e sotëm?

Shefkiu: - Më saktë, zoti Dritëro, është fjala për një farë disidence të padeklaruar në krijimtarinë tuaj, për kundërshtitë tuaja me ish regjimin komunist, për pikëpamjet tuaja të ndryshme nga ideologjia sunduese e kohës të shprehura hera herës në disa vepra, të cilat, prej censurës, janë ndaluar të qarkullojnë. Kam parasysh vëllimin me tregime "Zhurma e erërave të dikurshme", "Lamtumirë kapedan", etj. Kam parasysh edhe disa nga poezitë tuaja, që ne të rinjtë i quanim shumë të guximshme për ato vite. Madje thoshnim se sikur t’i kishte shkruar ndonjë tjetër, patjetër që do ta kishte ngrënë, do të ishte dënuar në një mënyrë a në një tjetër.
Dritëroi: - Unë në përgjithësi nuk e kam pasur qejf fjalën gjeni dhe vazhdoj që ta shoh me rezerva këtë fjalë si për shkrimtarët shqiptarë edhe për të huajt, veçanërisht për ata shqiptarë, për më tepër kur janë ende gjallë. Që ta thuash fjalën gjeni duhet të mendohesh shumë dhe duhet të kalojë të paktën një shekull që vlerësimi të mbetet i tillë. Në Shqipëri fjala gjeni përmendet shumë dhe është shvalutizuar, si paraja që shvleftësohet. Është pikërisht si në atë shprehjen: "Unë zot, ti zot, gomarin kush e kullot…?"
As në letërsinë angleze nuk kam dëgjuar t’i thonë Shekspirit gjeni, por i thonë thjesht Shekspir. Dhe kështu duhet të jetë, pasi çdo shkrimtar i arrirë, gjeninë e ka brenda shpirtit të tij, siç e ka Servantesi, Tolstoi, Moljeri, etj.
Naim Frashërit nuk ka nevojë t’i thuash poeti Naim Frashëri, apo Migjenit poeti Migjen, pasi kanë emrin e tyre kuptimplotë. Këtu tek neve veç fjalës poet apo shkrimtar, shtohet edhe fjala gjeni. Kjo është një mënyrë shprehjeje provinciale. Kam parasysh se si dikur, kur u hap "Kombinati tekstil", vajzat, që vinin aty nga fshati, i bënin buzët e kuqe, vishnin edhe çorape najlon, mirëpo këpucët i kishin llastiku, tip opinga, gjë që nuk përputheshin kurrë dhe të linin shijen e keqe të mungesës së kulturës qytetare.
Unë nuk e kam dashur kurrë dhe nuk vazhdoj ta dua fjalën gjeni, prandaj dhe bëra këtë parantezë të gjatë. Më saktë thuaj Dritëroi, Shefkiu, pasi përcaktimin gjeni ia shton populli dhe vetë fakti se do të rezistojë apo jo krijimtaria letrare ndër kohëra.
Përsa i përket regjimit Socialist apo Komunist, megjithëse as Komunizmi nuk ishte ndërtuar dhe as Socializmi nuk ishte ndërtuar, por thuhej të ndërtojmë Komunizmin apo të ndërtojmë Socializmin, problemet për një shkrimtar të vërtetë kanë qenë të shumta, pasi ata përpiqeshin të thonin të vërtetën e gjendjes së popullit. Kjo e vërtetë natyrisht nuk mund të thuhej e plotë, ashtu siç nuk mund të thuhet edhe tani. Shkrimtarët e vërtetë përmes gjithë asaj censure, që ishte shumë e fortë, (këtë nuk mund ta mohoj as unë e as të tjerët, pasi dhe pse isha në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk e mohoj dot që ndihesha i censuruar, pra, ka pasur censurë, madje edhe autocensurë) kanë mundur të sjellin përmes krijimeve të tyre, të vërteta qoftë dhe të pjesëshme, që bënin fjalë mbi vështirësitë e shumta në jetën e popullit tonë, si varfërinë, ndrydhjen e personalitetit të njeriut, përplasjet e individit dhe pushtetit, por edhe të tjera si ashpërsia e luftës së klasave, që shikonte gjyshërit dhe jo individët realë.
Unë brenda këtyre të vërtetave kam shprehur mendimin tim. Nuk ma lejonte e vërteta që të gënjeja, megjithëse për ndonjë gjë edhe mund të kem gënjyer i shtyrë nga regjimi. Këtu pikërisht zënë fill kundërshtitë dhe jo disidenca, pasi disidentët shpreheshin hapur kundër regjimit, ndaj dhe u bënë vuajtës në burgje të ndryshme, u persekutuan dhe internuan gjithë jetën apo dhe u larguan nga Shqipëria, siç ishte rasti i Bilal Xhaferrit.
Neve që na lavdëronin dhe na afronin vende pune nderi, nuk mund ta quajmë veten desident, por realistë në disa pikpamje të caktuara për të cilat nuk mund të pajtoheshim. Fjala vjen në ato vargje, që përmendi më parë Shefkiu, që flasin për një zog që këndon bukur dhe që kundërshtohet vetëm se gjyshi i tij, duke fluturuar, na i paskësh lëshuar dikur dikujt një glasë mbi supe, shprehet qartë rekomandimi për të parë njeriun sot dhe jo gjyshin e tij vite e vite më parë. Në fabulën "Kali dhe gomari", bien në sy kundërshtitë e tërthorta. I zoti gjuante vazhdimisht mbi kalin, që ishte i fundit, kali nga ana e tij duron sa duron dhe më pas hidhet përpjetë duke thënë: "Mbaj dorën, se ta hedh përdhe samarin, ti para meje pse ma nxjerr gomarin? E ku të vete vallë, unë i ngrati, kur rrugën ma ka zënë veshëgjati? Përpara nxirrmë mua që mos vuash dhe rrih pastaj gomarin sa të duash!"
Po në të njëjtën frymë të kundërshtive janë shkruar gati të gjitha tregimet e mia, një prej të cilave është edhe tregimi "Lamtumirë kapedani ynë", që bën fjalë për luftën. Lufta ishte shumë e ngatërruar. Kapedani bënte pjesë në radhët e partizanëve tanë, mirëpo nuk e duronte dot disiplinën e rreptë. Pasi i vrasin një shokun e tij, që dashuronte një vajzë partizane, ai iku edhe pse ishte nënkomandant çete. Ai vetë donte një vajzë partizane dhe i dukej paradoksale të gjykoheshin njerëzit nisur nga ky fakt. Ky tregim është i mbështetur në ngjarje reale dhe tregon se nënkomandanti i ikur nuk është se u bashkua me pushtuesit italianë, ai u vra duke luftuar kundër tyre dhe më pas u quajt ballist. Në këtë kontekst ai nuk ishte hero i realizimit socialist, por ishte një hero kompleks, gjë që nxjerr vlerat e një shkrimtari që di të shkruajë. Pikërisht në këto shkrime e të tjera si këto dalin në pah pikëpamjet e kundërta me sistemin në fuqi.
Letërsia e asaj periudhe nuk mund të quhet "Letërsi e Realizmit Socialist", pasi Realizmi Socialist ishte metodë, ishte si një lloj kushtetute a statut i një partie, por letërsi e shkruar në kohën e regjimit socialist.
Shumë nga të ashtuquajturit shkrimtarë merreshin me shkrimin e romaneve për kongreset plenjumet dhe ndodhi të tjera në partinë shtet, ndërsa shkrimtarët që shkruanin krijimet e tyre ishin të paktë.
Pikërisht ishte kjo arsyeja që na jep një ndarje evidente të shkrimtarëve të asaj periudhe: shkrimtarë të Realizmit Socialist dhe shkimtarë që shkruanin në kohën e Realizmit Socialist. Në kontekst të kësaj dua të them se shkrimtarët e vërtetë e gjejnë gjithmonë mënyrën për të pasqyruar realitetin në kornizat artistike. Kështu ndodh në mbarë botën letrare. P.sh. Balzaku dhe pse ishte shkrimtar realist, dëshira e tij si individ ishte të sundonte monarkia. Në pasqyrimin letrar të së vërtetës ai shfaqej kundër problemeve që shkaktonte mbretëria. Kjo tregon se për të pasqyruar vërtetësinë shkrimtari shkruan ndonjëherë kundër ideologjisë së tij. Ai dhe pse mund të jetë në pikpamje të përgjithshme pro regjimit sundues, realitetit nuk i shmanget dot. Kjo mund të thuhet edhe për shkrimtarët shqiptarë në kohën e regjimit komunist ose socialist, quaje si të duash.
Të gjithë shkrimet e mia synojnë në pasqyrimin e së vërtetës, vetëm me një dy përqind partiarkizëm të detyruar. Zakonisht për të vlerësuar një shkrimtar, duhet të gjykojmë me gjakftohtësi, pasi gjaknxehtësia nuk ka asnjëherë vlerën e duhur. Për shembull, unë e kam vëlla Shefkiun, ky është një njeri me vlera, shkrimtar shumë i mirë, etj, ndërsa unë kam një mijë e një të zezat. Po të shkruajnë historianët sot për Shefkiun, sa jam unë gjallë, do të bjerë edhe mbi të hija ime e errët, ndërsa po të kalojnë 50-100 vjet do të harrohem unë dhe do të mbetet Shefkiu shkrimtar.
Përsa i përket vlerësimit në sistemin e sotëm, natyrisht që ndihem më i vlerësuar, pasi atëherë kisha vetëm gradën zyrtare, ndërsa me veprën time mburreshin të tjerët. Sot, përkundrazi, kam kënaqësinë të krenohem me veprën time të vërtetë. Në përgjithësi krijimtaria ime letrare është shkruar ndryshe, me përjashtim të tek tuk ndonjë poezie apo dy–tre poemave që flasin për ideale komuniste.
Fillimisht çdo lloj tregimi im është ndaluar, njëlloj edhe me disa libra. Mbase nuk ishte vetëm regjimi, por grupe të caktuar ziliqarësh që ideonin, nën petkun e shkrimtarit, dhe vendosnin kufizime të tilla. Prove e gjallë janë romanet "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zilo", "Dështaku" apo "Trëndafili në gotë", që ngre probleme të mëdha se si duhet ta pasqyrojë shkrimtari realitetin në veprën e tij. Sikurse veprat që përmenda më lart edhe veprat e tjera janë të mbushura me plot argumente kundërshtie dhe realizmi.

Dylberia: - Mbetemi sërish tek kundërshtitë, tek disidenca. Çfarë do të na thoni për disidentin Bilal Xhaferri dhe ç’kujtime ruani nga njohja me të?

Dritëroi: - Kjo është vazhdë e atyre ç’ka thashë më lartë. Një shkrimtar i vërtetë sado që të kishte presion nga regjimi, nuk mund të devijonte nga realiteti. Në këtë periudhë të letërsisë kishte disa shkrimtarë si lloji i Bilal Xhaferrit dhe disa të tjerë, të cilët regjimi nuk kishte dëshirë të dilnin në publik dhe të botonin libra ku të shprehnin opinionet e tyre. Kjo nuk ishte punë thjesht letërsie, pasi duke u ndaluar aktivitetin krijues ata arrinin t’i pezullonin në të gjitha drejtimet. Po të qe vetëm për letërsi, pranimi apo mospranimi i individëve të tillë, do të kishte pykpyetje më të pakta. Pushteti frigohej më shumë nga një pikëpamje tjetër, këta njerëz duke botuar libra do të bëheshin të fuqishëm dhe do të prishnin harmoninë e nemoklaturës letrare që ishte krijuar. Duke marrë një pozitë të tillë më të madhe, ata do ta thonin fjalën e tyre edhe në politikë, edhe në problemet sociale dhe kulturore, do të ishin zëra të fuqishëm, pasi ai që shkruan libra letrarë, është edhe person publik, edhe person politik, sepse nuk ka personalitet letrar jashtë politikës (fenomen që ndodh edhe sot).
Bilal Xhaferri dhe të tjerët, që unë i di kush janë, por nuk dua t’i përmend se, këta njerëz, edhe t’i përmendësh për mirë thonë pse na përmendi Dritëroi, që është socialist dhe ne jemi ballistë apo zogistë, kanë qenë disidentë të vërtetë. Për Bilalin dhe krijimtarinë e tij kam pasur dhe kam shumë respekt, veçanërisht tani që ai ka vdekur dhe për të vdekurin flitet me mirënjohje.
Kontaktet e para me emrin e Bilalit i kam pasur kur punoja me gazetën "Zëri i Popullit". Disa nga kolegët e mi e njihnin atë, ndër ta edhe Ballkiz Halili. Nuk e di nëse e ke njohur edhe ti, Shefki?

Shefkiu: - Jo, unë kam qenë i vogël në ato vite. Nuk e kam njohur si njeri Bilalin, megjithëse është nga anët tona, nga zona e Konispolit. Njoh veçse veprën e tij letrare. Duhet të kem qënë në klasë të katërt a të pestë dhe më kujtohet ashtu si nëpër tym një nga fragmentet e tregimeve të tij, tregimit "Ti je partizane", në mos gaboj. Më ngjan se e kemi trajtuar në një orë leximi jashtë klase, siç i quanim atëherë orët letrare, ose ishte në tekstin e leximit letrar, nuk e mbaj mend mirë. Megjithatë nuk më shqitet ende nga mendja mbresa e thellë që më ka lënë leximi i atij fragmenti në atë moshë.

Dritëroi: - Edhe Ballkizi vinte nga anët tuaja, ka qenë një gazetare e shquar në atë kohë si dhe tepër e kulturuar. Ajo kishte mbaruar në Poloni për agronomi, (për lulet) dhe ishte shumë e kënduar, qe kolegia ime e punës. Me të mbaj kontakte edhe tani. Mbaj mend se një mëngjes Ballkizi më solli mua në redaksi ca tregime të Bilalit, të cilat i mburrte shumë edhe vetë, mirëpo më shton se ai qe fatkeq, se punonte në ndërtim, në sectorë të largët e të vështirë. Tregimet e Bilalit nuk i lexova vetëm unë i lexoi edhe Javer Malo, që ishte një publicist shumë i zoti dhe një lexues i tmerrrshëm, që përpinte gjithçka, pa dyshim që edhe ai kishte konsideratë të lartë për tregimet e Bilalit.
Në atë periudhë nëpërmjet Ballkizit unë e takova Bilalin. Mbaj mend që jemi takuar poshtë shkallëve të ndërtesës së gazetës "ZP". Dolëm bashkë me të dhe Ballkëzin dhe vajtëm në kafe Tirana (karshi muzeut, kafe dykatëshe që ishte ndër më të mirat në ato vite). Unë atëherë nuk isha më shumë se 30-35 vjeç. Gjatë takimit unë i thashë Bilalit se kishte tregime shumë të bukura, madje i theksova se edhe unë vetë i kisha zili. Bilali ishte njeri i heshtur dhe nuk fliste shumë, por vetëm dëgjonte me vëmendje, mblidhte. Ishte ndoshta kjo veçori e tij, që do të ndikonte më pas të pësonte atë fat që dihet.
Bilali në fytyrë vinte simpatik, mirëpo kishte disa pikla të vogla nëpër faqe, ndoshta ngaqë kishte jetuar gjatë nëpër kantiere apo vende plot lagështirë. Këto pika i ngjanin paksa si të vrara lie, por nuk ishin të tilla. Bilali qe shumë i zgjuar, dinte shumë, njihte mirë letërsinë e zgjedhur dhe mendonte se shkrimtarët duhet që ta thonë hapur të vërtetën. Për ndonjë nga shkrimtarët, qoftë edhe më të mirët, nga tanët, ai nuk përtonte të thoshte: "Ndoshta do të jetë shumë mirë, por nuk vete kjo punë, pasi shuhen traditat tona vetëm që të triumfojë klasa punëtore.
Klasa punëtore nuk ka zbritur nga qielli, ajo rrjedh dhe vazhdon të jetojë brenda traditave. Ne nuk duhet ta bëjmë që të humbasë prejardhjen e saj".
Këtu Bilali kishte shumë të drejtë dhe të shtynte të mendoje se kishe të bëje jo vetëm me një shkrimtar të mirë, por edhe mendimtar, që kishte në mendje për të shkruar gjëra akoma më të bukura.
Ballkizi e paraqiti edhe tek kryeredaktori i "Zërit të Popullit", Dashnor Mamaqi, i cili nga ana e tij do të ndërhynte që ta largonin nga ndërtimi dhe ta çonin diku në një shtëpi kulture, dhe t’i lejohej botimi. Edhe Todi Lubonja i vlerësonte tregimet e Bilalit, si më të arrirrat. Me dëshirën dhe këmbënguljen e të lartëpërmendurve, Bilali arrin t’i botohet libri i tij i parë me tregime "Njerëz të rinj tokë e lashtë", në vitin 1966 dhe një vit më vonë u përgatit dhe dolën kopjet e para të librit me vjersha "Lirishta e kuqe", i cili u ndalua të qarkullonte. (Unë atëherë mora një libër me dëshirën e madhe për ta lexuar, por që nuk e di kush ma ka marrë). Në tregimet e tij Bilali tregonte njeriun e punës së mundimshme, por me ëndrra të mëdha dhe vullnet të pashtershëm, njeriun që mposhte depresionin nëpërmjet punës së palodhur. Disa tregime të tij u botuan edhe në gazetën "Zëri i Rinisë" me kryeredaktor Miço Verlin. Një ndër admiruesit e Bilalit ishte dhe Vath Koreshi, atëherë redaktor i gazetës "Zëri i rinisë", i cili e vlerësonte lartë krijimtarinë e tij dhe e ndihmonte për t’i botuar poezitë, publicistikën dhe tregimet. Në përgjithësi të dy librat u pëlqyen shumë.
Pas dy librave të para, Ballkizi na sjell në dorëshkrim romanin "Krastakraus" të Bilalit, që bënte fjalë për Skënderbeun. Romani ishte gjini më e vështirë, unë atëherë ende nuk kisha botuar asnjë roman, përpiqesha për romanin "Komisari Memo". Lexova dorëshkrimin, por Ballkizi ma la pak ditë, pasi po e përgatisnin për shtyp. Edhe ky libër, u pezullua dhe nuk u botua në ato vite, për shkak të biografisë së Bilalit. Sebep u bë një përplasje në Lidhjen e Shkrimtarëve, me sa di unë, që i nxorrën problemin e biografisë, i ndaluan të drejtën e botimit dhe e interrnuan. Tani vonë është botuar ai roman, në mos gaboj, prej shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri". E ke botuar ti, Shefki apo jo?

Shefkiu: - Po, ashtu është. E botuam në vitin 1993 në shtëpinë botuese "Bilal Xhaferri". Në vitin 1995 është ribotuar, nga "Rilindja" në Prishtinë, në një variant të përmirësuar prej vetë autorit me titull "Ra Berati", krahas përmbledhjes me tregime dhe asaj me poezi. Dorëshkrimin e romanit na e solli Ballkiz Halili.

Dritëroi: - Mbaj mend se ishte një dorëshkrim, shkronjat e të cilit mezi dukeshin, pasi shiriti i makinës së shkrimit kishte qenë shumë i përdorur?

Shefkiu: - E saktë. Dorëshkrimi ishte vërtet mezi i lexueshëm vende vende, prej shiritit shumë të përdorur të makinës së shkrimit.

Dritëroi: - Unë atë dorëshkrim e lexova për dy tre ditë dhe më pëlqeu shumë. Herën e fundit që jam takuar me Bilalin ka qenë koha kur atij iu bë kritikë nga "Lidhja e Shkrimtarëve" për qëndrimet e tij. Unë atëherë isha gazetar dhe nuk kisha hyrë ende në "Lidhjen e Shkrimtarëve". Atëherë dolëm bashkë nga godina e Lidhjes, pasi unë nuk isha i detyruar të rrija. Nuk më kujtohet çfarë muaji ishte, por kujtoj që ishte vjeshtë. Kur po ecnim në bulevardin "Stalin", sot bulevardi "Zog", ai nuk fliste, por gjuante fletët e rëna nga pemët me dëshpërim të madh. Do kalojë, i thashë unë duke dashur të lehtësoja sadopak gjendjen e tij. Ai ishte i mençur dhe nuk m’u përgjigj menjëherë, vetëm pas pak çastesh tha: "Kështu janë këto punë, ndoshta dhe unë shpejtova".
Pas disa kohësh mora vesh që Bilali ishte arratisur. Neve na erdhi shumë keq, megjithëse të them të drejtën askush nuk na tha asgjë përsa i përket përkrahjes që i kishim dhënë. Njerëzit shpreheshin, secili sipas hamendjes së vet, pasi asnjëherë nuk u fol kundër tij. Vazhdonte të gëzonte respekt në heshtje edhe pas largimit.

Dylberia: - Si e vlerëson Dritëro Agolli kulturën çame dhe shkrimtarët e tjerë të kësaj treve.

Dritëroi: - Është e çuditshme, pasi Çamërinë e ka ndjekur një tragjedi shumë e madhe. Çamët jo vetëm i përzuri greku në 1945, por edhe ushtroi kundër tyre një genocid të paparë. Nuk është fjala këtu për disa fshatra, siç kemi në Maqedoni, në anën tjetër të liqenit të Prespës, madje edhe prej atje ka dalë Sterio Spase, por bëhet fjalë për një krahinë të tërë sa Kosova, që ka padyshim traditat dhe kulturën e një treve të lashtë. Çamët nuk kanë përjetuar vetëm genocidin e 1945, ata janë përndjekur sistematikisht, që në fillimet e shekullit të kaluar, megjithëse kanë dhënë kotribute të mëdha në konsolidimin e shtetit Helen, kundër perandorisë turke. Kanë qenë edhe komandantë të revolucionit grek dhe kanë marrë pjesë plotë lavdi ndër luftra të drejta, për çështje të mëdha për përparim.
Çamëria ka qenë një nga embrionet më të mëdha të kulturës. Në atë trevë kanë dale figura nga më të shquarat, në të gjitha fushat. Përmendim figura të shquara si ajo e Marko Boçarit, Kollokotronit, Xhavellës, Bubulinës, shkrimtari i shquar Muhamet Kuçuku, dijetari i mrekullueshëm Hoxhë Tahsini, që ka qenë si Ali Imësima i Persisë, fise atdhetare që kanë nxjerrë burra të penës e të pushkës, si Dinenjtë, Çaparenjtë, Bilbilenjtë, etj…
Të gjitha këto tregojnë se nuk kishe të bëje me dy-tre persona, por me një trevë të tërë, tempull kulture. Përmendim edhe Anastas Kulluriotin apo dhe Dhimitër Paskon, i cili është me prejardhje çame, si dhe shumë të tjerë të kohës sonë si Bilal Xhaferri, Shefki Hysa, Abaz Veizi, Javer Malo, Selim Islami, Qamil Buxheli, Namik Mane, Xhemil Lato e shumë e shumë të tjerë që kanë qenë e vazhdojnë të jenë ndër elitën e dijetarëve, studiuesve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Shumë pranë tyre janë Sabri Godo, Limoz Dizdari, që ndoshta nuk e mbajnë veten si çam, por janë të asaj treve dijeje, pasi nuk ka ndonjë kufi, tradita është si era, janë si Korça me Devollin. Më kujtohet im atë kur thoshte "T’ia marrim një here çamçe, ishte fjala për këngën "Vallë vjen behari…", etj. Pra, mënyra se si këndojmë ne në Devoll të kujton traditën çame. Ato fshatrat përtej kufirit të Devollit janë tonat dhe po t’i biesh nga Greqia, Devolli del se është çam.

Shefkiu: - Thatë se zona e Devollit i paska traditat të përafërta me ato të Çamërisë; më saktë, çfarë e veçantë ju ka tërhequr vëmendjen drejt kësaj treve?

Dritëroi: - Të them të vërtetën, më ka lënë pa mend pasuria e madhe folklorike e krahinës së Çamërisë. Folklori çam është vlerësuar lart edhe nga studiuesit e huaj, si Pederseni, i cili ka mbledhur një ndër ciklet më të bukura të përrallave në Çamëri, pesë përralla të zgjedhura, në mos gaboj, nëpërmjet të cilave është munduar të argumentojë prejardhjen indoevropiane të gjuhës shqipe. Një punë të lavdërueshme ka bërë edhe folkloristi i pasionuar Fatos Mero Rrapaj, i cili, megjithëse i përket zones së Labërisë, ia kushtoi tërë jetën e vet gjurmimit të palodhshëm të vlerave të rralla të folklorit çam. Mjafton të lexosh përmbledhjen e tij voluminoze "Këngë popullore nga Çamëria" dhe mbetesh i mahnitur me atë thesar të papërsëritshëm. I jam kushtuar edhe unë nganjëherë folklorit, kur më janë mërzitur të thururit dhe të kënduarit e vargjeve të vetvetes. Madje kam botuar edhe një libër "Shpirti i gjyshërve" me këngë popullore, njëqindenjë këngë stërgjyshore, pjesën më të madhe të të cilave unë e kam kënduar edhe vetë mes fshatrëve dhe miqve. I kam kënduar duke i krehur dhe përkëdhelur, siç më thoshte një këngëtar, këngën duhet ta përkëdhelësh se të trembet dhe ikën. Në atë përmbledhje ka edhe këngë të Çamërisë si për shembull: "Gjëmë e zezë e kalë i bardhë, hingëllin arë më arë, kërkon Abedin Medanë, të zotin e tij të vrarë. Male e fusha anembanë derdhin lotë e zi po mbajnë, qajnë Bido kapedanë, gjëmë e zezë e kalë i bardhë. Ç’u mbush fshati drrasë e trarë për t’u bërë djemve varrë, gjëmë e zezë e kalë i bardhë, hingëllin arë më arë…"

Shefkiu: - Këngë vërtet e bukur, e krijuar nga rapsodi popullor në Shalës të Konispolit. Bëhet fjalë për një luftëtar atdhetar të rënë në luftë kundër turqve. Është fjala për gjyshin e Taip Madanit, valltarit të shquar që kërcente me aq virtuozitet vallen e mrekullueshme të Osman Takës, po ju kujtohet. Është bashkëfshatari im. Nuk ka dalë ende askush ta kërcejë vallen e Osman Takës si ai valltar i rrallë.

Dritëroi: - E rrallë është edhe vetë Çamëria, të rralla i ka edhe shoqet, kjo krahinë martire…

Dylberia: - Zoti Agolli, në shkollat tona, pak ose aspak njihet nocioni Çamëri, pak ose aspak dinë nxënësit rreth historisë dhe letërsisë çame. A mendoni se kjo është një harresë e qëllimtë apo thjesht një rastësi?

Dritëroi: - Kjo ka qenë valë-valë. Në 1945 ne e kishim me Greqinë majë për majë. Në atë kohë çamët u mirëpritën, u dhanë toka dhe u përkrahën shumë. Kjo është e dokumentuar edhe në shtypin e asaj kohe, madje këndohej kënga: "Napolon Zerva kërkon tokat tona, po ne iu përgjigjëm, s’jemi makarona…" Pikërisht në kohën kur këndohej kjo këngë marrdhëniet Shqipëri - Greqi ishin thikë për thikë dhe kishin si shkak kryesor dëbimin e çamëve nga trojet e tyre. Kujtoj se atëherë u bë një apel ndërkombëtar që pse ti ndodhë kështu Shqipërisë dhe u fol për një periudhë shumë të gjatë për çamët. Më pas, sipas konjukturave të shtetit tonë me Jugosllavinë dhe shtetet e tjera, u vu re një kundërshti për serbët, grekët e midis tyre dhe për çamët. Më pas kjo jo se u harrua, por filluam të ishim objektivë në konjuktura, që të mos prishnim ekuilibrat politikë dhe pikërisht me këtë i bëmë dëm historisë. E vërteta historike duhet thënë gjithëmonë, ti mos thuaj që kjo politikë e ndyrë ishte shkaku, por mos moho që ajo ishte një tokë shqiptare, që ka nxjerrë njerëz shquar, që i ka dhënë edhe kulturës greke, pa thënë në se e dua apo s’e dua, pra pa mohuar të vërtetën historike. Në atë kohë më kujtohet mua nuk thuhej: "Të marrim tokat tona", por "Të rregullohen padrejtësitë e bëra", ndërsa tani që sistemet kanë ndryshuar mund ta themi pa frikë të vërtetën. Nuk besoj se asnjë politikan shqiptar, sado i lig që të jetë, nuk është në favor të çështjes çame, por ndruhen politikisht se mos i quajnë nacionalistë. Kjo tregon se instanca të caktuara të shtetit tonë janë ende të pafuqishme për trajtimin e një çështjeje të tillë. Megjithatë tani duhen vënë në vend disa gjëra. Në historinë që bëjnë nxënësit dhe studentët, çështjes çame i duhet kushtuar vëmendje e madhe, duke shkruar kapituj të tërë dhe jo mësime të shkurtra. Sipas saktësisë së historisë duhet të zgjidhet edhe ky problem në favor të së drejtës. Kur isha nxënës, kujtoj që këndonim këngën: "Nga Kosova në Çamëri do valojë përsëri flamuri kuq e zi…" Pikërisht këto gjëra duhet të hyjnë dalëngadalë edhe në histori, edhe në diskutimet e gjëra, që bëjnë intelektualët dhe jo thjesht shoqata "Çamëria" apo shoqata "Kosova".
Duhet të jetë problem i përhershëm i njerëzve të kulturës, çështja çame dhe të trajtohet si çështje shqiptare, çështje mbarëkombëtare, pasi ne në Evropën e bashkuar nuk mund të hyjmë si grekë apo jugosllavë, por do të hyjmë si shqiptarë. Duhet të dijmë të mbrojmë dinjitetin tonë dhe të mos mohojmë të vërtetën e hidhur, që u është dashur të kapërcejnë të parët tanë. Ne do të përmendim njëlloj edhe lumin Bistricë edhe lumi Kalama, në Çamëri.

Dylberia: - Folklori dhe këngët popullore të trevës së Çamërisë e kanë ngritur në piedestal figurën e gruas çame. I këndohet me aq pathos dhe lirizëm, saqë është e pamundur të mos dashurohesh me të tilla heroina të gdhendura aq mjeshtërisht nëpër vargje. Thuhet se të tilla janë edhe në realitet bijat e Çamërisë. A do ta ndërronit ju, Sadien tuaj shkodrane me një mirazh të tillë? Me sa dimë, nga poezia juaj, me turkeshën nuk e ndërruat.

Shefkiu: - I keni parasysh besoj ato vargjet brilante: "Hanko mos shkel nëpër varre, se të vdekurit i ngjalle, të gjallët i vdiqe fare…"

Sadia, (me të qeshur): - Aha, tani ka marrë fund Dritëroi, nuk më ndërron dot, i ka kaluar të shtatëdhjetat. Të ishte dikur, mbase edhe i prishej mendja.

Dritëroi: - Në Çamëri është Bubulina e famshme, që e mbajnë edhe grekërit, në Shkodër është Nora e Kelmendit, janë dy Nora, ndërsa në Kosovë është Shote Galica, të tria këto bashkojnë tri komplekse. Çdo grua që merr shqiptari brenda këtyre trevave, ka brënda pak Bubulinë, pak Norë dhe pak Shote. Në këtë kuptim, Sadia është edhe çame, edhe shkodrane, edhe kosovare, ndaj dhe unë e shoh si të tillë.