Saturday, March 6, 2010

Nën verdiktin e kohës

(Fjalë miqësore
për çamin Edmond Selim Bejko)

Dikur më shkoi ndërmend se më takonte të bëja një shkrim të mirë edhe për mikun tim Edmond Bejkon nga Durrësi. Jam njohur me të pas viteve ’90. Na lidhi ideali i përbashkët: Çamëria. Mondi është një nga djemtë më të flaktë e më të shquar në strukturat drejtuese të komunitetit çam në Durrës. Kur bëhej fjalë për çështjen çame tregohej i gatshëm për të më ndjekur gjithandej mua dhe miqve të mi. Nuk kursehej as moralisht e as financiarisht. Më ka ndjekur sa e sa herë në shumë veprimtari në Tiranë, në Fier e Vlorë, në Sarandë e në Konispol, në Qafëbotë. Mbaj mend se ishte nga të paktët që bashkë me mua e Servet Mehmetin, ish-kryetar i SHPA “Çamëria”, nuk u shmang asnjëherë gjatë atyre ditëve të vështira të fillimvitit 2004, kur përpiqeshim për të bindur deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për të hartuar e miratuar një rezolutë për problemin çam.
E hartuam rezolutën, e miratuam edhe në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe e rrëzoi në një seancë parlamentare një shumicë deputetësh të së majtës, duke marrë përsipër, dashur a padashur, rolin prej tradhtari ndaj çështjes kombëtare shqiptare. Jo vetëm që e nuk e miratuan rezolutën, por me forcat speciale që rrethonin selinë e Kuvendit të Shqipërisë, gjakosën edhe atdhetarët çamë që protestonin në hyrjen e saj…
Dhe atëherë na dhëmbi shpirti njëlloj si të na e kishin shkelur me zinxirë tankesh…
Pra, tekefundit, ndieja se kisha një detyrim të pashlyer për atdhetarin Edmond Bejko. Para disa ditësh vendosa ta ftoja që të vinte në Tiranë e të bisedonim... Dhe ai erdhi... Jo vetëm... Me kë do thoni ju?!... Me mikun e tij, Tasim Beshon... E kush nuk e njeh në Durrës e në Shqipëri, atdhetarin intelektual Tasim Besho, veçanërisht njerëzit e komunitetit çam?!... Dhe ia kaluam si jo më mirë... Dhe unë gjeta fjalët e duhura për ta portretizuar...
Edmond Selim Bejko u lind më 21 maj 1961 në qytetin e Durrësit në një familje atdhetare me origjinë nga Çamëria. Familja e babait të tij, Selimit, u shpërngul nga Koska në fund të vitit 1944 si shumë çamë të dëbuar përdhunshëm nga zervistët grekë dhe erdhi e u vendos për gjashtë muaj në Shalës të Konispolit (ka banuar edhe në shtëpinë e gjyshërve të mi, jemi edhe tanët, siç tregon vetë Selimi).
Atëherë Selimi ishte 13 vjeç. Babai, Jonuzi, i vdiq në moshën 36 vjeçare dhe la tre fëmijë jetimë, Selimin 13 vjeçar dhe dy djem të tjerë, njëri 7 vjeç e tjetri 6 muaj, të cilët më vonë u vendosën në Durrës, ku banojnë edhe sot.
Selimi në vitin 1960 u martua me Qefnien, vajzën e Et’hem Resulit nga Nista e Çamërisë dhe u lindën tre fëmijë, dy djem dhe një çupë. Pra, Edmondi, më i madhi i fëmijëve, ka një vëlla dhe një motër.
Mondi e kaloi fëmininë në qytetin e Durrësit si shumë djem të tjerë të familjeve muhaxhire çame që mundoheshin të përshtateshin me vendbanimin e ri dhe të rikrijonin pasurinë e tyre nga hiçi. Ai u arsimua në shkollën tetëvjeçare “10 Korriku” dhe në vazhdim në shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” të qytetit të Durrësit, të cilën e mbaroi në vitin 1979. Ai kreu një vit stazh pune dhe më vonë në vitet 1981-85 u diplomua për inxinier minierash në Fakultetin e Gjeologjisë të Universitetit të Tiranës. Megjithëse e kishte mbaruar gjimnazin me të gjitha notat dhjeta dhe I takonte ta çonin në një degë të preferuar, atë e çuan në fakultetin e Gjeologjisë, pa dëshirën e tij, si fëmijët e shumë familjeve çame të persekutuara nga ish-regjimi komunist. Përkundër këtij qëndrimi absurd, gazeta kryesore e kohës “Zëri i Popullit” në një artikull deklaronte me hipokrizi se ishte një shembull pozitiv edhe për të tjerët, veprimi i Edmond Bejkos, i cili me mesataren dhjetë kishte zgjedhur të bëhej inxhinier minierash me dëshirën e tij, kur e kishte mundësinë të zgjidhte për t’u diplomuar në një degë nga ato më të preferuarat…
Pas përfundimit të universitetit Edmondin e emëruan inxhinier në minierën e Burgut të Spaçit në Mirëditë. Në vendin më të vështirë… Vetëm e vetëm pse ishte çam…
Mond shkoi e filloi punë aty, por, në krye të gjashtë muajve, vendosi ta braktiste detyrën. E gjobitën me 40 mijë lekë, shumë e madhe për kohën dhe e dënuan të punonte dy vjet si punëtor në minierën e Manzës, në Durrës. Veprimi i tij u kritikua ashpër si i pamoralshëm edhe në gazetën “Zëri i Popullit”.
Pasi kreu këtë dënim e emëruan me detyrën shef zone, inxhinier, po në këtë minierë, në Manzë të Durrësit.
Në vitin 1989 u emërua përgjegjës në Impiantin e Pasurimit të Rërave, në Durrës. Në vitin 1993 u emërua drejtor i Bazës së Furnizimit të Ekonomisë Komunale, ndërmarrje nacionale me qendër në Durrës, deri në vitin 1998, kur e larguan nga puna për motive politike.
Pas largimit nga puna shtetërore, ai iu përkushtua biznesit, ndërtoi dhe një lokal nga më të bukurit dhe më të frekuentuarit kundruall detit, në Durrës...
Në vitin 2005, me ardhjen në pushtet të PD, u emërua drejtor i Armos për degën e Durrësit, deri sa kjo ndërmarrje u privatizua në vitin 2009.
Tani Mondi është rikthyer në biznes si ndërtues.
Pas vitit 1990, si u shemb sistemi komunist, Edmond Bejkua iu përkushtua edhe angazhimeve politike. Në vitin 1991 u anëtarësua në PD, u zgjodh edhe kryetar i seksionit të kësaj partie në ndërmarrjen ku punonte. Që në vitin 1991 ai u angazhua edhe në strukturat e Shoqërisë Politike Atdhetare “Çamëria”. Në vitin 1991, bashkë me atdhetarët çamë Mehmet Hoxha, Mero Qerimi dhe Remzi Sulejmani, iu drejtua me një telegram Presidentit Ramiz Alia dhe Ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Reiz Malile, që të trajtonin me përparësi problemin çam në takimin me Kryeministrin grek Miçotaqis, ose në të kundërt ta anullonin vizitën e tij në Shqipëri, gjë që tërhoqi edhe vëmendjen e mediave.
Në vitet 1994-98 u zgjodh edhe kryetar i SHPA “Çamëria” për degën e Durrësit. Në vitet 1996-98 u zgodh edhe nënkryetar i përgjithshëm i SHPA “Çamëria”. Në vitet 1997-2000 u zgjodh edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Durrësit...
Kudo që ka drejtuar Edmond Bejkua ka spikatur me figurën e tij si përfaqësuer i denjë dhe i vendosur i komunitetit çam, një individualitet i padiskutueshëm me të cilin nuk mund të bësh shaka pa vend, shprehen shumë nga të njohurit tanë të përbashkët...
Tani Mondi ka shpallur kandidaturën për të qenë edhe kryetar i degës së Durrësit për PDU-në, partinë e re që drejtohet nga deputeti Shpëtim Idrizi, një ndër intelektualët dhe politikanët shqiptarë më bindës që përfaqësojnë sot Kuvendin e Shqipërisë... Dhe i ka të gjitha shanset për ta fituar edhe këtë sfidë...
Edmond Bejkon e gjen shpesh me poetin Namik Mane, me të cilin e lidhin kohë të vështira si ato të viteve 1988-90, kur mblidheshin së bashku në baraken e një ofiçine të vjetër dhe diskutonin kokë më kokë nga tre-katër orë në ditë për dëmet që u kishte sjellë regjimi komunist vlerave njerëzore shqiptare. E gjen edhe me Mehmet Hoxhën, biznesmenin e parë çam në Durrës, nga i cili ka mësuar shumë për jetën dhe ekonominë e tregut. Mondi nuk lodhet duke u rrëfyer të gjithëve për vlerat e rralla të Mehmet Hoxhës, ish i burgosur politik në burgun e Spaçit. Midis të tjerash ai rrëfen se njëherë kur ishte 13 vjeç kishte shkuar për ta takuar në burg. Mban mend se i kishte dalë para një fytyrë e shtrembëruar keqas nga një paralizë faciale. Ajo fytyrë që nuk njihej prej shëmtimit, mezi arrinte të shqiptonte: “Mondi i xhaxhit, nuk po më njeh?!”... Mondi ishte zbrapsur i frikësuar. Nuk e besonte dot që personi përballë tij ishte Mehmet Hoxha. Oficeri që vëzhgonte takimin kishte ndërhyrë befas: “Nëse ke ardhur të takosh Mehmet Hoxhën, përpara e ke, ky është”... Atëherë ishin përqafuar dhe Mondi ia kishte shkrepur të qarit...
Pjesën më të madhe të kohës së lirë Mondi e kalon veçanërisht me intelektualin çam Tasim Besho. Shumica e durrsakëve që i njohin nga afër thonë se nuk mbahet mend që kur ata janë miq me njëri-tjetrin. Gjejnë kohë dhe kalojnë edhe pesë-gjashtë orë në ditë me shoku-shokun dhe këshillohen sesi mund t’i shërbejnë sa më mirë të ardhmes së tyre dhe komunitettit çam në Durrës, të cilit i janë përkushtuar shumë. Ideali i tyre i përbashkët: zgjidhja e problemit çam. Në periudha të vështira, siç ishin edhe vitet 1996-1999, Mondi e Tasimi kalonin shumë më tepër kohë me njëri-tjetrin, ndonjëherë edhe e gdhinin në kërkim të zgjidhjeve paqësore që u ofronin personave me gjak të trazuar nga trysnitë e tensionet e mëdha që diktonte veprimtaria e ashpër e forcave politike. Miqësia e tyre është edhe më e madhe sot.
- Profesor Tasimi është modeli njerëzor më i preferuar për mua, - shprehet Mondi. – Sikur më ndriçon udhët e jetës mendja e tij e ndritur, aq sa herë-herë më duket se nuk mund të eci përpara pa të, prandaj jemi edhe miq të pandarë. Fjala vjen, njëherë kur isha kryetar i degës së shoqatës “Çamëria” të Durrësit, Shoqata “Durrësi” organizonte një përvjetor dhe për të më nderuar më thanë mua të flisja i pari, mirëpo unë refuzova me mirësjellje, duke thënë se u takonte vendasve të flisnin të parët, jo ne të ardhurve. Në fakt unë prisja të vinte profesor Tasimi që të këshillohesha me të për ato që do të thosha. Ai nuk erdhi dhe unë, gjithë emocion, dola e u shpreha thjesht pa letër para bashkëqytetarëve durrsakë.
U thashë atyre se unë jam me origjinë nga Çamëria, se jam i ardhur në Durrës dhe si i tillë gjithëçka kam në këtë qytet e kam krijuar me vështirësi të mëdha, me shumë sakrifica nga hiçi. Për këtë arsye e dua shumë Durrësin, ndoshta edhe më shumë se ju që e keni pasur dhe e keni tuajin në jetë të jetëve. Duke e dashur shumë e ndiej se jam pjesë e tij sa edhe ju dhe përpiqem që ai të përparojë sa më shumë, sepse e di më mirë se ju se çdo të thotë humbje. Unë nuk dua më humbje. Unë vij nga dhimbja e humbjes. Të parët e mi humbën vatanin, Çamërinë, të cilën unë dhe bashkatdhetarët e mi çamë na duhet shumë luftë për ta rifituar. Unë dua vetëm fitore. Kam fituar Durrësin, dua të rifitoj edhe Çamërinë, prandaj jam ky që jam që ju më doni dhe më mderoni kaq fort. Ju falemnderit për gjithçka keni bërë e do të bëni edhe për ne, çamët.
Fjala ime u prit me një lumë duartrokitjesh.
- E shikon? E kam thënë unë dhe e përsëris, - ndërhyri plot gjallëri Tasim Beshua, - ky djalë, si shumë të tjerë, është vetë jeta njerëzore me të gjitha ngjyrat, vetë thelbi i saj. Fjala vjen, Bilal Xhaferri, mund të flasësh e të thuash për të shumë gjëra, mund të përcaktosh me detaje se ka qenë shkrimtar i madh, se ka botuar kaq e aq poezi, se ka shkruar kaq e aq tregime nga më të bukurat, se ka shkruar kryeveprën, romanin “Krastakraus”, se ka themeluar e botuar revistën “Krahu i shqiponjës”, në mërgim, në Amerikë, pasi u arratis nga Shqipëria komuniste, se ka qenë antikomunist e disident i madh, etj., etj. Dhe kështu e përshkruan portretin e tij… Po hajde e portretizo djem si Mondi që janë Bilal Xhaferrët e padukshëm të shoqërisë njerëzore, që janë vetë brumi, ngjyra dhe gjallëria e saj… Unë kam një jetë që e njoh Mondin, por nuk e merr me mend, i nderuar Shefki, se sa të vështirë e kam të them ca fjalë për të përkufizuar portretin e tij… Më duket se nuk di ç’të të them për Mondin, është si diçka e paparashikueshme, nuk është as thjesht njeriu i pasioneve e as i kontradiktave të mëdha, është normalja, e vërteta e jetës, një djalë që dashuron dhe urren, që di të punojë egërsisht dhe të bëjë qejf marrëzisht. Po ju tregoj diçka nga e kaluara e tij si për ilustrim. Punonte si drejtues i një ndërmarrjeje që në magazinat e saj kishte gjithëçka i duhej Shqipërisë. Kishte nga qumështi i dallëndyshes, siç thotë një fjalë popullore, gjer edhe mish kanguri. Ishte marsi i vitit 1997, kur ra qeveria dhe Shqipëria përfundoi në anarki. Pronat shtetërore kudo u vodhën e u shkatërruan. Mondi, përkundrazi, e mbrojti. Po si?... Mori një mitraloz dhe e vuri në hyrjen e ndërmarrjes, mori edhe një automatik kallash dhe e vuri në krahë. Thirri edhe ca djem, miq e shokë të vetët me automatikë dhe u shtruan për shtatë palë qejfe duke ngrënë e pirë natë e ditë në roje të magazinave. Krismat nuk pushonin tej e tej qytetit. Vinin hajdutët për të vjedhur dhe Mondi i pyeste se çfarë donin: pije e miqësi apo plumb. Ata që e njihnin (kuptohet që e njihnin shumica) shtroheshin e hanin e pinin bashkë me Mondin e pastaj largoheshin si miq, ndonjë që nuk e njihte dhe tentonte të afrohej si bandit, mjaftonnin ca të shtëna në ajër dhe ndonjë dorë dru kurrizit që të largohej me vrap kokulur, duke kuptuar se ai vend kishte zot Edmond Bejkon. Dhe kështu Mondi e ruajti ndërmarrjen e vet... Më vonë, kur u ringrit qeveria, kujtohen ata të ministrisë të dërgojnë ca revizorë për të inventarizuar gjendjen e ndërmarrjes... Mondi, vetëkuptohet, i priti gjithë dashuri... Ata kërko këtë e atë faturë, fletëhyrje e fletëdajle, e Mondi na. Ata kontrollo e kontrollo sa u lodhën për të gjetur ndonjë shkelje e Mondi qeshte. Në fund u tha:
“O miq, doni ndonjë drekë të mirë, të hamë e të pimë e të bëjmë qejf e të ndahemi si miq apo doni ndonjë dru të mirë kurrizit?... Mos më merrni gjë për budalla mua? Po të doja të vidhja magazinat e ndërrmarrjes që drejtoj, do ta kisha djegur dogumentacionin gjatë trazirave dhe do të kisha vjedhur gjithçka si shumë të tjerë dhe ju do të kishtit gjetur vetëm hirin këtu dhe mua nuk do të më hynte asnjë gjemb në këmbë”...
Ata qeshën dhe ia kthyen:
“Duam të hamë e të pimë dhe të lumtë që e ruajte pasurinë e shtetit, pasurinë e të gjithë shqiptarëve”...
Dhe e festuan së bashku faktin që ndërmarrja kishte mbijetuar në sajë të vendosmërisë së Edmond Bejkos. Ja, ky është Mondi ynë, një hero i heshtur... Po të tregoj një rast tjetër, i nderuar Shefki. Më 1996 kandidonte një shoqja jonë për deputete. Vetëkuptohet me shpenzimet e Mondit. Ishim të gjithë të shqetësuar. Situata u acarua sidomos ditën e zgjedhjeve. PS papritur vendosi të tërhiqte komisionerët nga qendrat e votimeve. Do të bëhej një trazirë që s’do ta merrte vesh i pari të dytin. Dhe e gjitha kjo për pesë pare spec, sepse në Durrës ka mirëkuptim midis palëve. Nuk ka acarime politike aq të mëdha si në zona të tjera. Mondi pa njërin nga komisionerët që kishte dalë e rrinte në shkallë. Iu afrua rëndë-rëndë dhe me qetësi i tha:
“Të të hedh nga shkallët apo të të jap kohë sa të kthehesh në qendër të votimit?!”...
Tjetri e vuri re dhe, mesa kuptohet, duke e ditur se me Mondin nuk bëhet shaka kur është fjala për të vërtetën dhe drejtësinë e gjërave,u rikthye pa fjalë në krye të detyrës dhe procesi eci si në vaj. Durrësi nuk pati probleme në sajë të mirëkuptimit njerëzor e politik midis palëve...
Gjatë trazirave të 1997, kur ra qeveria dhe vendi degradoi në anarki, durrsakët panë se Mondi ishte nga të vetmit djem që e mbrojti pasurinë e përbashkët me jetën e vet, prandaj i besuan edhe detyrën si anëtar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, organizëm që vërtet funksionoi përkohësisht, por pati atribute pushteti e qeverie dhe lozi një rol të madh për pajtimin mes palëve të acaruara politikisht. Pra,djem me integritet, si Mondi, ruajtën ekuilibrat e brishtë të marrëdhënieve ndërqytetare dhe vendi ynë i shpëtoi për bukuri katastrofës që i kishte përgatitur politika e mbrapshtë e kësaj klase politike ende të papjekur e të papërgjegjshme për fatet e kombit shqiptar...
Ç’të të them tjetër?!... Mund të rri gjithë natën e të të tregoj lloj-lloj shembujsh për të ilustruar figurën e mikut tonë Edmond Bejko. I nderuar Shefki Hysa, besoj se ke dëgjuar edhe nga të tjerat për bëmat e këtij heroit tonë të pabujë dhe do të ishte e tepërt të të lodhja më kot me një sasi të madhe episodesh, kur edhe kaq mjafton që shija e mendjes sate të “degustojë” vlerat e mirëfillta të këtij subjekti... Do të ishte njësoj si të detyroje një ekspert degustimi vere të pinte me zor një fuçi të tërë, kur dihet se atij i mjafton një gllënkë për të vlerësuar cilësinë e saj... Besoj se edhe lexuesit do më kuptojnë dhe do t’i japin notën që meriton figurës së Edmond Bejkos edhe përmes këtij rrëfimit tim të vogël e të varfër... Desh harrova... Po shtoj edhe diçka se Mondi tashmë është babai i dy fëmijëve: vajza, Tisiana 17 vjeç dhe djali, Aldo 14 vjeç... Dhe tjetra: sa e herë e merr gruaja në telefon, ky i paudhi e siguron të flejë e qetë duke i thënë se është me profesor Tasimin... Dhe ajo e shkreta ka besim se unë nuk e lë Mondin të bëjë paudhësira... Më beso edhe ti, se nuk e lë vërtet të rrëshqasë në dërrasë të kalbur...
I nderuar lexues, a mund të besohet fjala e Tasim Beshos në përshkrimin e karakteristikave të personazhit tim Edmond Bejkos?!... edhe unë nuk e di saktësisht... Megjithatë mund t’ju pohoj me siguri se janë edhe shumë miq të mi në Durrës e gjetkë që kanë thënë e vazhdojnë të thonë edhe sot e kësaj dite fjalë të bukura për Mondin... Kjo lloj “rrufe”, për fat të keq a të mirë, nuk e di, më ka zënë edhe mua...
Sidoqoftë le t’ia lemë kohës gjykimin e fundit... Gjykatës më të mirë se koha nuk ka... Verdikti i saj është i pavdekshëm...

Shefki Hysa

Monday, February 15, 2010

Nga Krenar Lasko

Jam një djalë Çamërie

Jam shqipëtar Shqipërie,
Aromë mbaj Çamërie.
Më krren mall, këmb’ e krye,
Për legjenda gjyshërie.
Ç’isht një fllad flori i artë,
Më drithëron zemrën e ngratë.
Me jep hov djalërie,
Se jam bir Çamërie
E në gji ruaj një hartë,
Ku të parët m’u bënë baltë,
Ku mbenë varret përvëluar,
Ku djeg ferr lot i malluar,
Për vatanë nga sitë larguar.
Historia na mërgoi,
Larg prej sirit dritën çoi.
Foshnjë mbetmë këtu jetimë,
Nana jonë, atje robinë!
Tokë amë, tokë atë,
E bekuar dhe e begatë,
Ninanullë e ëndrrës sime,
Me gjak shkruar ndër kujtime,
Je ti, Çamëria ime...

Krenar Lasko

Friday, January 8, 2010

Blerina Sadiku

Kështu, dy fëmijët e Namik Sadikut, me dëshirën e tyre, të nxitur edhe nga puna e frytshme e babait, u arsimuan dhe vazhdojnë të arsimohen në degët e financës dhe turizmit. Blerina, vajza e tij, përfundoi studimet në fakultetin e shkencave sociale dhe humane pranë Universitetit të New Yorkut, në Tiranë, në degën Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe në fakultetin Juridik të Universitetit Kristal. Gjithashtu ajo është në përfundim të një Masteri MBA Banking me program të “Institute Universitaire Kurt Bosch” pranë Universitetit të New Yorkut.

Blerina Sadiku ndjehet krenare që është çame dhe këtë e tregoi edhe me temën “Diplomacia shqiptare dhe ajo greke për çështjen çame”, të cilën e ka zgjedhur për ta trajtuar me dëshirën e saj. Ajo është vlerësuar vazhdimisht me notën shkëlqyeshëm në çdo detyrë që i ka vënë vetes.

Tani Blerina Sadiku punon në Bankën e Shqipërisë...

Skënder Hasani

Tuesday, January 5, 2010

Nuk harrohen kurrë sakrificat për Atdheun

(Letër e hapur,
drejtuar shkrimtarit Shefki Hysa,
në Tiranë)

Zotëri Shefki, e mbarova leximin e librit tënd “Diplomacia e vetëmohimit”, ku ngrihet lart me argumenta bindëse, ashtu siç e meriton, personaliteti i Bilal Xhaferrit e i vendit tonë. Të heq kapelen dhe me dorë në zemër uroj që kjo vepër e jotja të zërë vend në Altarin e Nderit të historisë së vendit e veçanërisht të krahinës sonë dhe ti të vendosesh tepër i nderuar në piedestalin e atyre atdhetarëve që me pushkë e me penë nuk u kursyen për Shqipërinë deri edhe në flijim.
Një djalë patriot nga Shalësi, siç je ti, i bën nder atij fshati që mali i Saraqinit e mban nën sqetull, dhe bashkë me malin e Mëllezit mbrojnë Çamërinë nga acaret që i vijnë nga Veriu i Evropës herë pas here.
Në vitin 1913 londinezët bashkë me berlinezët, vjenezët, moskovitët e të tjerë, i hoqën Shqipërisë kokën, Kosovën e gjithë gjymtyrët e sipërme e ua falën serbëve, ndërsa Çamërisë ia hoqën veçmas kokën, sepse ashtu e deshën grekët, nuk ia duam kokën, hiqjani (okso to qefali), ndryshe nga sa vepruan në Trojë që futën atë kalin e drunjtë brenda kështjellës. Dhe kishin arsye, sepse koka e Çamërisë i kishte shqetësuar shumë herë të tjera, veças Ninatit, atij fshatit të urtë e të mençur të Tahsinëve. Si mund t’i prishej qejfi nuses së Rusisë e dashnores së Perëndimit, pavarësisht se Zoti vetë i ka caktuar kufijtë e Çamërisë ilire brenda dy lumenjve: lumit Pavel ose me saktë i Shën Pavlit në Veri dhe lumi Kalama, më saktë lumi i vogël në Jug. Si mund të rrinin të qetë grekët me një Mesopotami të dytë, siç ka thënë dikur Ismail Qemali, kur e mori vesh që Shqipërisë i hoqën kokën, i hoqën gjymtyrët e sipërme e të poshtme dhe trungun e flakën në moçalishtet përbri Adriatikut e Jonit... Kështu qe thënë, por farët e lisave sado të rrinë nën dhe nuk zhduken, u vjen koha e mbijnë, rriten e lulëzojnë. Kjo është provuar shumë herë në histori, dhe së fundi u provua me Kosovën. Ajo tani nuk është më e prerë nga trungu dhe, sigurisht, do të vijë dita që ajo të bëjë detyrën e saj, si kokë e kombit që është, edhe për gjymtyrët e poshtme të kombit që janë ende të prera. Se për këtë kanë luftuar e janë përpjekur tërë jetën shqiptarët, për këtë përpiqesh edhe ti, miku im Shefki, me shumë shokë, sepse kjo është një e drejtë e dhënë nga Zoti vetë. E për këtë të drejtë, Bilal Xhaferri u përpoq deri sa i morën jetën. Dashamirësit e tij do të jenë mirënjohës vetëm ty, se ti pa u lodhur, pa asnjë interes tëndin dhe me këmbëngulje të madhe bëre të mundur që qeveria demokratike në vitin 1995 të plotësonte kërkesën tënde për kthimin e eshtrave të Bilal Xhaferrit në atdhe. Dhe eshtrat e Bilalit erdhën në Shqipëri, në Sarandë, pranë fshatit të tij të lindjes.
Mirëpo autodetyra jote nuk do të mbarojë derisa varri i tij të zhvendoset te varrezat e dëshmorëve të qytetit të Sarandës dhe në vend të tij ku është sot të ngrihet një bust, një përmendore për Hasan Tahsinin e për Bilal Xhaferrin.
Ata që bëjnë letra anonime nuk janë burra, janë burrecër të fëlliqur, mirë bën që nuk ua var fare. Të gjesh gabim te puna e ndonjë tjetri nuk është ndonjë zor i madh, madje është puna më e lehtë.
Shefki Hysa nuk i la të shkonin kot vitet e rinisë së tij, por u përpoq si vala e detit për një të drejtë studimi, për një punë dinjitoze dhe sot ka arritur të ketë një shtëpi botuese e një shoqatë me emrin e Bilal Xhaferrit dhe riboton revistën “Krahu i Shqiponjës”, duke sfiduar kështu, hapur, gjithë dashakeqët e Bilalit e tërë Çamërisë.
Zotëri Shefki, libri yt është i plotë, shumë i plotë. Unë lexova te ky libër edhe historinë e familjes së Bilalit. Më kujtove fëmijërinë time në Markat, ku njëra nga motrat e Bilalit, Jetia, moshatare me mua, jetonte te ungji i saj nga nëna, e cila i kishte vdekur herët. Vetëm unë e kuptova shumë mirë gjithçka që tha Jetia në intervistën që ajo dha në Çikago të Amerikës.
Gjithë intervistat që ti more nga fshatarët tanë në Amerikë ishin shumë prekëse, sepse ata ata i kanë vuajtur vitet e zymta të komunizmit, vitet e tmerrshme, vitet kur pleq me fëmijë në krahë morën rrugën e mërgimit e nuk u kthyen më kurrë, nuk i kapërcyen më pragjet e shtëpive të tyre. Gati tetëdhjetë përqind e fshatarëve të mi e të Bilalit ikën e lanë Atdheun, lanë shtëpitë e tyre që sot u kanë rënë çatitë brenda e duken si mall pa zot. Vetëm ata mund t’i kuptojnë e t’u besojnë intervistave të tyre. “Në Markat kanë për të kënduar qyqet”, - i shkruante në vitin 1958 ungji i Bilalit të vëllait në Durrës...
Veç të tjerash, me librin tuaj, zotëri Shefki, më sollët në kujtesë një bisedë me Bilalin. Duhet të ketë qenë nga fundi i viteve ‘50. Unë po shëtisja me të në bulevardin kryesor të Durrësit. Ishim te sheshi para Pallatit të Kulturës së qytetit. (Atje mund të rrije sa të doje, i qetë. Ti e di, në ato vite s’kishte as biçikleta në qarkullim, jo më vetura. Të tilla gjithë Durrësi kishte pesë a gjashtë, edhe ato e di ti kush i kishte). Atje e pyeta Bilalin:
- Bilal, më thuaj, çfarë je duke shkruar se e di mirë unë, ti nuk rri kot.
Këtë pyetje ia bëra sepse duke ecur i pashë te xhepi i pantallonave një fletore aritmetike të mbledhur rul, që përherë e mbante me vete. Mbante edhe një copë laps plumbi, jo më të gjatë se 5-6 centimetra.
Në atë moment ai ndaloi këmbët, ndalova edhe unë, bëri sikur pështyu dy-tre herë në tokë (e kishte zakon këtë veprim), pastaj me një thjeshtësi të madhe më tha:
- Jam duke shkruar në mendje pak nga Historia e Luftës.
- Ç’luftë, more, - i thashë unë, - për luftën Nacional Çlirimtare? Sa kanë shkruar për të! …
- Dëgjo, Seit, - vazhdoi ai, - pikërisht se si duhet quajtur ajo luftë më bën të hezitoj. Ishte luftë për të hequr një okupator apo luftë për të sjellë një tjetër shumë herë më të keq, atë që na solli dhuratë Titua me atë çalamanin dhe me atë të gjatin...
Unë heshta, ç’mund t’i thoja?! Ngrita supet.
Ai vazhdoi:
- Vërtet janë shkruar shumë tregime e libra të tëra, por detyra e parë e çdo shkrimtari është që me ato që shkruan të mos gënjejë Perëndinë dhe as Kombin…
Ndërpreu fjalën, pastaj më dha dorën.
- Më fal, Seit, - më tha, - më jep leje të iki, duhet të kap trenin që niset tani për Tiranë e të zbres në Sukth, se po u bë vonë nuk gjej as dot karrocë për të shkuar në Shijak e do të mbetem në këmbë.
Dhe u largua. E më se pashë për më tepër se katër vjet. Punonte në mirëmbajtjen e rrugëve në Veri të vendit.
Një ditë vjeshte të vitit 1963 bleva revistën “Ylli” dhe lexova rezultatet e një konkursi për letërsi, të cilin e kishte fituar një Bilal Xhaferri me tregimin “Në rrugë”. Kush të jetë ky Bilal Xhaferri, pyeta veten, mos është Bilali ynë, Bilal Hoxha. Por u mor vesh shumë shpejt. Ishte pikërisht Bilal Hoxha nga Ninati, i biri i Xhaferr Ferik Hoxhës, djali i kushërirës time të parë nga babai.
Pa humbur kohë, i bëra një telegram urimi në emër të gjithë familjes time. Ai në këtë kohë ishte ushatar i punës në Poliçan të Skraparit.
Lexova e rilexova tregimin “Në rrugë”. Ai ishte tregim fisnik fund e krye, i shkruar nga Bilali, por në fakt mua më dukej se ishte vetë babai i Bilalit që e kishte shkruar. Sikur ishte ngritur nga varri që nuk i dihet se ku ndodhet. E pushkatuan komunistët në mes të Delvinës...
“Ç’faj u kam bërë more, - i tha ai të quajturit gjykatës, - unë oficer i ushtrisë shqiptare kam qenë. Detyra e ushtarit dhe e oficerit është të mbrojnë vendin e tyre, të japin edhe jetën, edhe unë për këte qëllim isha betuar”.
Atë nuk e treti dheu, se dheu nuk të tret kur vdes me maraz.
Po i kthehem edhe njëherë përmbajtjes së atij tregimi. Vura re se sa me fisnikëri ai djali hoqi xhupin, që më i vjetër s’bëhej, dhe ia hodhi sipër krahëve asaj vajzës që ishte shkëputur nga grupi dhe kishte shkuar për të dhënë një shfaqje në veri. Atje Bilali shpreh dhimbjen e të atit për vajzat që i mbetën rrugëve, me një copëz fustan beze në mes të dimrit, atje ai shpreh fisnikërinë e të birit që sakrifikoi si për motrën duke i hedhur xhupin mbi shpatulla asaj vajze. Dhe s’u mor vesh a i takoi ajo vajza shoqet apo mbeti rrugëve si i vëllai.
Me këtë tregim Bilali e sfidoi si asnjë tjetër regjimin komunist, nuk e mohoi babain si shumë të tjerë nga zori, por e ngjalli e i detyroi sllavokomunistët t’i jepnin edhe çmimin e parë. Mirëpo inati komunist është i madh e pa fund.
Në një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë u ngrit ai që drejtonte mbledhjen, u ngrit si ujku kur ngrihet të çajë ndonjë dele e tha:
“E njihni kush është ky djali, ky është i biri i armikut tonë që e kemi pushkatuar”...
E pas kësaj përfundoi në kënetat në veri të Durrësit për të rritur vreshta për rrush, për të prodhuar verë e raki për ta. Mirëpo ajo verë e ajo raki i zuri në grykë, sepse Bilal Xhaferri i sfidoi përsëri shumë keq, i sfidoi kur ishin në kulmin e poshtërsive të tyre, kur gjithë vendin e kishte thurur me rrjeta teli me gjemba si Hitleri kampet e përqendrimit në kohën e tij.
Komunistët festonin në Bogaz të Konispolit me verë e raki të ashtuquajturën festë e formimit të Çetës “Çamëria”. Ç’ne në Bogaz kjo festë?! Çeta u krijua në Markat, hane Markati hane Bogazi, asgjë nuk i lidh. Po halli ishte se nga Markati mund të arratiseshin të gjithë festuesit. Këtë merak kishin. Markati kishte dhënë prova që nuk i donte. Për ta formuar Çetën “Çamëria” Markati ishte i mirë, ndërsa për festa nuk bënte.
Mirëpo Bilali edhe këtë radhë nuk i përfilli, i sfidoi keqas përsëri. Nuk i përfilli telat, përkundrazi ai u gjend në Amerikë, në vendin e lirisë. Prej andej ai s’pushoi së denoncuari komunistët e Tiranës, siç e tregojnë veprat e tij të publikuara, veçanërisht te revista “Krahu i Shqiponjës”. Me këtë emër të revistës ai i thoshte Tiranës dhe gjithë shqiptarëve kudo që ishin se, që të ngrihet lart vendi ynë, Shqipëria, e të përparojë, duhen të dy krahët e shqiponjës, domethënë duhet edhe Kosova edhe Çamëria. Por komunistët e Tiranës nuk mund të bindeshin e të pushonin, ata vazhduan me egërsinë e tyre përbindëshore deri sa e vdiqën në mënyrë të mistershme.
Fshatari ynë Zeqo Kola më ka thënë:
“Unë i bëra vizitë në mëngjes në spital, në Çikago. Ndenjëm bashkë në oborr rreth një orë, kurse sa mbërrita në shtëpi më thanë se Bilali vdiq. Nuk desha ta besoj e nuk e besoj edhe sot, edhe po ta kenë vrarë dy kosovarë, siç e hapën fjalën, prapë nuk bindem. Kosovarët këndojnë të gjithë atë këngën e vjetër “… Në Kosovë e Çamëri, do të valojë përsëri, flamuri kuq e zi”...
Nuk duhet të kenë qenë kosovarë!...
Libri “Diplomacia e vetëmohimit” është i gjithanshëm. Kushdo që e lexon me kujdes ndesh aq shumë ngjarje historike e personazhe sa të kujton “Lufta dhe Paqja” të Leon Tolstoit. Personazhet e tij janë fshatarë të thjeshtë, janë nëpunës të të gjitha rangjeve, të kohës sllavo komuniste e të sotme, edhe punëtorë të mirëmbajtjes së rrugëve. Atje gjen shkrimtarë tepër të nderuar dhe ministra arsimi që lanë emër të përjetshëm në Shqipëri edhe nën komunizëm, gjen shumë deputetë të parlamenteve nga 1992 e deri sot, me intervista të plota, me angazhime për një rezolutë për Çamërinë, por asnjërin nuk pamë ose dëgjuam që të thoshte dy fjalë nga podiumi i Parlamentit. Shumë keq për ta. Por historia vazhdon...
Dy deputë të rinj nga Çamëria po duken në Yllësinë Çame, kanë lindur në tokën e Shqipërisë amë e po bashkohen me Shefkiun e të pamposhturit e tjerë. Le të thonë sa të duan grekët se “nuk ekziston çështja çame, kjo çështje është e mbyllur”... Një ditë, sigurisht që do të lindë ndonjë grek i mençur që të dëgjojë nga të dy veshët...
Priftërinjtë e Konicës besoj se i kanë lexuar porositë e Krishtit:
“Me komshiun silluni mirë, konsiderojeni si vëlla, atë keni më afër, ai do ju gjendet i pari po të keni ndonjë të keqe, u mjafton e u tepron toka juaj”…
Dhe kjo është e provuar, le të kujtojnë grekët pak sa gjak i kulluar shqiptari u derdh për të fituar nga Perandoria Turke atë liri që gëzojnë sot, ose le të shohin sot se si rreth një milion shqiptarë punojnë me ndershmërinë më të madhe në punët më të rënda dhe zbukurojnë Greqinë e re.
Pra, tërë këta emigrantë shqiptarë së bashku me Evropën e Bashkuar nuk kursehen të mbajnë edhe Greqinë mbi supe.

Seit Myrto
Firenze – Itali

Dhjetor, 2009

Sunday, January 3, 2010

Namik Sadiku, biznesmeni çam,
shembull i turizmit shqiptar

Namik Saliko Sadiku
u lind më 14 gusht 1957 në qytetin e Durrësit. Ai e ka prejardhjen nga një familje patriotike e qytetit Margëlliç të Çamërisë. Gjyshi i tij, Jasin Sadiku, ishte një nga përfaqësuesit më në zë të atij qyteti e rrethinave të tij. Por veprimtaria patriotike e gjysh Jasinit spikati dukshëm në Margëlliç, pas vitit 1922, kur situata politike dhe ekonomike e shqiptarëve muslimanë në Çamëri ishte rënduar shumë. Karakteri i fortë i tij dhe vlerat atdhetare të trashëguara gjysh pas gjyshi e brez pas brezi, e nxitën Jasin Sadikun që, në këtë periudhë të trazuar, të vihej përkrah rretheve patriotike të Çamërisë.
Referuar arkivave e dëshmitarëve të kohës, studiuesi Hajredin Isufi sjell dëshmi interesante për rolin e Jasin Sadikut në çështjen çame. Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi, jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me qëndresën çame për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, si dhe për rolin e rëndësishëm të patriotit Jasin Sadiku në mbrojtje të çështjes çame, nëpërmjet organizimit të qëndresës dhe sensibilizimit të faktorëve ndërkombëtarë për fatin e dhimbshëm që përgatitej ndaj popullsisë së pambrojtur çame.
Jasin Sadiku shquhej në rininë e tij për një vullnet të fortë dhe zgjuarsi. Ai, si autodidakt, lexonte shumë dhe nga librat që shfletonte mori një kulturë të gjerë dhe bëri emër në Margëlliç e rrethinat përqark. Ai lexonte në gjuhën greke, mësoi të shkruante e të lexonte shqip, mësoi nga i ati të shkruante e të lexonte arabisht dhe më pas mësoi edhe italisht.
Si i ati edhe Jasini bëri një tufë me fëmijë, që gjatë gjithë jetës së tij, me gjithë kushtet e vështira, i shkolloi, duke i sjellë në Shqipëri për të vazhduar shkollën normale të Elbasanit e më pas për specializime të kohës.
Një ndër ta është edhe babai i Namikut, Saliko Sadiku, bankieri shembullor (kështu e njohin të gjithë durrsakët sot e kësaj dite). E kam në sy edhe tani: ishin vitet ‘75 dhe sa herë që shkoja në Bankën e Shtetit Shqiptar të asaj kohe, për të kryer veprimet bankare nga ndërmarrja ku unë punoja. Isha djalë i ri që sa kisha mbaruar studimet. Saliko Sadiku menjëherë ngrihej nga vendi e më dilte përpara për të më takuar (i bëhej zemra mal që një djalë i ri çam vinte në bankë). Pamja e tij e jashtme të jepte përshtypje të rëndë e serioze. Dukej fjalëpak, por shumë i vëmendshëm e i kujdesshëm. Sytë prapa xhamave të ndritura të syzeve shprehnin zgjuarsi, ngrohtësi e mirësi. Balli i lartë prej mendimtari, forma ovale e fytyrës dhe një ngutësi e lehtë në cepat e buzëve i jepnin pamje autoritare. Por mjaftonte një buzëqeshje e lehtë dhe gjithë ajo ftohtësi shkrinte nga ngrohtësia e buzëqeshjes.
E bëra këtë përshkrim paksa historik Saliko Sadikun për të plotësuar edhe më mirë portretin e figurën e djalit të tij, Namik Sadikut, si njeri e biznesmen i suksesshëm në qytetin e Durrësit e më gjerë.
Nuk thotë më kot populli: “Bëmë baba të të ngjaj”... Pra, edhe Namik Sadiku është patjetër pjesë e gjenezës së fisit të tij, përmbledh vlerat e karakteristikat gjenetike më të mira të stërgjyshëve, gjyshit e babait të tij...
Namiku, me nje shtat mbi mesataren, për të mos thënë i gjatë, është tip energjik, impulsiv, i kudondodhur, i shoqërueshëm e i afërt me të gjithë, me integritet dhe paksa këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të veta, i gatshëm për të polemizuar në çdo kohë. Ky tipar i karakterit të tij dhe krenaria vetjake janë shenja burrërie që, siç shprehet një shkrimtar i madh i yni, ndonjëherë të hapin edhe telashe, por ato përballohen me vendosmërinë dhe forcën e karakterit që ka Namik Sadiku.
Pasi mbaroi shkollën e mesme mekanike, ai u emërua në ndërmarrjen Baza Mekanike e Hekurudhave si mekanik vagoni e më pas përgjegjës i repartit të riparimit kapital të vagonave të mallit...
Në vitet që Namik Sadiku punonte në Hekurudhë, unë pata mundësinë ta njoh nga afër, sepse kisha filluar punë si kryetar i degës së planit, në vitin 1985, në Parkun e Lokomotivave e Vagonave. Shpesh linim takime bashkë, takoheshim e bisedomim kur hanim mëngjesin apo kur shkonim mbi tarracën e ndërmarrjes ku punoja unë dhe diskutonim e diskutonim gjerë e gjatë për mundësitë e përmbysjes së atij sistemi dashakeq, duke e besuar totalisht njëri-tjetrin.
Namiku punonte me një energji të pashterur dhe nuk i bindej asnjeriu për punën, vetëm mendimit të tij, sepse e kishin provuar të gjithë se e çonte në vend e në kohën e duhur objektivin që i vendoste vetes.
Namik Sadiku kishte një mllef të akumuluar jo vetëm pse sistemi komunist ia kishte përbuzur prejardhjen atdhetare çame, por edhe për vuajtjet e të atit në atë regjim dashakeq (megjithëse një bankier shumë i zoti), si edhe për vetë përvojën e tij të hidhur. Namiku e provoi edhe në kurrizin e tij përbuzjen e mosbesimin e ushqyer nga Partia Komuniste në pushtet, për ne çamët.
Këto e shumë arsye të tjera të ngjashme e detyruan Namik Sadikun që ende pa u përmbysur mirë regjimi komunist, të largohej nga Shqipëria me gjithë gruan e dy fëmijët e vegjël, në kërkim të shtigjeve të reja, të cilat ai i ëndërronte jo vetëm për vete, por për gjithë shqiptarët. U largua me idenë për të mos u kthyer më në këtë vend. Mirëpo, duke lëvizur nëpër Evropë në vitet 90-të, atij i lindën ide të reja, vendosi të merrej me tregti në vendin e tij të lindjes dhe ashtu bëri.
U kthye në atdhe me një valixhe plot me bizhuteri duke i harxhuar të gjitha sa kishte me vete.
Kështu nisën edhe hapat e parë të aktivitetit të tij tregtar.
Në prill të vitit 1991, duke parë etjen e tregut për artikuj të të gjitha fushave të jetës, bëri praktikën e parë doganore me gozhdë për ndërtim dhe më vonë në vazhdimësi me verë etj...
Në vitin 1993, duke parë nevojat emergjente të vendit për bukë, Namik Sadiku udhëtoi për në Ukrainë ku mori furra buke me kapacitete të vogla dhe fillimisht eksperimentoi me to në Fermën e Sukthit. Më vonë ato furra ia fali një mikut tonë çam.
Ndërkohë Namiku vazhdoi më tej duke sjellë linja prodhimi të ndryshme sipas kërkesave të kohës. Nuk u mjaftua me kaq. Udhëhiqej vazhdimisht nga ide të reja si e si ta zgjeronte biznesin...
Ai, me një kurajo shumë të madhe për t’u admiruar, por edhe për t’u kritikuar, filloi tregtinë ndërshtetërore Itali-Rusi, që nuk zgjati shumë. Paralelisht me tregtinë Namiku mendonte të vinte në efiçencë linja të ndryshme, jo vetëm të prodhimit të bukës në plazh, por edhe linjën e prodhimit të sallamit, të cilën e instaloi në vitin 1994 në Shkozet. Ndërkaq kishte marrë me qira nga Bashkia edhe tokë në plazh, tek Shkëmbi i Kavajës. Aty, që në vitin 1993, kishte vendosur një kioskë dhe po ia ndiente fitimin...
Kështu Namiku për një periudhë kohe të gjatë vazhdoi duke kryer shumë punë: import, linja prodhimi, turizëm, etj., deri sa në vitin 1997 u përqendrua kryesisht në turizëm, sepse e shikonte si të vetmen degë me perspektivë, për vetë pozicionin gjeografik e kushtet klimatike të vendit tonë.
Në këtë moment filloi nga puna së pari duke blerë tokë nga pronarë të ligjshëm, si dhe prej atyre që shteti u kishte kompensuar truallin në bregdet, pastaj menjëherë filloi ndërtimin e një hoteli katërkatësh me të gjitha mjediset e nevojshme. Objekti i tij ishte një ndër më të mirët në fushën e turizmit për kohën. Përbri hotelit ndërtoi edhe një fushë mini-futbolli, aktivitet i parë në qytetin e Durrësit...
Në vitet 2001- 2002 Namiku bëri një shtesë të hotelit ekzistues dhe ndërtoi një pishinë me standartet më të mira të këtij lloji në hoteleritë shqiptare deri në atë periudhë.
Të gjitha këto objektiva Namiku i realizonte me një punë të palodhur natë e ditë. Në të gjitha rastet e investimit ai merrte kredi në bankat e nivelit të dytë, duke u dalluar si një klient i rregullt në shlyerje dhe për ndërtimin e marrëdhënieve korrekte dypalëshe.
Në vitin 2005 Namik Sadiku filloi të mendonte se për t’u quajtur një kompleks turistik modern, objekti i tij kishte nevojë edhe për një pistë në det. Fillimisht nguroi për materialin që duhej të përdorte për të ndërtuar pistën, nëse duhet të ishte beton apo diçka tjetër. Ishte i vendosur të bënte një gjë ndryshe nga të tjerët dhe ashtu bëri. Mori informacion se si mund të ndërtohej objekti me dru, por me një dru të veçantë që gjendej në Afrikë. Pasi arriti ta siguronte këtë lloj druri në Afrikë, Namiku e ndërtoi pistën dhe brenda një periudhe rekord, në vitin 2006, e vuri në shfrytëzim.
Në këtë periudhë ai e ndjeu të nevojshme se, krahas përvojës dhe punës, duhej edhe njohja shkencore e turizmit. Pra, ai filloi të mendonte për t’u përgatitur për të ardhmen e turizmit elitar edhe në Shqipëri. Filloi ta shihte të ardhmen e biznesit me një sy më largpamës, siç e kërkonin edhe zhvillimet e turizmit bashkëkohor në botë.
Kështu, dy fëmijët e Namik Sadikut, me dëshirën e tyre, të nxitur edhe nga puna e frytshme e babait, u arsimuan dhe vazhdojnë të arsimohen në degët e financës dhe turizmit. Blerina, vajza e tij, përfundoi studimet në fakultetin e shkencave sociale dhe humane pranë Universitetit të New Yorkut, në Tiranë, në degën Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe në fakultetin Juridik të Universitetit Kristal. Gjithashtu ajo është në përfundim të një Masteri MBA Banking me program të “Institute Universitaire Kurt Bosch” pranë Universitetit të New Yorkut.
Blerina Sadiku ndjehet krenare që është çame dhe këtë e tregoi edhe me temën “Diplomacia shqiptare dhe ajo greke për çështjen çame”, të cilën e ka zgjedhur për ta trajtuar me dëshirën e saj. Ajo është vlerësuar vazhdimisht me notën shkëlqyeshëm në çdo detyrë që i ka vënë vetes.
Tani Blerina Sadiku punon në Bankën e Shqipërisë...
Namiku Sadiku gjithmonë mendon se turizmi është një industri që karakterizohet nga përfshirja intensive e krahut të punës. Burimet njerëzore për këtë industri janë vlerësuar si “lëndë e parë” apo janë parashikuar nga ekspertët si faktori më i rëndësishëm që do të përballojë bumin e zhvillimeve turistike gjatë dekadave të fundit dhe në vazhdim.
Por çfarë cilësie ofrojnë burimet njerëzore në turizmin shqiptar? A i kënaq ai kërkesat dhe nevojat e klientit, d.m.th të turistit, veçanërisht të të huajit? Ne mendojmë se jo. Ka ardhur koha të vlerësohet motivimi i vizitorëve, të cilët paguajnë për t’u kënaqur. Dhe kur këta turistë paguajnë atë vlerë që mund të jetë e njëjtë apo dhe më e lartë se në një vend tjetër, presin që edhe shërbimi të jetë po aq i lartë, ose më i mirë. Është ky faktori që do të përcaktojë avantazhet konkurruese brenda turizmit vendas, por edhe ndërmjet tij dhe turizmit të huaj.
Namiku Sadiku, në të gjitha rastet e investimeve të tij, nuk ka pritur konsumin fizik të investimit, por shikonte konsumin moral të tij. Ai thotë se në turizëm nuk fitohet pa një shërbim cilësor bashkëkohor dhe pa ambiente çlodhëse për turistin. Shërbimi që u ofrohet klientëve duhet të përmirësohet nga viti në vit, me synimin për të plotësuat kërkesat e tyre dhe për të thithur sa më shumë turistë.
Ishte vera e vitit 2007, kur Namik Sadiku filloi të mendonte se investimi i hotelerisë që kishte bërë 10 vjet më parë ishte konsumuar moralisht.
“Ka ardhur koha, - thoshte ai, - e një hotelerie më komode (komplekse turistike), sepse edhe shteti ynë i dashur do të fillojë, si e gjithë bota, të vendosë disa yje sipas cilësisë së shërbimit”...
Këtë ide ai e diskutonte çdo ditë me njohës të fushës, miq e dashamirës që i donin të mirën, për të marrë më pas një vendim shumë të rëndësishëm dhe kurajoz: prishjen e hotelit të “vjetër” dhe ndërtimin e një të riu, me kapacitet tre herë më të madh dhe me një cilësi më të lartë.
Një nga njerëzit që e mendonin të ardhmen njësoj si ai, isha dhe unë. I ofrova Namikut bashkëpunim me arkitektin dhe investitorin çam shumë të talentuar të brezit të ri, zotërinë Indrit Hamiti, për ta zgjeruar më tej ambientin e tij, duke e shndërruar në një “kompleks turistik rezidencial”, i quajtur nga qeveria aktuale si i vetmi rast në bregdetin shqiptar.
Në janar të vitit 2008 hoteli i vjetër u hodh në tokë dhe mbi të u ndërtua një godinë rezidenciale, ideuar e projektuar më së miri nga bashkëpunimi me shoqërinë “Balkans Investment Group” i arkitektit Indrit Hamiti, me një sipërfaqe ndërtimi 14.000 m2.
Sot mund të themi me plot gojën se ky kompleks është një nga ndërtimet më të bukura te Shkëmbi i Kavajës, si në cilësi ashtu edhe në funksion dhe të dy bashkëpunëtorët duhet të ndjehen krenarë, sidomos kur dëgjojnë përshtypjet pozitive të dhjetëra specialistëve që njohin fushën e ndërtimit e të turizmit.
Me punën e tij palodhur dhe këmbëngulëse, Namik Sadiku arriti që brenda muajit gusht të vitit 2009 të vinte në punë si restorantin dhe hotelerinë. Për mobilimin e tyre ai udhëtoi drejt Kinës, duke porositur atje pajisje nga më cilësoret. Pas montimit të tyre, objektet e kompleksit u vunë në shfrytëzim dhe sot puna atje vazhdon normalisht.
Tashmë ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për burimet njerëzore dhe kulturën e shërbimit, para se mikpritja tradicionale shqiptare të komercializohet e të transformohet në kulturën e moskujdesit, shërbimit të dobët apo zhvatjes së klientit, duke u përballur me pasojat e pariparueshme të moskthimit dhe rrjedhjes së numrit të turistëve.
Turistët, në këtë botë të globalizuar, por edhe e etur për larmi, kanë kërkesa vazhdimisht në rritje, prandaj ndjehet nevoja e ngulmimit për t’u bërë pjesë e ndryshimeve të mëdha botërore edhe jeta e vendit tonë. Këtë rregull të artë e ka kuptuar më së miri edhe biznesmeni Namik Sadiku, prandaj përpiqet ta zbatojë me përpikmëri në punën e vet. Ai e di mirë se në periudha të ndryshme, njerëzit përcaktojnë rregulla për dhurimin apo këmbimin e mendimeve, përvojave, sendeve, etj., për mbështetjen e zhvillimeve në të gjitha fushat e jetës. Kështu ndodh edhe për turizmin. Dhe Namik Sadiku është njeriu mendjeartë që që i njeh dhe i zbaton me përkushtim rregullat e arta të kohës, prandaj bën pjesë në elitat turistike shqiptare.
Turizmi vendas sot rezulton më cilësor dhe me risi në vazhdimësi që përjetësohen nëpërmjet përmirësimit të shërbimit, duke u bërë shtysa e simbole të kulturës turistike kombëtare e më gjërë. Gërshetimi i përhapjes së shërbimit turistik të vendit me atë të huaj përbën një nga gjetjet dhe arritjet më të mira të turizmit shqiptar. Këtë po bën çdo ditë edhe Namik Sadiku në turizmin e Durrësit e atij shqiptar.
Në fund të këtij shkrimi natyrshëm të lind pyetja: “Po për çështjen çame çfarë mendon dhe çfarë angazhimesh ka biznesmeni Namik Sadiku?”...
Si të gjithë çamët edhe ai, pavarësisht nga qëndrimet e shtetit dhe mendimet e politikanëve shqiptarë, shprehet se: “Çështja çame ekziston dhe pronat tona në Çamëri janë vetëm tonat dhe sot më shumë se kurrë kjo gjë ka dalë në pah dhe ka marrë udhën e zgjidhjes, pavarësisht se sa do të zgjasë, deri sa të bëhet realitet”...
Megjithë vonesat e zhgënjimet e herëpasherëshme që shkaktojnë faktorët që merren me çështjen e Çamërisë, ai nuk e humb asnjëherë durimin dhe punon përditë për zgjidhjen e kësaj padrejtësie që e mundon komunitetin çam.
Pra, Namiku punon me shpirt atdhetari i prirur edhe nga gjeneza e tij e çmuar, por nuk i pëlqen rruga që po ndiqet në këto momente nga politika shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti nga të dy partitë çame dhe politikanët që i drejtojnë ato...
Namik Sadiku thotë shpesh se vetëm dialogu, urtësia dhe mençuria e bashkëpunimit për zgjidhjen e problemit të pronave dhe të rikthimit në Çamëri, duhet t’i karakterizojë të gjithë ata faktorë që përpiqen për finalizimin e çështjes çame. Për këtë arsye ai ka kërkuar e kërkon vazhdimisht uljen në tryezën e bisedime të të dy forcave politike që kanë marrë stafetën e zgjidhjes së çështjes çame, me qëllim për t’u kthyer në një forcë të vetme politike të fuqishme e të aftë për drejtim.
Vetëm atëherë kur të kemi një forcë politike të fuqishme, e cila do të gëzojë mbështetjen e tërë komunitetit çam, këmbëngul Namik Sadiku, vetëm atëherë do të jetë e besueshme për të gjithë shqiptarët dhe do të bëhet patjetër realitet zgjidhja e çështjes sonë.

Skënder Hasani

Wednesday, December 23, 2009

Për të mos u plakur…

- Shpëtim Agur Çilotaj është një djalë i rrallë, një shok e një mik i mirë për cilindo që e njeh nga afër apo e lidh puna me të, - kështu më thanë para një viti miqtë e mi çamë nga Fieri.

Këto fjalë m’i pohoi dikur edhe Gramoz Nimani (Naimi) një mik i përbashkët nga Durrësi, të cilit unë i besoj se më ka ndjekur për idealin çam edhe në ditë të vështira, kur ishte i sëmurë e dukej se do të jepte shpirt prej lëngatës.
Dhe ashtu instiktivisht nisa ta vëzhgoja Shpëtimin, para se të vendosja t’i hapja dyert e miqësisë. Dhe tanimë edhe për mua, si njeri i letrave, që e zhbiroj jetën nën një këndvështrim artistik, padyshim edhe për miq të tjerë me përvojë të gjatë njohjesh si e imja, ai është një befasi e këndshme. Dhe, po e theksoj jo pa qëllim, unë nuk gaboj aq lehtë me shijet e mia. Të paktën gjer më sot nuk i kam zhgënjyer asnjëherë lexuesit. Nuk besoj se do t’i zhgënjej edhe me këtë personazh që zgjodha ta paraqes me kaq simpati. Po e përsëris: Shpëtim Çilotaj është vërtet djalë simpatik, fizikisht po e po, por veçanërisht në shpirt. Më besoni se nuk po këmbëngul më kot, prandaj më ndiqni me kureshtje detaj pas detaji dhe do të bindeni se keni përballë një personazh protagonist të denjë për shoqërinë shqiptare. Një 35 vjeçar që lulëzon në kulmin e moshës, mik plot virtyte dhe biznesmen tepër i suksesshëm – ja ky është përkufizimi i saktë i njeriut që rritet hap pas hapi tejet mbresëlënës nëpër radhët e këtij shkrimi dhe në përfytyrimin tonë, i nderuar lexues...

Shpëtim Agur Çilotaj u lind më 24 qershor të vitit 1974 në qytezën e naftëtarëve, në Patos të Fierit, ku kaloi fëmijërinë dhe u arsimua. Pra, filloren, tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme i kreu në vendlindje, kurse të lartën në Universitetin e Elbasanit për Administrim Biznes, Menaxhim. Dhe jo më kot zgjodhi të diplomohej në këtë degë. Vetëkuptohet i nxitur nga gjeni familjar. Gjyshi i tij, Laze Bilaj ishte tregtar, gjë që e trashëgoi edhe Shpëtimi, i nipi, ky biznesmen i suksseshëm. Ndryshe nga gjyshi Laze, babai i tij, Aguri, sot një pensionist i mbajtur mirë, megjithëse 67 - vjeçar, punoi si naftëtar i detyruar prej kushteve që përcaktonte ish-regjimi komunist, si gjithë bashkëqytetarët e Patosit, kësaj zone naftëmbajtëse. Nëna e Shpëtimit, Zonja, sot 64 – vjeçare, punonte në ndërtim.

Shpëtimi është më i vogli i tre vëllezërve, kanë edhe një motër, e përkëdhelura e tyre dhe e prindërve si e fundit e fëmijëve të kësaj familjeje tipike shqiptare, e cila trashëgohet brez pas brezi në Patos, të paktën gjer sa mbahet mend gysh pas gjyshi këtu e treqind vjet më parë. Gjyshi Laze Bilaj u kujdes veçanërisht për Shpëtimin si më të voglin e djemve, duke i rrëfyer përvojat e veta jetësore dhe duke e mësuar si të bëhej njeri i devotshëm për veten, familjen e shoqërinë. Pra, e mësoi si të përvetësonte karakteristikat dhe vlerat më të mira të fisit të tyre, brez pas brezi, të merrte edhe vlera nga vlerat e bashkëmoshatarëve çamë. E kush nuk e njeh Laze Bilajn në Patos e në Fier, veçanërisht familjet çame që erdhën e u ngulën që në vitin 1945, pasi u dëbuan përdhunshëm nga vatani, Çamëria, prej bandave shoviniste greke. Dihet se çamët sot përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës së Patosit e Fierit për vet aftësitë e tyre të rralla gjenetike. Erdhën të traumatizuar prej gjenocidit që ushtruan grekët mbi komunitetin dhe atdheun e tyre, u përshtatën shpejt, u morën me tregti dhe punë artizanatesh, mbijetuan, u riprodhuan, u shtuan e u trashëguan me shumë pasardhës për të siguruar vazhdimësinë e gjenit të vet. Pra, çamët mbijetuan dhe u shumëzuan në Patos si edhe në shumë zona të Shqipërisë, ku ishin vendosur ngulimet e tyre, duke i zgjeruar dhe përforcuar ato në marrëdhënie tepër miqësore edhe me vendasit...

Dashur pa dashur Shpëtimi u rrit e u edukua si fëmijë çam midis familjeve të shumta çame që e kishin shtuar miqësinë me gjyshin Laze Bilaj, mikpritësin e tyre. E nderon e tërë zona Lazen për mikpritjen ndaj çamëve. Ai i mbështeti dhe i ndihmoi shumë për të ngritur shtëpitë dhe tregtinë, mjetin që kanë më për zemër çamët për të siguruar jetesën e tyre. Dhe u lidhën e u vëllazëruan aq shumë saqë çamë e vendas nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Nëpër vite e vite u përzien e u përzien traditat familjare saqë sot e vështirë ta dallosh djaloshin Shpëtim Çilotaj nga një djalë çam dhe anasjelltas.

Në mars të vitit 2002 Shpëtim Çilotaj krijoi kompaninë “Çilotaj” sh.p.k. me qendër në Fier dhe filiale në disa rrethe, e cila falë aftësive të tij menaxhuese u rrit, u zgjerua dhe krijoi kapitale si një ndër bizneset më të qëndrueshëm në Shqipëri. Më vonë, mbi bazën e kësaj kompanie, u krijua “Çilotaj Group” ltd, me qendër po në Fier dhe me filiale në Vlorë, Durrës, Tiranë etj... Kjo kompani e sukseshme sot ka linja prodhimi dhe ndërtimi dhe synon shumë objektiva. Shpëtim Çilotaj thotë se kompania e tyre është e lidhur me kompaninë turke “Kurum”, pronare e ish-metalurgjikut të Elbasanit, dhe tregton hekurin e saj, duke pasur ekskluzivitetin për Jugun e Shqipërisë dhe për Tiranën. “Çilotaj Group” ltd bashkëpunon edhe me kompaninë libaneze “FK Cement” dhe kanë marrë prej tyre ekskluzivitetin e shitjes së çimentos të fabrikës së Fushë Krujës për rrethet Fier e Vlorë. Kjo kompani në Fier ka ngritur edhe linjën e telëzimit apo më saktë të tërheqjes dhe viaskimit të hekurit si dhe linjën për parapërgatitjen e zgarave prej hekuri për platformat prej betoni si dhe për bazamentet e ndërtesave. Në Tiranë kjo kompani merret edhe me ndërtimin e pallateve, kurse në zonën e plazhit të Golemit ndërton objekte turistike. Pra, punojnë me synimin për t’i zgjeruar edhe më shumë mundësitë ndërtuese të kompanisë, e cila sot ka mbi 100 punonjës...

Kjo kompani përfshin edhe shoqërinë e ruajtjes fizike “Çilotaj Security” me administrator Gramoz Nimanin apo Naim Nimani, siç e njohin tërë miqtë e tij.

- Këtë periudhë morëm edhe presidencën e Federatës Shqiptare të Boksit, - thotë me krenari Shpëtimi. – Mos kujtoni se jemi pa përvojë në këtë fushë. I kemi dhënë provat që dimë të administrojmë edhe klube sportive, sepse më parë kemi marrë drejtimin e “Teuta Boks” të Durrësit dhe dolëm me sukses, kështu që i hodhëm sytë edhe më larg. Dhe që ta dini, kjo përkon edhe hobin tim më të madh që janë sportet...

Shpëtimi flet me pasion për atë pjesë të kohës së lirë kur u kushtohet me mish e me shpirt lojërave sportive, futbollit, volejbollit e basketbollit, jo vetëm për të mbajtur trupin në formë si atlet, por edhe për kënaqësi, shlodhje e për të rimarrë forcat për të nesërmen kur i duhet t’u kthehet përsëri punëve ndërtuese. Shpëtimi thotë se bën një jetë tepër të gjallë e emocionuese. I pëlqen të lexojë, të ndjekë filma, i pëlqen muzika, e tërheqin veçanërisht makinat e shpejta aq sa nuk u ndahet lehtë timonit të tyre. Madje i pëlqen edhe të garojë me makina, po t’i jepej mundësia. I pëlqen të udhëtojë në vende turistike, jo vetëm për qëllime biznesi, udhëtime të cilat është i detyruar t’i marrë sa herë i duhet të shkojë në vende të ndryshme për të takuar partnerë të huaj për zgjerimin e investimeve në Shqipëri.

- Shpëtim Çilotaj, - më tregon Naim Nimani, miku ynë i përbashkët, - nuk është thjesht një taksapagues i rregullt i shtetit, por, me atë shpirt fisnik që ka, është nga pak edhe bamirës; ndihmon cilindo që i zgjat dorën për ndihmë, ndihmon veçanërisht kategoritë sociale në nevojë, bashkëpunon me Kryqin e Kuq, mundëson financiarisht shumë veprimtari kulturore etj. Pra, punon me shpirt në shumë drejtime për të mbajtur lart personalitetin dinjitoz që ka... Sidoqoftë, ai e di mirë se ne, miqtë e tij, e kemi nën vëzhgim të rreptë për të mos e lejuar të plaket në shpirt para kohe si shumë të tjerë.

Ky djalë është i përkushtuar edhe pas idealit çam, njëlloj si të ishte një pasardhës i denjë i Çamërisë, - më thonë miqtë e mi çamë dhe unë ndihem edhe më shumë i sigurt në veten time teksa portretizoj tiparet e këtij personazhi kaq të pëlqyeshëm prej opinionit shoqëror që e rrethon. Për hir të së vërtetës, unë e kisha vënë re edhe më parë gadishmërinë e Shpëtimit për ta mbështetur qoftë edhe me fjalët e veta plot pasion idealin çam, por kur shprehen edhe miqtë e mi se ai është një mik i mirë i Çamërisë, ngre duart lart dhe besoj se nuk jam gabuar duke e portretizuar me kaq siguri.

Ky është Shpëtim Agur Çilotaj, djali që s’plaket kurrë në shpirt. Nuk kam se ç’të them tjetër... Nëse miqtë e mi më kanë gënjyer, nëse sytë dhe përvoja ime më gënjyen, keq më vjen: I gënjyeri gënjen, i nderuar lexues...

Elim Xanxari