Namik Sadiku, biznesmeni çam,
shembull i turizmit shqiptar
Namik Saliko Sadiku u lind më 14 gusht 1957 në qytetin e Durrësit. Ai e ka prejardhjen nga një familje patriotike e qytetit Margëlliç të Çamërisë. Gjyshi i tij, Jasin Sadiku, ishte një nga përfaqësuesit më në zë të atij qyteti e rrethinave të tij. Por veprimtaria patriotike e gjysh Jasinit spikati dukshëm në Margëlliç, pas vitit 1922, kur situata politike dhe ekonomike e shqiptarëve muslimanë në Çamëri ishte rënduar shumë. Karakteri i fortë i tij dhe vlerat atdhetare të trashëguara gjysh pas gjyshi e brez pas brezi, e nxitën Jasin Sadikun që, në këtë periudhë të trazuar, të vihej përkrah rretheve patriotike të Çamërisë.
Referuar arkivave e dëshmitarëve të kohës, studiuesi Hajredin Isufi sjell dëshmi interesante për rolin e Jasin Sadikut në çështjen çame. Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi, jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me qëndresën çame për të mos lënë trojet nga dhuna shtetërore greke, si dhe për rolin e rëndësishëm të patriotit Jasin Sadiku në mbrojtje të çështjes çame, nëpërmjet organizimit të qëndresës dhe sensibilizimit të faktorëve ndërkombëtarë për fatin e dhimbshëm që përgatitej ndaj popullsisë së pambrojtur çame.
Jasin Sadiku shquhej në rininë e tij për një vullnet të fortë dhe zgjuarsi. Ai, si autodidakt, lexonte shumë dhe nga librat që shfletonte mori një kulturë të gjerë dhe bëri emër në Margëlliç e rrethinat përqark. Ai lexonte në gjuhën greke, mësoi të shkruante e të lexonte shqip, mësoi nga i ati të shkruante e të lexonte arabisht dhe më pas mësoi edhe italisht.
Si i ati edhe Jasini bëri një tufë me fëmijë, që gjatë gjithë jetës së tij, me gjithë kushtet e vështira, i shkolloi, duke i sjellë në Shqipëri për të vazhduar shkollën normale të Elbasanit e më pas për specializime të kohës.
Një ndër ta është edhe babai i Namikut, Saliko Sadiku, bankieri shembullor (kështu e njohin të gjithë durrsakët sot e kësaj dite). E kam në sy edhe tani: ishin vitet ‘75 dhe sa herë që shkoja në Bankën e Shtetit Shqiptar të asaj kohe, për të kryer veprimet bankare nga ndërmarrja ku unë punoja. Isha djalë i ri që sa kisha mbaruar studimet. Saliko Sadiku menjëherë ngrihej nga vendi e më dilte përpara për të më takuar (i bëhej zemra mal që një djalë i ri çam vinte në bankë). Pamja e tij e jashtme të jepte përshtypje të rëndë e serioze. Dukej fjalëpak, por shumë i vëmendshëm e i kujdesshëm. Sytë prapa xhamave të ndritura të syzeve shprehnin zgjuarsi, ngrohtësi e mirësi. Balli i lartë prej mendimtari, forma ovale e fytyrës dhe një ngutësi e lehtë në cepat e buzëve i jepnin pamje autoritare. Por mjaftonte një buzëqeshje e lehtë dhe gjithë ajo ftohtësi shkrinte nga ngrohtësia e buzëqeshjes.
E bëra këtë përshkrim paksa historik Saliko Sadikun për të plotësuar edhe më mirë portretin e figurën e djalit të tij, Namik Sadikut, si njeri e biznesmen i suksesshëm në qytetin e Durrësit e më gjerë.
Nuk thotë më kot populli: “Bëmë baba të të ngjaj”... Pra, edhe Namik Sadiku është patjetër pjesë e gjenezës së fisit të tij, përmbledh vlerat e karakteristikat gjenetike më të mira të stërgjyshëve, gjyshit e babait të tij...
Namiku, me nje shtat mbi mesataren, për të mos thënë i gjatë, është tip energjik, impulsiv, i kudondodhur, i shoqërueshëm e i afërt me të gjithë, me integritet dhe paksa këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të veta, i gatshëm për të polemizuar në çdo kohë. Ky tipar i karakterit të tij dhe krenaria vetjake janë shenja burrërie që, siç shprehet një shkrimtar i madh i yni, ndonjëherë të hapin edhe telashe, por ato përballohen me vendosmërinë dhe forcën e karakterit që ka Namik Sadiku.
Pasi mbaroi shkollën e mesme mekanike, ai u emërua në ndërmarrjen Baza Mekanike e Hekurudhave si mekanik vagoni e më pas përgjegjës i repartit të riparimit kapital të vagonave të mallit...
Në vitet që Namik Sadiku punonte në Hekurudhë, unë pata mundësinë ta njoh nga afër, sepse kisha filluar punë si kryetar i degës së planit, në vitin 1985, në Parkun e Lokomotivave e Vagonave. Shpesh linim takime bashkë, takoheshim e bisedomim kur hanim mëngjesin apo kur shkonim mbi tarracën e ndërmarrjes ku punoja unë dhe diskutonim e diskutonim gjerë e gjatë për mundësitë e përmbysjes së atij sistemi dashakeq, duke e besuar totalisht njëri-tjetrin.
Namiku punonte me një energji të pashterur dhe nuk i bindej asnjeriu për punën, vetëm mendimit të tij, sepse e kishin provuar të gjithë se e çonte në vend e në kohën e duhur objektivin që i vendoste vetes.
Namik Sadiku kishte një mllef të akumuluar jo vetëm pse sistemi komunist ia kishte përbuzur prejardhjen atdhetare çame, por edhe për vuajtjet e të atit në atë regjim dashakeq (megjithëse një bankier shumë i zoti), si edhe për vetë përvojën e tij të hidhur. Namiku e provoi edhe në kurrizin e tij përbuzjen e mosbesimin e ushqyer nga Partia Komuniste në pushtet, për ne çamët.
Këto e shumë arsye të tjera të ngjashme e detyruan Namik Sadikun që ende pa u përmbysur mirë regjimi komunist, të largohej nga Shqipëria me gjithë gruan e dy fëmijët e vegjël, në kërkim të shtigjeve të reja, të cilat ai i ëndërronte jo vetëm për vete, por për gjithë shqiptarët. U largua me idenë për të mos u kthyer më në këtë vend. Mirëpo, duke lëvizur nëpër Evropë në vitet 90-të, atij i lindën ide të reja, vendosi të merrej me tregti në vendin e tij të lindjes dhe ashtu bëri.
U kthye në atdhe me një valixhe plot me bizhuteri duke i harxhuar të gjitha sa kishte me vete.
Kështu nisën edhe hapat e parë të aktivitetit të tij tregtar.
Në prill të vitit 1991, duke parë etjen e tregut për artikuj të të gjitha fushave të jetës, bëri praktikën e parë doganore me gozhdë për ndërtim dhe më vonë në vazhdimësi me verë etj...
Në vitin 1993, duke parë nevojat emergjente të vendit për bukë, Namik Sadiku udhëtoi për në Ukrainë ku mori furra buke me kapacitete të vogla dhe fillimisht eksperimentoi me to në Fermën e Sukthit. Më vonë ato furra ia fali një mikut tonë çam.
Ndërkohë Namiku vazhdoi më tej duke sjellë linja prodhimi të ndryshme sipas kërkesave të kohës. Nuk u mjaftua me kaq. Udhëhiqej vazhdimisht nga ide të reja si e si ta zgjeronte biznesin...
Ai, me një kurajo shumë të madhe për t’u admiruar, por edhe për t’u kritikuar, filloi tregtinë ndërshtetërore Itali-Rusi, që nuk zgjati shumë. Paralelisht me tregtinë Namiku mendonte të vinte në efiçencë linja të ndryshme, jo vetëm të prodhimit të bukës në plazh, por edhe linjën e prodhimit të sallamit, të cilën e instaloi në vitin 1994 në Shkozet. Ndërkaq kishte marrë me qira nga Bashkia edhe tokë në plazh, tek Shkëmbi i Kavajës. Aty, që në vitin 1993, kishte vendosur një kioskë dhe po ia ndiente fitimin...
Kështu Namiku për një periudhë kohe të gjatë vazhdoi duke kryer shumë punë: import, linja prodhimi, turizëm, etj., deri sa në vitin 1997 u përqendrua kryesisht në turizëm, sepse e shikonte si të vetmen degë me perspektivë, për vetë pozicionin gjeografik e kushtet klimatike të vendit tonë.
Në këtë moment filloi nga puna së pari duke blerë tokë nga pronarë të ligjshëm, si dhe prej atyre që shteti u kishte kompensuar truallin në bregdet, pastaj menjëherë filloi ndërtimin e një hoteli katërkatësh me të gjitha mjediset e nevojshme. Objekti i tij ishte një ndër më të mirët në fushën e turizmit për kohën. Përbri hotelit ndërtoi edhe një fushë mini-futbolli, aktivitet i parë në qytetin e Durrësit...
Në vitet 2001- 2002 Namiku bëri një shtesë të hotelit ekzistues dhe ndërtoi një pishinë me standartet më të mira të këtij lloji në hoteleritë shqiptare deri në atë periudhë.
Të gjitha këto objektiva Namiku i realizonte me një punë të palodhur natë e ditë. Në të gjitha rastet e investimit ai merrte kredi në bankat e nivelit të dytë, duke u dalluar si një klient i rregullt në shlyerje dhe për ndërtimin e marrëdhënieve korrekte dypalëshe.
Në vitin 2005 Namik Sadiku filloi të mendonte se për t’u quajtur një kompleks turistik modern, objekti i tij kishte nevojë edhe për një pistë në det. Fillimisht nguroi për materialin që duhej të përdorte për të ndërtuar pistën, nëse duhet të ishte beton apo diçka tjetër. Ishte i vendosur të bënte një gjë ndryshe nga të tjerët dhe ashtu bëri. Mori informacion se si mund të ndërtohej objekti me dru, por me një dru të veçantë që gjendej në Afrikë. Pasi arriti ta siguronte këtë lloj druri në Afrikë, Namiku e ndërtoi pistën dhe brenda një periudhe rekord, në vitin 2006, e vuri në shfrytëzim.
Në këtë periudhë ai e ndjeu të nevojshme se, krahas përvojës dhe punës, duhej edhe njohja shkencore e turizmit. Pra, ai filloi të mendonte për t’u përgatitur për të ardhmen e turizmit elitar edhe në Shqipëri. Filloi ta shihte të ardhmen e biznesit me një sy më largpamës, siç e kërkonin edhe zhvillimet e turizmit bashkëkohor në botë.
Kështu, dy fëmijët e Namik Sadikut, me dëshirën e tyre, të nxitur edhe nga puna e frytshme e babait, u arsimuan dhe vazhdojnë të arsimohen në degët e financës dhe turizmit. Blerina, vajza e tij, përfundoi studimet në fakultetin e shkencave sociale dhe humane pranë Universitetit të New Yorkut, në Tiranë, në degën Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe në fakultetin Juridik të Universitetit Kristal. Gjithashtu ajo është në përfundim të një Masteri MBA Banking me program të “Institute Universitaire Kurt Bosch” pranë Universitetit të New Yorkut.
Blerina Sadiku ndjehet krenare që është çame dhe këtë e tregoi edhe me temën “Diplomacia shqiptare dhe ajo greke për çështjen çame”, të cilën e ka zgjedhur për ta trajtuar me dëshirën e saj. Ajo është vlerësuar vazhdimisht me notën shkëlqyeshëm në çdo detyrë që i ka vënë vetes.
Tani Blerina Sadiku punon në Bankën e Shqipërisë...
Namiku Sadiku gjithmonë mendon se turizmi është një industri që karakterizohet nga përfshirja intensive e krahut të punës. Burimet njerëzore për këtë industri janë vlerësuar si “lëndë e parë” apo janë parashikuar nga ekspertët si faktori më i rëndësishëm që do të përballojë bumin e zhvillimeve turistike gjatë dekadave të fundit dhe në vazhdim.
Por çfarë cilësie ofrojnë burimet njerëzore në turizmin shqiptar? A i kënaq ai kërkesat dhe nevojat e klientit, d.m.th të turistit, veçanërisht të të huajit? Ne mendojmë se jo. Ka ardhur koha të vlerësohet motivimi i vizitorëve, të cilët paguajnë për t’u kënaqur. Dhe kur këta turistë paguajnë atë vlerë që mund të jetë e njëjtë apo dhe më e lartë se në një vend tjetër, presin që edhe shërbimi të jetë po aq i lartë, ose më i mirë. Është ky faktori që do të përcaktojë avantazhet konkurruese brenda turizmit vendas, por edhe ndërmjet tij dhe turizmit të huaj.
Namiku Sadiku, në të gjitha rastet e investimeve të tij, nuk ka pritur konsumin fizik të investimit, por shikonte konsumin moral të tij. Ai thotë se në turizëm nuk fitohet pa një shërbim cilësor bashkëkohor dhe pa ambiente çlodhëse për turistin. Shërbimi që u ofrohet klientëve duhet të përmirësohet nga viti në vit, me synimin për të plotësuat kërkesat e tyre dhe për të thithur sa më shumë turistë.
Ishte vera e vitit 2007, kur Namik Sadiku filloi të mendonte se investimi i hotelerisë që kishte bërë 10 vjet më parë ishte konsumuar moralisht.
“Ka ardhur koha, - thoshte ai, - e një hotelerie më komode (komplekse turistike), sepse edhe shteti ynë i dashur do të fillojë, si e gjithë bota, të vendosë disa yje sipas cilësisë së shërbimit”...
Këtë ide ai e diskutonte çdo ditë me njohës të fushës, miq e dashamirës që i donin të mirën, për të marrë më pas një vendim shumë të rëndësishëm dhe kurajoz: prishjen e hotelit të “vjetër” dhe ndërtimin e një të riu, me kapacitet tre herë më të madh dhe me një cilësi më të lartë.
Një nga njerëzit që e mendonin të ardhmen njësoj si ai, isha dhe unë. I ofrova Namikut bashkëpunim me arkitektin dhe investitorin çam shumë të talentuar të brezit të ri, zotërinë Indrit Hamiti, për ta zgjeruar më tej ambientin e tij, duke e shndërruar në një “kompleks turistik rezidencial”, i quajtur nga qeveria aktuale si i vetmi rast në bregdetin shqiptar.
Në janar të vitit 2008 hoteli i vjetër u hodh në tokë dhe mbi të u ndërtua një godinë rezidenciale, ideuar e projektuar më së miri nga bashkëpunimi me shoqërinë “Balkans Investment Group” i arkitektit Indrit Hamiti, me një sipërfaqe ndërtimi 14.000 m2.
Sot mund të themi me plot gojën se ky kompleks është një nga ndërtimet më të bukura te Shkëmbi i Kavajës, si në cilësi ashtu edhe në funksion dhe të dy bashkëpunëtorët duhet të ndjehen krenarë, sidomos kur dëgjojnë përshtypjet pozitive të dhjetëra specialistëve që njohin fushën e ndërtimit e të turizmit.
Me punën e tij palodhur dhe këmbëngulëse, Namik Sadiku arriti që brenda muajit gusht të vitit 2009 të vinte në punë si restorantin dhe hotelerinë. Për mobilimin e tyre ai udhëtoi drejt Kinës, duke porositur atje pajisje nga më cilësoret. Pas montimit të tyre, objektet e kompleksit u vunë në shfrytëzim dhe sot puna atje vazhdon normalisht.
Tashmë ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për burimet njerëzore dhe kulturën e shërbimit, para se mikpritja tradicionale shqiptare të komercializohet e të transformohet në kulturën e moskujdesit, shërbimit të dobët apo zhvatjes së klientit, duke u përballur me pasojat e pariparueshme të moskthimit dhe rrjedhjes së numrit të turistëve.
Turistët, në këtë botë të globalizuar, por edhe e etur për larmi, kanë kërkesa vazhdimisht në rritje, prandaj ndjehet nevoja e ngulmimit për t’u bërë pjesë e ndryshimeve të mëdha botërore edhe jeta e vendit tonë. Këtë rregull të artë e ka kuptuar më së miri edhe biznesmeni Namik Sadiku, prandaj përpiqet ta zbatojë me përpikmëri në punën e vet. Ai e di mirë se në periudha të ndryshme, njerëzit përcaktojnë rregulla për dhurimin apo këmbimin e mendimeve, përvojave, sendeve, etj., për mbështetjen e zhvillimeve në të gjitha fushat e jetës. Kështu ndodh edhe për turizmin. Dhe Namik Sadiku është njeriu mendjeartë që që i njeh dhe i zbaton me përkushtim rregullat e arta të kohës, prandaj bën pjesë në elitat turistike shqiptare.
Turizmi vendas sot rezulton më cilësor dhe me risi në vazhdimësi që përjetësohen nëpërmjet përmirësimit të shërbimit, duke u bërë shtysa e simbole të kulturës turistike kombëtare e më gjërë. Gërshetimi i përhapjes së shërbimit turistik të vendit me atë të huaj përbën një nga gjetjet dhe arritjet më të mira të turizmit shqiptar. Këtë po bën çdo ditë edhe Namik Sadiku në turizmin e Durrësit e atij shqiptar.
Në fund të këtij shkrimi natyrshëm të lind pyetja: “Po për çështjen çame çfarë mendon dhe çfarë angazhimesh ka biznesmeni Namik Sadiku?”...
Si të gjithë çamët edhe ai, pavarësisht nga qëndrimet e shtetit dhe mendimet e politikanëve shqiptarë, shprehet se: “Çështja çame ekziston dhe pronat tona në Çamëri janë vetëm tonat dhe sot më shumë se kurrë kjo gjë ka dalë në pah dhe ka marrë udhën e zgjidhjes, pavarësisht se sa do të zgjasë, deri sa të bëhet realitet”...
Megjithë vonesat e zhgënjimet e herëpasherëshme që shkaktojnë faktorët që merren me çështjen e Çamërisë, ai nuk e humb asnjëherë durimin dhe punon përditë për zgjidhjen e kësaj padrejtësie që e mundon komunitetin çam.
Pra, Namiku punon me shpirt atdhetari i prirur edhe nga gjeneza e tij e çmuar, por nuk i pëlqen rruga që po ndiqet në këto momente nga politika shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti nga të dy partitë çame dhe politikanët që i drejtojnë ato...
Namik Sadiku thotë shpesh se vetëm dialogu, urtësia dhe mençuria e bashkëpunimit për zgjidhjen e problemit të pronave dhe të rikthimit në Çamëri, duhet t’i karakterizojë të gjithë ata faktorë që përpiqen për finalizimin e çështjes çame. Për këtë arsye ai ka kërkuar e kërkon vazhdimisht uljen në tryezën e bisedime të të dy forcave politike që kanë marrë stafetën e zgjidhjes së çështjes çame, me qëllim për t’u kthyer në një forcë të vetme politike të fuqishme e të aftë për drejtim.
Vetëm atëherë kur të kemi një forcë politike të fuqishme, e cila do të gëzojë mbështetjen e tërë komunitetit çam, këmbëngul Namik Sadiku, vetëm atëherë do të jetë e besueshme për të gjithë shqiptarët dhe do të bëhet patjetër realitet zgjidhja e çështjes sonë.
Skënder Hasani
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment