PROBLEMET E JETËS SË SOTME NË LIBRIN
"PENDIMI"
Shënime për librin "Pendimi "të autores Liri Hidërshaj
Këtë radhë shkrimtarja Liri Hidërshaj në novelën e saj "Pendimi" ka vënë në qendër të subjektit të veprës problemet e sotme të mprehta të jetës shqiptare. Si të gjithë krijuesit, duke nuhatur pulsin dhe ritmin e kësaj jete, autorja, edhe si nënë, si mësuese e psikologe, mendojmë se përmes një subjekti interesant, ia ka dalë mbanë që në këtë novelë, të cilën, ju lexues të nderuar do ta lexoni, të shpalosë mesazhe sa aktuale, aq dhe humane.
Në qendër të veprës janë vënë problemet e marrëdhënieve familjare dhe të emigracionit që i ka shpërndarë sot shqiptarët nëpër botë për një jetë më të mirë, por dhe që, në njëfarë mënyre, ka zbehur edhe dashurinë mes njerëzve e sidomos të afërmve, që i ka degëdisur këta njerëz nëpër skuta të tilla aq të thella e të largëta sa edhe të humbasin. Jo më kot autorja e nis novelën me një situatë ku flitet për emisionin aq tërheqës e të kërkuar "Ku je?".
Pa dashur të zbulojmë subjektin e novelës, për të mos zbehur kureshtjen tuaj gjatë leximit të saj, mund të themi se autorja, përmes një kompozicioni të thurur me kujdes, ka arritur t’i organizojë ngjarjet e veprës në mënyrë të tillë, që, tek e lexon atë, ndien vërtet dramacitetin e jetës së sotme shqiptare dhe të problematikës së saj. Personazhet e skalitur janë realistë, karakteret e tyre shpalosen gjithnjë e më mirë gjatë veprimit të tendosur të veprës me botën e tyre shpirtërore, me veçoritë e karakteristikat e tyre të veçanta. Në këtë novelë, në krahasim me veprat e mëparshme, mendojmë se autorja ka bërë hapa përpara pikërisht në drejtim të skalitjes së personazheve, thellimit të psikologjizmit etj., çka tregon se shkrimtarja Liri Hidërshaj po arrin në fazën e pjekurisë së saj artistike. Si në një ekran filmi, lexuesi njihet me novelën "Pendimi" me figura të tilla si Andi, Albana, Roena, Leti, babai i Andit, Sofia etj., që janë realizuar me dëshirë e përkushtim nga autorja e veprës.
Në thurjen kompozicionale, autorja për ta bërë veprën tërheqëse dhe interesante, mes të tjerash, ka shfrytëzuar edhe digresionet, duke i dhënë kompozicionit formën e një mozaiku. Kjo i ka dhënë veprimit të subjektit të novelës një ritëm më të shpejtë dhe ka shmangur proliksitetin në vepër. Me një narracion, jo rallë të pasur me trope artistike, autorja ka arritur të përshkruajë në novelë situata të tilla dramatike që të mbeten ndër mend, pasi janë vërtet emocionuese dhe jetësore. Kështu mund të përmendim historinë e Albanës nga qyteti S., skenën kur i ati i Andit vjen i pirë në shtëpi nga vuajtja e madhe e shkatërrimit të marrëdhënieve familjare, historinë e Ariolës, episodin kur Andi gjendet përpara varrit të së motrës, Sofisë, në Itali dhe mbylljen emocionuese të novelës.
Ecuri tjetër e autores, në krahasim me veprimtarinë e saj të mëparshme, është edhe gjuha më e pasur, dialogu më i shkathët e më i ngjeshur, qëmtimi i detajeve dhe imtësive shprehëse.
Prandaj kjo novelë tregon se krijimtaria artistike e Liri Hidërshajt po vjen në ngjitje dhe ky është një sukses për të.
Siç përmendëm më sipër, novela lexohet me kërshëri, të ngjall emocione. Këto mendojmë se do t’i ndiejë edhe lexuesi, kur të shfletojë faqet e saj.
SOKOL JAKOVA
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
1 comment:
Të lumtë pena Sokol!
Post a Comment