Dritëro Agolli
FATE TRAGJIKE
Shënime për romanin "Parajsa e mallkuar" e shkrimtarit Shefki Hysa
Shefki Hysa erdhi në letërsi me prozën e shkurtër, me tregimin dhe me reportazhin letrar, si gjithë shkrimtarët. E veçanta e tij ishte lëngu jetësor, që lëvizte nëpër indet e organizmës së gjallë të prozës, organizmë që nuk kishte asgjë artificiale, por vinte e vërtetë si natyra. Ishte kjo veçanti që bëri të tërhiqte vëmendjen e lexuesve dhe të rretheve letrare dhe të rriste shpresën në pritjen e një shkrimtari të formuar. Kështu, proza e tij e shkurtër në fillim u botua në shtypin letrar, u fut nëpër antologjira të prozatorëve të rinj dhe pastaj u shfaq në libra më vete. Doemos, ky ishte një gëzim për shkrimtarin e ri, po siç thonë, pas gëzimit ndodh që vjen edhe hidhërimi. Disa keqdashës kur panë se emri i tij filloi të dallohej nëpër shtyp e në libra, nisën të gërmojnë në biografi dhe të dërgojnë letra anonime, duke ngulur këmbë në instancat shtetërore të regjimit të atëhershëm për t'ia ndaluar botimin. Vetëm disa rastësi dhe rrethana të veçanta e shpëtuan Shefkiun nga ndalimi i botimit. Por i thonë një fjale, e keqja ndonjëherë ka edhe të mirën. Këto peripeci dhe historira, erdhi një ditë që u kthyen në material letrar. Pikërisht në romanin e ri të Shefki Hysës, "Parajsa e mallkuar", ka faqe të tëra autobiografike, të përshkruara herë me dhembje dhe herë me sarkazëm dhe zemërim. Këto ia shtojnë dramacitetin romanit dhe ia mbajnë të ngrehur tensionin, megjithëse herë pas here shfaqen përshkrime, ku tendenca është e hapur si në një pamflet. Dhe është e natyrshme që romani bashkëkohor shpesh anon nga eseja dhe jo rrallë edhe nga pamfleti. Kur ka një ekuilibër të drejtë mes rrëfimit dhe arsyetimit eseistik, atëherë kemi të bëjmë me një prozë të vërtetë. Në të kundërtën, kur ky ekuilibër prishet dhe materia i nënshtrohet arsyetimit pamfletist, atëherë proza kthehet në publicistikë; ndërsa kur anon nga rrëfimi, kthehet në përrallë. Këtij rreziku romani i Shefkiut i ka shpëtuar dhe ka dalë një vepër interesante edhe në mendim, edhe në arkitekturë.
Në vështrimin e parë romani të duket se jep jetën e një province të humbur në mes të maleve, provincë me ngjarjet dhe me njerëzit e saj të mirë dhe të liq, të dashur dhe sadistë, shpirt demokratësh dhe zemër tiranësh. Por, duke menduar, shpejt zbulon se romani merr karakteristikat e një vepre simbolike. Në miniaturë pasqyrohet një vend i izoluar, ku zotërojnë ligjet e egra të tiranisë me të gjitha mekanizmat e saj, ku mungon liria e fjalës dhe e mendimit dhe ku njerëzit jetojnë në ankth e në frikë. Mishërim i tiranit këtu është figura e Babëlokut, i cili bën ligjin dhe vendos mbi fatin e njerëzve. Autori, duke e shpënë këtë personazh në situata të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, u ka shpëtuar skemave të trajtimit bardhë e zi dhe ka pasqyruar një figurë komplekse. Në çaste të veçanta shfaqen tek ai edhe shkëndija njerëzore në pamjen e bamirësisë tradicionale. Por, në mënyrë krejt të natyrshme, autori edhe këto shkëndija njerëzore ia jep këtij personazhi për t'ia rritur autoritetin. Dhe vërtet njerëzit e krahinës duket sikur pëshpërisin: "Babëloku bën edhe të mira". Kjo është një gjetje artistike mjaft e goditur dhe mjaft interesante, që e pasqyron me vërtetësi figurën e një sundimtari përmes këtij Babëloku provincial.
Ngarkesa e romanit me ngjarje dhe me fate tragjike nuk e ka humbur dëshirën për të jetuar dhe dritën e perspektivës. Dëshira për të jetuar dhe drita e perspektivës mishërohen në figurat e Xhekit, miqve të tij dhe veçanërisht vajzave dhe grave, të cilat janë përshkruar me ndjenjën e një lirizmi të këndshëm dhe me një dashuri njerëzore. Të gjitha këto janë në kontrast me rrethanat e zymta, kur jo rrallë ndjehet ulërima e lukunisë së ujqëve me dy këmbë, por edhe drejtpërdrejt me katër këmbë. Dhe nuk mund të rri pa përmendur këtu një fakt artistik të jashtëzakonshëm. Autori përshkruan një luginë të ujqëve të uritur. Në kohë dëbore këtu Babëloku i zbriste nga makina ata që i kishte inat, i linte në mes të rrugës për të përfunduar në dhëmbët e ujqëve. Madje me këtë fakt artistik plot dramacitet autori e mbyll romanin.
"Po më linte në duart e trimave të tij. Dhe ishte ende mesnatë. M'u rrënqeth i tërë trupi dhe ndieja se po më ftohej gjer edhe zemra prej një frike të pashpjegueshme. Si duket parandjenjat po bënin të vetën. Përpiqesha të largoja mendjen prej asaj që më priste, po sa më shumë ngulmoja unë, aq më qartaz imagjinoja veten përballë lukunisë së ujqëve.
Ata do të ndalnin makinën në mes të livadhit, do të më shtynin jashtë kabinës dhe do të tërhiqeshin disa dhjetra metra prapa për të kqyrur me kënaqësi skenat e lemerishme. Unë, i mbetur vetëm në terrin e livadhit, si të vrapoja, si të rrija në vend, në pak minuta do të rrethohesha prej ujqëve. Ishin egërsira të mësuara me mishin e kundërshtarëve të Babëlokut. Do të ndieja ckërmitjet dhe hungërimat e ujqëve dhe pastaj dhëmbët e tyre do të më nguleshin menjëherë nëpër tërë trupin si dhjetra thika. Do të ulërija gjer në kupë të qiellit prej dhembjeve, po në pak sekonda lukunia do të më shqyente dhe copat e trupit tim gjithë gjak, veç e veç nuk do të ndienin më asgjë…O Zot! Më shpëto, o Zot, klitha me gjysmë zëri teksa e kuptova se po humbisja ndjenjat prej dobësisë trupore që më kishte shkaktuar hemoragjia e plagës së kokës dhe prej intensitetit të neurozës që po përjetoja… Vështrimi po më humbiste ngutaz në errësirë… Edhe trupi po më vithisej nëpër errësirë… Errësirë…"
Vërtet një gjetje artistike lakmuese.
Dritero AGOLLI
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment