ULLINJTË E MALLIT
(Letër e hapur, drejtuar zotërisë Hekuran Halili, në Sarandë)
Në muajin maj të këtij viti, njëri nga miqtë e mi më të mirë, mjeku Shkëlqim Jahaj, më pruri librin tënd "UNÊ NJERIU". Ishte e papritur për mua kjo dhuratë. Shkëlqimi e di ku dhëmb dhëmballa. "Lexoje! - më tha. - Do mbetesh i kënaqur. Bilal Xhaferri nuk është më i vetëm në Yllësinë e Çamërisë".
Dhe, besomë, me t’u kthyer në shtëpi hapa librin. Vetë Zoti desh e u hap në faqen 70-të. Sa punë të madhe ke bërë, mor djalë. Zoti mos ta shpuftë humbur mundin!
Unë nuk do të merrem me analizën e këtij libri se e kanë bërë, para meje, pena të tjera të mëdha, dua vetëm të shpreh atë që ndjej; kënaqësinë për këtë penë të re të madhe të krahinës sonë që shkëlqen. Që nga poemthi "Unë njeriu" te faqia e parë dhe deri te "Mendimet e mia", te faqja e fundit, poezitë janë njëra më e mirë se tjetra dhe nuk di cilën të zgjedhësh. Të lumtë edhe një herë!
Atë vjershën "Ullinjtë e Çamërisë" kushedi sa herë e kam lexuar. Më ktheve edhe një herë në fëmijërinë time të largët, kur isha nëntë vjeç, më shpure edhe një herë në fshatin tim të lindjes, në Markat. Më bëre të gjezdis, si fëmijë, sokaqet e fshatit tim që më të mirë nuk ka në Botë, më shpure sa herë në fushën e Mungulit, ku më bëhej se shihja pas kaq e kaq vitesh tim atë, Shahinin, duke hapur gropa e duke mbjellë ullinj… Ë shihja babanë me dy teneqe vajguri të varura në një shkop mbi supe, si kinezët, duke mbushur ujë te vija afër lumit Burkuç e duke ecur zbathur përmes jezullit tek vadiste këta ullinj, që nuk ngopeshin me ujë… Sa i lumtur ndihej im atë kur binaja e ullirit ngopej me ujë… Sa lumturohesha unë kur babai më lejonte ta ndiqja nga mbrapa sa herë shkonte e vinte nga vija me teneqe të mbushura plot me ujë…
Pashë edhe njëherë, për karshi në kodër, shtratin me dy kate, ngritur me gjethe rrapi ku rrinte behçiu, që e nanuriste flladi i Mungulit. Dhe e di ti, zotëri Hekuran?! Ky behçiu, mbasi kishte rrjedhur ca ujë na ishte bërë kryetar i lokalitetit në Hoxhë dhe një ditë iu mbush mendja e dërgoi dy policë nga të lokalitetit dhe arrestoi gruan e Shahinit si dhe vajzën e tij njëzetë e një vjeçare e i mbajti të burgosura më shumë se 48-të orë, për arsye se këto, natën, fshehura kishin shtypur ullinj me këmbë, nga ullinjtë e tyre, dhe kishin nxjerrë tre litra vaj. Shahinin vetë, në këtë kohë, e kishin degëdisur në kanalin e Kozarës, në Berat, si armik i popullit që ishte… Këtij behçiut nuk dua t’ia përmend emrin se më ndot letrën. Ai nuk u kënaq me kaq, por filloi të shkruante letra "në epokën e ndritur të komunizmit" kundër tim eti dhe gjithë familjes së tij, letra që bashkë me ato të shokëve të tij nga fshati bezdisën edhe Komitetin e Partisë në Durrës. Shumë prej këtyre letrave kemi patur mundësinë t’i lexojmë tani mbrapa. Po të ishte gjallë Shahini e të lexonte letrën e behçiut do të qeshte e do ta mëshironte, kur të lexonte shprehjen: " Kulaku Shahin Seiti ka shfrytëzuar punën time"…
Ti, zotëri Hekuran ke shkruar me ndjenjë e prandaj të ka shkarë dora mbi kartë:
"Kokërrat si malli/ që rrisim në gioks/ ullinjtë tanë o vëllezër/ që i qajmë me lot"…
Rrjeshtat e strofës së tretë më kujtuan një brengë: "Deget si krahët/ që zgjaten për mot/ ullinjtë tanë të zinj/ dot s'na përqafojnë"...
Të jetë thënë nga Zoti që fati i ullinjve dhe i të zotërve të tyre në të dy anët e kufirit që ndajnë Çamërinë, të jetë i njëjtë?!
Mbas më shumë se tridhjetë vjetëve, aty nga fund i viteve tetëdhjetë të shekullit që shkuam, vajza e madhe e Shahinit, Mevlua, shkoi për një vizitë të shkurtër në Markat e kur u kthye vajti menjëherë te varri i babait, këtu në Durrës: "Babai im i shtrenjtë, - i tha ajo, – të kam sjellë një degës nga ullinjtë e Mungulit, ja ku e ke…- dhe ia vendosi mbi pllakën e rëndë të varrit. - Vetëm kjo të takoi ty nga gjithë ajë djersë që derdhe, nga gjithë ajo hare që ndieje kur i mbillje, një e nga një të treqind rrënjët, vetëm në Mungul. Paratë që bleve fidanet e i solle që nga fundi i Italisë deri në fund të Shqipërisë, i kishe nxjerrë në kurbet, në Amerikë, që kur ishe 14 vjeç… - dhe qau me dënesë"…
"Si ullinjtë tanë të mirë/ që presin të zotët"… edhe unë pres të takohem me ty. Po të hodhi udha këtej nga Durrësi, kujtohu edhe për mua!
Seit Shahin Myrto
nga Markati
Durrës, shtator 2007
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
1 comment:
Nderime Seit E Hekuran!
Post a Comment