Faik Teodori - miku i çamëve
1
"Unë e kam nusen çame dhe është që të betohesh për kokën e saj"…
"Miqtë më të mirë të mi janë çamë. I kam provuar disa herë e asnjëherë nuk ma kanë ndryshuar mendimin për ta"…
"Kam një fqinjë çame dhe shkojmë shumë mirë"…
"Kur kam qenë në një dasmë çame jam çuditur se sa bukur kërcenin ata. Se sa mirë na kanë pritur. Nuk kisha parë kurrë një dasëm të tillë kaq të ngrohtë"…
"Kam lexuar një libër për Çamërinë dhe jam çuditur kur mësova kaq shumë gjëra që nuk i dija për të"…
"Njoh një nënë çame që gatuan ca byrekë të shijshëm e bakllava shumë të mirë e që nuk harron të na sjellë edhe neve pjesën dhe e kemi të vështirë ta ndajme se të gjithëve na shijon shumë"…
"Kur dëgjojmë këngë "Vaj e mall për Çamërinë", në shtëpi shumë prej nesh qajnë si të na ketë ndodhur neve ajo flamë e grekut"…
…Mund të vazhdoja pa fund me këto copëza rrëfimesh të njerëzve që nuk kanë lindur në Çamëri e që nuk kanë lidhje gjaku me këtë krahinë. Ca rrëfime që ngjajnë me copëza të kaltra qiellore të marra nga qielli i paanë i Shpirtit Çam. I përhapur tashmë jo vetëm te nipërit e stërnipërit tanë, por edhe te miqtë që gjetën në këtë vend pas dëbimit tragjik ku i priste jo vetëm gjuha, xhamia ku të falnin ezanet, puna e një balli plot djersë të ndershme, por edhe miqësia e re që ishte më madhja pasuri që kanë gjetur çamët në 63 vjet.
Jo, jo, kësaj radhe flasin ata që bien qoftë edhe një herë në kontakt me komunitetin çam, vajza apo djem qofshin, me shkollë apo edhe pa shkollë të lartë. Dhe tek i dëgjoj më ngjajnë edhe me ca purteka të florinjta në sepetet e një zemre që regëtin njëlloj me frymën hyjnore të asaj toke që prindërit e kanë lënë larg fizikisht, por jo të harruar…
Unë nuk dua të besoj se këto fjalëngrohta janë të stisura nga ata që i thonë me aq emocion. Jo, askush sot nuk mund të thotë atë që nuk e ndjen. Dhe gazmohemi të gjithë kur ka kaq e kaq shumë vendas që përsërisin deklarata të tilla.
2
Mes tërë atyre miqve të panumërt që janë me plot gojën miq të Çamërisë, do të veçoja sot Faik Teodorin. Është miku ynë, dibran në origjinën e tij, po dhe aq i urtë në tërë kuptimin e fjalës. Nëse ai mburret sinqerisht se ka shumë miq çamë, them me plot gojën se edhe miqtë e tij çamë duhet të lumturohen se kanë në krah një fisnik të tillë. Jo thjesht si një mik të ditëve të vështira, siç jemi mësuar të themi shpesh për një miqësi, por shumë më tepër se kaq…
Rreth katër vjetë më parë Faik Teodori u ndodh me punë në fshatrat e Sarandës dhe ato të zonës së Konispolit. Ndihej i mrekulluar nga bukuria e atyre vendeve. Kur ndodhej në ballkonin e Konispolit dhe shihte fushën e gjërë të Vardarit, kur ndjente në mbrëmje aromën e borzilokut dhe manxuranës në jastëkët e jorganet e secilës shtëpi të asaj qyteze të bardhë, kur dëgjonte ato fjalë vërtet të bukura të leksikut çam, kur shihte se si nënat çame të Konispolit kishin edhe traditën e të larit të rrobave me finjë_(hi i zier), kur shijonte gjellët e shijshme të vatrave konispolate dhe kur shijonte kudo mjaltin e ëmbël, malën e gjërit, si thonin për të vendasit, ndihej i lumturuar si në Dibrën e tij…
Kësaj radhe ai kishte në krah mikun e tij, shkrimtarin çam Shefki Hysa. Faiku kujtonte një për një të gjithë ato që i kishin ndodhur xhaxhait të tij Jasin Teodorit para 60 viteve, pikërisht në Konispol, në këtë palcë të paprishur Çamërie. I kujtonte siç ia kishte rrëfyer vetë xhaxhai, Jasini, i cili atëherë në moshën 18 vjeçare bënte ushtrinë në këtë zonë. Ai nuk jeton më, por Faikut i sillen ende në mendje kujtimet e xhaxhait. Për çudi, Jasin Teodori, ushtari i ri, në Konispol, dëgjonte në çdo rrugë emra burrash, fëmijësh e djemsh të ngjajshëm me emrin e tij. Konispoli ngjasonte aq shumë me Zerqanin e largët, vendlindjen e tij?!…
Kjo përshtypje i krijohej tanimë edhe Faik Teodorit, tek sodiste natyrën konispolate, njëlloj si dikur xhaxhait të tij, Jasinit…
Pra, kujtimet e Jasin Teodorit ishin kontakti i parë që fisi i nderuar i Teodorëve bënte me çamët dhe që do ta vazhdonte më shumë në ditët tona ky burrë mentar, Faik Teodori…
3
Të gjithë pjesëtarët e familjes Teodori e dëgjonin shumë herë atë djalë, Jasin Teodorin, atëherë 18 vjeçar, të rrëfente për jetën e tij si ushtar në Konispol. Dhe ky ishte kontakti i parë i Teodorëve me Çamërinë, me hallet e kulturën e saj, me bukuritë e saj përrallore. me tërë ata njerëz që ishin shpërngulur vetëm pak muaj më parë nga Trojet e Gjakut, me forcë… Krahas shpërnguljes masive të muhaxhirëve çamë që vinin e ngluleshin në truallin amë në Shqipëri, Jasini kujtonte edhe jetën e gjallë të Konispolit, shtëpitë e bardha prej guri në mes të gjelbërimit të ullinjve, madje edhe kasollet e bagëtive që ishin të mbushura me qilimë shumëngjyrësh të punuar me dorë nga nënat konispolate. Bashkë me ato pamje të magjishme të natyrës e të miqësive të reja ushtar Jasin Teodori kujtonte edhe sazet e ëmbla të Konispolit dhe, sa herë që dëgjonte në jetën e tij saze të tilla, thoshte se ato ishin vetëm të Çamërisë. Kujtonte nënat e burrat që ua mbushnin miqve duart plot me bajame e me sa e sa fruta karakteristike të asaj zone... Dhe kjo frymë shumë miqësore çame e shoqëroi kudo jo vetëm Jasinin, por edhe familjen e tij, tërë fisin Teodori…
Një gjë është e vërtetë se edhe në Zerqan ku kishte lindur Faiku, edhe në Tiranë ku jeton ende sot edhe babai i tij, Ademi, dhe nënë Hajrija, ai dhe mbarë familja e tij u miqësuan aq shumë me çamët sa u bë si i shtëpisë tek shumë familje të këtij komuniteti… E njëjta frymë atdhedashurie, e njëjta frymë hyjnore e besimit te Zoti, e njëjta mençuri odash që shpalosen njëlloj si në Dibër e në Çamëri, pa mjegullnaja si ajo e asaj dite që na shfaqej e trishtuar nga kati më i lartë i një pallati prej të cilit sodisnim Tiranën... Pra, në tërë këto vite është lindur, buis dhe po rritet një miqësi e re, e fortë, e palëkundur…
Një plak të nderuar e aq miqësor si Adem Teodori mund ta gjesh sot e në të gjithë kohërat në secilin fshat të Çamërisë… Kur u ndanë tokat më 1990 e shumë fshatarë vrapuan që të merrnin më shumë se sa iu takonte, ai iu fliste të gjithëve me atë urtësi që edhe sot mbahet mend… Ishte pikërisht urtësia e tij që shmangu sherret që mund të sillte pushtimi i tokës së tjetrit… Bashkëfshatarët e Ademit këtë urtësi e kanë parë edhe te djemtë e tij… E kanë parë nga afër edhe shumë miq të Faikut e të vëllait të tij, Halil Teodorit, ish politikanit shqiptar që tani po specializohet në disa fusha dhe jeton jashtë atdheut, në Amerikë. E kanë parë sa e sa herë kur kanë i takuar dhe kur kanë pirë qoftë edhe nga një kafe miqësore me njerëzit e fisit Teodori...
Para pak kohësh baba Ademit i ndodhi një aksident, por sa u çudit kur pa se sa miq i erdhën në spital e, më tej, në shtëpi. Mes tyre kishte edhe shumë nga grupi i familjeve çame. Kur u bë më mirë, Ademi i përcillte deri larg te rruga miqtë që i kishin nderuar shtëpinë. Dhe sa i lumturuar ndihej, sikur të ishte rinuar… Ademi tregon me krenari se djemtë e familjes Teodori i kanë bërë krushqitë me vajza nga Jugu. Për rastësi të bukur, edhe shumë fqinjë në vende të ndryshme të Tiranës ku banojnë kanë qenë e janë nga Jugu. Janë edhe nga Çamëria dhe me ta shkojnë shumë mirë… Ndërrojnë edhe gjellën e mirë që bën secila familje fqinjë...
4
Faik Teodori, ky mik i nderuar i çamëve, e ka rijetuar dramën çame shumë më të qartë në vitin 1999, kur radhën e genocidit tragjik të shpërnguljes dhe të vrasjes, e kishte popullsia e Kosovës. Atë që mund ta bënte me shumë dëshirë Ademi dhe familja e tij në Zerqan në vitin 1944-45, kur çamët u dëbuan me gjak nga trojet e tyre, por që nuk e bënë dot për largësinë e madhe gjeografike, Teodorët e bënë me shumë dëshirë, me vëllezërit kosovarë… Disa familje nga Juniku i Kosovës e patën si shtëpinë e tyre vatrën e Adem Teodorit e Faik Teodorit. Ata i kanë vizituar edhe për ndonjë rast të rëndësishëm miqtë dibranë, ndërkohë që edhe familja e Faik Teodorit ka marrë pjesë në dasmat që kanë bërë miqtë në Junik…
5
Kur e pyet Faikun se çfarë gjen të bukur e të përbashkët me Dibrën, krahinën e tij, te çamët ai na thotë: "Çamët janë njerëz shumë punëtorë e praktikë. Kur je praktik, nuk mund të karakterizohesh aspak nga cilësia e pabesisë që kërkojnë t’ia japin padrejtësisht kësaj popullsie. Janë shumë bujarë dhe po kaq të mençur… Para disa kohësh ishim me Shefkiun në Durrës dhe na bëri përshtypje se pronari i lokalit që ishte çam, na priti me një bujari të madhe që nuk mund të besohet lehtë. Po edhe miku im çam, Shefki Hysa, i njeh Bulqizën e Dibrën aq mirë, i viziton shpesh, gjë që ma shton më tepër repektin për të… Nëse do të binte rasti që në familje apo edhe në fis të vinte një nuse çame ose të martonim një vajzë te miqtë tanë çamë, do ta quaja një nder të madh për të gjithë jetën… Dikur kam dëgjuar se një shkrimtar i madh është shprehur: "Në do nder e burrëri, shko në Çamëri!"…
"Më pëlqen shumë edhe folklori i kësaj krahine, vazhdon të rrëfejë Faiku. Në kohën time të punës e quaj një shlodhje të madhe kur vë të dëgjoj këngën e Çelo Mezanit, vallen e Osman Takës e shumë këngë lirike të krahinës së Çamërisë"... (Brenda disa sekondave ai vë në monitorin e kompjuterit disa këngë çame njëra pas tjetrës)… Pastaj, si një strateg i mirë, hap harta, vë përpara numra që vetëm ai di se si i komandon pa harruar se pas pak e presin të tjera punë, të tjerë njerëz…
6
Miku i çamëve, Faik Teodori, merret kryesisht me hidrocentralet dhe me minierat, në një kohë që në vitet ‘90 i është dashur të bëjë shumë punë për të mbijetuar, për të gjetur rrugën e jetës së tij me djersën e mendjen e tij. Si për t’ju treguar të gjithëve dëshirën e madhe të kahershme njerëzore për më shumë dritë në jetën e kombit tonë… Të atij bashkimi shpirtëror që përherë e më teper shtohet me nesh… I ka hije një ëndërr e bukur se, po qe se një ditë çamët do të shkonin në vendlindjen e tyre, ose shteti grek do të lejonte ndërtuesit shqiptarë të investonin në tokat e Çamërisë, do të ishte i pari që do të ngrinte në atë tokë të bekuar një hidrocentral të madh që t’i jepte dritë çdo skaji… E të ndriçonte edhe valët e bukura të Jonit… Këtë dëshirë ia shpreh sa herë edhe mikut të tij, çamit Besim Islami, inxhinier që e ka lidhur jetën e tij me projektet për zhvillimin energjitik të Shqipërisë… Dhe Besimi i ngacmuar në sedrën profesionale dhe atdhetare zë e i rrëfen Faikut se Çamëria është një nga trevat më të bukura të Europës, një perlë e Ballkanit që e meriton dritën e shpirtrave atdhetarë shqiptarë…
…Në shtëpinë e prindërve të Faikut ka shumë mall. Një mall shpesh edhe i trishtuar… Të duket se ky mall i ngjan atij të nënave e baballarëve, gjyshërve të thinjur e gjysheve të pakta çame që janë kërrusur paksa nga vitet si një ulli kokërrngarkuar që pret të vilet… Është malli që kanë për shtëpitë e mbetura jetime, të bëra gërmadhë nga gjylet e nga vitet… Por Teodorët e kanë pak më të lehtë. Shtëpia-kullë e tyre në Smollikun e bukur, pranë Zerqanit, diku pranë Bulqizës së borëtuar, për fat të mirë, mbahet ende fort… Sikur nuk do që të shqetësojë banorët e saj të dikurshëm kur ata do t’ia hapin dyert, do të futen në odat e saj të zbardhëlluara nga gëlqerja e bardhë dhe me aromën e lisave në dyert e saj… Pse jo, Teodorët edhe do ta këndojnë ndonjë këngë si në rininë e tyre… (Tanimë Teodorët edhe këtu në Tiranë kanë bërë një lagje të vogël me të gjithë fëmijët e dikurshëm të kullës së Zerqanit, të burrëruar e të bërë vetë prindër)… Në shtëpinë e tyre të re tiranase vijnë shumë herë edhe miqtë çamë që priten me atë kod të përjetshëm të mikpritjes që ka qenë po kaq i pagabuar sa në Dibër edhe në Çamëri…
7
Faik Teodori e heq paksa mallin e tij për fshatin (ka ikur nga vendlindja para dyzet vjetësh) me kujtimet e tij, të prindërve, me vizitat në të, por edhe duke e parë në ekranin e një kompjuteri të madh direkt nga sateliti…
Diku, në zyrën e tij, në shtëpi me fëmijët e me miqtë herë pas here, Faiku lexon poezi, tregime dhe materiale të ndryshme për Çamërinë. Diskuton si një kritik i rreptë dhe i saktë me mikun e vet, shkrimtarin Shefki Hysa, për shkrimet e botuara dhe planet e tij krijuese. Herë-herë Faiku merr pjesë edhe në ndonjë mbledhje për problemet e popullsisë çame, si dhe në veprimtaritë e shumta të komunitetit të tyre, me gjithë ngarkesën e punës që ka… Herë pas here ndihmon edhe financiarisht, me mundësitë e tij, veprimtari të ndryshme kulturore për Çamërinë…
Faik Teodori ka besim të madh se pas Pavarësisë së Kosovës do të mbyllet si jo më mirë edhe problemi çam…
8
T’u mjaltoftë fjala për Çamërinë, o Faik Teodori!… Oda çame s’do të kishte kaq hijeshi pa fjalën tënde që i ka rrënjët e saj te urtësia dibrane… Kur njerëzit e një kombi vihen në krah të njëri-tjetrit, si miq të njohur jo prej disa vitesh, por prej shekujsh të tërë, ngjajnë nganjëherë si male që lëvizin e bashkohen në një të vetëm… Dhe kështu ka për të qenë gjithmonë mes miqsh të vërtetë… Atëherë edhe agimet do të jenë më të shumëpritur, më të gazmuar…
E kush nuk lumturohet kur është para kësaj miqësie kaq të rrallë ?!...
Namik Selmani
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment