Nga Matin Mato
MOR ZOT…
- Tregim -
…të këtillë kishin ardhur dhe të tjerë, por këta erdhën pa u ndjerë atë natë me shi. Vetëm kur i pamë në dhoma, të tjerë dëgjuan ulurimat dhe u larguan më parë. Për pak kohë fshati ish në duart e tyre. Ata s'pyesnin, vetëm vrisnin, mor Zot... dhe mori frymë thellë…
Ata e hidhnin djepin me gjithë fëmijë në zjarr. Qëllonin me pushkë edhe kur gryka puthitej mbi mish. Por ne shpëtuam se e njihnim me pëllëmbë atë vend. Ne ik, ata ndiq. Burrat mbetën pas, të na mbronin. Dhe burrat s’i pamë më, as së gjalli, as kufoma e as eshtra... Ne ecnim e ata ndiq. S'kishim nga të venim o në humbnerë, ose malit përpjetë. E donim veten, shpresonim ende, ndaj iu ngjitëm malit. Por iu ngjitëm varrit se dolëm mu në shenjë të tyre. Shënjestrën e kishin të hollë, kërkonin veç djepet në kurriz. Vrisnin jetën, kërkonin veç djepet mbi kurriz. Vrisnin jetën, mor Zot… Nuk dinim ku shkonim në terr me nga një pishë në dorë që bënte një metër dritë nën një shi me kokrra breshëri e plumbash…
Atë natë u gdhimë në një shpellë dhe të nesërmen filluam të kërkonim burrat, kurse uria na kërkonte ne. Nga dreka nisëm ca gra. U kthyen pasdite dhe na thanë se kishin hyrë fshehtazi në fshat, por zë s'dëgjohej. Si hëngrëm bukë, u nisëm të zbrisnim: Na pritën me pushkë, por se nga u gjetën një grup tjetër nga tanët që na shpëtuan. Duket atë natë kishin humbur nga ne. Sekush për kokën e vet, mor Zot…
Kushedi sa kohë kaluam ashtu, ndonjë muaj a ku ta di unë: Me lakra e barishte, me të vjedhur. Vidhnim bukën tonë. U bëmë hajdutë për shtëpinë tonë. Dikur vendosëm të ktheheshim ja gjallë, ja të vdisnism për së gjalli. Vumë gratë përpara dhe ata pak burra i lamë. S'kishim më burra, mor Zot... Dhe fëmijët, më të shumtit, na i vranë. Atë deshën ata, t’ia prisnin degët lisit, ta shkulnin me gjithë tokë…
U kthyem në fshat, dielli i sapo dalë, pak po nxehte. Vajtëm derë më derë, gjithë-gjithë i kishin zënë, kishin sjellë të tyret. Oxhaqet nxirrnin ende tym, gardhet ende mbaheshin. Qentë më s'na njihnin, s'kishin faj, s’qenë tanët. Por dita ish e gjatë dhe dielli me ne: Pushkë nuk nxorrën, por qëlluan me ç’u vinte mbarë. S'lamë derë pa trokitur e njeri pa lutur dhe asnjë s'na qasi. Gjer sa pati dritë bëmë një kasolle, atje në të dalë të fshatit. I morëm dhe burrat, por s’i nxirrnim jashtë. Ruanim jetën, mor Zot...
Ishim bërë dy botë, atje tej e butë, lart tek ne e djerrë. Por bukë aty bëmë, mbanim veten gjallë. Dikur folëm dhe me ta, në fillim nisëm gratë e vjetra, pastaj burrat. Ata donin krah për punë, kurse neve bukë e rrobe. Donin burra, por panë veç gra të plakura. Burra mbanim poshtë, djemtë lart në shpellë e veç plaka çonim për punë. Të rejat vetëm rreth shtëpisë me një thikë fshehur mirë në brez…
Tokat tona i punonim mirë dhe, sipas zakonit që kishim patur, u hidhnim nga ato të bërat e kafshëve që i mblidhnim pyllit. Ndaj bënin dhe mirë, mirë bënin dhe gratë. Dasma nuk bënim, por jetën e lidhnim, të mos na ikte duarsh, se jetonim me vdekjen pranë…
Por kjo u shtoi zilinë, filluan të na humbnin tanët. Na i zhduknin ata. Dhe numëronim lugët çdo mbrëmje, çdo darkë. Dhe ne filluam të bënim të njëjtën gjë. Nisëm kështu një luftë të heshtur. Por asnjë palë s’i kërkonte të humburit. Ne s'zhdukeshim kollaj, dinim si të mbroheshim dhe vajzat tona i kishim të mbara e pjellore…
Por erdhi ai vit, mor Zot, kur toka u zhurit, u bë trokë fare. Atje tej u tha, s'kish më ujë lumi. Ne mbushnim larg nëpër burime, po na këputeshin krahët: Gjithë ditën ujë, ujë dhe ujë dhe vetëm ujë. U ngritën një natë të na i digjnin të korrat, por ne i ruanim. Ish jeta jonë, ndaj s'mund t’i linim. Na vranë dhe i vramë. Tanët i varrosnim me gjithë zakonet e vjetra, megjithëse ishim më të varfër. Të nesërmen i gjenim të zhvarrosur. Na thoshnin: "Jeni pa dhe", mor Zot. Na thanë "të padhe" përmbi tokën tonë…
E morën vesh djemtë atje lart në shpellë dhe zbritën poshtë. U ngritën të rejat me ura zjarri, u nisën edhe pleqtë bashkë me ta. U munduam të mbanim djemtë, ne gratë e vjetra, s'na pyeti njeri. U nisëm edhe ne. Ata kishin pushkë, ne më shumë dhimbje dhe urrejtje bashkë. Na vranë shumë, mor Zot... Por s'ktheheshim prapa, as mund të ktheheshim: Ata me pushkë, ne me caki në duar, kurrë s'mund të ktheheshim pas, kishim fëmijë: o mor Ti, Zot...
Dogjëm çfarë gjetëm nga themelet gjer në çati. Ishin shtëpitë tona ndërtuar me këto duar. I dogjëm dhe s'lamë njeri nga gjithë rraca e tyre…
Ja për këtë na sollën këtu, mor Zoti Gjykatës...
Martin MATO
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment