Saturday, February 16, 2008

ENERGJIKU FATOS M. RRAPAJ

Fatos M. Rrapaj lindi më 6 korrik të vitit 1930 në fshatin Gumenicë të Vlorës. Ai është folklorist, etnograf, studiues dhe shkrimtar.

Arsimin bazë Fatosi e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan dhe me armë në dorë mori pjesë aktive në luftën kundër forcave nazifashiste. Megjithatë, pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit sllavo-grek.

Tërë jetën, deri sa doli në pension, Fatosi ka punuar në punë të ndryshme të zakonshme, sepse talenti dhe aftësitë e tij mbetën të pavlerësuara nga strukturat drejtuese të ish diktaturës komuniste. Megjithatë ai është karakterizuar nga një energji e jashtëzakonshme në punën e tij kërkimore, si të ishte akademik e kaluar akademikëve. Jo më kot e thërrisnin edhe "Energjiku" miqtë e tij.

Fatos M. Rrapaj, që kur ishte nxënës në shkollën e fshatit, në periudhën kur ishte partizan e më vonë, gjatë tërë jetës, i është përkushtuar me mish e me shpirt mbledhjes së vlerave folklorike, onomastike e etnografike të të gjithë trojeve shqiptare, sidomos atyre të Çamërisë.

Ka botuar disa libra, por të njohur në qarqet akademike e elitat shoqërore e artistiko-letrare shqiptare, e bëri vëllimi me rreth 800 faqe "Këngë popullore të Çamërisë", i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983, me recensën dhe parathënien e shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën "Krahu i shqiponjës" si dhe gazetat "Drita", "Kosova" e "Çamëria". Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim si: "Proza popullore e Çamërisë", me rreth 3000 faqe, "Fjalori onomastik i Epirit në zhvillime", Këngë e prozë popullore" nga Kosova, Mirëdita, Kruja, Kosturi e Follorina, "Doke e zakone nga Çamëria", "Fjalë të urta nga Korça e Dibra", Anekdota popullore" në pesë vëllime etj., etj.

Titujt e veprave kryesore që studiuesi Fatos M. Rrapaj ka botuar nëpër vite janë:

1. "Te Sheshi i Flamurit", me këngë popullore labe, Tiranë, 1972

2. "Këngë popullore të Çamërisë" , Tiranë, 1983

3. "Këngë popullore të Labërisë", Tiranë, 1991

4. "Rënkimet e Çamërisë", tregime pellazgo-ilire e këngë çame, Tiranë, 1995

5. "Fjalori onomastik i Epirit" I, Tiranë, 1995

6. "Këngë popullore të ndaluara", Tiranë, 1996

Elim Xanxari

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetëmohimi" (Zhvillime të çështjes çame), i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.
SHKRIMTARJA DYLBERE DIKA

Dylbere Dika lindi në fshatin Dypjakë të komunës Sllovë të Dibrës më 4 shtator të vitit 1979. Ajo është një ndër poetet dhe tregimtaret shqiptare më të talentuara të brezit të saj.

Shkollën fillore e kreu në fshatin Venisht, tetëvjeçaren në Shumbat dhe të mesmen në Sllovë të Dibrës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën e gjuhë-letërsisë. Ka kryes disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve.

Ka punuar pak kohë si mësuese letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme të Sllovës dhe më vonë redaktore në shtëpinë botuese "Bilal Xhaferri". Ka botuar dhe vazhdon të botojë poezi, tregime dhe publicistikë në shtypin letrar shqiptar. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë".

Tani është zëvendëskryeredaktore e revistës "Krahu i shqiponjës".

Disa nga krijimet dhe punimet e saj janë:

1. "Parajsa e shitur", vëllim poetik (2002), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri"

2. "Dhe dita vdes", vëllim me tregime (2003), botim i shtëpisë botuese "Bilal Xhaferri"

3. Redaktore e vëllimit poetik "Klithmë shpirti" (2004), e autores Liri Hidërshaj

4. Redaktore e novelës "Mëkim shpirtëror" (2005), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 99927-960-4-9

5. Redaktore e vëllimit poetik "Për pak lumturi" (2006), e autores Venka Capa

6. Redaktore e novelës "Rrëfimi" (2006), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 99927-960-5-7

7. Redaktore e vëllimit me publicistikë "Dialog për paqen e pamundur" (2006), i autorit Hysen Haxhiaj, ISBN 99927-960-6-5

8. Redaktore e vëllimit poetik "Pikëllim familjar" (2006), e autores Mina Çaushi, ISBN 99927-960-7-3

9. Redaktore e librit me artikuj studimorë "Dodona tempulli i lashtë i Shqipërisë" (2007), i autorit Rasim Bebo

10. Redaktore e novelës "Pendimi" (2007), e autores Liri Hidërshaj, ISBN 978-99943-969-3-1, etj.,etj.

Dylbere Dika është tashmë një shkrimtare e spikatur e brezit të vet, e cila do të jetë dikur pjesë e historisë së letërsisë shqiptare.

Xhulia Xhekaj

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetmohimi" (Zhvillime të çështjes çame) i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.

Thursday, February 14, 2008

Pandeli Koçi

Miqtë e vërtetë të Bilalit dhe shokët e miqtë e mi më nxisnin t’i përkushtohesha me gjithë shpirt kësaj nisme, sidomos Pandeli Koçi. Ai ishte njëherësh miku dhe profesori im, pedagog i letërsisë së Kosovës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në vitet 1985-90. Ishte periudha në të cilën unë ndiqja studimet në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tiranës.

Po cili ishte ky mik shpirtflori?…

Pandeli Koçi, (emri letrar-Sazan Goliku), lindi në Vlorës më 6 janar 1942. Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesme i mbaroi në Vlorë. U diplomua në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega e gjuhë-letërsi. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve. Ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar si dhe redaktor letrar në SHB "Naim Frashëri" e gjetkë.

Që nga viti 1970 është marrë me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në UT.
Nga viti 1981 deri në 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë e të botojë poezi, prozë e publicistikë në shtypin shqiptar e sidomos në faqet e revistës "Krahu i shqiponjës". Vazhdon të shkruajë edhe letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe vendore.

Disa nga botimet e tij më kryesore janë:

1. "Aventurat e lirisë", tregime, 1995
2. "Epidemi kozmike", poezi, 1996
3. "Ëndërr dashurie", poezi, 1996
4. "Komitët e Malit të Bardhë", roman, 1999
5. "Petalet e rëna", poezi, 2001
6. "Aventurat e një mëngjesi", poemë, 2002, ISBN 99927-54-43-5
7. "Trekëndëshi i qiellit të zi", tregime, 2006, ISBN 99943-620-7-0
8. "Turbull", poezi, 2007

Pandi, shkrimtar, publicist dhe kritik letrar, punonjës në sektorin e botimeve të Presidiumit të Kuvendit Popullor që në fillim të viteve 80-të, kur u njoha me të, dhe më vonë i Kuvendit të Shqipërisë, deri sa doli në pension në maj të vitit 2002, ishte një përkrahës i flaktë i veprës së Bilal Xhaferrit dhe i problemit çam. Ai jo vetëm më kishte ndihmuar në vitet më të vështira të jetës gjatë Regjimit Komunist, që në ditët e para të njohjes, kur askush nuk guxonte të më afrohej lirshëm për shkak të biografisë si antikomunist, por më ushqente dhe më nxiste edhe dëshirën për të qenë intelektual i vlefshëm për vendin. Ia di për falemnderit jo vetëm për ndihmën që më ka dhënë në ato vite të vështira, por edhe për kurajën që më nxiste, pas vitit 1990, që të merresha sa më shumë me figurën e Bilalit dhe me idealin çam. Miku im, shkrimtari Pandeli Koçi, ka kontribuar si një atdhetar i madh që ideali çam të bëhet një realitet i vërtetë, prandaj meriton respektin e tërë çamëve…

Elim Xanxari

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetmohimi" (Zhvillime të çështjes çame) i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.

Wednesday, February 13, 2008

Abaz Dojaka, prijës i idealit çam

Në vitin 1991, Kryetar i parë i shoqatës Çamëria u zgjodh folkloristi Abaz Dojaka (1934-1993), një burrë babaxhan mbi të pesëdhjetat, profesor, studiues, etnograf, Mjeshtër i Kulturës Popullore dhe prijës i vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës, figura e të cilit e nderonte Komunitetin Çam…

Abazi u lind në qytetin Filat të Çamërisë më 24 shkurt të vitit 1934 në një familje atdhetarësh të shquar. Më 1943 familja e tij, për shkak të trazirave të luftës, u shpërngul në Konispol, më vonë në Delvinë e mandej u vendos përfundimisht në Tiranë.

Në Shqipërinë mëmë Abazit iu dha mundësia të shkollohej. Në vitin 1958 Abazi u diplomua në Universitetin e Tiranës, në degën e Historisë. Filloi punë në Institutin e Historisë e më vonë në Institutin e Kulturër Popullore, fillimisht si etnograf, pastaj si shef sektori.

Puna e etnografit i krijoi mundësinë të bënte shumë ekspedita kërkimore në terren për të mbledhur folklorin dhe për t’u takuar e njohur me shumë njerëz. Gjatë lëvizjeve nëpër rrethe të ndryshme, kalonte edhe nga zonat ku ishin vemdosur muhaxhirët çamë, kështu që u njoh nga afër me jetën dhe hallet e tyre në Shqipëri. Nga bisedat me çamët, bashkatdhetarët e tij, jo vetëm që i bëri për vete, u fitoi zemrën me intelektualitetin e tij, po mundi të mblidhte edhe shumë materiale folkorike prej visareve të Çamërisë, me të cilat zuri të përgatiste për botim monografinë "Mbi Çamërinë". Me punë të madhe si studiues dhe nëpërmjet botimeve të shumta arriti të fitonte gradën "Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor (Docent). Nëpër vite ka botuar shumë libra me studime e dhjetëra e dhjetëra artikuj në shtypin e kohës për etnografinë dhe folklorin shqiptar.

Pra, Abazi ishte sa studiues i talentuar edhe veprimtar shoqëror, gjë që e nxorri në krye të Shoqërisë "Çamëria" njëherësh në rolin e drejtuesit organizativ dhe prijësit shpirtëror të idealit çam.

Në vitin 1991, ishte një nga nismëtarët e parë të krijimit të SHPA "Çamëria" dhe u zgjodh kryetari i saj i parë, një prijës vërtet i denjë dhe fisnik i komunitetit çam në Shqipëri, frymëzues i idealit çam dhe i çështjes çame.

E drejtoi shoqatën me nder e përkushtim shpirtëror, ashtu siç i kishte hije mençurisë së tij, derisa vdiq më 22 qershor 1993 nga një sëmundje e rëndë… Megjithatë Abaz Dojaka mbeti dhe do të mbetet i rrënjosur në kujtesën e çamëve si prijësi shpirtëror i idealit të tyre… Burrë i urtë kuvendesh, personalitet që ia vlen ta kujtosh figurën e tij e ta vendosësh me shumë respekt në panteonin e kombit shqiptar…

Abaz Dojaka, si etnograf e studiues, la pas shumë vepra, prej të cilave mund të përmenden:

1. "Veshje Popullore në rrethin e Kolonjës, studime, 1962.
2. "Enë dhe orendi të Labërisë", studime, 1963,
3. "Mjetet e peshkimit në Bregun e Bunës", studime, 1966.
4. "Dasma çame", studime, 1966.
5. "Pozita e gruas në familje në zonat malore të Shqipërisë", 1968
6. "Pozita e gruas në familje e shoqëri në krahinën e Zagorisë", 1969.
7. "Arti Popullor në Shqipëri", përmbledhje studimesh, 1976.
8. "Dasma në Shqipëri", studime, 1983.
9. "Veshje Popullore Shqiptare", studime, 1985.
10. "Struktura dhe organizimi i familjes, Shpati i Sipërm", studime, 1987.
11. "Veshjet popullore në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës", studime, 1988.
12. "Fakte prej tragjedisë çame", studim, 1991, etj., etj.

Shefki Hysa

Marrë nga libri "Diplomaci në kufi vetmohimi" (Zhvillime të çështjes çame) i autorit Shefki Hysa, Tiranë, 2008.

Wednesday, January 30, 2008

Nga Vitore Stefa-Leka

Ylli që flakëron
(Në kujtim të komandant "Shpendit")

Para disa ditësh më erdhi një libër nga Shqipëria. Jam aq e emocionuar sa nuk po e lëshoj dot nga dora. Flet për nje yll të pa shuar që sot nuk është më… Një djalë që e kam takuar dy herë në jetën time… Një trim me fletë, një njeri i rrallë…

Librin ma dërgoi miku im, Ing. Bardhyl Llagami, i cili gjithë përmbledhjen me poezi, ia dedikon djalit të tij Skerdilajd Llagami, që u shfaq si një yll që flakëroi dhe vazhdon të lëshojë dritë edhe mbas vdekjes së parakohshme…Një tufë me poezi… Besoj se është libri i parë në vargje që shkruhet nga dora e një babai për të birin... Libri i parë me poezi që një prind shkruan për djalin e tij të vetëm, Atdhetarin sy pa trembur, i cili ia përkushtoi jetën e tij çështjes kombëtare dhe bëhet themel-gjaku për Atdheun… Këto poezi, në vend të penës, janë shkruar e larë me lot!…
Skerdilajd Bardhyl Llagami u lind në Tiranë më 31 tetor 1969, në një familje të vjetër qytetare tiranase. Nga kjo derë e këtij fisi, kanë dalë shumë intelektualë, pjesa më e madhe e të cilëve janë diplomuar për drejtësi e gjuhë. Skerdi ishte fëmija i parë i ing. Bardhyl Llagamit. Që në bankat e shkollës së mesme "Myslym Keta" Skerdi shquhej për fizikun e tij dhe i nxitur nga i jati, filloi të merrej me sport, me ushtrime të ndryshme sportive dhe premtonte rezultate të larta në garat e vrapimit në atletikë…Nuk e vazhdoi më tej këtë lloj sporti, por u fut në punë në kombinatin e tekstileve ku i jati fillimisht ishte si inxhinier e më vonë u bë kryeinxhinier i atij kombinati… Që në hapat e para të rënies së diktaturës, ashtu si pjesa më e madhe e popullit dhe rinisë, u përfshi në proceset demokratike, duke qenë përkrahës i lëvizjes së dhjetorit dhe në vitet më vonë, u bë një nga veprimtarët e njohur të Partisë Demokratike… Krahas këtyre angazhimeve, Skerdi nuk e la pas dhe pasionin e tij për sportin!

Fiziku i tij u bë shkak që e morën si efektiv në forcat speciale (BRISKU) ku u shqua për vigjilencë. Në vitin 1999, Skerdi u largua nga Shqipëria, pa lajmëruar asnjë nga pjesëtarët e familjes. Skerdi nga natyra ishte shumë i dhibmsur dhe i ndjeshëm. E dinte debulesën prindërore! Si djalë i vetëm që ishte, prindërit nuk do ta linin të shkonte në lufte. Ai prekej shumë nga vuajtjet dhe mjerimi i të tjerëve, Duke parë në televizor shpërnguljen masive që po i bëhej vëllezërve të një gjaku, vëllezërve kopsovarë, duke parë tablotë rrënqethëse të masakrave serbe ndaj një popullsie të pafajshme, Skerdi u largua për t'ju bashkangjitur rradhëve të UÇK-së. Kaluan ditë, jave e muaj që familja nuk kishte asnjë lajm për Skerdin… Prindërit dhe gjithë fisi nuk lanë vend duke pyetur për të mësuar ndonjë lajm për "zhdukjen" e Skerdit… Ngushëllonin ndonjëherë veten duke thënë se mos ka ikur jashtë të punojë si shumë të rinj të tjerë, po secili vetëm me gojë e thoshte se thellë në shpirt kishin parandjenjën se ai ishte atje, krahë për krahë me trimat e UÇK-së.Disa muaj më vonë, duke ndjekur si gjithmonë lajmet e luftës, në një intervistë që iu bë një të riu shqiptar, Dritan Dyrmishit, në një pyetje që ju be, se kush ishin luftëtarë të tjerë nga Shqiperia, ai u pergjegj: Skerdilajd Llagami, komandant i batalinonit, që gjendet atje ku vdekja është më e sigurt.

Pas kaq muajsh morën frymë lirisht në shtëpi, kur mësuan që të birin e vetëm e kanë gjallë.Emri i Skerd Llagamit ishte bërë shumë i njohur në UÇK për guximin, trimërinë dhe shpirtin e tij luftarak, që kishte treguar në të gjitha betejat e sidomos në zonën e rrafshit të Dukagjinit, ku ai ishte caktuar si komandant batalioni (Komandant Shpendi).Dhe pse familjaret e mësuan edhe vendndodhjen, nuk po arrinin të komunikonin me telefon, Kjo gjë vazhdo për muaj me rradhë.
Lufta mbaroi dhe Skerdi nuk po kthehej në shtëpi. Ankthi te pjesëtarët e familjes, sidomos te nëna e tij, ishte bërë i pa duruar. Vetëm në shkurt të vitit 2001, babai dhe nëna, ia dëgjuan për herë të parë dhe të fundit zërin djalit të tyre 33 vjeçar! Fliste nga lugina e Preshevës. Kishte vazhduar t’u bashkangjitej forcave çlirimtare aty. Midis atyre pak fjalëve që shkëmbyen, Skerdi u tha prindërve që të mos mërziteshin se së shpejti do kthehej në Tiranë, sapo të mbaronte disa pune. Lufta nuk ka mbaruar akoma u tha…

Po dhe pas përfundimit të luftimeve në luginën se Preshevës, Skerdi nuk u kthye në Tiranë, siç premtoi, po u vendos në malet e Sharrit mbi Tetovë ku sapo ishte krijuar UÇK-ja e shqiptarëve të Maqedonisë. Skerdin e caktuan me detyrën e komandatit në një njësi speciale. Ai mori pjesë në disa luftime, ku shquhej për trimërinë e tij të rrallë.

Më 29 qershor 2001 ra duke luftuar heroikishte në fshatin Begovi, afër Tetovës, në përleshje me forcat e Ministrisë së brendshme të Maqedonisë. Pas vrasjes së tij, njësia mori emrin e komandant "Shpendit". Komandanti që u kthye në legjendë! Djali bukurosh që dinte të komunikonte me të gjithë, që ishte i dashur me miqtë e shokët, por shumë i ashpër dhe i hekurt me armiqtë e popullit.

Pra komandant "Shpendi" u varros me nderime shumë të mëdha nga shokët e luftës aty ku u vra. U varros rrëzë malit të Sharrit, afër një xhamije, ku çdo ditë do gjesh lule të freskëta nga shokët dhe miqtë e tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve që dhanë jetën për Kombin!I përjetshëm dhe i pa harruar kujtimi i Skerdilajd Bardhyl Llagamit!…

Poezi nga libri "Krahët e Shpendit"

Nga Bardhyl Llagami

Guri i themelit

Në Tiranë s'të harrojnë
Shkollat edhe bangat,
"Brisku", shokët të kujtojnë,
Kur luftove bandat.
Ishte nëntëdhjeteshtata,
Vendi përpak humbi,
E stërgjatë ishte nata,
Pillte rreshje plumbi.
Po ti bir, ti, ku flije?
Dit' e natë përmbi tank,
Syri të kishte marrë hije,
Balli, gjak e plagë.
Të kujtohet, moj Koshare,
Predhat kur lëronin vendin,
Ato binin me batare
Ato donin "Shpendin".
Të ndërmendet Dukagjini,
Djali me kallash në dorë,
Netëve gjer në agim,
Nëpër malet me dëborë.
Moj Gjakov' e papërkulur,
Kush të pa, s'të deshi ty?
Në Pashtrik s'rri më ulur.
Porse zemra bash aty!
Ti lugina e Preshevës,
Moj lugin' e madhe,
E ke parë para predhës?
Hidhej një sorkadhe!…
Dobrosini e mban mend,
Kur sulmonte "Shpendi",
Kundratanku si u "çmend",
Si buçiti vendi?
O ju fusha e lugina,
Erdha dhe ju pashë,
"Erën kurrë mbrapa shpinës"
Amanet, ju lashë!…
Mos u nis prapë në luftë,
Thanë shokët në Prizren,
"Shtatë lufta po të bëhen,
Do t'i bëj për vendin tim".
Moj Tetovë, lum si ti,
Sa Petrita, sa luanë,
Rrëzë Sharit ku rri ti,
Shqipërinë në zemër kanë.
Nëpër ëndrra ti na del,
Je në zemër, përmendore,
Mbete guri në themel
I kështjellës Arbërore!...

Monday, January 21, 2008

Bandat e Napolon Zervës kthejnë në thertore Paramithinë çame
(Arkivat për masakrën çame)

1
Qershor 1944. Masakra në Paramithi


Masakra e forcave të Zervës në Parathimi të Çamërisë, është një ndër më të përgjakurat në kalvarin e përgjakur biblik të një popullsie të përzënë me dhunë nga trojet autoktone. Dëshmitarë të mbetur nga kjo masakër, arkivat shqiptare e të huaja, si dhe botime të studiuesve të njohur europianë mbi këtë tragjedi, kanë lënë dëshmi të shumta rrëqethëse, për atë ngjarje të rëndë. Ja njëra prej tyre: "Komanda e lartë e EDES-it, më 24 dhe 25 qershor 1944 ju drejtua çamëve me thirrjen që, edhe nëse do të pushtohej Parathimia nga forcat greke, çamët myslimanë dhe të krishterë do të vazhdonin të bashkëjetonin në paqe e në vëllazëri. Më tej, thirrja kërkonte që sapo grekët të hynin në qytet, çamët të dorëzonin armët që kishin...
Edhe Peshkopi i Parathimisë i drejtoi një mesazh popullsisë myslimane çame ku thuhej se, pas çlirimit të vendit dhe largimit të pushtuesit gjerman, pa dallim feje e kombësie, do t’i vinte paqja e siguria.
...Pushtimi i qytetit të Paramithisë nga bandat e Zervës, nuk solli as paqe, as siguri për shqiptarët. Ndaj tyre u përdor një terror i paparë dhe u bënë krime të padëgjuara... Krimet e pashembullt të banditëve zervistë do t’i kishin zili dhe nazistët më kriminelë e më të pashpirt. Qyteti i Paramithisë, brenda disa orëve, u kthye në një thertore të grave e fëmijëve, djemve e vajzave që e donin jetën dhe që ëndërronin për një Çamëri të lirë dhe në harmoni me të krishterët. Qyteti u mbyt në gjak, u përfshi nga tymi e flakët, ndërsa banditët e pashpirt të kasapit të Çamërisë, të dehur nga aroma e gjakut të pafajshëm çam, hidhnin vallen makabre mbi kufomat, (Vas Krapsitis, "Oi mousolmanai...", faqe 159-160).
Por fatkeqësisht, fatin e Parathimisë, në pak kohë do e kishin dhe qytete e fshatra të tjera të Çamërisë, që mes vrasjeve, dhunës e masakrave çnjerëzore u dëbuan nga trojet e tyre…

2
Sipas Hajredin Isufit


(Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me besëlidhjen çame, për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, si dhe masakra e bandës së Napolon Zervës në qytetin e Parathimisë)...
Pas kasaphanës që kryen bandat e Napolon Zervës në Paramithi, Napolon Zerva me shtabin e EDES-it e në konsensus të plotë me oficerët britanikë, do të fillonte kundër popullsisë myslimane spastrimin etnik brutal. Këtë fakt, siç vë në dukje historiania, G.Kretsi: "Pas pushtimit të Paramithisë sinjali për dëbimin e çamëve ishte dhënë. Në konsensus të plotë të EDES-it me oficerët britanikë, filloi spastrimin brutal etnik", (G.Kretsi, "The Secret Post of the Greek-Albanian...", f.182-183).
Arkivat që zbulohen tani vonë dhe botimet bashkëkohore, tregojnë për prapaskenat e kurdisura për shfarosjen e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë. Në këtë kuadër, del gjithashtu se sa djallëzore dhe keqdashëse ishin "garancitë" që jepte Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
...Përpjekja e shumë të krishterëve për t’iu gjendur pranë myslimanëve në momente të vështira, është shprehje e lartë solidariteti, që shpreh dashuri dhe respektin e krishterëve ndaj myslimanëve. Burimin e vërtetë të saj e gjejmë tek marrëdhëniet e tyre, që tradicionalisht kanë qenë shumë të mira, pavarësisht nga presionet politike të qarqeve të caktuara, që synonin përçarjen e këtyre dy komuniteteve.

3
Dhimbja e të krishterëve për bashkëkombësit myslimanë

Nga mesi i muajit maj të vitit 1944 tensionet politike në Çamëri u rritën. Forcat e EDES-it ishin afruar në rrethinat e Paramithisë dhe përbënin një kërcënim serioz për popullsinë myslimane shqiptare të Çamërisë. Në këto rrethana, shumë familje shqiptare të fshatrave në rrethinat e Paramithisë, Gardhiqit, Dhragomisë, Skupicës, Karbunarit, Nihorit, Mininës, Vratilës etj., u detyruan të lenë fshatrat e tyre dhe të shkonin për t’u strehuar në zonat çame, që ishin pranë kufirit shqiptaro-grek. Komanda e lartë e EDES-it, më 24 dhe 25 qershor 1944, i bëri thirrje popullsisë myslimane të qytetit, që të mos lëvizte nga qyteti se "pas largimit të pushtuesve, popullsia, pa dallim feje e kombësie do të jetonte në paqe e në qetësi" . Në atë deklaratë Napolon Zerva u premtonte shqiptarëve, se "nuk do t’u prekej as jeta, as nderi dhe as pasuria", ( Krapsites, "Oi moussulmanci tsamides tes Thesprotias", Athinë, 1986, f.128 e tutje).
Kjo thirrje mbushi me shpresa zemrat e zhuritura të popullsisë çame e për pasojë, një pjesë e mirë e tyre nuk u largua nga shtëpitë e tyre. Madje shumë banorë myslimanë, bashkë me të krishterët, bashkëqytetarë të tyre, të prirë nga dhespoti i Paramithisë dhe myftiu i qytetit, Sali Afuzi, i pritën në hyrje të qytetit forcat e EDES-it me këngë e vallë, më 27 qershor 1944.(J.Sarras, vep.e përm., f.661).
Aristidh Kranja, komandanti i Regjimentit XVI të EDES-it, në pasditen e 27 qershorit, ftoi në një mbledhje në shkollën e qytetit myftiun e Paramithisë dhe gjithë myslimanët e qytetit, për t’iu përcjellë "një mesazh paqësor". Ftesa u prit me kënaqësi nga banorët e komunitetit mysliman dhe përfaqësuesit e saj. Shkolla ishte mbushur plot e përplot. Në fytyrat e shqiptarëve lexohej gëzim dhe kënaqësi, se më në fund kishte ardhur dita e shumëpritur për të jetuar në paqe e harmoni me të krishterët dhe të çliruar nga pushtuesit e huaj. Ishte kjo arsyeja, që kur hyri Aristidh Kranja në sallën e madhe të mbledhjes, u prit ngrohtë dhe me duartrokitje të gjata. Ai, në këtë tubim u deklaroi të pranishmëve se për myslimanët e të krishterët e Çamërisë do të niste një jetë e re, ku do të mbretëronte paqja dhe harmonia dhe se çamët do të gëzonin të gjitha të drejtat dhe liritë qytetare.

4
Reprezalja e Zervas në Paramithi


Në kohën kur Kranja u premtonte myslimanëve paqe dhe barazi me të krishterët, forcat zerviste kishin filluar dhunën dhe reprezaljet kundër myslimanëve në qytetin e Paramithisë. Dëshmitë e të mbijetuar dhe arkivat e kohës, e veçojnë ndër barbarizmat më të egra të shekullit në Ballkan e më gjerë. "Pamjet ishin të tmerrshme: grabiteshin shtëpitë e myslimanëve, rrëmbeheshin gra e vajza që pasi përdhunoheshin, masakroheshin në mënyrë çnjerëzore. Ndërkohë edhe ndaj burrave myslimanë, që ishin mbledhur në shkollën e qytetit, para syve të Kranjës, nisi një valë e egër terrori. Ndër viktimat e para të shqiptarëve në Paramithi, ishte myftiu, Sali Afuzi, me të dy djemtë e tij, Mit`hatin dhe Nuhun, ndërsa të shoqes së myftiut, Nairesë, i prenë kokën me hanxhar dhe bijës së saj, Fatimesë, 11-vjeçare, e përdhunuan përpara nënës dhe më pas e masakruan duke e lënë gjysmë të vdekur, (V.Krapsites, "Oi mussulmanoi", f.131) .

5
Grekja Ringers mbron myslimanët çamë


Historiani Jani Sarras, duke trajtuar në veprën e tij pushtimin e Paramithisë nga forcat e EDES-it, shkruan se marrja e Paramithisë nga EDES-ët ishte fatale dhe tragjike për minoritetin shqiptar çam. Likuidimi e çrrënjosja e këtij minoriteti nga trojet e të parëve të tyre, nga vetë atdheu i tyre, ishte i pashmangshëm. Edeisti paramithjot, Vasil Krapsiti, duke përshkruar në veprën e tij dramën e myslimanëve të shkaktuar nga forcat e Napoleon Zervës, jep edhe një detaj tepër interesant. Ai tregon se, më 27 qershor 1944, ngriti në qytet një Gjykatë Speciale Ushtarake, në përbërjen e së cilës ishin: Kryetar, A.Kranja; anëtarë, Muskunaqis Kostandinis dhe juristi, Kristo Stravopullos, të cilin ato ditë Komanda e Lartë e EDES-it e kishte graduar me gradën e Kapitenit, për të gjykuar 35 myslimanë nga paria e Paramithisë, me një akuzë tepër të rëndë: "Qytetarë grekë që kishin ngritur armët kundër atdheut..." . "Gjykimi i fajtorëve pa faj" bëhej në një vend publik, ku ishin grumbulluar jo vetëm të krishterët e qytetit, forcat zerviste e paramilitare, por edhe banorët e fshatrave të krishtera përreth. Komanda zerviste ishte treguar tepër e kujdesshme në thirrjen e grumbullimin e të krishterëve, për t’u treguar atyre dhe opinionit të gjerë, se dënimet do të ishin tepër të rënda ndaj "kriminelëve" që "i kishin shkaktuar aq dhembje e plagë" popullsisë së krishterë. Çamët që ishin rreshtuar në bankën e të akuzuarve, me duar të shtrënguara nga prangat e hekurave dhe të rrethuar nga shumë civilë e ushtarakë të armatosur, ndiqnin me qetësi britmat që lëshoheshin nga salla, nga njerëz të panjohur, që nuk dinin as emrat e të "akuzuarve". Për 35 çamët që po gjykoheshin, ngriheshin një det me akuza si pjesëmarrës në masakrën e 29 shtatorit 1943, ku forcat gjermane masakruan 49 të krishterë të pafajshëm, midis të cilëve edhe priftin Teamatos Pan, si dhe Athanas G.Ringen, djegien e plaçkitjen e fshatrave greke, bashkëpunim me pushtuesin etj.
Trupi gjykues dhe të pranishmit në sallë u përballën me një të papritur. Kur dukej se procesit po i vinte fundi dhe pritej vendimi i dënimit, nga mesi i turmës të pranishme në sallë, u ngrit në këmbë një grua, që të gjithë qytetarët e Paramithisë, myslimanë e të krishterë, e njihnin si zonjën e nderuar të familjes së madhe të Ringenjëve, një familje me emër në tregti dhe në politikë, e njohur në të gjithë Greqinë. Ajo ishte Maria, e shoqja e Themistokli Ringes, e cila iu drejtua trupit gjykues me një ton disi të fortë, që shprehte protestën e saj ndaj akuzave pa baza që hidheshin ndaj atyre që akuzoheshin si kriminelë e vrasës: "Nuk jam as në rolin e avokatit mbrojtës, as në mbrojtje të fajtorëve, as për t’i akuzuar për ato që nuk kam dijeni. Unë dua të flas vetëm për njërin që keni nxjerrë në bankën e të akuzuarve", tha ajo, duke e drejtuar gishtin drejt Fadil Bakos. Të pranishmit dhe trupi gjykues pritnin se çfarë do të thoshte ajo dhe ç’prova do të sillte, që do të rëndonin again mysliman të Paramithisë. Zonja Maria, pasi mori frymë thellë, iu drejtua të pranishmëve: "E njihni ju cili është z.Fadil Bako? Ai është bashkëqytetari ynë, një njeri i ndershëm, bamirës dhe fisnik, mik i të krishterëve në ditë të vështira. Unë deklaroj para jush se Fadil Bako ka ndihmuar familjen e Ringenjve, si dhe shumë familje të krishtera paramithjote, me bukë e ushqime, duke i marrë në mbrojtje në ditë të vështira, kur jeta e tyre ishte në rrezik", (V.Krapsites, "Oi mussulmanoi", f.131).

6
Pushkatohen 24 çamë. Paramithia në flakë


Pas kësaj deklarate të Maria Ringers, që ra si bombë përpara trupit gjykues dhe kriminelëve të tjerë që kishin mbushur sallën e donin shfarosjen e shqiptarëve, zonja Maria doli nga salla.
Deklarata e guximshme e zonjës së Ringenjve, bëri që në fundin e procesit gjyqësor, Fadil Bako të shpallet i pafajshëm e të lirohet, ndërsa 34 çamët e tjerë u ekzekutuan brenda asaj nate. Qyteti i Paramithisë, brenda disa orëve u kthye në thertore të grave, burrave dhe fëmijëve, djemve dhe vajzave, që e donin jetën dhe ëndërronin për një Çamëri të lirë dhe në harmoni me të krishterët. Qyteti u mbyt në gjak, u përfshi nga tymi e flakët, ndërsa banditët e pashpirt të kasapit të Çamërisë, të dehur nga aroma e gjakut të pafajshëm çam, hidhnin valle makabre mbi kufomat.
Të krishterët e fshatit Draganj, sapo mësuan për të vrarët dhe krimet që ishin kryer në Paramithi, ashtu edhe për emrat e kriminelëve që kishin kryer masakrat, informuan parinë e myslimanëve të kazasë së Margëlliçit që të merrnin masa mbrojtëse dhe të mos u besonin premtimeve të Napoleon Zervës dhe të njerëzve të tij. Ndërkohë, opinioni i shëndoshë i të krishterëve të rajonit të Çamërisë, ishte shumë i indinjuar për krimet që kryenin bandat kriminale të edeistëve dhe përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’u vinin në ndihmë myslimanëve shqiptarë në Çamëri. Kështu p.sh., kur forcat edeiste po i afroheshin Pargës dhe Gumenicës dhe marshonin drejt Filatit, u aktivizuan mjaft të krishterë për mbrojtjen e myslimanëve.
Përballë masakrës, çamët në krah të njëri-tjetrit
Por çamët e krishterë, (që për momentin nuk u prekën nga Zerva, por më vonë do të kishin të njëjtin fat si bashkëkombësit myslimanë), e përjetonin me dhimbje tragjedinë e vëllezërve të tyre myslimanë, duke bërë të pamundurën për t’u shpëtuar jetën. Shembulli i mëposhtëm është shumë kuptimplotë.
Ilia, nga fshati Sidher, shkoi menjëherë te vëllami i tij në fshatin Galbaq dhe me lot në sy i thotë: "Myslimanë e të krishterë, jemi të gjithë vëllezër. Unë jetën e kam nga ti, vëllai im. Atë që ke bërë ti vëlla Abaz, nuk mund ta bëj unë. Edhe vëllezërit e tjerë të krishterë të Sidherit ju mbështesin dhe ju përkrahin juve myslimanëve të një gjaku të Galbaqit. Më besoni sa ngushtë e ndjej veten unë dhe sidherjotët e tjerë, që nuk mund t’i bëjmë ballë egërsisë së kriminelëve të Zervës. Ata janë betuar për të mos lënë këmbë çami mysliman në Çamëri. E them me dhembje, por për të shpëtuar duhet të largoheni për në Shqipëri...".
Lidhur me këtë, një nga të mbijetuarit, i moshuari Abaz Mezani tregon: "Vepruam ashtu siç na porositi vëllami im, Ilia. Morëm familjet dhe tërë fshati mori rrugën e emigrimit për të shpëtuar nderin dhe jetën e pjesëtarëve të familjes, duke lënë prapa gjithçka që patëm vënë me mund e djersë, ne dhe të parët tanë", (dëshmi gojore e A.M.)
Ajo që po ndodhte, veçohet si një ndër barbarizmat më të egra të shekullit në Ballkan e më gjerë. Pamjet ishin të tmerrshme: grabiteshin shtëpitë e myslimanëve, rrëmbeheshin gra e vajza që pasi përdhunoheshin, masakroheshin në mënyrë çnjerëzore. Ndërkohë edhe ndaj burrave myslimanë, që ishin mbledhur në shkollën e qytetit, para syve të Kranjës, nisi një valë e egër terrori.
Të krishterët e Çamërisë, ishte shumë i indinjuar për krimet që kryenin bandat kriminale të edeistëve dhe përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’u vinin në ndihmë myslimanëve shqiptarë në Çamëri. Kështu p.sh., kur forcat edeiste po i afroheshin Pargës dhe Gumenicës dhe marshonin drejt Filatit, u aktivizuan mjaft të krishterë për mbrojtjen e myslimanëve.

7
Arkivat për masakrën ndaj Çamërisë, internimet që paraprinë spastrimin etnik


Qarqet shoviniste greke, para se të fillonin shpërnguljen e dhunshme të çamëve nga tokat e tyre autoktone, piku i së cilës u realizua në vitin 1944, sipas arkivave, ndërmorrën një sërë masash të tjera ndaj popullsisë së pa mbrojtur e krerëve të rezistencës çame. Sipas dokumentave arkivore dhe kujtimeve të të mbijetuarve çamë nga kjo masakër, krahas dhunës, mohimit të të shkollimit e gjuhës shqipe, nxitjes së armiqësisë mes besimetarëve myslimanë e ortodoksë, u përdorën pasivisht edhe internimet. Ja një nga dëshmitë e arkivave: "...Grekët e mençur nuk u pajtuan me veprimet shoviniste që ndërmerrte qeveria e Metaksait kundër popullsisë çame. Kristo Pituli, një nga personalitetet më në zë në Çamëri, mik dhe bamirës i shumë fshatarëve çamë, kur pa se komandanti i korofillaqisë i mblidhte burrat eparisësë Grikohorit për ti i internuar, i tha:"Ju jeni i huaj. Sot ju kemi këtu, nesër do të shkoni. Ne do të rrojmë së bashku me këta dhe ne do ti paguajmë pjatat e thyera... Internimi i parë u pasua më 4 gusht 1940, nganjë valë tjetër më e madhe, që përfshinte meshkujt çamë të moshës 17-70 vjeç.(Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jshtëme të Shqipërisë. Dos.38, viti 1944, f.20; Nik.G.Ziagkos, "Anglikos", vepra e përmb. Vëllimi I, f.138).
Njëkohësisht, referuar arkivave, internimet rnimet parapriheshin nga masakra çnjerëzore. "Në qendrat kryesore të Çamërisë si në Filat, Paramithi, Gumenicë, Pargë e Margëllëç, u krijuan komisione të posaçme nga administrata greke, të cilat hartonin listat e çamëve që do të shfaroseshin si dhe të çamëve të tjerë që do të grumbulloheshin nëqendra të veçanta larg territorit çam. Operacionin për ekzekutimet dhe interniminçamëve e drejtonte prefekti i Gumenicës, Vasil Llakos. Shembull domethënës është rasti i vrasjes së Bido Dules me dy djemtë e tij 22 dhe 25 vjeç. Para se ta vrisnin, xhelatët e detyruan Idrizin të hapte një gropë të përbashkët për djetë e masakruar para e në sy të tij... Ndërkohë, shtëpitë e pronat e çamëve vazhdonin të vidheshin e digjeshin...(J. Sarros, Vepra e përmb... faqe 631-632)

8
Çamët e krishterë shpëtojnë nga pushkatimi 500 gra e fëmijë myslimanë


Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me besëlidhjen çame, për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, solidaritetin fetar mes komunitetit çam, nisjen masive të spastrimit etnik, mbështetjen e qarqeve përparimtare vendase, si dhe mbrojtjen e 500 grave e vajzave të Filatit nga pushkatimi i bandave të Napolon Zervës.
Historia e marrëdhënieve të çamëve myslimanë me të krishterët gjatë pushtimit fashist të Greqisë, duhet parë, gjykuar dhe vlerësuar mbi bazën e dokumentacionit të gjerë të kohës si dhe të vërtetave të pamohueshme. Është fakt i njohur se në këtë kohë çamët myslimanë dhe të krishterët u gjendën në krah të njeri-tjetrit për t'u mbrojtur nga elementët keqbërës dhe të pandërgjegjshëm. Masat e para të parisë së fshatrave myslimanë e të krishterë filluan që në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Duke u mbështetur në traditat e hershme shqiptare, midis tyre u krijuan besëlidhje.

9
Besëlidhjet çame


Besëlidhja e parë midis myslimanëve e të krishterëve ishte ajo që u krijua në kazanë e Margëlliçit, në vitin 1940. Sipas kësaj besëlidhjeje, fshatrat myslimane të Margëlliçit dhe fshatrat e krishtera të Frarit, Shenicës, Livadhiasë, Llurit etj., do të zinin pozicione të përbashkëta, për të sprapsur çdo kërcënim që do t'u vinte fshatrave të tyre. Madje u caktuan dhe pikat ku do të ziheshin pozicionet. Vijat mbrojtëse do të ishin në vendin e quajtur Fuzjat, një pikë strategjike që kontrollonte çdo hyrje e dalje ne atë zonë, si dhe vijën Arpice-Aji.
Besëlidhja u shtri edhe në mes të fshatrave të kazasë së Paramithisë, si dhe në mes të fshatit Kurtes dhe fshatit të krishterë Draganj.
Një besëlidhje e fuqishme ishte edhe ajo e krijuar në kazanë e Filatit; madje që në kohën e sundimit osman. Në lindje të qytetit të Filatit kishte katër fshatra të krishtere: Fanasomeri, Finiqi, Jeromeri dhe Sidheri, që njiheshin me emrin KALLOHOR (fshatra të mira). Banorët e krishterë të këtyre katër fshatrave dalloheshin si njerëz punëtorë e të ndershëm, bujarë e mikpritës dhe shumë korrektë me myslimanët. Në vitin 1940, kur qeveria bëri internimin e parë të parisë së myslimanëve të Çamërisë, disa të krishterë të fshatrave të thella të Filatit menduan se u erdhi çasti i volitshëm për të plaçkitur pasurinë e familjeve çame të pambrojtura. Ishin fshatarët e krishterë ata që i morën në mbrojtje fshatrat myslimane të Filatit dhe me ndërhyrjen e tyre, u arrit që të mbroheshin shumë familje myslimane…

10
Masakra greke vazhdon:

Paria e të krishterëve në Çamëri, e frymëzuar nga dëshira për të bashkëjetuar në harmoni dhe në një fqinjësi të mirë me minoritetin çam jo vetëm mori në mbrojtje çamët myslimanë nga elementët keqbërës, por shkoi edhe më tej. Kështu p.sh., Kristo Pituli, përfaqësues i njërës prej familjeve krishterë më në zë të Çamërisë dhe në të gjithë Greqinë, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Metaksait kundër minoritetit shqiptar çam, shkoi në fshatin Grikohor, pranë miqve të tij myslimanë dhe me sa do të mundte, do të dilte në mbrojtje të tyre. Ai aty gjeti komandantin e Korofillaqisë së rajonit, Vardhallaqin, një grek nga thellësitë e Greqisë, i sapoemëruar në postin e Komandantit të Rajonit. Kristo Pituli, kur mësoi se misioni i komandantit të Korofillaqisë në fshatin Grikohor ishte për të arrestuar parinë e fshatit e për t'i nisur menjëherë në internim, iu drejtua:
- Komandant! Ç'e mirë të solli në këtë fshat, që ka vetëm njerëz të mirë e punëtorë?
- Punët e qeverisë, zoti Pituli,- iu përgjigj ai.
- Përpara sesa ju të kryeni urdhrat e verbra të qeverisë, të na pyetni edhe ne, që kemi njohje të gjatë dhe bashkëjetesë shekullore me ta. Ku i gjetët ju këta elementë të rrezikshëm, që i keni futur në listat tuaja të zeza dhe kërkoni t'i internoni? Nëse jam unë i rrezikshëm për qeverinë greke, aq janë të rrezikshëm çamët e Grikohorit dhe të gjithë Çamërisë,- iu drejtua Kristo Pituli.
Më pas, vazhdoi: "Vendimi që keni marrë për të internuar myslimanët e këtij fshati, nuk është i drejtë. Ju jeni të huaj. Sot jeni këtu, nesër shkoni, ndërsa ne kemi rrojtur e do të rrojmë së bashku me ta. Ne nuk duam që gjynahet tuaja t'i paguajmë ne", (Jani Sarras, vep.e përm., f.617).

11
Si nisi spastrimi masiv i Çamërisë

Në skelën e vogël të limanit të Gumenicës, ishin grumbulluar elita e çamëve nga Filati, Paramithia, nga Grikohori e Varfanji, nga Margëlliçi e Nista, nga Skopjona e Vrohonaji, nga Dolani e Globoçari, nga Versela e Peshtani, nga Grava e Luarati etj. Priteshin vetëm anijet greke, që të niseshin për në ishujt e largët të Greqisë.
Kristo Pituli dhe shumë të krishterë të tjerë të mençur, i shihnin të brengosur këto skena të turpshme të qeverisë greke. Në kohën kur shumë nga miqtë e tij çamë i kishin prerë lidhjet me familjet dhe të afërmit e tyre dhe të dëshpëruar pritnin nisjen, që nuk e dinin se ku do të përfundonin, në mes tyre shkon Kristo Pituli. Ai përqafohet me ata që ishin pa asnjë mbrojtje, u jep kurajë dhe ndërkohë fut duart në xhepat e tij dhe pa e parë njëra dorë se ç'kishte tjetra, u thoshte me zë të ulët: "Merri se mos të duhen rrugës". Dhe për të mos i prekur agallarët e vendit në sedër, shtonte: "Jo se zotrote nuk ke, por nuk e keni menduar se do të niseshit për larg"...
Internimi i çamëve bëri që popullsia e mbetur në Çamëri dhe kryesisht gratë, fëmijët e të moshuarit, të përballen në raste sporadike me dhunën e plaçkitjet nga elementë të veçantë të krishterë. Por, njëkohësisht, të dallojë e të jetë në një mbrojtje e dashamirësi masive të komunitetit të krishterë në fshatrat e qytetet e Çamërisë.

12
Si u mbrojtën nga pushkatimi 500 gra e fëmijë çamë


Përpjekjet e qarqeve shoviniste greke asnjëherë nuk arritën që me propagandën e tyre ta zëvendësonin dashurinë dhe respektin e sidheriotëve për myslimanët, me urrejtje e dasi fetare. Përkundrazi. Të krishterët e fshatit Sidher asnjëherë nuk u pajtuan me qëndrimet antinjerëzore e barbare, që ndërmorën forcat qeveritare greke dhe bandat e Napolon Zervës. Sidheriotët e ndiqnin me dhembje e dëshpërim dramën çame dhe përpiqeshin të ishin pranë tyre edhe në momentet e vështira, për t'u ardhur në ndihmë. Sidheriotët, kur mësuan se bandat e Napolon Zervës bënin reprezalje mbi popullsinë çame në Filat, duke vrarë gra, plaka e fëmijë apo përdhunonin vajza e nuse të reja, u ngritën në mbrojtje të popullsisë së pambrojtur myslimane. Kur sidheriotët mësuan se në shkollën e Filatit ishin izoluar 500 gra e fëmijë çamër dhe nga çasti në çast përgatitej nga edeistët ekzekutimi i tyre në një varr masiv, burrat dhe gratë e Sidherit u rreshtuan para shkollës dhe me këmbënguljen e tyre të vendosur, deri në përleshje me forcat greke e paramilitarët, u arrit që viktimat të shpëtonin dhe të përcilleshin drejt kufirit shqiptar. Banorët e Sidherit, me qëndrimin e vendosur të tyre, arritën ta marrin për në shtëpitë e tyre në Sidher, gratë, vajzat dhe fëmijët myslimanë të fshatit Galbaq, që gjendeshin të izoluara në shkollën e Filatit.
Ndërkohë, sipas dokumenteve arkivore të kohës e dëshmive të viktimave të mbijetuara, paria e fshatit të Sidherit pas disa javësh, me anën e djemve të fshatit, i përcolli gratë e fëmijët drejt Sarandës...

13
Paralajmërimi i shpërfillur...

Fill pas masakrës që kryen bandat e Napolon Zervës kundër myslimanëve shqiptarë në Paramithi më 27 qershor 1944, paniku pushtoi gjithë banorët e Çamërisë. Sipas dokumenteve arkivore, Dhimitrulla, nje grua fisnike, e dërguar nga paria e Finiqit, shkon në Filat dhe lajmëron bashkatdhetarët çamë: "Të dashur vëllezër myslimanë! Jam e dërguar nga paria e Finiqit. Jam e porositur t'u them: Mos dëgjoni fjalët e askujt! Të gjithë ju duhet të largoheni si njerëz, se vendimi është se edhe macet tuaja do t'i zhdukin", ("Agapitemoi adhelfia othomani, ime opostelmeni apotin epitropi tou Finiqiou. Min akusete ta lloja tou kathena. Oli esis na fijete san anthropi, olla qe tis gatesas tha tin sfaksun...").
Musa Demi, një nga prijësit e Filatit dhe bashkëpunëtorët e tij e falënderuan vajzën për njoftimet që u përcillte nga miqtë e tyre dashamirës të krishterë dhe i thanë asaj t'u përcillte atyre mirënjohjen jo vetëm të parisë, por të gjithë myslimanëve të Filatit.
Paria e Filatit, me gjithë sinjalet tepër alarmuese që mori, nuk ndërmori asnjë veprim për të boshatisur qytetin dhe fshatrat dhe për të emigruar drejt Shqipërisë. Arsyeja ishte se informacionet që merrnin, ishin të turbullta dhe kontradiktore. Ato shpresonin shumë se krimet e Paramithisë nuk do të përsëriteshin në Filat, edhe për një fakt tjetër: Myftiu i Janinës kishte marrë premtimin nga Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Lambert, se çamëve do t'u sigurohej jeta, nderi dhe pasuria. Këtë na e bën të njohur historiania, Georgia Kretsi, një njohëse e mirë e problemit çam në vitet 1913-1960. Ajo ka shkruar: "Myftiu i Janinës iu lut Kryetarit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, që të ndërhynte për të liruar çamët që ndodheshin në kampet e përqendrimit të qytetit të Paramithisë e të Margëlliçit. Në vijim të artikullit të saj, historiania na bën të njohur përgjigjen që i jepet myftiut të Janinës, në gusht të vitit 1944, nga kryetari i Kryqit të Kuq, Lambert: (Georgia Kretsi, "The Secret.Post of the Greek-Albanian Borrlands. Cham muslim Albanians percpestives on a conflict over historical accountability and current rightes", artikull në "Ethnologia Balkanika", vol.6, viti 2003, f.183, cituar sipas Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë (AYE) 1943-1944/2, Lambert to the Comitte representing the muslims of Chameria, 08.07.1944).

Mblodhi: Vitore Stefa-Leka



Sunday, January 20, 2008

Axhem Çapo, njeriu–enciklopedi i Dukatit
(…Dukati sa gjysma e Misirit,/ shkruan prift’ i Manastirirt,/ i dërgon kartë Vezirit)…

Kur takon për herë të parë Axhemin ndjen njëherësh dy ndjesi: rishtimin që nuk e ke takuar pak më parë dhe e dyta për të patur një pasqyrë më shumë për të parë veten në këtë kohë të trazuar kur bibliotekat janë kthyer në diskoteka dhe kafene të pafund. Ndjen jo pak edhe një habi të dukshme njerëzore kur ballafaqon në të njëjtën kohë vitet që po shkojnë në kufirin e nëntë dekadave dhe asaj që shkruan ai në këtë kohë kur libri ende nuk është bërë pjesë e përditshmëirsë së rinisë dhe e të rriturve.
Enciklopeditë e Shqipërisë e të botës i ka filluar me emrin e tij. Natyrisht atëherë kur nuk e kishte menduar se do të bënte një gjë të tillë. Na thotë se ka zbuluar se emri "Axhem" vjen nga gjuha egjiptiane që do të thotë "Axhem-pilaf". Sidoqoftë emërtimi më i saktë që të vjen në mend për të është njeriu-enciklopedi. Jo, thjesht se ai kërkon që të bëjë enciklopedi me tërë atë punë të mundimshme, por edhe për atë dritëhije të jetës së tij interesante. Herë me pengje të stërmëdha e herë me ngazëllime që nuk i mbajnë fletët e bardha. Me një ngarendje hyjnore drejt dritave franceze të Nantës ku ka edhe statusin e një emigranti modern me të gjitha të drejtat që i jep Evropa (deri edhe një asistencë sociale për të dhe për gruan) e herë herë duke shkuar larg në Dukatin e tij që e ka lënë fizikisht që para …71 vitesh…
Gërmon. Gërmon në histori pa ndërperje Axhem Çapoi. Në kulturën e vendeve të tjerë merr atë që kanë ata më të mirë. Në folklorin e krahinës së tij që thotë se është më e pasura në histori në këngë, në mikpritje, në kaltërsi, në monumentet e natyrës që ajo ka. Aq sa në një libër thotë se me trupin e tij të listë është gati të përkulet në gjunjë si një fëmijë i përjetshëm para Dukatit të florinjtë. "Një copë baltë nga trojet e tua e shtrëngoj fort, fort në një qese ngado që shkoj." – thotë ai në faqen e fundit të një libri…
Ky rilindas i vonuar kërkon që t’i bëjë sfidë moshës, qaramanëve, pleqve që numërojnë ditët para vdekjes si ushtarët shënojnë ditët e kaluara në një rrip të lëkurtë.
Kur i kërkojmë që të na tregojë për planet e tij të së ardhmes ai thotë se ka mbaruar një libër për Napolin e Pompeun. E ka ndihmuar dhe e ndihmojnë edhe gjuhët e huaj frëngjisht, italisht, rusisht që ai i njeh mirë…
Po si e filloi të shkruante për herë të parë Axhemi?!… I kishte ardhur fundi boshtit të madh Romë-Berlin-Tokio. Po shkërmoqej nga tri fuqitë e mëdha të aleancës: SHBA, Bashkimi Sovjetik dhe Anglia. Shqipëria sapo e kishte fituar luftën. Po luftën tonë e njohën me mjaft vonesë edhe shtetet e tjera. Dhe Axhemi në moshën e tij të re merr frymëzimin e parë poetik dhe shkruan: "Më nëntë nëntor, ditë historike/ populli ynë në pritje rrinte./ Një popull i vogël me shumë trimëri, po njihet në botë e vogla Shqipëri…
Pra, Axhemi nisi të shkruante menjëherë sapo kishte lënë pushkën partizane. Dhe që atëherë në urimet e tij që do të fuste edhe nëpër librat, do të thoshte: "Për paqe e miqësi!"…
Të duket e çuditshme që një njeri të fillojë të botojë në moshën 74-vjeçare aq sa mund të ishte me plot gojën një rast i rrallë edhe në Evropë. Prej gati 20 vjetësh ai është kthyer në një urë të madhe kulturore mes Francës dhe Shqipërisë. Në Francë, (në Nantë), ai ka një rezidencë emigranti që e ka fituar me gjithë zonjën e tij nëpërmjet djalit, Tomit. Axhem Çapua i ka të gjitha ato që do t’i kishte një njeri në një moshë kur ai e kthen prapa kokën dhe nuk turpërohet për vitet, por natyrisht ka edhe pengjet e mëdha që nuk rregullohen më. Nuk e vazhdoi dot shkollën e lartë. I duhej shpesh që me teodolitin e gjeologut e të topografit markshedër të bridhte në shumë vende të Shqipërisë e në mbrëmje qoftë edhe në dritë llampe, të shkruante...
Nga Dukati u largua në qershor të vitit 1939 për të ardhur edhe shumë herë të tjera jo thjesht si vizitor në shtëpinë e tij, por për të bërë atë që bën edhe sot e kësaj dite: Të shkruante libra për Dukatin e Kosovën, për Çamërinë dhe mbarë Shqipërinë. Kërkoi një model, një brazdë. Po ecte në rrugë të reja, të pashkelura. Në raste të tilla duhet një kallauz, një model, një shembull, një nismëtar. Në asnjë fshat tjetër nuk gjeti një të tillë. Nuk ka tjetër si Enciklopedia e Dukatit. Me të gjithë problemet që ajo trajton është një risi. A kishte vallë ndonjë fshat një të tillë që ai të ecte në ato gjurmë? Të gjithë studiuesët amerikanë kanë thënë se një Enciklopedi kombëtare fillon te enciklopedia e një fshati të vetëm…
Axhemi i besoi jo vetëm dashurisë për krahinën e tij, por edhe ditarit që ka rreth 71 vjet që e shkruan. Gati për ditë. Në të janë ditëtlindjet, vdekjet, dasmat, të rënët në luftë, këngët e reja, miqësitë dhe zhgënjimet, traditat, vera dhe rakia e Dukatit, isot labe dhe deti që i merrte djemtë me gjemi për t’i dërguar në dete të largëta. Kur e nisi këtë punë shkroi diku urtësinë kokoinane të Vedatit që ka thënë për libra të tillë faqeshumë: "Më i keqi libër i tillë është më i miri se asgjëja, ndërsa nga më i miri mos prit që të jetë i përkryer"…
O, sa është lodhur me atë libër! Edhe vetë ai nuk kërkon që të të shqetësojë me peripecitë e tij që nga grumbullimi i materialeve deri te botimi i tij. Flitet për 800 e 1000 faqe në një libër. Pa folur për shpërndarjen e tij në zona të ndryshme të Shqipërisë e jashtë shtetit ku ka edhe dukatas.
Po asnjëhërë nuk tha që të kthehej nga rruga. Edhe pse disa e quanin (dhe e quajnë akoma) aventurë… E quajnë librin e tij një lloj marrëzie në kohëra moderne, në një kohë që ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të grumbulluar fotografi, fakte, të shfletonte gazeta e revista, të harxhonte para dhe kohë. Pse jo edhe të shqetësohej për shëndetin e një njeriu që i ka kaluar të 80 vjet jetë. Të shqetësonte edhe familjen pak me atë regjim të veçantë që ka (ai punon nga ora dymbëdhjetë e gjysmë e natës deri në të gdhirë)…
I ka ardhur rasti që të kthehet disa herë te faktet në një biografi njerëzore, në një fotografi. Madje në udhëtimet që ka bërë në Dukat ka marrë edhe një aparatin fotografik dixhital për të nxjerrë në fotografi personazhet e librit që nuk kanë patur mundësi që ta bënin këtë gjë sa më shpejt…
Shumë shokë dhe miq e përgëzonin për punën e bërë. E këshillonin që të mos kthehej. Kështu mes tyre ai nuk harron të përmendë Hasan Halilin, Meri Lalaj, Skënder Haskon, Hulusi Hakon, Bedri Myftarin, Adem Demaçin dhe në mënyrë të veçantë Shefki Hysën, me të cilin e lidh një miqësi e vjetër. Ai ka patur në tërë këto vite edhe atë pritje të ngrohtë të bashkëfshatarëve të tij që gjithmonë e kanë patur të gatshme një sofër buke për të, një dyshek e një jorgan të pastër e të mbushur me aromën e luleve e trëndelinave të Llogarasë në stivat e shtëpive të tyre. Ka patur shumë më pranë si këshilltar dhe ndihmës edhe nipin, Labe Çapo, që në lokalin turistik të Orikumit i ka dhënë një hyrje më vete Bab Axhemit për të shkruar enciklopedi të reja, poezi, tregime.
Ndjesia e dytë është entuziazmi që gjen qoftë edhe në mënyrë modeste një model pune dhe këmbënguljeje dhe një njeri që të gjithë sakrificat i hedh pas krahëve dhe që nuk mendon për lavdinë dhe për paranë, pa të cilën rrota e jetës mbetet në vend.
Tek i shfletoj qoftë edhe për pak kohë librat e tij voluminozë ndjiej ndjesinë e fortë të kërkimit të asaj force të padukshme që ka ky njeri për të bërë një punë kaq madhore, voluminoze, që kërkon një saktësi të madhe në një kohë që këtë gjë nuk e bëjnë mirë as akademikët që kanë përditë lokale, zyra të ngrohta, kanë dritë elektike, kanë sekretare të bukura nga pas, kanë honorare shpesh edhe për një punë akoma të pabërë, kanë makina, kanë mjete finaciare për t’i botuar studimet e tyre edhe me lidhje luksoze, kanë ekipe të tëra që bëjnë aq e kaq mbledhje. Akademikë zyrash që premtojnë për vepra të mëdha dhe që shpesh e ngrysin jetën pa asnjë vepër! Axhemi, ky "akademik" i bazës, ndryshon shumë nga zyrtarët akademikë bujëshumë e llafeshumë… Axhemi, përkundrazi, është njeri i punës…
Unë nuk jam gjykatës që të gjykoj nga afër varësinë e secilës fjalë që ai ka hedhr në një letër të bardhë. Ndoshta këtu duhet të përmendësh edhe një sfidë të re që ai e ka fituar me bashkëmoshatarët e tjerë, kur mendon se ai nuk është kurrësesi njeri i kafeneve plot zhurmë ku jeta kalohet në tymin e duhanit dhe me thashethemet për politikën e ditës aq sa edhe politikanët nuk diskutojnë me aq zjarr.
Në librat e tij sidomos në ato për Dukatin të dalin përpara ushtarakë, poetë, ndërtues, bujq të mirë, veteranë të luftës e të punës, këngëtarë e valltarë të Dukatit, nëna të mira e nikoqire, mësues dhe drejtues të jetës ekonomike e shoqërore, komunistë dhe ballistë, buste dhe lapidarë, toponime nga më të veçantat e Labërisë, fragmente gazetash e revistash brenda e jashtë vendit, urtësi popullore dhe ajo e popujve të botës që përmendet shpesh nga njerëzit e ditur të fshatit, gojëdhëna dhe histori nga më të panjohurat, perandorë, princër e pashallarë, mbretër dhe republikanë, kryeministra dhe gjeneralë. I dashuruar pas vendlindjes ai nuk harron që të vërë në radhë madje dhe t’i fotografojë edhe të gjithë zogjtë që ka patur dhe ka ende në Dukat. Ai di të flasë me aq kureshtje edhe për bletët e bletarinë që në kohët e lashta…
Pra, libri enciklopedik i Axhemit është një harmoni njerëzore idesh dhe veprimesh që e bëjnë atë të pëlqyeshëm për cilindo. E bëjnë një lloj libri nënjastëku për shumë studiues të fushave të ndryshme…
Nëse vetë autori e ka quajtur atë libër një "mbrojtje diplome", me pak shaka, ne, përkundër, themi se ai dhe tërë librat e tjerë janë shumë më tepër se mbrotjet e diplomës nga cilido prej studentëve që në Univerisitetet tona temat ose kopjohen shpesh nga viti në vit, ose bëhen me një numër të pakët faqesh, sa një fletore, dhe as që mund të mendohet që të ketë tema diplomash në volume prej 1100 faqesh sa ka libri "Enciklopedia e Dukatit". Pa folur pastaj për librin tjetër po kaq voluminoz prej 1500 faqesh në dy vëllime të titulluar "Njohuri enciklopedike nga misteret e botës" (një libër shumë i rrallë në llojin e vet në Shqipëri).
Axhemi, jo vetëm shkruan, por edhe lexon vazhdimisht, sepse thotë se "po nuk lexove dhe nuk i dhe ujë mullirit, nuk mund të bluash në të"…
Ky burrë i mençur, erudit dhe punëtor që e mbush ditën e natën me shkronjat e ëmbla për vendlindjen e tij, nuk harron që të ndjejë edhe regëtimat më të holla të shpirtit shqiptar kudo ku ndodhet ai. Kështu ai gëzohet aq shumë për Kosovën që së shpejti do të fitojë pavarësinë dhe thotë se edhe problemi çam do të zgjidhet patjetër pas atij të Kosovës. Duke folur për Çamërinë ai kujton vizitën që ka bërë para disa kohësh në Konispol tek disa miq çamë dhe i ka bërë përshtypje mikpritja e madhe dhe dashuria me të cilën e pritën në shtëpi këtë mik të nderuar.
‘Nuk ka më nikoqirë dhe punëtorë sa çamët, - na thotë ai. - E kam për krenari që kam shumë shokë të kësaj krahine kaq të vuajtur"...
Librat e tij të bëjnë një lab të bukur, pse jo edhe trim, sa herë i lexon.
Nëse prej kohësh e ka lënë profesionin e topografit atij i duhet të punojë me një rendiment për ta patur zili si studiues, si historian, si mbledhës folklori, si gazetar, si entograf, si poet e tregimtar, si enciklopedist tashmë i afirmuar…
Për planet që ka për të ardhmen thotë me shaka se do t’i bëjë patjetër, po i dha leje edhe Zoti për moshën që po kalon. Punën e realizon herë në Tiranë e herë në Francë.
Si një gjysh i mirë Axhemi nuk harron që të kujtojë e të flasë (mes tyre dallon Kelvinin që ka lindur në Kanada, kur ai ishte në Francë) me gjashtë nipër e mbesa: Emi, Klodi, Fiona, Xhesoni, Belina dhe Enxhi, që jetojnë në Kanada dhe në Francë. Kur të bëhen qytetarë të rritur evropianë ata kanë ç’t’u tregojnë miqve të tyre të Evropës për Labërinë, për Rivierën Turistike buzë detit Jon e sidomos për Dukatin…
E fitoftë garën me Jonin fjala jote, o Axhem Çapo!…

Namik Selmani