Wednesday, March 19, 2008

MURGA

Aty nga fundi i muajit gusht të vitit 1944, e gjithë fusha e Vasilikoit ishte mbuluar nga çadrat e muhaxhirëve çamë. Vapa e atij viti s’mbahet mend. Tërë ditën nga juga frynin erëra të nxehta. Ato sillnin me vete flakët e Çamërisë së djegur e i shpërndanin luginave. Ditën kampi i muhaxhirëve ishte si i platitur nga vapa, dukej si i pajetë. Porsa binte mbrëmja, në kamp fillonte jeta. Edhe erërat e ndryshonin drejtimin. Deti Adriatik fuste në detin Jon erërat e freskëta kontinentale që i sillte tutje nga Alpet, e Joni i shpërndante luginave.
Vajzat e nuset e reja mblidheshin tek kroi i Vasilikoit për të mbushur ujë. Plakat mblidheshin përpara çadrave, pinin kafe elbi e përmbysnin filxhanët. Netëve të gushtit mbi luginën e Vasilikoit varej hëna si një medalion i argjendtë në gushën e nuses e yjet digjeshin në fshehtësi si dashuri e vajzave çame.
Në xhade, mbi kampin e muhaxhirëve çamë, kalonin autokolonat gjermane që vinin nga Greqia. Ato shkonin gjithmonë drejt veriut. Tutje nga Mesdheu vinin ca gjëmime të thella. Qëllonin kryqëzorët. Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar. Vonë mbi kamp përhapej melodia e trishtë e një fyelli. Bariu ia merrte melodisë baritore ; "Tanë, Tanë, kako Tanë". Murga ngrinte kokën nga hëna e niste e ulërinte, Au-u! Auu!
- Hëngërsh kokën tënde! Hëngërsh kokën e tët zot, - murmurisnin muhaxhirët çamë kur dëgjonin ulëritjet e Murgës.
- Kushedi ç’fatkeqësi tjetër na ndjell, - thoshin ata me njëri-tjetrin.
Murga ishte bushtra ime. Vetëm unë dhe ajo kishim dalë të gjallë nga fshati. Dhe unë e dija, që Murga nuk ndillte asnjë fatkeqësi. Ajo ishte bushtra e stanit. Ajo qante për delet dhe për bariun. Kushdo që më shihte nga muhaxhirët, më thoshte: "Vraje atë bushtër ogurzezë, se po s’e vrave ti do ta vrasim ne".
Unë e Murga flinim jashtë, s’kishim çadër. Unë shtrihesha në bar. Murga më vinte te koka dhe angullinte me ngadalë, duke tundur bishtin. Kur dilte hëna mbi luginë e mbi kamp, përhapej melodia e trishtë baritore. "Tanë, Tanë, kako Tanë"! Murga ngrinte kokën nga hëna dhe niste e ulurinte, Auu-u ! Auu-u… Muhaxhirët çamë i pllakoste tmerri.
Kur zgjohesha natën nga ndonjë ëndërr e frikshme, Murga më vinte te koka duke angullirë e duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte: "Fli, mos u tremb, se më ke mua këtu"! E unë flija përsëri i qetë.
Një natë u çova i llahtarisur nga gjumi nga një ëndërr e frikshme. Murga nuk ishte si çdo natë te koka ime. U tmerrova. Isha mësuar me të si me një njeri timin të afërt. E ndolla duke i vërshëllyer dhe duke i thirrur: "na Murga, na".
Po asnjë përgjigje. E kërkova kaçube më kaçube e hendek më hendek duke i vërshëllyer e duke i thirrur, "na, Murga, na". Por asnjë përgjigje.
Në xhade, mbi kamp, s’kishte pushuar zhurma e autokolonave gjermane që vinin nga Greqia e shkonin drejt veriut. Tutje nga Mesdheu, vinin gjëmimet e kryqëzorëve. Lufta e Dytë Botërore vazhdonte.
E kërkova ditë me radhë Murgën, por askund nuk e gjeta. Sikur u hap dheu dhe e përpiu. Kur pyesja ndonjë muhaxhir se mos e kishte parë bushtrën time, ai më përgjigjej: "Paska ngordhur! Mirë e gjeti, se ajo ishte ogurzezë"!
- Do të ma ketë vrarë ndonjë nga muhaxhirët, - thosha me vete.
Isha shumë i mërzitur, nuk e kisha më pranë Murgën time.
Netët në kampin e muhaxhirëve çamë, atje në fushën e Vasilikoit, përsërisnin njëra-tjetrën. Të trishta e monotone.
Një natë vendosa dhe u nisa për në Çamëri. Udhëtova fshehurazi natën, vetëm.
Kur arrita në fshatin tim, ishte vjeshtë. Vjeshtë e vitit 1944 në Çamëri.
Përroi i Çafallinjve nxinte nga korbat.
- Këtu do t’i kenë vrarë, - thosha me vete.
- Krrok, krrok! - krokitnin korbat, duke tundur krahët, si re të zeza mbi kokën time.
"Ja një dorë e vogël. Mos është e Esmasë, e motrës së vogël. Ja dhe një kokë me gërsheta të gjata. Mos është koka e nanës", - thosha me vete.
- Krrok! Krrok! - krokitnin korbat duke rrahur krahët si re të zeza mbi kokën time.
- Ja dhe një…
- Krrok!… e humba.
Këmbët më tërhoqën instiktivisht drejt shtëpisë sime. Tek porta m’u duk se më doli nana përpara me tumanë e jelek. Në kokë kishte një mandile me oja. Më hodhi duart në qafë.
- Më kish djegur malli, robinëz e nanës, - më tha.
U përmenda. Një qen kockë e lëkurë më kishte hedhur këmbët e para mbi supe dhe më lëpinte e më merrte erë duke angullirë. E njoha. Ishte Murga.
Nga furra e rënuar në vorua dolën ca këlyshë të vegjël dhe i ngjitnin buzët në gjinjtë e fishkur të Murgës.
E kuptova pse kishte ikur Murga e më kishte lënë vetëm atje në kampin e muhaxhirëve çamë në fushën e Vasilikoit. Ajo ishte mbarsur dhe donte t’i lindte këlyshët në vendlindjen e saj.
Murga ishte e uritur. Nxora nga xhepi ca kore buke të thatë dhe ia hodha. Ajo përtypte koret e bukës dhe më shikonte në sy sikur të ishte njeri. Këlyshët lëshuan sisët si lapa të Murgës dhe erdhën tek këmbët e mia dhe më lëpinin.
Unë i përkëdhela këlyshët dhe u nisa. Murga më vinte pas duke u fërkuar pas meje, duke angullirë me ngadalë dhe duke tundur bishtin. Mua më dukej sikur donte të më thoshte:
- Më fal që të lashë vetëm.
Pastaj në të dalë të fshatit, Murga u ndal. Më hodhi këmbët në supe, më lëpiu, më mori erë dhe u ul në bisht duke angullitur me ngadalë, sikur më thoshte:
- Më fal se kam këlyshët të vegjël e s’mund t’i lë vetëm…
Kur kalova në një qafë, Murga nuk dukej më, dëgjova ulëritjen e saj:
- Au-u! Au-u!…
Këtë ulëritje e mbytën ca gjëmime të thella që vinin tutje nga Mesdheu.
Lufta e Dytë Botërore ende nuk kishte mbaruar.

Bedri Myftari

Shqiponjë në horizontet

e letërsisë shqiptare

Mbresa nga jeta e shkrimtarit e kritikut Sokol Jakova

Besoj se shumica e shqiptarëve e njohin. Jo personalisht si njeri. E njohin si shkrimtarin e dashur të fëmijërisë së tyre. E njohin si krijuesin e shumë personazheve që u kanë ndezur imagjinatën me bëmat dhe aventurat në një botë çudirash nga ato që i kanë aq qejf dhe që i ëndërrojnë aq shumë fëmijët. E njohin si krijuesin e Mirash Guximtarit që guxon e sfidon sa e sa të papritura në një botë sa reale dhe imagjinare dhe u shton fëmijëve dëshirën për t’u bërë heronjtë e së ardhmes së Shqipërisë. Ky është shkrimtari Sokol Jakova që shfaqet në horizontin e letërsisë shqiptare si një shqiponjë luftarake e dalë prej botës plot kureshtje të librave të tij. Një shqiponjë e dashur, sidomos për lexuesit e moshave të reja dhe për adoleshentët.

Sokoli u lind në Tiranë më 18 qershor 1948. Ai është një ndër shkrimtarët shqiptarë më në zë të brezit të vet, sidomos për fëmijët. Sokoli është shquar edhe kritik letrar shqiptar e puplicist në fushën e studimeve për për problemet e letërsisë shqiptare ndër vite..

Sokol Jakova i përket një familjeje intelektuale shqiptare të shquar që merrej me artin dhe letërsinë. Babai i tij është shkrimtari dhe dramaturgu i njohur, Kolë Jakova. Sokoli është arsimuar në vendlindje, në Tiranë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. U diplomua në vitin 1970.

Në vitin 1971 Sokoli nisi punë në redaksinë e letërsisë për fëmijë në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", ku punoi për katër vjet. Kësaj periudhe i përkojnë edhe shumë nga krijimet e tij, veçanërisht disa nga librat e tij të parë si përmbledhjet me tregime "Shoqet" (1972), "Zari me një vesh" (1972), "Një ngjarje te Kroi i Nuses" (1973), "Nëna e partizanëve" (1974). Pra, puna si redaktor në shtëpinë botuese jo vetëm i shtoi vullnetin për krijimtarinë letrare, por ia mprehu penën për të realizuar vepra edhe më të bukura gjatë tërë jetës.

Në vitin 1974 Sokol Jakova, tanimë krijues i pjekur, u transferua në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ku punoi për disa vjet radhaz, deri më 1979. Fryt i kësaj pune janë disa punime shkencore studimore në fushën e prozës së shkurtër si "Parime të ndërtimit të figurave në tregimet tona", "Tipare të zhvillimit të tregimit në vitet 45-60", "Tregimi i viteve 60-70", "Zhvillimi i romanit për fëmijë" etj. Në këtë periudhë shkrimtari Sokol Jakova aktivizohet mjaft edhe me shtypin periodik të kohës, duke botuar me dhjetëra artikuj kritikë e studimorë për problemet e letërisë në tërësi dhe letërsisë për fëmijë e të rinj në veçanti.

Në vitin 1979 e më tej ai punoi në shtypin periodik për fëmijë, në revistat "Fatosi" e "Pionieri" e "Filizat". Për disa vjet ka qenë edhe kryeredaktor i revistës "Mrekullia", botuar pas vitit 1990.

Krijimtaria e autorit Sokol Jakova është e gjerë dhe e shumanshme. Ai është marrë vazhdimisht me krijimtari letrare, me publicistikë, artikuj studimorë, artikuj kritikë deri edhe me pjesë teatrale për të vegjlit. Ka shkruar në të gjitha llojet e prozës. Ka botuar romanet "Rruga e vështirë", "Dëshmitarë në tragjedi", "Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit"; novelat "E fshehta e një të panjohuri", "Mbresa nga një kohë e largët", "Fajtori përballë bishës", Në gjurmë të një krimi", "Gjaku i drenushës", "Zemërimi i piktorit të vogël" etj.; përmbledhjet me tregime "Gora", "Detyrë e vështirë", "Shokë të pandarë", "Shprishja e një zemre të njomë", "Pas provimit të algjebrës", "Zogu i Blertës" etj.

Disa nga librat kryesorë të autorit Sokol Jakova janë ribotuar herë pas here nga shtëpi botuese të ndryshme shqiptare. Ai është përpjekur të kapërcejë edhe kufijtë e kombit shqiptar me krijimtarinë e tij. Konkretisht në vitin 1996 shtëpia botuese italiane "Dinnos Editrice", në Romë, i botoi shkrimtarit Sokol Jakova përmbledhjen me përralla me motive nga folklori shqiptar "Gra, gjahtarë dhe dredharakë të pabesë", në dy gjuhë, në shqip e italisht.

Në tërësi, megjithë ribotimet, autorit Sokol Jakova i numërohen rreth 30 libra për disa prej të cilëve ai është vlerësuar edhe me çmime në konkurse të ndryshme kombëtare. Romani i tij "Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit", një ndër librat më të pëlqyer prej fëmijëve, është vlerësuar me çmimin "Mark Tuen" dhënë nga "Qendra Amerikane e Kulturës" në bashkëpunim me Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë.

Sokoli asnjëherë nuk e ka reshtur krijimtarinë letrare, megjithë vështirësitë e shumta që kanë hasur e hasin shkrimtarët në vitet e demokracisë, sidomos ata që i përkasin brezit të krijuesve të letërsisë postkomuniste. Sokoli si gjithnjë, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një ndër shkrimtarët shqiptarë më prodhimtarë. Ai është shquar sidomos në fushën e kritikës letrare realiste, në një periudhë si e sotmja kur kritika letrare ndihet pothuaj e vdekur në Shqipëri. Sokoli vazhdon të bashkëpunojë gjithnjë e më dendur me shtypin letrar, veçanërisht me revistën "Krahu i shqiponjës" dhe gazetat "Drita" e "Ndryshe". Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë". Punon edhe në Drejtorinë e Botimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Shkrimtari Sokol Jakova ka shkruar e botuar shumë libra gjatë jetës së tij, por ato më mbresëlënëset për lezuesin shqiptar janë:

"Shoqet" (1972), tregime
"Zari me një vesh" (1972), tregime
"Një ngjarje te Kroi i Nuses" (1973), tregime
Nëna e partizanëve" (1974), tregime
"Rruga e vështirë", roman
"Dëshmitarë në tragjedi", roma
"Ndodhitë e çuditshme të Mirash Guximtarit", roman
"E fshehta e një të panjohuri", novelë
"Mbresa nga një kohë e largët", novelë
"Fajtori përballë bishës", novelë
Në gjurmë të një krimi", novelë
"Gjaku i drenushës", novelë
"Zemërimi i piktorit të vogël", novelë
"Gora", tregime
"Detyrë e vështirë", tregime
"Shokë të pandarë", tregime
"Shprishja e një zemre të njomë", tregime
"Pas provimit të algjebrës", tregime
"Zogu i Blertës", tregime
"Gra, gjahtarë dhe dredharakë të pabesë" (1996), përralla, shqip e italisht, Romë etj.

I nderuar lexues, mjafton të lexosh cilëndo nga këto libra që të nxisin imagjinatën dhe të rrisin krahët e fantazisë për të fluturuar drejt një bote gjithnjë e më të mirë, si botët nëpër ëndrrra, dhe do të njohësh shqiponjën që ndryn në shpirtin e vet shkrimtari Sokol Jakova.

Shefki Hysa


Thursday, March 13, 2008

Nga Liri Hidërshaj

Diktatori

Diktat përdore,
Mashtrove si mos më mirë,
Ti haje me lugë të florinjtë,
Populli bukën njomte me kripë!…
Inagurime, shirita pa vlerë
Firmosje, u dhuroje dekorata,
Sa për sy e faqe,
Njerëzve të punëve të vështira,
Pas shpine më të mirit
Ia nxirrje sytë pa mëshirë!
Zemrat u mundove të na rrëmbeje
Me fjalët e dredhitë e tua
Dhe nuk e mendove kurrë
Se si dikur do të përfundoje?!…
Rrufetë e qiellit gjithandej i hodhe
Na le në skamje, në varfëri,
Mallkimin tonë me vete more
Si shpërblim për vrerin e zi!…
Nga Liri Hidërshaj

Lexojini dhe ju

Lexova "Sikur të isha djalë"
Të Stërmillit
Dhe u drithërova,
M’u duk vetja djalë…
Elena Kadare me librin
"Një lindje e vështirë",
Më vuri në mendime…
Homazh për Jakov Xoxën,
"Juga e Bardhë",
"Lulja e kripës",
E meriton përkujtimin…
Më zgjon dhimbje
"Rrethi i kujtesës"
Shkruar nga Diana Çuli…
Shlodhem te "Hasta la vista"
E Petro Markos…
Argëtohem tek "Udhëtoj i menduar"
I Dritëro Agollit…
Lexojini dhe ju!
Besoj, do të gjeni veten…
Do të shlodheni…
Nga Liri Hidërshaj

PIKAT E SHIUT

Nga qielli zbresin pa shkallë,
Si sumbulla lotësh valë-valë.
Burojnë nga gjiri i gjithësisë,
Herë si psherëtimat ledhatare,
Herë si zhgënjimet e dashurisë.
Kur ia behin papritur,
Bien në tokë me bubullima,
Rrëmbejnë ç’gjejnë përpara,
Gërryejnë furishëm e frikshëm,
Gurgullojnë përrenj, lumenj e dete,
Bota mban frymën e kruset në vetvete.
Kur vijnë qetë-qetë,
Si rrjedhë gëzimi prej syve të saj,
Shkrijnë dëborën e dimrit
Dhe sjellin pranverë,
Njomin buzët e zhegut të verës
Dhe sjellin bereqet.
Pikat e shiut,
Sa shumë me lotët ngjasojnë!
Shformësohen në faqet e saj
Lotët dhe pikat e shiut
E rrjedhin tatëpjetë
Herë me dufe e ngadalë herë-herë,
Derisa gjen prehje shpirti.
Kështu prehet dhe bujku
Prej pikave të shiut në verë.
Nga Xhulia Xhekaj

Të punosh me shpirt si Liri Hidërshaj

Liri Hidërshaj lindi më 14 korrik 1953 në fshatin Gjerbës të Skraparit. Ajo me punë e këmbëngulje vetëmohuese ka arritur ta ngrejë veten e saj në nivelet e elitave intelektuale shqiptare, megjithëse vjen në Tiranë prej fshatrave më të largëta të Skraparit dhe i përket një familjeje që është persekutuuar nga ish sistemi komunist. Liri Hidërshaj tanimë është një ndër shkrimtaret më të lexuara të brezit të saj dhe vazhdon të punojë për të arritur nivele të reja.

Liri Hidërshaj shkollën fillore dhe tetëvjeçare i kreu në vendlindje, kurse arsimin e mesëm e mori në shkollën "Ramiz Aranitasi", në Çorovodë. Në vitin 1977 u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin "Aleksadër Xhuvani" të Elbasanit. Menjëherë pas mbarimit të universitetit ajo filloi punë si mësuese në shkollën tetëvjeçare të fshatit Dobrush të Skraparit, ku punoi për tre vjetë, pastaj u emërua drejtore e shkollës tetëvjeçare të fshatit Kalenjas, ku punoi për shumë vite.

Në vitin 1998 Liria u largua nga vemdlindja dhe u vendos familjarisht në Tiranë. Filloi punë si mësuese letërsie në shkollën tetëvjeçare ‘Ramazan Jarani", ku dhe vazhdon të punojë. Ndërkohë u lidh edhe me gazeta të ndryshme për të botuar krijimtarinë e saj. Tani është edhe gazetare e revistës politiko-letrare "Krahu i shqiponjës".

Liri Hidërshaj ka filluar të shkruajë që në shkollën tetëvjeçare. Krijimet e saj të para janë botuar në gazetën vendore "Jehona e Skraparit" e "Tomorri" dhe më vonë në shtypin qëndror, mirëpo vetëm pas vitit 2000 iu dha mundësia të botonte librat e saj të parë në poezi e prozë. Ka botuar katër libra dhe vazhdon të përgatisë disa botime të tjera në prozë e poezi. Vazhdon të merret edhe me publicistikë. Krijimtaria e saj ka tërhequr vëmendjen e opinionit lexues shqiptar si dhe të kritikës letrare. Librat e saj që rrokin tematikat dhe problematikat e realitetit të sotëm shqiptar pëlqehen shumë sidomos nga moshat e reja, veçanërisht nga të rinjtë e shkollavetë mesme dhe universiteteve.

Liri Hidërshaj është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Midis shumë krijimeve të saj ajo ka zgjedhur dhe botuar disa tituj mbresëlënës, për të cilët janë shprehur me respekt edhe krijues si Dritëro Agolli, Sokol Jakova etj. Ja librat e saj me të cilat është paraqitur përballë lexuesit shqiptar:

"Klithmë shpirti", vëllim poetik, 2004, Sh. B. "Bilal Xhaferri";
"Mëkim shpirtëror", novelë, 2005, Sh. B. "Bilal Xhaferri" ISBN 99927-960-4-9;
"Rrëfimi", novelë, 2006, Sh. B. "Bilal Xhaferri", ISBN 99927-960-5-7;
"Pendimi", novelë, 2007, Sh. B. "Bilal Xhaferri", ISBN 978-99943-969-3-1.

Xhulia Xhekaj

PROBLEMET E JETËS SË SOTME NË LIBRIN
"PENDIMI"
Shënime për librin "Pendimi "të autores Liri Hidërshaj

Këtë radhë shkrimtarja Liri Hidërshaj në novelën e saj "Pendimi" ka vënë në qendër të subjektit të veprës problemet e sotme të mprehta të jetës shqiptare. Si të gjithë krijuesit, duke nuhatur pulsin dhe ritmin e kësaj jete, autorja, edhe si nënë, si mësuese e psikologe, mendojmë se përmes një subjekti interesant, ia ka dalë mbanë që në këtë novelë, të cilën, ju lexues të nderuar do ta lexoni, të shpalosë mesazhe sa aktuale, aq dhe humane.

Në qendër të veprës janë vënë problemet e marrëdhënieve familjare dhe të emigracionit që i ka shpërndarë sot shqiptarët nëpër botë për një jetë më të mirë, por dhe që, në njëfarë mënyre, ka zbehur edhe dashurinë mes njerëzve e sidomos të afërmve, që i ka degëdisur këta njerëz nëpër skuta të tilla aq të thella e të largëta sa edhe të humbasin. Jo më kot autorja e nis novelën me një situatë ku flitet për emisionin aq tërheqës e të kërkuar "Ku je?".

Pa dashur të zbulojmë subjektin e novelës, për të mos zbehur kureshtjen tuaj gjatë leximit të saj, mund të themi se autorja, përmes një kompozicioni të thurur me kujdes, ka arritur t’i organizojë ngjarjet e veprës në mënyrë të tillë, që, tek e lexon atë, ndien vërtet dramacitetin e jetës së sotme shqiptare dhe të problematikës së saj. Personazhet e skalitur janë realistë, karakteret e tyre shpalosen gjithnjë e më mirë gjatë veprimit të tendosur të veprës me botën e tyre shpirtërore, me veçoritë e karakteristikat e tyre të veçanta. Në këtë novelë, në krahasim me veprat e mëparshme, mendojmë se autorja ka bërë hapa përpara pikërisht në drejtim të skalitjes së personazheve, thellimit të psikologjizmit etj., çka tregon se shkrimtarja Liri Hidërshaj po arrin në fazën e pjekurisë së saj artistike. Si në një ekran filmi, lexuesi njihet me novelën "Pendimi" me figura të tilla si Andi, Albana, Roena, Leti, babai i Andit, Sofia etj., që janë realizuar me dëshirë e përkushtim nga autorja e veprës.

Në thurjen kompozicionale, autorja për ta bërë veprën tërheqëse dhe interesante, mes të tjerash, ka shfrytëzuar edhe digresionet, duke i dhënë kompozicionit formën e një mozaiku. Kjo i ka dhënë veprimit të subjektit të novelës një ritëm më të shpejtë dhe ka shmangur proliksitetin në vepër. Me një narracion, jo rallë të pasur me trope artistike, autorja ka arritur të përshkruajë në novelë situata të tilla dramatike që të mbeten ndër mend, pasi janë vërtet emocionuese dhe jetësore. Kështu mund të përmendim historinë e Albanës nga qyteti S., skenën kur i ati i Andit vjen i pirë në shtëpi nga vuajtja e madhe e shkatërrimit të marrëdhënieve familjare, historinë e Ariolës, episodin kur Andi gjendet përpara varrit të së motrës, Sofisë, në Itali dhe mbylljen emocionuese të novelës.

Ecuri tjetër e autores, në krahasim me veprimtarinë e saj të mëparshme, është edhe gjuha më e pasur, dialogu më i shkathët e më i ngjeshur, qëmtimi i detajeve dhe imtësive shprehëse.
Prandaj kjo novelë tregon se krijimtaria artistike e Liri Hidërshajt po vjen në ngjitje dhe ky është një sukses për të.

Siç përmendëm më sipër, novela lexohet me kërshëri, të ngjall emocione. Këto mendojmë se do t’i ndiejë edhe lexuesi, kur të shfletojë faqet e saj.

SOKOL JAKOVA