Wednesday, December 12, 2007

E PASHMAGSHME ZGJIDHA E ÇËSHTJES ÇAME
Intervistë me zotin Ndriçim Babasi, deputet i PD në Kuvendin e Shqipërisë


Për opinionin publik shqiptar tanimë jeni një ndër deputetët më të vjetër në Kuvend që i qëndroni besnik zonës suaj, e cila, në mos gabojmë, është edhe vendlindja juaj. Cilat janë motivet që ju udhëheqin? Si politikan atdhetar a e njihni problemin çam dhe zhvillimet e tij në vitet e demokracisë?

Motivi kryesor që më ka udhëhequr në punë dhe që ka bërë që unë të pëfaqësoj Krujën si deputet i PD-së për disa vite me radhë, është thjeshtësia, karakteristikë kjo e zonës sime. Megjithatë nuk mund të përjashtoj edhe investimet e deritanishme që janë bërë në atë zonë, të cilat nuk janë të pakta, por do të thosha të mjaftueshme. Nuk është aq e lehtë të sigurosh fonde, duhen bërë projekte, duhen miratuar nga strukturat përkatëse shtetërore dhe pastaj duhet pritur që të vihet në lëvizje buxheti. Nuk janë aq të thjeshta gjërat në këtë periudhë tranzicioni që po kalojmë. Është koha kur të gjitha zonat vihen në garë në pritje të investimeve, por mundësitë jo rrallë janë të pakta. Besoj se më kuptoni?! Sidoqoftë unë jam përpjekur shumë për të siguruar fonde për zonën time…
Êshtë e vështirë të flasësh për veten, por meqë ju më pyetët unë u përgjigja.
Ndërsa sa për pyetjen tjetër po ju them: Le të jemi të sinqertë. Historia ende është e pashkruar për sa i përket problemit çam, por, falë përpjekjeve që janë bërë nga vetë patriotët çamë apo dashamirësit e kësaj treve, jemi njohur edhe ne me zhvillimet e ngjarjeve e situatave që nxjerrin në pah Çamërinë. Çështja çame është një çështje e së drejtës ndërkombëtare që bazohet mbi bazën e një të drejte themelore, atë të pronës dhe duhet trajtuar si e tillë.

Disa nga politikanët shqiptarë jetojnë ende me idenë e miratimit të një rezolute për problemin çam, sfidë para së cilës në prill të vitit 2004 është gjunjëzuar me turp Kuvendi i Shqipërisë, atëherë me shumicë të majtë. Mendoni se mund të ishte e mundur dhe njëkohësisht e dobishme miratimi i kësaj rezolute?

Unë jam shumë dakort për miratimin e kësaj projektrezolute dhe këtë e kam shprehur sa herë që kam pasur mundësi kontakti me persona të interesuar apo në tryeza miqsh e politikanësh, por gjykoj se kësaj projektrezolute nuk i nevojitet vetëm miratimi. Pas miratimit ajo duhet kthyer në një draft të zbatueshëm që të gjejë vend dhe të iplementohet lehtë për këta njerëz dhe për këtë trevë. Një arsye më shumë për të miratuar projektrezolutën në fjalë është edhe fakti se me aq sa jemi informuar, problemi çam është një spastrim i pastër etnik. Sot jemi në vitin 2007, demokracia po arrin parametrat e duhura dhe nuk ka pse i privohet një popullsie të tërë e drejta e pronës, e drejta për të shkelur trojet ku kanë lindur, apo ku kanë lënë eshtrat gjyshërit e stërgjyshërit e tyre. Problemi çam duhet zgjidhur dhe më pas u takon vetë çamëve të zgjedhin se ku duhet të jetojnë si gjithë qytetarët e tjerë të botës së lirë.
Unë nuk e di se sa impakt do të ketë projektrezoluta. Mendoj se një projektrezolurë mund të plotësojë sadopak boshllëqet ligjore e institucionale zyrtare shtetërore, apo më mirë të themi se mund të sensibilizojë më shumë opinionin vendas apo atë të huaj se këta njerëz kanë një të drejtë që po e kërkojnë hap pas hapi për të arritur aty ku duhet.

Cilat janë sipas jush hapat që duhet të ndërmerren prej faktorit politik shqiptar për finalizimin e problemit çam?

Një hap kryesor për mua janë negociatat që mund të bëhen midis shtetit shqiptar dhe palës greke dhe midis shtetit shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar. Çështja çame është një çështje që nuk mund të zgjithet ndërmjet individësh, është një çështje që duhet zgjidhur në nivel shtetesh dhe me dashamirësi, mundësisht në nivele të diplomacive më të mëdha ndërkombëtare. Është një çështje e kahershme që në sensin pozitiv ka nevojë për ndërhyrje dhe mbështetje të shteteve të mëdha si SHBA, Anglia e Komuniteti Europian.
Politikanë të SHBA, Anglisë, Turqisë, Italisë dhe ndonjë eurodeputet janë shprehur herë-herë pozitivisht për problemin çam. Mendoni se angazhimi i faktorit ndërkombëtar do të jetë vendimtar për zgjidhjen e problemit çam, siç po ndodh edhe me pavarësinë e Kosovës?
Faktori ndërkombëtar mund të jetë edhe vendimmarrës. Ne si shtet duhet që ta sensibilizojmë faktorin ndërkombëtar duke u thënë se nuk ishte vetëm problem i Kosëvës, por është edhe një tjetër problem i kahershëm me histori të mbyllur që duhet hapur dhe duhet të merret në konsideratë.
Politika shqiptare, komuniteti çam dhe dashamirësit e zgjidhjes së çështjes së Çamërisë duhet të unifikojnë qendrimet e tyre dhe të jenë sa më të qartë përballë faktorit ndërkombëtar.

Sa beson deputeti Babasi në një zgjidhje reale të problemit çam dhe a i ndihmon Shqipërinë dhe shqiptarët kjo zgjidhje?

Siç e thashë edhe më lart, jetojmë në vitin 2007 ku presupozojmë që demokracia në botë po arrin standartet më të larta, ndaj dëshirës sime për zgjidhjen e këtij problemi i shtohet edhe vënia në vend e drejtësisë, që në vende me demokraci të kulluar është e pashmangshme.

Mesazhi juaj për lexuesit e revistës sonë "Krahu i Shqiponjës"?

Duke ju falenderuar për intervistën dhe për mundësinë që më krijuat për t’u prononcuar publikisht për çështjen çame, shpreh mirënjohje ndaj lexuesve të revistës suaj dhe njëkohësisht i uroj popullsisë çame kthim sa më të shpejtë në vatrat e tyre.

No comments: