Nga Sazan Goliku
KADAREJA PERSONAZH
Shënime për romanin "Robër të Paqes" e Shefki Hysës
Në një nga ditët kur Ismail Kadareja ndodhej në Tiranë, rastësisht u takova me të. Gjatë bisedës i thashë se "një shkrimtar i ri ka botuar një roman për ty". Natyrisht atij do t'i ketë ardhur mirë, po tashmë ai është mësuar të mos i shprehë menjëherë ato që ndjen. Në fytyrën e tij nuk lëvizi asgjë, vetëm tha: "Ai, së pari duhet të më pyeste mua". Për të justifikuar në një farë mënyre shkrimtarin, po dhe për të sqarur, qoftë dhe teorikisht veten, i thashë: "Nuk është fjala për një libër biografik, siç shkruhen për personalitetet e njohura të fushave të ndryshme të shkencës, kulturës, politikës, sporteve… Ai, ka shkruar një roman dhe aty jeni personazh, protagonisti i veprës. A duhet marrë leje për të krijuar një personazh, kur prototipi është i gjallë? Kadareja mu duk se nënqeshi. Në të vërtetë unë po i tregoja babait arat. Ai prej kohësh kishte ecur në atë hulli.
Në një konferencë shtypi me intelektualët e Tiranës, pyetjes për këtë roman, I.Kadareja iu përgjigj kështu: "…Megjithëse ka nxjerrë disa intimitete të miat, romani është shkruar shumë bukur, veçanërisht pjesa për vjeshtën e vitit 1990."
Romani i Shefki Hysës "Robër të paqes" u prit mirë nga lexuesit, po dhe nga kritika letrare, prandaj autori e pa të arsyeshme ta ribotojë të ripunuar.
Duke lexuar këtë roman, padashur të lind pyetja: Çfarë tipologjie i përket? Kemi të bëjmë me romanin aventuror, romanin fejtonistik, romanin pikaresk apo thjesht me një roman biografik? Autori, edhe pse synon të mbetet deri në fund realist, ai ka mundur të ndërthurë elemente të këtyre tipeve romanesh, pa u identifikuar me asnjerin prej tyre. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga sekretet e origjinalitetit tipologjik e kompozicional të këtij romani.
Shkrimtari dhe njeriu në raport me diktaturën, e cila shtyp e deformon vetëdijen e individëve dhe të personaliteteve dhe i bën të krijojnë zhguaj mbrojtës për të ekzistuar, por ngjall tek ata edhe shpirtin e revoltës. Fakti, që dy personazhët ku mbështeten këmbëzinat e zhvillimit të subjektit janë dy të rinj, dy artistë, dy ardhurues për të mos thënë të dashuruar pas artit të Kadaresë, është sa kuptimplot aq dhe i motivuar nga ana botëkuptimore e psikologjike. Të rinj, me intuitën e dëshirën për të zbuluar e përqafuar çdo element të ri, bashkëkohor e modern në letërsi e në art, po dhe në prirjet e mendësinë që sado pak ndryshonin nga botëkuptimi zyrtar i diktaturës që vetëquhej marksiste, ata dy djem mishërojnë në vetvete mugujt e një fryme të re liberale edhe pse të pakonkretizuar e të pashprehur në mënyrë eksplicite, nga vetë kushtet e rrezikshme, aq më tepër në provincë.
Kompleksiteti i figurës së Kadaresë si shkrimtar e si njeri është baza e dramacitetit tronditës të romanit. Ky tipar shtjellohet e zbërthehet nga gjykimet e vlerësimet e dy djemve, të intelektualëve të ndryshëm, si dhe të përfaqësuesve partiakë e shtetërorë, gjithashtu dhe nëpërmjet krijimit e rikrijimit të skenave e situatave domethënëse, tepër të brishta dhe gati në kufijtë e tragjedisë së mundshme. Këndet e vështrimit nga "hulumtohej" shkrimtari janë antipoidale: Sigurimsat e nëpunësit fanatikë e shikojnë si armik ("Ç't’i bëjmë atij lart, pa e dimë ne çfarë do t'i punonim!"), ndërsa të rinjtë dhe intelektualët me shpirt e mendim të lirë e demokrat e quajnë "shpresën e vetme", por që edhe u vjen keq për borxhet që shkrimtari duhej t'i paguante regjimit për të mbijetuar e shkruar veprat e tij të vërteta.
Struktura e ngjeshur e këtij romani lakonik është ngjizur me përbërës jetësor e konvencional, me atmosferë absurde dhe peshë ekzistenciale, me zgjëndërr e ëndërr, me dekumentaritet gati kronikal dhe me pasqyrim trivial e hiperbolik. Këto elemente strukturore kontrastuese formësohen si ylber rrjedhës në imagjinatën e lexuesit kontemplativ dhe sidomos të lexuesit që e ka shijuar madhështinë e magjinë e artit kadarean.
Duke përfunduar së lexuar dhe faqet e fundit të romanit, nuk mund mos të të vijë ndër mënd me gjasë ideja e lashtë se çdo krijues, sado i madh qoftë, është dhe mbetet njeri.
Kur do të vijë koha që studimet historiko-letrare do të shoshitin e të nxjerrin në pah librat e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit që po kapërcejmë, besoj se dora e studiuesit të Kadaresë do të qëndrojë edhe mbi këtë roman interesant.
Sazan Goliku
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
1 comment:
"Bilal Xhaferri dhe Ismail Kadare si dy gladiatorë miq në të njëjtën qeli që regjimi i vuri të ngrenin shpatat e të dyluftonin me njëri tjetrin"... - Shefki Hysa -
Post a Comment