Friday, May 21, 2010

Kurva e pasur dhe shqiptarët

Më në fund Europa i ka liberalizuar vizat për serbët dhe maqedonasit dhe ata që në muajin qershor të vitit 2009 shkojnë tërë qejf në mejhanet e hanet e saj, shpenzojnë gjithë ç’kanë, pijnë e dehen, duke i sharë dhe kërcënuar edhe më shumë shqiptarët dhe duke e bërë edhe më të pasur kurvën plakë të pasur. Pra, Serbia dhe Maqedonia, me sa duket, do të hyjnë edhe në BE para Shqipërisë, duan thonë gojët e liga. Flitet edhe se Europa justifikohet se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standartet, se opozita shqiptare me protestat dhe grevat e saj të pafundme po e varros liberalizimin e vizave, të vetmen mundësi që u është afruar shqiptarëve të varfër, pavarësisht se Kryeministri ynë, i nderuari Sali, u ça e u nda, duke këmbëngulur se në qershor të vitit 2010 do ndodhë çudia, se në mos ndodhi në qershor do ndodhë patjetër në... 36 gusht... Mor do ndodhë se s’bën se Shqipëria është vendi i bumit ekonomik, se është mrekullia e super zhvillimit energjitik, se shqiptarët që nuk dinë ç’është termi krizë ekonomike, janë më të pasurit në botë dhe e meritojnë të hyjnë në Evropë, se... se ka edhe shumë “se” të tjera si argumente bindëse për vendin e shqiponjave.
Po ç’thotë në të vërtetë kurva e pasur, Evropa?! Asgjë, vetëm qesh e qesh dhe u gëzohet sukseseve që u dedikon Kryeministri ynë i nderuar shqiptarëve. Qesh e ngjesh, siç thotë një fjalë e urtë e mençurisë popullore. Mos!... Këtë e thonë vetëm gojët e liga se Evropa na do shumë. Ju betohem! Ja si shprehet ajo:
- Good Albania!... Shqipëria është vërtet vendi i tërë mrekullive të botës, - thekson Evropa, - por le të ulen njëherë në tryezë Sala e Rama e të gjejnë gjuhën se si do t’i ndajnë mrekullitë që u kanë dhuruar shqiptarëve, se nuk e gjetën as në mes të Strasburgut tim, nën kërcënimin e tmerrshëm të dhëmbëve të tmerrshëm të Krokodilit të Tmerrshëm që ka kullufitur sa e sa diplomatë e diplomaci botërore. Vërtet trima ata!... Është për t’u pasur zili dhe për t’u bërë shembulli më i bukur në botë qëndresa dhe heroizmi i tyre përballë hungërimave të të Madhit Krokodilit të Tmerrshëm...
Ju betohem, kështu sugjeron Evropa, e cila gati sa nuk përjeton orgazma në distancë prej trimërisë së liderrave tanë!...
Eh, mund ta shikoni edhe me sytë tuaj se sa vuan e gjora plakë e pasur për shqiptarët, në krahasim me serbët e maqedonasit!...
Bukur. Na do Europa, nuk ke ç’i thua. Më besoni!... Madje flitet se është penduar edhe për tërë ato që na ka punuar para, gjatë vitit 1913 dhe më pas kur e bëri Shqipërinë copë-copë dhe copat më të mira të saj, Kosovë e Çamëri e plot troje të tjera, ua fali fqinjëve tanë lakmitarë; për atë që bëri edhe në vitin 1945, kur na la nën sundimin e diktaturës komuniste enveriane. Është penduar aq shumë e gjora plakë sa është gati edhe të flirtojë veças me secilin nga dy udhëheqësit tanë trima që ata të binden e të miqësohen e të kuptojnë më në fund se në 36 gusht të vitit 2036 Shqipëria do të jetë patjetër nusja e saj!...
Oh, ç’fat!... Prandaj Evropa është aq në hall dhe sa për sy e faqe i shpreh tërë ato simpati për serbët, maqedonët e grekët, që ata të preken e të lotojnë e të mos e kundërshtojnë vullnetin e Shqipërisë e të Kosovës (për Çamërinë është ende herët për të folur, mund të flitet në kalendat greke, ose më 36 gusht të vitit 3636) për të hyrë në mejhanet e saj...
Eh, ç’sakrifica bëka kodoshja plakë për ne, shqiptarët e Shqipërisë, si gjithmonë, plebejtë e saj (për shqiptarët e Kosovës sot për sot nuk mund të flitet kaq hapur se mos e kuptojnë serbët dashurinë e madhe europiane alla EULEX dhe vënë veton e tyre kundër! Mos, o Zot!)!...
Na do Europa, nuk ke ç’i thua! Jo më kot i kërcënoi me Krokodilin e Tmerrshëm liderrat tanë... Epo nuk ka ç’bën tjetër, do thotë ndonjëri. T’ia japim hakun!... Kështu na ka dashur dhe kështu është sjellë qëmoti kurva plakë Evropë (qysh kur u shpik kurvëria, zanati më i vjetër i botës) dhe kështu do të vazhdojë të sillet me ne shqiptarët. Kështu do të na dojë pa mbarim dhe nuk do të përtojë t’i kërcënojë me Krokodilin e Tmerrshëm apo t’i ndëshkojë për mosbindje Salitë e Ramat shqiptarë, duke u ofruar edhe p... e saj, vetëm e vetëm që ata t’i përkushtohen kauzës evropiane dhe ta udhëheqin Shqipërinë (përfytyro Shqipërinë etnike!) nga mrekullia në mrekulli çdo 36 gusht deri në vitin e shumëpritur 3636 kur do të jemi të adoptuarit e saj dhe do të trashëgojmë tërë pasuritë që ajo ka grumbulluar, grumbullon dhe do të grumbullojë në kurriz të atyre që nuk e meritojnë të jenë evropianë të vërtetë!...
Poshtë gojët e liga që duan të na prishin me Europën!... Rrofshin Berisha e Rama që do të pajtohen së shpejti e do ta rimorkiojnë Shqipërinë drejt Evropës deri më 36 gusht të vitit 3636, vit fatlumë për shqiptarët!...

Shefki Hysa

No comments: