Jeta e artistit në diktaturën komuniste
Mendime për romanin "Robër të paqes" të Shefki Hysës
Megjithëse në tërësi librat e shkrimtarit Shefki Hysa trajtojnë një tematikë dhe problematikë të larmishme, ata i përshkon fund e krye fshikullimi dhe demaskimi i diktaturës komuniste, pasqyrimi me realizëm e vërtetësi i jetës së njerëzve të thjeshtë në atë kohë të egër e të mbrapshtë kur populli më i varfër i Europës mbante mbi kurriz peshën, dhunën e terrorin e diktaturës më gjakatare të kontinentit. Në këtë kuptim, ndërsa te romani "Parajsa e mallkuar" autori synoi të nxirrte në pah tablo të jetës së njerëzve në përgjithësi gjatë diktaturës, te "Robër të paqes" ai ngre një problem të rëndësishëm e disi të veçantë, pak të rrahur në letërsinë tonë: problemin e jetës dhe të punës së artistëve gjatë diktaturës komuniste.
Problemi i artistit lidhet ngushtë me problemin e sistemit nën të cilin jeton një popull. Artistët janë shtresa më e ndjeshme e tij dhe opozitarë gjithnjë me çdo lloj force politike që nuk përmbush detyrimet ndaj vendit dhe popullit. Por diktatura komuniste është aq e rreptë dhe e fuqishme sa me terrorin, djallëzinë dhe finokërinë e saj arriti që edhe këta zgalemë të së vërtetës t’i shndërronte në "robër të një lufte të pazëshme nën bekimin e paqes… Po, po! Robër të paqes"… (f.91). Prandaj dhe disa nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare që bëhen personazhe të këtij romani, nuk tregojnë për ndonjë dëshirë, mburrje a servilizëm të autorit për njohjen" me ta, por përkundrazi demostrojnë një përpjekje tejet serioze për të zbuluar mesazhin që gjatë diktaturës edhe talente elitarë si Kadareja apo Agolli u detyruan të mbijetonin me veprat e tyre, pra, në një farë mënyre, pavarësisht nga bindjet dhe fryma opozitare ndaj rregjimit, edhe ata ishin "robër" të paqes. Dhe kur qenë këta, merreni me mend pastaj sesi mund të ishte radha e tërë shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë. Natyrisht, pati edhe shkrimtarë që nuk e duruan më dhunën komuniste, iu mbyllën të gjitha shtigjet, çanë ferrën e u arratisën si p.sh., shkrimtari me të ardhme Bilal Xhaferri, figurën e të cilit Shefki Hysa e ka përshkruar me dashuri jo vetëm në këtë roman, por edhe në vepra të tjera të tij.
Pra, "Robër të paqes" ndonëse i bën një portret tërheqës shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, nuk është thjesht roman personal për Kadarenë, por për artistin shqiptar në përgjithësi gjatë diktaturës. Nga ana tipologjike mendoj se është roman artistik me sfond historik e dokumentar. Një lloj letërsie e tillë sa vjen e po e tërheq gjithnjë e më tepër lexuesin e sotëm.
Subjekti i romanit është i thjeshtë. Në një qytet bregdetar të Jugut vjen për pushime shkrimtari Ismail Kadare bashkë me familjen. Krijuesit e qytetit me në krye Cifen, kryetarin e degës së Lidhjes së Shkimtarëve dhe Artistëve të Rrethit gjallërohen dhe veçanërisht Cifja, Xheki dhe Piroja i bëjnë shkrimtarit dhe familjes një pritje të ngrohtë. Gjatë atyre ditëve që qëndron me pushime Kadareja shndërrohet në qendër kryesore të vëmendjes jo vetëm të shkrimtarëve e të artistëve të atjeshëm, por të të gjithë njerëzve. Dhe kështu vazhdon e shtillet romani me biseda e ngjarje të ndryshme për Kadarenë, për veprat dhe mendimet e përparuara për kohën.
Në paraqitjen e figurës së shkrimtarit të madh, autori i romanit veç shfrytëzimit të trillit krijues që i jep figurës karakterin artistik, pra e kthen në personazh, vë në përdorim edhe plot mbresa a ngjarje që janë të vërteta lidhur me Kadarenë. Në këtë mënyrë, me intuitën e vet autori bën portretizimin e këtij shkrimtari e personaliteti të veçantë të letrave shqipe. Kështu, Kadareja zbulohet si një "njeri i qetë, serioz, jo vetëm si shkrimtar i madhërishëm për Xhekin, Cifen apo Piron e në përgjithësi për rininë e atyre viteve, por edhe si mendimtar e filozof për artin e për jetën në përgjithësi. Në këndvështrimin e krijuesve të rinj si Xheki e Piroja ai merr përmasa të veçanta dhe kthehet në një shëmbëlltyrë për t’u imituar për vlerat e tij si krijues i madh. Duke i qëndruar besnik së vërtetës, autori, gjatë përshkrimit të figurës historike të Kadaresë, lë të nënkuptojë se ky artist i shquar nuk e pëlqente, madje e quante të gabuar përzierjen e politikës në art dhe sidomos të atyre pushtetarëve mediokër që udhëhiqnin veçanërisht ideologjinë dhe kulturën komuniste, ai nuk i honepste fare. Mjaft të kujtojmë episodin kur Kadarenë e ka ftuar për darkë, bashkë me të është edhe Cifja, sekretari i parë dhe me sa zymtësi e shpërfillje sillet shkrimtari me të.
Figurë tjetër historike që jepet me viza të shpejta në roman është edhe ajo e Dritëro Agollit, e shkrimtarit tjetër të madh që paraqitet si gjithnjë i veçantë e hokatar, me atë humorin e tij të këndshëm, edhe me veset e njohura, por gjithsesi dashamirës e babaxhan. Në vazhdën e paraqitjes së këtyre figurave të shquara e të dashura për lexuesit e veçanërisht për krijuesit e rinj, siç e kemi përmendur edhe më sipër, Shefki Hysa nuk lë pa i bërë një portret me viza të gjetura edhe shkrimtarit të tij të zemrës, disidentit të vërtetë, Bilal Xhaferrit. Duke e njohur me thellësi origjinën e tii çame, jetën dhe veprimtarinë e këtij shkrimtari trim që u arratis pasi nuk gjeti kurrfarë hapësire t’i shpaloste vlerat e tij në atdhe, me veprat që la, pasi u shua në kulmin e pjekurisë artistike, autori në vepër i bën jehonë mesazhit se nëqoftëse Bilali do të kishte pasur mundësitë në një mjedis demokratik, e jo nën thundrën e diktaturës, të shkruante e të botonte, mbase sot do të kishim edhe një kolos tjetër të letrave shqipe.
Në veprën e tij "Robët të paqes" shkrimtari Shefki Hysa, duke ndjekur rrjedhën e historisë së ngjarjeve, gjen rast të përshkruajë edhe figurën e Enver Hoxhës, gjatë një takimi që pati me shkrimtarin Ismail Kadare dhe familja e tij. Figura e diktatorit në roman jepet me viza të shpejta, siç e ka njohur çdo shqiptar, por autori i veprës me një nëntekst kuptimplotë rrëfen sesi udhëheqësi i diktaturës komuniste i udhëzonte edhe krijuesit më në zë sesi duhet t’i shërbenin kauzës së partisë.
"Para se të delnin, përveç librit të Zaharia Majanit "La fin du mistere etrusque", Hoxha i dhuroi edhe kompletin e veprave të Balzakut në frëngjisht.
- O, të mbushëm me Balzak! - bëri shaka ai.
Ishte shaka e hollë e njeriut të informuar në mënyrën më të plotë për diskutimet që bëheshin kudo në botë lidhur me raportin midis letërsisë realiste të shekullit XIX-të dhe asaj bashkëkohore, diskutime në të cilat Balzaku ishte në qendër të kundërvënieve dhe që nuk kishin kaluar pa njëfarë jehone edhe te ne. Vështrimi i qeshur i Hoxhës e ka patjetër edhe një nëntekst, mendonte Kadareja. Don të thotë, besoj: "Në krijimet letrave mos ji realist kritik si Balzaku, ndërkohë bëj atë që bëri ai, dil prej bindjeve të tua dhe përkundër tyre, kushtoju metodës së realizmit socialist, përshkrimit të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar. Kështu do të sjellësh në letërsi realitetin e bukur të së ardhmes me në qendër heroin pozitiv…" (f.156).
Përveç personazheve historike, në të cilat gërshetohet krijimi i autorit me të dhëna dokumentare, në romanin "Robër të paqes" janë vizatuar edhe një sërë figurash të personazheve krejtësisht artistike me cilësi dhe karakteristika të veçanta. Ndër ta mund të përmendim çiftin Xheki – Pirro, dy djem të rinj të talentuar, i pari në fushën e letërsisë dhe i dyti në atë të pikturës, të dy me ëndrra për të ardhmen që të bëjnë karrierë në fushat përkatëse, të bëhen dikushi në jetë, por që regjimi komunist edhe këtyre artistëve të rinj e me të ardhme nuk ua hap dyert lehtë për shkaqe të biografisë. Këta dhe plot të tjerë si këta e kanë Kadarenë si krijues model imitimi dhe frymëzimi, kanë për të respekt të madh edhe pse për shumë gjëra që lidhen me shkrimtarin e madh diskutojnë mesvedi. Më gjerë është trajtuar figura e Xhekit, i cili si personazh simbolizon deri diku autorin vetë e që jepet edhe në planin intim, në marrëdhëniet me Esmeraldën.
Personazh i dhënë me mjeshtri është edhe Cifja, një tip i gjallë, gazmor e plot humor, i cili vërtet ka kaluar një kalvar jo të lehtë në jetë, por ka ditur të manovrojë e të mbijetojë falë karakterit të tij të fortë. Cifja është admirues i Kadaresë dhe i veprës së tij, prandaj si Xheki e Piroja ka edhe ky respekt e simpati të pamatë për shkrimtarin e madh.
Dihet mirëfilli se diktatura komuniste kishte si levë kryesore për mbajtjen e pushtetit me dhunë Sigurimin e Shtetit. Shkrimtari Shefki Hysa te "Robër të paqes" ka bërë përpjekje dhe mendoj se ia ka dalë mbanë të skalisë me viza të gjetura figurën e njeriut të Sigurimit, Ramush Kalecit. Që nga mbiemri i këtij njeriu të pështirë lexuesi e kupton se autori këtë figurë e ka vënë në fokus që ta demaskojë e denigrojë për zanatin e tij të ndyrë. Ka një pasazh në roman ku figura e Ramushit ironizohet në mënyrë aq groteske e tallëse sa bëhet si zhele: "Xheki, çuditërisht, si me magji ishte shndërruar në hije. Dhe ishte i padukshëm për sytë e Ramush Kalecit. Një gjendje e mrekullueshme, e papërceptueshme për një mendje të zakonshme të qenurit hije. Pa shiko se si vërtitej fluturimthi nga ia donte qejfi në atë gjendje fantazmagorike. Shihte gjithçka, gjithkënd dhe pa u parë prej askujt. Këtu qëndronte lezeti i asaj gjendjeje të re që po përjetonte. Ja, Ramush Kaleci! Pa t’i afrohemi. Ashtu. Asgjë nuk ka ndjerë ende. Edhe frymë si makut merr, sikur do ta përlajë tërë oksigjenin për të afiksuar qëniet e tjera. Armiqtë. Dhe ç’fytyrë të fryrë "si simite më ka, u gajas Xheki dhe fap e goditi me majën e gishtit tregues në hundë". Ramushi me një pamje prej budallai kroi hundën dhe një hop përgjoi si të donte të kapte në befasi ndonjë brumbull bezdisës. Xheki u shkri së qeshuri, hata fare të talleshe ndopak me këtë rondokp surratsimite. E gudilisi në qafë dhe pa e lënë të mbledhë veten i përdrodhi lehtas njërin vesh, pastaj tjetrin. Ramushi ndali në vend gojëhapur si t’i kishte rënë pika. O, ç’gallatë!…"
Figura e hijes që përndjek Ramush përndjekësin dhe elemente të tjera të së magjishmes si episodi i përshkrimit të ngrehinës së Ferrit, apo episodi i kthimit pas në kohë ku realizohet takimi i Kadaresë me mbretin Piro të Epirit, etj., të sjellin ndërmend atmosferën e magjishme që gjallon në eposin popullor çam dhe njëkohësisht të kujtojnë se sa me mjeshtëri i shfrytëzon autori Shefki Hysa të tilla gjendje ëndërrore në krijimtarinë e tij, duke shkrirë mrekullisht si me magji realen me irealen, jetën e vërtetë me ëndrrat e personazheve, duke u bërë kështu përfaqësuesi tipik i një lloj rryme të re të realizmit magjik me karakteristika nga më shqiptaret, disi i ngjajshëm me realizmin magjik që karakterizon veprën e Gabriel Garcia Markesit…
Ramush Kaleci është prototipi i ndjekësit, spiunit, i zagarit që i vete pas "gjahut" të vet dhe e persekuton derisa i bën gjëmën. Në një mënyrë të tillë ai ndjek edhe Kadarenë kur vjen në qytetin jugor bregdetar gjoja "për ta ruajtur", por në të vërtetë edhe për ta survejuar se ç’bën e me kë rri ai. Interesante në roman është edhe historia "e vjedhjes" së librit të Kadaresë që në fund përfundon në një blof për Ramushin dhe ky demaskohet përfundimisht.
Vepra e Shefki Hysës dallohet për një stil të zhdërvjellët e energjik, për një gjuhë të pastër, për një dialog të gjallë e tërheqës e për imtësi shprehëse të gjetura të cilat në tërësi e bëjnë të lexohet me interes e kërshëri nga ata lexues që kanë kërkesa të mësojnë sa më shumë nga ajo periudhë e zymtë e historisë sonë, nga koha kur sundoi diktatura komuniste.
Sokol Jakova
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
1 comment:
Rrofsh o Sokol!
Post a Comment