Sfidat e çiftit Afërdita e Namik Veipi
Reportazh
Mikja ime Arjeta Çumani një ditë më tha:
- Kam një shoqe shumë të mirë në Vlorë, e cila e meriton një shkrim në revistën "Krahu i shqiponjës" nga ana jote. E quajnë Afërdita Veipi. Është njëkohësisht specialiste e shquar në profesion dhe atdhetare e dalluar.
- Ta prish unë ty?! – i thashë. – Jam gati të shkoj e ta takoj vetë në Vlorë në se ajo nuk ka mundësi të vijë në Tiranë.
- Më mirë të shkosh ti në Vlorë, - sugjeroi Arjeta.
Mendova se do të ishte vërtet gjë e bukur të shkulesha nga rutina dhe të udhëtoja për në Vlorë.
Me të thënë e me të bërë, një të shtunë, herët në mëngjes, mora me vete asistenten time Lorena Uliu, këmbën në makinë dhe u nisëm drejt Vlorës. Ishte ora gjashtë e gjysmë kur dolëm nga Tirana. Shoferi Fatos Osmani ma prishi humorin, sepse më erdhi paksa me vonesë. Të shkretit, mezi i kishte dalë gjumi, megjithëse një natë më parë e kisha paralajmëruar se do të niseshim në orën gjashtë fiks.
Rruga ishte pa shumë trafik dhe ende pa vajtur ora tetë e mëngjesit mbërritëm në Fier. Kur ishim në qendër të qytetit, më telefonoi befas Arjeta dhe më tha se nuk kishte mundësi të vinte se i ishte prishur makina, kështu që duhej të shkoja pa të në Vlorë. Miqtë e saj më prisnin te kafja e hotelit “Pavarësia”. M’u prish edhe më keq humori nga mungesa e Arjetës. Megjithatë isha i detyruar të vazhdoja sipas programit.
U kthyem për kafe në të dalë të qytetit të Fierit, në kompleksin “Apollon” që menaxhohet nga miku im Sadush Ylli. I telefonova edhe këngëtarit çam Shaban Zeneli dhe ai erdhi menjëherë. Më vonë erdhi edhe biznesmeni Agim Mero dhe të gjithë së bashku u ulëm në një tryezë në lokalin prej xhamarie, përbri gjelbërimit të lulishteve e shelgjeve që rrethonin kompleksin.
Na mirëseardhi Sadushi dhe bashkëshortja e tij, atletja kampione Pavlina Evro. U krijua një atmosferë e këndshme nga bisedat e gjalla rreth kulturës dhe traditave çame, gjë që ma rigjallëroi humorin. Sadush Ylli në çdo bisedë të krijon përshtypjen se është menaxher i lindur. Nuk lë rast pa hedhur ide bashkëpunimi. Në një debat me këngëtarin Shaban Zeneli i sugjeroi që së bashku me këngëtarë të tjerë çamë të vinin për të kënduar edhe në lokalin e tij. Do të rritej numri i klientëve, do të rriteshin edhe fitimet dhe kështu mund të fitonin të dyja palët, ndërkohë që qendra “Apollon” shndërrohej edhe në vatër propogande për kulturën çame. Menaxher i paparë Sadush Ylli, nuk ke ç’i thua tjetër...
Rreth orës dhjetë u nisëm për në Vlorë. Rruga Fier-Vlorë tërë trafik, mezi qarkullohej. Asfalti copë-copë, gropa-gropa e tërë pluhur. E njëjta gjendje edhe nëpër rrugët e qytetit të Vlorës. Të krijohej ideja e një qyteti provincial të lënë pas dore nga njerëzit dhe nga qeveritë, megjithëse i mbipopulluar nga këmbësorë e makina. Fasadat e ndërtesave me suva të rrënuara nga të dy anët e rrugëve sikur pluskonin në pluhur. O Zot! Të dhimbsej Vlora e bregdetit adriatiko-jonian, e katandisur në këtë gjendje të mjeruar si ndonjë qytet i humbur nëpër shkretëtirat e pafundme aziatike.
Rreth orës 11.00 u takuam me thinjoshin Namik Veipi te kafja e Hotel “Pavarësia”, pronë e dy vëllezërve çamë Buçi e Fejzi Serjani. Një godinë me arkitekturë të zgjedhur me shije, siç dinë të zgjedhin e të ndërtojnë veçanërisht çamët. Pak minuta më vonë erdhi edhe Afërdita Veipi, një grua e moshuar që rrezatonte energji si të donte të mos shkëputej kurrë nga një rini e përjetshme. Ishte bashkëshortja e Namik Veipit. Pimë kafe duke shkëmbyer fjalë mirësjelljeje e njohjeje si në gjithë takimet e të saponjohurve, megjithëse atmosfera u ngroh menjëherë si të ishim të njohur të vjetër. Vetëkuptohet, i përkisnim së njëjtës krahine, Çamërisë mëmë. Kishim thithur të njëjtin ajër plot aroma lulesh mesdhetare bregdetare, kishim pirë të njëjtat ujëra burimesh e krojesh, ishim pasardhës të të njëjtave perëndi me në krye Zeusin, që kishin lindur në Çamërinë tonë.
- Do shkojmë të drekojmë matanë Ujit të Ftohtë të Vlorës, në Radhimë, në restorantin “Krela”, pronë e dy vëllezërve labë Kreshnik e Lato Mezura, miqtë tanë, - vendosi aty për aty Namiku dhe unë nuk ia prisha.
Udhëtuam në të dalë të qyetit të Vlorës, drejt Radhimës, nëpër një rrugë me asfaltin gropa-gropa e tërë pluhur, megjithëse vetëm disa dhjetëra metra larg ujëra blu të detit që dallgëzonte lehtas, si të donte të na thoshte se luhatej ende midis dimrit e pranverës...
Kur mbërritëm në Radhimë, midis gjelbërimit të ullinjve e portokalleve, m’u duk se trokitëm në portën e pranverës dhe ajo na hapi dyert e parajsës së saj. Vlora e pluhurosur tashmë sikur kishte mbetur diku larg në territorin e një shkretëtire nga ato që dinë të sajojnë veç dimrat e politikës faraonike shqiptare.
I frymëzuar nga ajo botëz e lulëzuar pranverore, i mora aparatin Lorit nga dora dhe i fotografova Afërditën e Namikun në shumë pamje, herë veças e herë çift, sa midis gjelbërimit nën kaltërsinë e qiellit dhe sa përbri kaltërsisë së detit që dallgëzonte paksa si të donte të debatonte me mua e të më rrëfente për hallet e Vlorës...
Pasi mbarova së fotografuari hymë në restorant dhe drekuam me mish qëngji që mbante aromat e luleve të maleve të Dukatit, përzier me aromat e jodit dhe shijet e kripës që u dërgonin avullimet e shpeshta të ujërave të detit. Biseduam e biseduam e u njohëm më shumë, aq sa unë skicova në kokë karakteret e dy personazheve, të Afërditës dhe Namikut, dhe vendosa se e meritonin të dy të hynin në shkrimin tim, ndryshe nga sugjerimi i Arjetës...
Afërdita, e bija e Zija Mustafait, u lind më 5 qershor 1950, në fshatin Markat të zonës së Konispolit, në një familje të mesme intelektuale. Babai i saj, Zijai, ishte arsimtar dhe jepte mësim fillimisht në Janjar e më vonë në Mursi. Ishin vitet e luftës kundër analfabetizmit dhe ai i ishte përkushtuar me shpirt rrënjosjes së dijeve e kulturës në mendjen e brezit të ri ende të traumatizuar nga luftërat e gjata. Nëna e Afërditës, Hyrije Sulejmani, ishte shtëpiake si shumica e grave çame dikur që u përkushtoheshin rritjes së shumë fëmijëve. Edhe ajo lindi dhe rriti pesë fëmijë, Afërdita më e madhja e tyre. Hyrija ishte e bija e Daut Hoxhës, ish-kryeplaku i fshatit Janjar, atdhetar i nderuar antikomunist që u burgos nga komunistët dhe vdiq në burgun e Gjirokastrës më 1954.
Më 1955 familja e Afërditës u shpërngul në Vlorë. Gjyshja e saj, Hatixheja, një zonjë grua me emër, punoi, jetoi dhe vdiq mes orikumasve si Nënë Tereza e Orikumit. Dhe Afërdita krenohet sot me të. Babai i saj, Zijai, pasi u vendosën në Vlorë, punoi me dinjitet dhe rriti fëmijët duke sakrifikuar për t’i shkolluar me të vetmen thënie në gojë: “Shkolla, e vetmja pasuri”...
Afërdita tregon se arsimin fillor e tetëvjeçar i mori në Vlorë. Edhe shkollën e mesme e mbaroi në këtë qytet, ku hodhi shtat fëmijëria e saj. Pas shkollës së mesme vazhdoi studimet në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1973 u diplomua si inxhiniere ndërtimi, specialiteti hidroteknikë. Pas diplomimit e emëruan në Ndërmarrjen e Bonifikimit ku punoi rreth 7 vjet, më pas në Bankën Bujqësore për 12 vjet, në tatim-taksa për katër vjet dhe më vonë në rruga-ura. Tani, megjithëse në moshë pensioni, punon si eksperte e degës së ALUIZMI-t, Vlorë.
Puna e gjatë si specialiste ndërtimi e ka aftësuar shumë jo vetëm profesionalisht, por e ka shndërruar edhe në një drejtuese me zemër të madhe që ka ndërtuar vazhdimisht marrëdhënie korrekte me kolegët,vartësit dhe tërë të njohurit me të cilët e ka lidhur puna. Afërdita ka krijuar marrëdhënie tejet njerëzore sidomos me bashkatdhetarët saj çamë që kanë mbijetuar me shumë vështirësi në Vlorë, deri sa u bënë një nga faktorët kryesorë të popullsisë vlonjate përkrah vendasve labë. Pikërisht këto raporte ndërnjerëzore, sa profesionale dhe miqësore, e kanë bërë Afërditën një atdhetare të denjë në komunitetin çam të Vlorës.
Afërdita është edhe bashkëshorte e nënë model si shumica e grave çame. Ajo u njoh me Namik Veipin në vitin 1971, kur ai punonte si shef finance në kooperativën e Dukatit. Krijuan familje dhe u bënë me dy fëmijë, djalin, Rezartin, sot 34 vjeç, i diplomuar për elektronikë, punon në Tiranë në kompaninë “Dixhitalb” dhe vajza, Flutura, 32 vjeç, diplomuar për financë, punon në ProCredit Bank.
Namik Sadiku pohon me kokë dhe buzëqesh teksa dëgjon rrëfimin e bashkëshortes së tij. Po vetë Namiku cili është?!... Vetëkuptohet, ana tjetër e “medaljes”- Afërdita... Nëse i referohesh jetës së këtij çifti, vërteton edhe njëherë thënien e një njeriu të famshëm se “pas burrave të mëdhenj gjenden shpesh gra të mëdha”... Të rrallë si Namiku dhe Afërdita...
Namik Veipi u lind në Vlorë më 30 nëntor 1948. Origjina e familjes së tij është një fis atdhetar prej fshatit Varvanj të Çamërisë. Në vitin 1944, pas shpërnguljeve të dhunshme prej genocidit që ushtruan bandat zerviste, familja e tij la pas vatanin, hypën në një anije dhe zbritën në Ksamil. U vendosën për pak kohë në Çukë të Sarandës, pastaj udhëtuan drejt Himarës, por aty i penguan dhe u detyruan të kthehen mbrapsht, udhëtuan drejt Gjirokastrës dhe në vitin 1945 mundën të vendoseshin në Vlorë. Babai i Namikut, Mehmet Veipi, punoi si magazinier, në hall e në punë të vet, si gjithë çamët që dinë t’i përkushtohen me mish e shpirt familjes. Ai rriti dhe edukoi pesë fëmijë, pesë djem. Namiku ishte i dyti i vëllezërve, pas të madhit, Nexhatit. E kaloi fëmijërinë në Vlorë, ku dhe u arsimua. Në vitin 1971 mundi të diplomohej në Universitetin e Tiranës, në degën e financës. Pasi u diplomua e emëruan shef finance në kooperativën e Dukatit për 4 vjet, më vonë për 5 vjet në NB Kotë. Atë periudhë e thirrën në Komitetin Ekzekutiv dhe i thanë se do ta emëronin në Bankën Bujqësore, por në të njëjtën ditë e thirrën edhe në Komitetin e Partisë dhe i thanë se do ta emëronin në kooperativën e Risilisë. Ai kundërshtoi, duke thënë se i kishin dhënë fjalën për në Bankën Bujqësore, por sekretarja e Komitetit të Partisë Jorgjia Peçini ngriti zëri duke thënë se ishte ajo që vendoste dhe ai do të shkonte ku urdhëronte ajo. Namiku u ankua para saj se po i kalonte e tërë jeta në fshat atij dhe gruas. Atëherë sekretarja vendosi të emëronte gruan e tij në Bankën Bujqësore dhe ashtu u bë. Të paktën kishte fituar gruaja e tij, Afërdita...
Kooperativa e Risilisë ishte më e dobëta në rrethin e Vlorës. Ishte periudha kur nuk siguronte dot as të ardhurat për të paguar anëtarët e saj dhe ata po protestonin. Pikërisht në këtë periudhë e emëruan Namik Veipin si shef finance në atë kooperativë. Aty gjeti edhe dy çamë të tjerë, Hidajet Iliazi, shef plani, dhe Xhafer Hania, kryeagronom. Tre çamë në vendin më të vështirë, ose do të fundoseshin edhe ata, ose do ta nxirrnin atë kooperativë nga prapambetja. Dhe falë aftësive të tyre, ata e shndërruan Risilinë në kooperativë të tipit të lartë, me shumë të ardhura. Mbijetuan dhe e fituan betejën si gjithë çamët... Naimi punoi 6 vjet në atë kooperativë, pastaj e emëruan në NB Vlorë, pra, në periudhën 1984-89. Më vonë kaloi si shef finance në Ndërmarrjen e Grumbullimit. Gjatë viteve 1980-92 ai dha mësim edhe në shkollën e mesme ekonomike të Vlorës për nxënësit pa shkëputje nga puna, ku u dallua si një mësues sa i zoti dhe i dashur.
“Në këtë shkollë, - tregon Naimi, - vinin nga e gjithë Shqipëria, vinin edhe nga Saranda e Konispoli. Ata që vinin nga Jugu, sa merrnin vesh se unë isha jugor, nuk më ndaheshin, kërkonin t’i ndihmoja me çdo kusht që ta merrnin shkollën për të mos humbur vendet e punës. Dhe unë i ndihmoja. Mbaj mend njëherë, shkova vonë në shtëpi dhe gjeta aty një vajzë nga fshatrat e Sarandës. E quanin Ollga... Ishte ulur e qanin bashkë me Afërditën për hallet e saj. Sa e pashë të përlotur, e qetësova dhe i thashë se do ta ndihmoja. Dhe e ndihmova. Më vonë u miqësuam edhe familjarisht dhe sa herë shkojmë në Sarandë, Ollga edhe tani del e na pret... Ja kështu e ka jeta”...
Pas vitit 1993, Namik Veipi u shkëput nga puna shtetërore dhe iu përkushtua biznesit si ekspert kontabël i autorizuar. Ai, me përvojën dhe punën e vet plot pasion e përkushtim profesional, është bërë tashmë një ndër ndër ekspertët më të kërkuar. Gëzon respektin e tërë kolegëve dhe të gjithë atyre me të cilët e lidh puna. Të gjithë e mbajnë në gojë si profesorin e tyre...
- Po me problemin çam a je marrë? – e pyeta.
- Fillimisht nga pak. Më shumë është marrë vëllai im i madh, Nexhati. Ai ka qenë edhe në strukturat drejtuese të Shoqatës Politike Atdhetare “Çamëria” në qendër, në Tiranë, dhe këtu në degën e Vlorës, me Bilbil Rakipin e të tjerë...
- Njihesh me Bilbil Rakipin?
- Po, e kam mik!
- Mik e kam edhe unë. Në vitin 2000, kur Shoqata Politike Atdhetare “Çamëria” po shuhej, ai erdhi nga Vlora bashkë me disa të tjerë dha ka këmbëngulur se duhej ringritur shoqata. Më thirri edhe mua dhe më kërkoi që të ndihmoja për ta ringritur, sepse unë kisha kurajë dhe përvojë. Dhe mbaj mend se ishte këmbëngulja e tij që shoqata shpëtoi nga shkatërrimi. Për mua Bilbil Rakipi është atdhetar. E kam theksuar edhe në librin tim “Diplomacia e vetëmohimit”...
- E paske mik edhe ti, i nderuar Shefki?!... Atëherë po i telefonoj të vijë këtu...
Dhe i ra telefonit gjithë qejf. Bilbili iu përgjigj se ishte diku andej nga Kanina bashkë me deputetin çam Dashamir Tahiri... Mund të takoheshim më vonë në Vlorë...
- Thotë se është me Dashin, deputetin tonë, - theksoi Namiku. – Kam punuar edhe unë gjatë zgjedhjeve të kaluara si këshilltar në stafin e deputetit... Ku nuk kemi qenë për vota, në fshatrat më të largëta të Sarandës, në Delvinë, në Konispol... Kë nuk ka ndihmuar Dashi, pa qenë deputet... Pa le tani që është deputet... Unë, të them të drejtën, në periudhën e deputet Dashit jam angazhuar me të gjitha forcat, më parë më pak, jo se nuk e kisha ideal Çamërinë, por u druhesha debateve pa bukë që bëheshin në shoqatë... Debate shterpë, jo ky i majtë e ky i djathtë e më the të thashë... Nuk i duroja dot këto... Tani jam me PDU, pas kryetarit të saj Shpëtim Idrizit dhe pas deputetit Dashamir Tahiri... Ku nuk e kam ndjekur atë... Edhe në Çamëri kemi qenë bashkë... Në fshatin e tij, në Skopiona, dhe në Varfanjin tim... Po të tregoj edhe një shaka të Dashit... Ishim në Volë dhe po shkonim për në Varfanj... Dashi mori në telefon vëllanë tim, Nexhatin, dhe i tha: “O Nexhat, a nuk ma shisni mua për njëqind mijë lek fshatin tuaj, Varfanjin?” Ai ia ktheu se nuk e blen dot se kushton shumë e më shumë... Kur mbërritëm në fshat dhe Dashi pa me sytë e vet se cili ishte Varfanji, e mori përsëri Nexhatin në telefon dhe i dha të drejtë se ai fshat kishte shumë vlera dhe nuk blehej aq lehtë... Unë e dua shumë fshatin tim, kam shkuar disa herë aty, kam filmuar dhe fotografuar, megjithëse një zonjë që banon në shtëpinë tonë, kullë trekatëshe, nuk më ka hapur as portën... I kam sjellë edhe një grusht dheu babait që vdiq me merak dhe ia kam hedhur te varri... Ne kishim shumë prona, kishim edhe dyqan në Gumenicë dhe treqind rrënjë ullinj... Po Çamërinë unë e dua më shumë si vendlindjen e të parëve të mi se sa për pronat...
- Kam shkuar edhe unë me Naimin në Çamëri, - ndërhyri befas Afërdita. - Dhe më është dridhur dora kur xhiroja me kamera para shtëpisë së Naimit. Ndihet edhe në dridhjet e filmit, dridhja e dorës sime... Ishte shumë e dhimbshme të shihje Çamërinë në duart e të tjerëve... Çamëria më bën të përlotem... Kam shkuar disa herë edhe në Markat, në vendlindjen e babait, na ka çuar miku ynë Hysen Hysi nga Saranda, po nuk jam përlotur si në Çamërinë e pushtuar nga të tjerët... Unë jam përlotur para shtëpisë së Naimit, në Varfanj, kurse ky sa herë largohej nga fshati im recitonte me shaka: “O Markat, shkëmb e gur, mos më shkeltë këmba kurrë... Po edhe rrugët e Markatit, gurë-gurë, i bëri me asfalt Ismail Murtaj, kryetari i komunës, miku ynë... Eh, kur do të vijë ajo ditë që ta drejtojnë njerëzit tanë Çamërinë matanë kufirit tonë shtetëror, siç drejtojnë edhe Markatin e Konispolin, pjesë e Çamërisë brenda kufirit shtetëror, - përfundoi ajo.
Pas drekës morëm rrugën e kthimit për në Vlorë. U takova edhe me mikun tim, Bilbil Rakipin, dhe kujtuam së bashku kohët e vështira që ka kaluar herë pas here komuniteti çam për faj të drejtuesve mediokër dhe interesaxhinj që kanë uzurpuar shpesh lidershipin... Diskutuam edhe për çiftin Afërdita e Namik Veipi dhe ramë në një mendje se e meritonin një shkrim të mirë...
Në Fier, rreth orës 6.00 të asaj pasditeje, u takova rishtas me atdhetarin Agim Mero, i cili mbeti i kënaqur nga përkushtimi im për njerëzit e mirë të komunitetit çam.
Më vonë u takova edhe me Arjeta Çumanin. Më pyeti për miqtë e saj. I thashë se më ishte mbushur mendja top që t’i përfshija të dy në shkrim. Tashmë për mua çifti Afërdita dhe Namik Veipi ishin një e të pandarë. Ishin një subjekt...
- Po, - pohoi edhe Arjeta Çumani, - ata janë një çift intelektualësh që plotësojnë mësëmiri njëri-tjetrin përballë sfidave të kohës...
- Dhe e kanë sfiduar kohën, - shtova unë...
Shefki Hysa
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment