Friday, December 21, 2007

Replikë e detyruar

ATA QË VRISNIN DJE DUAN TË VRASIN EDHE SOT…
(Po të mundin)

Dashur pa dashur, ndonjëherë, je i detyruar të replikosh edhe me ata që nuk e meritojnë, me fantazmaat e anonimshkruesve të djeshëm, të cilët, aty këtu, janë ringjallur si kokudhë e lugatë dhe shpresojnë të rihyjnë në jetën tonë. Mos u çudisni se hijet e ferrit nuk i mban përbrenda as dheu, por i jashtëqit. Dhe atëherë njerëzimi detyrohet t’u gjejë vendin si gjithë jashtëqitjeve, për t’i shpëtuar shqetësimit që të sjellin. Kjo replikë, arsyet e së cilës do t’i shpjegoj për hir të opinionit shqiptar dashamirës të figurës së shkrimtarit të shquar disident Bilal Xhaferri, zë fill prej një letre anonime të futur tinëzisht që poshtë derës në zyrën e Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri". Një letër tejet qesharake dhe banale si anektodë e dalëboje, një synim donkishotesk si vetë ata që e sajuan. Të bën të qeshësh, por edhe t’i thërrasësh kujtesës për të riparë të kaluarën dhe përfytyruar saktë të ardhmen.

Mbi një zarf me shkrim të llahtarisur, si heroglifët e mijëvjeçarëve të shkuar, shkruhej: "E merr "Krietari i Shoqatës Kulturore Shefki Hisa" nga një grup njerëz të tija"...

Megjithëse është ca e vështirë për mua për ta rishkruar atë idiotësi anonimësh, por edhe për juve për ta kuptuar, do të mundohem t’i qëndroj besnik edhe paraqitjes së tekstit të letrës anonime; titulli:

"të gjallët nuk do i kurs emrat me titull i do dhe eshtrat e të vdekurve i pëlqejnë për interesa.

Z. Shefki Hisi, të falenderojmë për veprimtarinë dhe ngritjen në piedestal që i bëre Bilal Xhaferrit (se mos të ishte lindur ti as nana e Bilalit nuk do kishte bën djal Bilulin) pranoi të japim këtë titull tiaj… dhe Bilali duhet të ketë lindur në Shalës dhe jo në ninat në një familje patriotike kombëtare 200 vjet më parë që nga Hasan Tasini dhe Bilal Hoxha i par kryetar i vilajetit të Janinës dhe gjyshi i Bilalit të dit patriot i pari që ka hapur shkollën par në ninat ose Xhaferr Ferik Hoxha antikomunist i vendosur deri para plumbit dhe tha të rroj Shqipëria, ose Bilal Xhaferrit ytë që ka lindur në Shalës në Hisajt tuaj (meqenëse ti more vesh që u privatizua pasuria kombëtare e gjithë Shqipërisë ti provatizove Bilal Xhaferrin që isht një njeri kombëtar, pasuria jote është e pavdekur) vetëm të lutem do t’i ndryshosh mbiemrin, që dhe neve njeriut e tij mos të marrim pjes. Megjithëse neve jemi analfabet, dhe neve nuk bëm universitet si puna jote, që ishi i persekutuar dhe gazetar i Zërit të Popullit deri në nëntëdhjetën që shkruaje për rinin e konispolit në koperotië në bibliotek personale të Enver Hoxhës dhe me vulën tënde. "Biblioteka – Shefki Hisa" që neve e kemi sot në shtëpi, dhe në (’91) more vulën e shoqatës Bilal Xhaferrit.
do lutemi shum çke bër në emër të Bilal Xhaferrit të mira ose të liga hiq dor me koh të mir se do ta paguash me kok dhe mos u mer me emrin e tij se e ke mbushur kupën që në Amerik e deri këtu. Lëre me kaq.
mos bën gabim të vesh në Amerik se po të paralajmëroi se nuk do kthehesh prop në Shqipëri që të mrresh me jetën e Bilalit. Në Amerik të vesh por jo për Bilalin, se Bilali nuk e ka filluar jetën në Amerik por në Shtëpin e tij që në mituri, se Amerika është e fundit dhe nuk dalin në ekran të Tiranës ata që vrasin natën dhe të qajn ditën se jetën e Bilalit e dim vet ne dhe nuk ka mbetur në dorën tënde të jap porosi të lutemi shum shum shumi mos u merr me fakse dhe mos bën plane se do ndodh ndonjë fatkeqësi të heqish emrin e shoqatës Bilal Xhaferri veri një emër tjetër dhe mbaje shoqatën"...

Kaq shumë t’i ketë shqetësuar shkrimi "I njohuri i panjohur Bilal Xhaferri", fakte dhe të dhëna të reja, i botuar në RD-në e datës 27.12.1995 prej Shefki Hysës, shkrim i cili hidhte dritë pjesërisht mbi dosjen që i kishte sajuar Bilal Xhaferrit ish diktatura komuniste me veglat e veta për ta burgosur, si dhe për abuzimet me krijimtarinë e tij prej disa pseudomiqve të këtij shkrimtari të shquar disident, të cilit i nëpërkëmbën si jetën dhe veprën? Kaq shumë janë irrituar saqë të kërcëllijnë dhëmbët si dikur, në kohën e tyre dhe të kërcënojnë për vdekje? Ende kujtojnë, këta nostalgjikë, se mund të bëjnë ç’të duan me jetët e të tjerëve, siç bënin dikur?!…

Thirrini mendjes ju, o "miq", se kanë perënduar përgjithmonë kohët tuaja. Shefki Hysa jetën e ka dhuratë prej Zotit dhe do t’ia blatojë atij vetëm kur të jetë e shkruar, siç shprehet populli.
Së pari, mësoni, o "njerëzit e mi", se Shefki Hysës, gjatë regjimit diktatorial, prej komunistëve trima si Veiz Bajo e kompani, i janë bërë me dhjetëra e dhjetëra letra anonime. Po të shfletosh arshivat e ish institucioneve të Partisë së Punës nga baza e gjer në Komitetin e saj Qendror, në arshivat e ish gazetave të socializmit e në veçanti nëpër arshivat e "Zërit të Populllit", do të gjeni letra nga më fantastiket për biografinë e keqe të të deklasuarit Shefki Hysa, i cili na qenkësh nipi i një xhaxhai nacionalist të pushkatuar prej Partisë Komuniste që në vjeshtën e 1943. Gjyshi i Shefki Hysës na paskësh qenë beu më i madh i Shalësit që na i paskësh pirë gjakun fukarasë, etj., cilësime prej atyre që dinë të pjellin vetëm mendjet tuaja…

Bukur! Me sa duket edhe sot vazhdoni ta ruani formën tuaj kriminale: pasqyra e saj letra që dërgoni në shenjë kërcënimi.

Dje, ju, shokë komunistë, për interesat e Partisë së Punës më degdisët për gati 10 vjet sa në tunelin e Sasait dhe nëpër kanalet që betononte ndërmarrja e bonifikimit e Sarandës, sa në Vrinë, në malet e Theollogos, në Kalasë, në Janjar e gjetkë ku e lypnin veprat e pesëvjeçarëve tuaj). E degdisët gjithandej të deklasuarin Shefki Hysa, megjithëse letrar i talentuar që premtonte. Juve ju interesonte vetëm lufta e klasave dhe jo dhuntitë e djemve si Shefkiu, të cilit, për çdo shkrim që arrinte të botonte, ju i turreshit me letra anonime dhe ia hiqnit të drejtën e botimit si bashkëpunëtor i padenjë për ish gazetat tuaja komuniste.

Vetëm pasi mundi të siguronte dokumentat arkivale rreth së vërtetës së gjyshit të vet demokrat, një ndër financuesit e Luftës së Vlorës më 1920, nolist më 1924 dhe i burgosur në burgun e Lezhës më 1927 si antizogist, dhe vetëm pasi u vlerësua realisht edhe puna e mirë e babait të tij, mësues për shumë vite qysh prej 1949, komunistët u detyruan të bënin lëshimin e parë ndaj Shefki Hysës. Me rekomandim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe falë ndihmës së disa dashamirësve të krijimeve të tij me një frymë të re lirike, Shefki Hysa mundi të fillonte Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në degën e gjuhë-letërsisë, më 1985, në moshën 28 vjeçare, i kërcënuar herë pas here prej anonimshkruesve për ta përjashtuar nga shkolla. Le ta mbarojë shkollën se e kemi në dorë t’ia heqim kokën kur të duam, i qetësonin shefat komunistë mllefet e anonimshkruesve…

Më 1989 Shefki Hysa mori pjesë në konkursin e organizuar prej Bashkimit të Gazetarëve, doli ndër më të mirët, mirëpo shefat e gazetave si "Zëri i Popullit", kur shfletuan dosjen e tij dhe mësuan për xhaxhanë e tij antikomunist të pushkatuar, nuk ngurruan për ta degdisur në Bulqizë, pa e përfilluar përsëri talentin e tij.

Në vjeshtën e vitit 1990, kur po shembej miti i pathyeshmërisë së Partisë së Punës, megjithëse u përpoq shumë ish Kryeredaktori i ZP, zoti Spiro Dede, dashamirës i letrarëve, për ta sjellë Shefki Hysën prej Bulqizës në gazetë, nuk ia arriti dot. Ngrihej ende e frikshme hija e xhaxhait antikomunist të pushkatuar midis Shefkiut dhe figurës së militantit të Partisë së Punës.
Do të duhej të shpërthente lëvizja demokratike dhe për herë të parë në fillimet e vitit 1991 Shefki Hysa mundi të punësohet, ashtu siç e kishte ëndërruar gjatë në një gazetë demokratike, në gazetën "Çamëria", më vonë kryeredaktor i gazetës "Dielli" e pastaj drejtues i Shtëpisë Botuese "Bilal Xhaferri" dhe Shoqatës Kulturore "Bilal Xhaferri".

Çudi se si nuk i mësuat këto ju, "miqtë e mi" komunistë, nëpër arshivat tuaja, para se të më përkushtoheshit me aq konsideratë? Apo mos vallë ua keni shkundur ashtu shkaraz pluhurat letrave anonime të mëparshme dhe duke kërcëllirë dhëmbët me çudi përfytyruat gabimin që bëtë dikur, në një moment dobësie, duke më hapur një deriçkë për në Universitet?! Shpresuat ndoshta që Shefki Hysa të harronte ferrin nëpër të cilin e degdisët rininë e tij dhe të rreshtohej në armatën tuaj?! Ju paska rrëshqitur për duarsh "djali plangprishës" dhe u rikujtuat për ta kërcënuar, këtë herë si "kokë turku?!"…

Thotë një fjalë e urtë se qëllohet me gurë dardha dhe jo plepi. Pra, na u desh letra juaj, or "miq", që Shefki Hysa të kuptojë se qenka dikushi dhe se koka e tij na vleka sa një thesar! Merret vesh se ish i persekutuari na i paska rregulluar kartërat me ata të Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe e paska privatizuar tërësisht figurën e Bilal Xhaferrit. Ashtu me korrupsion dhe jo në ankand! Nuk la gur pa lëvizur 5 vjet radhaz, duke trokitur në të gjitha dyert e insitucioneve demokratike, gazetave, RTSH, Parlamentit dhe Presidencës. Bëri për vete jo vetëm parlamentarët, por edhe Kryetarin, Pjetër Arbnorin dhe Presidentin, duke u premtuar se, pasi të hipotekonte në emrin e vet gjithë pasuritë e figurës së Bilal Xhaferrit, do t’u jepte "pjesën" edhe atyre. Edhe Qeveria Meksi duhet të ketë gisht në këtë lloj "privatizimi", sepse ishte pikërisht kjo Qeveri që akordoi fondet për të kthyer eshtrat e Bilal Xhaferrit prej SHBA dhe jo pak po 10 mijë dollarë, duke i krijuar kështu rrethana lehtësuese synimeve të Shefki Hysës. Pra, duhet të hapin llogari edhe Pjetër Arbnori, edhe Meksi dhe në veçanti Presidenti Berisha, që nuk dekretuan daljen në ankand të figurës së Bilal Xhaferrit që të favorizoheshin edhe "blerës" të tjerë të kësaj pasurie të paçmuar kombëtare, jo vetëm një farë ish i persekutuari Shefki Hysa. I persekutuar dhe me Universitet! Madje, ky farë Shefkiu nuk çau kryet as për tërë ato pasuri që i ka lënë trashëgim gjyshi në fshatin Shalës të Konispolit: troje me ullinj, kullota e dhjetëra e dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Mjaft që të fitonte pasurinë – "Bilal Xhaferri"! E ç’janë pasuritë e trashëguara prej gjyshit përpara pasurisë që do t’i sjellë së shpejti prej Amerikës shpirti krijues i Bilal Xhaferrit? E përfitoi atë pasuri fare lirë me ndërhyrjet dhe favoret e demokratikes dhe do t’ua "shesë" të tjerëve për miliona e miliona! Edhe për këto do të vijë dita që të japë llogari vetë Berisha. I dhanë pothuajse falas tërë atë "pasuri" Shefki Hysës! Në një kohë që po ta kishin nxjerrë në ankand, mund ta privatizonin edhe komunistët. Më kot i ruajnë skutave paret e tyre ata?! Do të kishte përfituar edhe buxheti i shtetit më shumë prej ankandit, por, me sa duket, shteti demokratik paska alergji edhe për paret e socialistëve. Një shenjë tjetër kjo e shkeljeve të lirive dhe të drejtave të njeriut prej këtij shteti. O burra, të njoftojmë organizmat e Këshillit të Europës, NATO-s dhe OKB-së. Mbase e detyrojnë bota Shefki Hysën që të heqë dorë prej figurës së Bilal Xhaferrit. Në të kundërt e di vetë se ç’e pret. E thotë dhe anonimshkruesi…

I kërcënuar dje Shefki Hysa prej jush, i kërcënuar edhe sot. Kaq shumë na e dashkeni tashmë "pasurinë – Bilal Xhaferri", saqë, për hir të saj, jeni gati të rivendosni dhëmbët e vampirësve për të kafshuar jetë njerëzish?

Përse vallë u kujtuat për Bilal Xhaferrin vetëm në vitin 1996, pesë vjet më vonë prej ditëve kur Shefki Hysa dhe intelektualë të tjerë filluan veprimtaritë botuese kulturore, me Shtëpinë Botuese "Bilal Xhaferri", për ta lartësuar figurën e këtij shkrimtari të shquar desident prej humnerave ku e kishit flakur ju, vegla qorre të ish diktaturës? Përse heshtët gjatë kësaj periudhe dhe u rishfaqët si hije sot?! Mos vallë shpresoni në rikthimin e kohëve tuaja të ferrit tuaj komunist?! Vazhdoni, vazhdoni të "ëndërroni"! Por ju nuk jeni veçse vampirë të errësirës…

Sheffki Hysa

No comments: