Bandat e Napolon Zervës kthejnë në thertore Paramithinë çame
(Arkivat për masakrën çame)
1
Qershor 1944. Masakra në Paramithi
Masakra e forcave të Zervës në Parathimi të Çamërisë, është një ndër më të përgjakurat në kalvarin e përgjakur biblik të një popullsie të përzënë me dhunë nga trojet autoktone. Dëshmitarë të mbetur nga kjo masakër, arkivat shqiptare e të huaja, si dhe botime të studiuesve të njohur europianë mbi këtë tragjedi, kanë lënë dëshmi të shumta rrëqethëse, për atë ngjarje të rëndë. Ja njëra prej tyre: "Komanda e lartë e EDES-it, më 24 dhe 25 qershor 1944 ju drejtua çamëve me thirrjen që, edhe nëse do të pushtohej Parathimia nga forcat greke, çamët myslimanë dhe të krishterë do të vazhdonin të bashkëjetonin në paqe e në vëllazëri. Më tej, thirrja kërkonte që sapo grekët të hynin në qytet, çamët të dorëzonin armët që kishin...
Edhe Peshkopi i Parathimisë i drejtoi një mesazh popullsisë myslimane çame ku thuhej se, pas çlirimit të vendit dhe largimit të pushtuesit gjerman, pa dallim feje e kombësie, do t’i vinte paqja e siguria.
...Pushtimi i qytetit të Paramithisë nga bandat e Zervës, nuk solli as paqe, as siguri për shqiptarët. Ndaj tyre u përdor një terror i paparë dhe u bënë krime të padëgjuara... Krimet e pashembullt të banditëve zervistë do t’i kishin zili dhe nazistët më kriminelë e më të pashpirt. Qyteti i Paramithisë, brenda disa orëve, u kthye në një thertore të grave e fëmijëve, djemve e vajzave që e donin jetën dhe që ëndërronin për një Çamëri të lirë dhe në harmoni me të krishterët. Qyteti u mbyt në gjak, u përfshi nga tymi e flakët, ndërsa banditët e pashpirt të kasapit të Çamërisë, të dehur nga aroma e gjakut të pafajshëm çam, hidhnin vallen makabre mbi kufomat, (Vas Krapsitis, "Oi mousolmanai...", faqe 159-160).
Por fatkeqësisht, fatin e Parathimisë, në pak kohë do e kishin dhe qytete e fshatra të tjera të Çamërisë, që mes vrasjeve, dhunës e masakrave çnjerëzore u dëbuan nga trojet e tyre…
2
Sipas Hajredin Isufit
(Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me besëlidhjen çame, për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, si dhe masakra e bandës së Napolon Zervës në qytetin e Parathimisë)...
Pas kasaphanës që kryen bandat e Napolon Zervës në Paramithi, Napolon Zerva me shtabin e EDES-it e në konsensus të plotë me oficerët britanikë, do të fillonte kundër popullsisë myslimane spastrimin etnik brutal. Këtë fakt, siç vë në dukje historiania, G.Kretsi: "Pas pushtimit të Paramithisë sinjali për dëbimin e çamëve ishte dhënë. Në konsensus të plotë të EDES-it me oficerët britanikë, filloi spastrimin brutal etnik", (G.Kretsi, "The Secret Post of the Greek-Albanian...", f.182-183).
Arkivat që zbulohen tani vonë dhe botimet bashkëkohore, tregojnë për prapaskenat e kurdisura për shfarosjen e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë. Në këtë kuadër, del gjithashtu se sa djallëzore dhe keqdashëse ishin "garancitë" që jepte Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
...Përpjekja e shumë të krishterëve për t’iu gjendur pranë myslimanëve në momente të vështira, është shprehje e lartë solidariteti, që shpreh dashuri dhe respektin e krishterëve ndaj myslimanëve. Burimin e vërtetë të saj e gjejmë tek marrëdhëniet e tyre, që tradicionalisht kanë qenë shumë të mira, pavarësisht nga presionet politike të qarqeve të caktuara, që synonin përçarjen e këtyre dy komuniteteve.
3
Dhimbja e të krishterëve për bashkëkombësit myslimanë
Nga mesi i muajit maj të vitit 1944 tensionet politike në Çamëri u rritën. Forcat e EDES-it ishin afruar në rrethinat e Paramithisë dhe përbënin një kërcënim serioz për popullsinë myslimane shqiptare të Çamërisë. Në këto rrethana, shumë familje shqiptare të fshatrave në rrethinat e Paramithisë, Gardhiqit, Dhragomisë, Skupicës, Karbunarit, Nihorit, Mininës, Vratilës etj., u detyruan të lenë fshatrat e tyre dhe të shkonin për t’u strehuar në zonat çame, që ishin pranë kufirit shqiptaro-grek. Komanda e lartë e EDES-it, më 24 dhe 25 qershor 1944, i bëri thirrje popullsisë myslimane të qytetit, që të mos lëvizte nga qyteti se "pas largimit të pushtuesve, popullsia, pa dallim feje e kombësie do të jetonte në paqe e në qetësi" . Në atë deklaratë Napolon Zerva u premtonte shqiptarëve, se "nuk do t’u prekej as jeta, as nderi dhe as pasuria", ( Krapsites, "Oi moussulmanci tsamides tes Thesprotias", Athinë, 1986, f.128 e tutje).
Kjo thirrje mbushi me shpresa zemrat e zhuritura të popullsisë çame e për pasojë, një pjesë e mirë e tyre nuk u largua nga shtëpitë e tyre. Madje shumë banorë myslimanë, bashkë me të krishterët, bashkëqytetarë të tyre, të prirë nga dhespoti i Paramithisë dhe myftiu i qytetit, Sali Afuzi, i pritën në hyrje të qytetit forcat e EDES-it me këngë e vallë, më 27 qershor 1944.(J.Sarras, vep.e përm., f.661).
Aristidh Kranja, komandanti i Regjimentit XVI të EDES-it, në pasditen e 27 qershorit, ftoi në një mbledhje në shkollën e qytetit myftiun e Paramithisë dhe gjithë myslimanët e qytetit, për t’iu përcjellë "një mesazh paqësor". Ftesa u prit me kënaqësi nga banorët e komunitetit mysliman dhe përfaqësuesit e saj. Shkolla ishte mbushur plot e përplot. Në fytyrat e shqiptarëve lexohej gëzim dhe kënaqësi, se më në fund kishte ardhur dita e shumëpritur për të jetuar në paqe e harmoni me të krishterët dhe të çliruar nga pushtuesit e huaj. Ishte kjo arsyeja, që kur hyri Aristidh Kranja në sallën e madhe të mbledhjes, u prit ngrohtë dhe me duartrokitje të gjata. Ai, në këtë tubim u deklaroi të pranishmëve se për myslimanët e të krishterët e Çamërisë do të niste një jetë e re, ku do të mbretëronte paqja dhe harmonia dhe se çamët do të gëzonin të gjitha të drejtat dhe liritë qytetare.
4
Reprezalja e Zervas në Paramithi
Në kohën kur Kranja u premtonte myslimanëve paqe dhe barazi me të krishterët, forcat zerviste kishin filluar dhunën dhe reprezaljet kundër myslimanëve në qytetin e Paramithisë. Dëshmitë e të mbijetuar dhe arkivat e kohës, e veçojnë ndër barbarizmat më të egra të shekullit në Ballkan e më gjerë. "Pamjet ishin të tmerrshme: grabiteshin shtëpitë e myslimanëve, rrëmbeheshin gra e vajza që pasi përdhunoheshin, masakroheshin në mënyrë çnjerëzore. Ndërkohë edhe ndaj burrave myslimanë, që ishin mbledhur në shkollën e qytetit, para syve të Kranjës, nisi një valë e egër terrori. Ndër viktimat e para të shqiptarëve në Paramithi, ishte myftiu, Sali Afuzi, me të dy djemtë e tij, Mit`hatin dhe Nuhun, ndërsa të shoqes së myftiut, Nairesë, i prenë kokën me hanxhar dhe bijës së saj, Fatimesë, 11-vjeçare, e përdhunuan përpara nënës dhe më pas e masakruan duke e lënë gjysmë të vdekur, (V.Krapsites, "Oi mussulmanoi", f.131) .
5
Grekja Ringers mbron myslimanët çamë
Historiani Jani Sarras, duke trajtuar në veprën e tij pushtimin e Paramithisë nga forcat e EDES-it, shkruan se marrja e Paramithisë nga EDES-ët ishte fatale dhe tragjike për minoritetin shqiptar çam. Likuidimi e çrrënjosja e këtij minoriteti nga trojet e të parëve të tyre, nga vetë atdheu i tyre, ishte i pashmangshëm. Edeisti paramithjot, Vasil Krapsiti, duke përshkruar në veprën e tij dramën e myslimanëve të shkaktuar nga forcat e Napoleon Zervës, jep edhe një detaj tepër interesant. Ai tregon se, më 27 qershor 1944, ngriti në qytet një Gjykatë Speciale Ushtarake, në përbërjen e së cilës ishin: Kryetar, A.Kranja; anëtarë, Muskunaqis Kostandinis dhe juristi, Kristo Stravopullos, të cilin ato ditë Komanda e Lartë e EDES-it e kishte graduar me gradën e Kapitenit, për të gjykuar 35 myslimanë nga paria e Paramithisë, me një akuzë tepër të rëndë: "Qytetarë grekë që kishin ngritur armët kundër atdheut..." . "Gjykimi i fajtorëve pa faj" bëhej në një vend publik, ku ishin grumbulluar jo vetëm të krishterët e qytetit, forcat zerviste e paramilitare, por edhe banorët e fshatrave të krishtera përreth. Komanda zerviste ishte treguar tepër e kujdesshme në thirrjen e grumbullimin e të krishterëve, për t’u treguar atyre dhe opinionit të gjerë, se dënimet do të ishin tepër të rënda ndaj "kriminelëve" që "i kishin shkaktuar aq dhembje e plagë" popullsisë së krishterë. Çamët që ishin rreshtuar në bankën e të akuzuarve, me duar të shtrënguara nga prangat e hekurave dhe të rrethuar nga shumë civilë e ushtarakë të armatosur, ndiqnin me qetësi britmat që lëshoheshin nga salla, nga njerëz të panjohur, që nuk dinin as emrat e të "akuzuarve". Për 35 çamët që po gjykoheshin, ngriheshin një det me akuza si pjesëmarrës në masakrën e 29 shtatorit 1943, ku forcat gjermane masakruan 49 të krishterë të pafajshëm, midis të cilëve edhe priftin Teamatos Pan, si dhe Athanas G.Ringen, djegien e plaçkitjen e fshatrave greke, bashkëpunim me pushtuesin etj.
Trupi gjykues dhe të pranishmit në sallë u përballën me një të papritur. Kur dukej se procesit po i vinte fundi dhe pritej vendimi i dënimit, nga mesi i turmës të pranishme në sallë, u ngrit në këmbë një grua, që të gjithë qytetarët e Paramithisë, myslimanë e të krishterë, e njihnin si zonjën e nderuar të familjes së madhe të Ringenjëve, një familje me emër në tregti dhe në politikë, e njohur në të gjithë Greqinë. Ajo ishte Maria, e shoqja e Themistokli Ringes, e cila iu drejtua trupit gjykues me një ton disi të fortë, që shprehte protestën e saj ndaj akuzave pa baza që hidheshin ndaj atyre që akuzoheshin si kriminelë e vrasës: "Nuk jam as në rolin e avokatit mbrojtës, as në mbrojtje të fajtorëve, as për t’i akuzuar për ato që nuk kam dijeni. Unë dua të flas vetëm për njërin që keni nxjerrë në bankën e të akuzuarve", tha ajo, duke e drejtuar gishtin drejt Fadil Bakos. Të pranishmit dhe trupi gjykues pritnin se çfarë do të thoshte ajo dhe ç’prova do të sillte, që do të rëndonin again mysliman të Paramithisë. Zonja Maria, pasi mori frymë thellë, iu drejtua të pranishmëve: "E njihni ju cili është z.Fadil Bako? Ai është bashkëqytetari ynë, një njeri i ndershëm, bamirës dhe fisnik, mik i të krishterëve në ditë të vështira. Unë deklaroj para jush se Fadil Bako ka ndihmuar familjen e Ringenjve, si dhe shumë familje të krishtera paramithjote, me bukë e ushqime, duke i marrë në mbrojtje në ditë të vështira, kur jeta e tyre ishte në rrezik", (V.Krapsites, "Oi mussulmanoi", f.131).
6
Pushkatohen 24 çamë. Paramithia në flakë
Pas kësaj deklarate të Maria Ringers, që ra si bombë përpara trupit gjykues dhe kriminelëve të tjerë që kishin mbushur sallën e donin shfarosjen e shqiptarëve, zonja Maria doli nga salla.
Deklarata e guximshme e zonjës së Ringenjve, bëri që në fundin e procesit gjyqësor, Fadil Bako të shpallet i pafajshëm e të lirohet, ndërsa 34 çamët e tjerë u ekzekutuan brenda asaj nate. Qyteti i Paramithisë, brenda disa orëve u kthye në thertore të grave, burrave dhe fëmijëve, djemve dhe vajzave, që e donin jetën dhe ëndërronin për një Çamëri të lirë dhe në harmoni me të krishterët. Qyteti u mbyt në gjak, u përfshi nga tymi e flakët, ndërsa banditët e pashpirt të kasapit të Çamërisë, të dehur nga aroma e gjakut të pafajshëm çam, hidhnin valle makabre mbi kufomat.
Të krishterët e fshatit Draganj, sapo mësuan për të vrarët dhe krimet që ishin kryer në Paramithi, ashtu edhe për emrat e kriminelëve që kishin kryer masakrat, informuan parinë e myslimanëve të kazasë së Margëlliçit që të merrnin masa mbrojtëse dhe të mos u besonin premtimeve të Napoleon Zervës dhe të njerëzve të tij. Ndërkohë, opinioni i shëndoshë i të krishterëve të rajonit të Çamërisë, ishte shumë i indinjuar për krimet që kryenin bandat kriminale të edeistëve dhe përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’u vinin në ndihmë myslimanëve shqiptarë në Çamëri. Kështu p.sh., kur forcat edeiste po i afroheshin Pargës dhe Gumenicës dhe marshonin drejt Filatit, u aktivizuan mjaft të krishterë për mbrojtjen e myslimanëve.
Përballë masakrës, çamët në krah të njëri-tjetrit
Por çamët e krishterë, (që për momentin nuk u prekën nga Zerva, por më vonë do të kishin të njëjtin fat si bashkëkombësit myslimanë), e përjetonin me dhimbje tragjedinë e vëllezërve të tyre myslimanë, duke bërë të pamundurën për t’u shpëtuar jetën. Shembulli i mëposhtëm është shumë kuptimplotë.
Ilia, nga fshati Sidher, shkoi menjëherë te vëllami i tij në fshatin Galbaq dhe me lot në sy i thotë: "Myslimanë e të krishterë, jemi të gjithë vëllezër. Unë jetën e kam nga ti, vëllai im. Atë që ke bërë ti vëlla Abaz, nuk mund ta bëj unë. Edhe vëllezërit e tjerë të krishterë të Sidherit ju mbështesin dhe ju përkrahin juve myslimanëve të një gjaku të Galbaqit. Më besoni sa ngushtë e ndjej veten unë dhe sidherjotët e tjerë, që nuk mund t’i bëjmë ballë egërsisë së kriminelëve të Zervës. Ata janë betuar për të mos lënë këmbë çami mysliman në Çamëri. E them me dhembje, por për të shpëtuar duhet të largoheni për në Shqipëri...".
Lidhur me këtë, një nga të mbijetuarit, i moshuari Abaz Mezani tregon: "Vepruam ashtu siç na porositi vëllami im, Ilia. Morëm familjet dhe tërë fshati mori rrugën e emigrimit për të shpëtuar nderin dhe jetën e pjesëtarëve të familjes, duke lënë prapa gjithçka që patëm vënë me mund e djersë, ne dhe të parët tanë", (dëshmi gojore e A.M.)
Ajo që po ndodhte, veçohet si një ndër barbarizmat më të egra të shekullit në Ballkan e më gjerë. Pamjet ishin të tmerrshme: grabiteshin shtëpitë e myslimanëve, rrëmbeheshin gra e vajza që pasi përdhunoheshin, masakroheshin në mënyrë çnjerëzore. Ndërkohë edhe ndaj burrave myslimanë, që ishin mbledhur në shkollën e qytetit, para syve të Kranjës, nisi një valë e egër terrori.
Të krishterët e Çamërisë, ishte shumë i indinjuar për krimet që kryenin bandat kriminale të edeistëve dhe përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’u vinin në ndihmë myslimanëve shqiptarë në Çamëri. Kështu p.sh., kur forcat edeiste po i afroheshin Pargës dhe Gumenicës dhe marshonin drejt Filatit, u aktivizuan mjaft të krishterë për mbrojtjen e myslimanëve.
7
Arkivat për masakrën ndaj Çamërisë, internimet që paraprinë spastrimin etnik
Qarqet shoviniste greke, para se të fillonin shpërnguljen e dhunshme të çamëve nga tokat e tyre autoktone, piku i së cilës u realizua në vitin 1944, sipas arkivave, ndërmorrën një sërë masash të tjera ndaj popullsisë së pa mbrojtur e krerëve të rezistencës çame. Sipas dokumentave arkivore dhe kujtimeve të të mbijetuarve çamë nga kjo masakër, krahas dhunës, mohimit të të shkollimit e gjuhës shqipe, nxitjes së armiqësisë mes besimetarëve myslimanë e ortodoksë, u përdorën pasivisht edhe internimet. Ja një nga dëshmitë e arkivave: "...Grekët e mençur nuk u pajtuan me veprimet shoviniste që ndërmerrte qeveria e Metaksait kundër popullsisë çame. Kristo Pituli, një nga personalitetet më në zë në Çamëri, mik dhe bamirës i shumë fshatarëve çamë, kur pa se komandanti i korofillaqisë i mblidhte burrat eparisësë Grikohorit për ti i internuar, i tha:"Ju jeni i huaj. Sot ju kemi këtu, nesër do të shkoni. Ne do të rrojmë së bashku me këta dhe ne do ti paguajmë pjatat e thyera... Internimi i parë u pasua më 4 gusht 1940, nganjë valë tjetër më e madhe, që përfshinte meshkujt çamë të moshës 17-70 vjeç.(Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jshtëme të Shqipërisë. Dos.38, viti 1944, f.20; Nik.G.Ziagkos, "Anglikos", vepra e përmb. Vëllimi I, f.138).
Njëkohësisht, referuar arkivave, internimet rnimet parapriheshin nga masakra çnjerëzore. "Në qendrat kryesore të Çamërisë si në Filat, Paramithi, Gumenicë, Pargë e Margëllëç, u krijuan komisione të posaçme nga administrata greke, të cilat hartonin listat e çamëve që do të shfaroseshin si dhe të çamëve të tjerë që do të grumbulloheshin nëqendra të veçanta larg territorit çam. Operacionin për ekzekutimet dhe interniminçamëve e drejtonte prefekti i Gumenicës, Vasil Llakos. Shembull domethënës është rasti i vrasjes së Bido Dules me dy djemtë e tij 22 dhe 25 vjeç. Para se ta vrisnin, xhelatët e detyruan Idrizin të hapte një gropë të përbashkët për djetë e masakruar para e në sy të tij... Ndërkohë, shtëpitë e pronat e çamëve vazhdonin të vidheshin e digjeshin...(J. Sarros, Vepra e përmb... faqe 631-632)
8
Çamët e krishterë shpëtojnë nga pushkatimi 500 gra e fëmijë myslimanë
Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me besëlidhjen çame, për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, solidaritetin fetar mes komunitetit çam, nisjen masive të spastrimit etnik, mbështetjen e qarqeve përparimtare vendase, si dhe mbrojtjen e 500 grave e vajzave të Filatit nga pushkatimi i bandave të Napolon Zervës.
Historia e marrëdhënieve të çamëve myslimanë me të krishterët gjatë pushtimit fashist të Greqisë, duhet parë, gjykuar dhe vlerësuar mbi bazën e dokumentacionit të gjerë të kohës si dhe të vërtetave të pamohueshme. Është fakt i njohur se në këtë kohë çamët myslimanë dhe të krishterët u gjendën në krah të njeri-tjetrit për t'u mbrojtur nga elementët keqbërës dhe të pandërgjegjshëm. Masat e para të parisë së fshatrave myslimanë e të krishterë filluan që në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Duke u mbështetur në traditat e hershme shqiptare, midis tyre u krijuan besëlidhje.
9
Besëlidhjet çame
Besëlidhja e parë midis myslimanëve e të krishterëve ishte ajo që u krijua në kazanë e Margëlliçit, në vitin 1940. Sipas kësaj besëlidhjeje, fshatrat myslimane të Margëlliçit dhe fshatrat e krishtera të Frarit, Shenicës, Livadhiasë, Llurit etj., do të zinin pozicione të përbashkëta, për të sprapsur çdo kërcënim që do t'u vinte fshatrave të tyre. Madje u caktuan dhe pikat ku do të ziheshin pozicionet. Vijat mbrojtëse do të ishin në vendin e quajtur Fuzjat, një pikë strategjike që kontrollonte çdo hyrje e dalje ne atë zonë, si dhe vijën Arpice-Aji.
Besëlidhja u shtri edhe në mes të fshatrave të kazasë së Paramithisë, si dhe në mes të fshatit Kurtes dhe fshatit të krishterë Draganj.
Një besëlidhje e fuqishme ishte edhe ajo e krijuar në kazanë e Filatit; madje që në kohën e sundimit osman. Në lindje të qytetit të Filatit kishte katër fshatra të krishtere: Fanasomeri, Finiqi, Jeromeri dhe Sidheri, që njiheshin me emrin KALLOHOR (fshatra të mira). Banorët e krishterë të këtyre katër fshatrave dalloheshin si njerëz punëtorë e të ndershëm, bujarë e mikpritës dhe shumë korrektë me myslimanët. Në vitin 1940, kur qeveria bëri internimin e parë të parisë së myslimanëve të Çamërisë, disa të krishterë të fshatrave të thella të Filatit menduan se u erdhi çasti i volitshëm për të plaçkitur pasurinë e familjeve çame të pambrojtura. Ishin fshatarët e krishterë ata që i morën në mbrojtje fshatrat myslimane të Filatit dhe me ndërhyrjen e tyre, u arrit që të mbroheshin shumë familje myslimane…
10
Masakra greke vazhdon:
Paria e të krishterëve në Çamëri, e frymëzuar nga dëshira për të bashkëjetuar në harmoni dhe në një fqinjësi të mirë me minoritetin çam jo vetëm mori në mbrojtje çamët myslimanë nga elementët keqbërës, por shkoi edhe më tej. Kështu p.sh., Kristo Pituli, përfaqësues i njërës prej familjeve krishterë më në zë të Çamërisë dhe në të gjithë Greqinë, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Metaksait kundër minoritetit shqiptar çam, shkoi në fshatin Grikohor, pranë miqve të tij myslimanë dhe me sa do të mundte, do të dilte në mbrojtje të tyre. Ai aty gjeti komandantin e Korofillaqisë së rajonit, Vardhallaqin, një grek nga thellësitë e Greqisë, i sapoemëruar në postin e Komandantit të Rajonit. Kristo Pituli, kur mësoi se misioni i komandantit të Korofillaqisë në fshatin Grikohor ishte për të arrestuar parinë e fshatit e për t'i nisur menjëherë në internim, iu drejtua:
- Komandant! Ç'e mirë të solli në këtë fshat, që ka vetëm njerëz të mirë e punëtorë?
- Punët e qeverisë, zoti Pituli,- iu përgjigj ai.
- Përpara sesa ju të kryeni urdhrat e verbra të qeverisë, të na pyetni edhe ne, që kemi njohje të gjatë dhe bashkëjetesë shekullore me ta. Ku i gjetët ju këta elementë të rrezikshëm, që i keni futur në listat tuaja të zeza dhe kërkoni t'i internoni? Nëse jam unë i rrezikshëm për qeverinë greke, aq janë të rrezikshëm çamët e Grikohorit dhe të gjithë Çamërisë,- iu drejtua Kristo Pituli.
Më pas, vazhdoi: "Vendimi që keni marrë për të internuar myslimanët e këtij fshati, nuk është i drejtë. Ju jeni të huaj. Sot jeni këtu, nesër shkoni, ndërsa ne kemi rrojtur e do të rrojmë së bashku me ta. Ne nuk duam që gjynahet tuaja t'i paguajmë ne", (Jani Sarras, vep.e përm., f.617).
11
Si nisi spastrimi masiv i Çamërisë
Në skelën e vogël të limanit të Gumenicës, ishin grumbulluar elita e çamëve nga Filati, Paramithia, nga Grikohori e Varfanji, nga Margëlliçi e Nista, nga Skopjona e Vrohonaji, nga Dolani e Globoçari, nga Versela e Peshtani, nga Grava e Luarati etj. Priteshin vetëm anijet greke, që të niseshin për në ishujt e largët të Greqisë.
Kristo Pituli dhe shumë të krishterë të tjerë të mençur, i shihnin të brengosur këto skena të turpshme të qeverisë greke. Në kohën kur shumë nga miqtë e tij çamë i kishin prerë lidhjet me familjet dhe të afërmit e tyre dhe të dëshpëruar pritnin nisjen, që nuk e dinin se ku do të përfundonin, në mes tyre shkon Kristo Pituli. Ai përqafohet me ata që ishin pa asnjë mbrojtje, u jep kurajë dhe ndërkohë fut duart në xhepat e tij dhe pa e parë njëra dorë se ç'kishte tjetra, u thoshte me zë të ulët: "Merri se mos të duhen rrugës". Dhe për të mos i prekur agallarët e vendit në sedër, shtonte: "Jo se zotrote nuk ke, por nuk e keni menduar se do të niseshit për larg"...
Internimi i çamëve bëri që popullsia e mbetur në Çamëri dhe kryesisht gratë, fëmijët e të moshuarit, të përballen në raste sporadike me dhunën e plaçkitjet nga elementë të veçantë të krishterë. Por, njëkohësisht, të dallojë e të jetë në një mbrojtje e dashamirësi masive të komunitetit të krishterë në fshatrat e qytetet e Çamërisë.
12
Si u mbrojtën nga pushkatimi 500 gra e fëmijë çamë
Përpjekjet e qarqeve shoviniste greke asnjëherë nuk arritën që me propagandën e tyre ta zëvendësonin dashurinë dhe respektin e sidheriotëve për myslimanët, me urrejtje e dasi fetare. Përkundrazi. Të krishterët e fshatit Sidher asnjëherë nuk u pajtuan me qëndrimet antinjerëzore e barbare, që ndërmorën forcat qeveritare greke dhe bandat e Napolon Zervës. Sidheriotët e ndiqnin me dhembje e dëshpërim dramën çame dhe përpiqeshin të ishin pranë tyre edhe në momentet e vështira, për t'u ardhur në ndihmë. Sidheriotët, kur mësuan se bandat e Napolon Zervës bënin reprezalje mbi popullsinë çame në Filat, duke vrarë gra, plaka e fëmijë apo përdhunonin vajza e nuse të reja, u ngritën në mbrojtje të popullsisë së pambrojtur myslimane. Kur sidheriotët mësuan se në shkollën e Filatit ishin izoluar 500 gra e fëmijë çamër dhe nga çasti në çast përgatitej nga edeistët ekzekutimi i tyre në një varr masiv, burrat dhe gratë e Sidherit u rreshtuan para shkollës dhe me këmbënguljen e tyre të vendosur, deri në përleshje me forcat greke e paramilitarët, u arrit që viktimat të shpëtonin dhe të përcilleshin drejt kufirit shqiptar. Banorët e Sidherit, me qëndrimin e vendosur të tyre, arritën ta marrin për në shtëpitë e tyre në Sidher, gratë, vajzat dhe fëmijët myslimanë të fshatit Galbaq, që gjendeshin të izoluara në shkollën e Filatit.
Ndërkohë, sipas dokumenteve arkivore të kohës e dëshmive të viktimave të mbijetuara, paria e fshatit të Sidherit pas disa javësh, me anën e djemve të fshatit, i përcolli gratë e fëmijët drejt Sarandës...
13
Paralajmërimi i shpërfillur...
Fill pas masakrës që kryen bandat e Napolon Zervës kundër myslimanëve shqiptarë në Paramithi më 27 qershor 1944, paniku pushtoi gjithë banorët e Çamërisë. Sipas dokumenteve arkivore, Dhimitrulla, nje grua fisnike, e dërguar nga paria e Finiqit, shkon në Filat dhe lajmëron bashkatdhetarët çamë: "Të dashur vëllezër myslimanë! Jam e dërguar nga paria e Finiqit. Jam e porositur t'u them: Mos dëgjoni fjalët e askujt! Të gjithë ju duhet të largoheni si njerëz, se vendimi është se edhe macet tuaja do t'i zhdukin", ("Agapitemoi adhelfia othomani, ime opostelmeni apotin epitropi tou Finiqiou. Min akusete ta lloja tou kathena. Oli esis na fijete san anthropi, olla qe tis gatesas tha tin sfaksun...").
Musa Demi, një nga prijësit e Filatit dhe bashkëpunëtorët e tij e falënderuan vajzën për njoftimet që u përcillte nga miqtë e tyre dashamirës të krishterë dhe i thanë asaj t'u përcillte atyre mirënjohjen jo vetëm të parisë, por të gjithë myslimanëve të Filatit.
Paria e Filatit, me gjithë sinjalet tepër alarmuese që mori, nuk ndërmori asnjë veprim për të boshatisur qytetin dhe fshatrat dhe për të emigruar drejt Shqipërisë. Arsyeja ishte se informacionet që merrnin, ishin të turbullta dhe kontradiktore. Ato shpresonin shumë se krimet e Paramithisë nuk do të përsëriteshin në Filat, edhe për një fakt tjetër: Myftiu i Janinës kishte marrë premtimin nga Kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Lambert, se çamëve do t'u sigurohej jeta, nderi dhe pasuria. Këtë na e bën të njohur historiania, Georgia Kretsi, një njohëse e mirë e problemit çam në vitet 1913-1960. Ajo ka shkruar: "Myftiu i Janinës iu lut Kryetarit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, që të ndërhynte për të liruar çamët që ndodheshin në kampet e përqendrimit të qytetit të Paramithisë e të Margëlliçit. Në vijim të artikullit të saj, historiania na bën të njohur përgjigjen që i jepet myftiut të Janinës, në gusht të vitit 1944, nga kryetari i Kryqit të Kuq, Lambert: (Georgia Kretsi, "The Secret.Post of the Greek-Albanian Borrlands. Cham muslim Albanians percpestives on a conflict over historical accountability and current rightes", artikull në "Ethnologia Balkanika", vol.6, viti 2003, f.183, cituar sipas Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë (AYE) 1943-1944/2, Lambert to the Comitte representing the muslims of Chameria, 08.07.1944).
Mblodhi: Vitore Stefa-Leka
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment