Thursday, November 19, 2009

Aleksandër Zefi - njeriu i aventurave

Aleksandër Ludovik Zefi u lind në qytetin e Shkodrës më 13 maj 1978. U rrit në një familje të vjetër shkodrane me origjinë të largët nga Shoshi, nga fisi i Bajraktarit. Aleksandri arsimin fillor, tetëvjeçar dhe të mesëm i mori në vendlindje, në Shkodër. Tani është duke përfunduar edhe shkollën e lartë me shkëputje nga puna. Ka disa vite që merret me biznese të ndryshme. I pëlqen gazetaria dhe udhëtimet e largëta të nxitura nga shpirti i aventurës dhe humorit të mirë. Është koleksionist relikesh e sendesh të rralla, veçanërisht i orëve. E zgjedhura e tij është ora e markës Rolex.

Aleksandrit i pëlqejnë shumë argëtimet. Një pjesë të mirë të kohës së lirë e kalon duke luajtur shah, me sportin e mundjes dhe të kthimit të krahut. Është besimtar i mirë i fesë katolike, gjë që nuk e lë pa përmendur në bisedat me miqtë edhe për faktin se është nip i Dom Mikel Gjergjit, njërit nga priftërinjtë atdhetarë të Shkodrës të pushkatuar nga regjimi komunist. Dihet se priftërinjtë katolikë, duke filluar me Pal Engjëllin, autor i formulës së pagëzimit të shkruar për herë të parë në gjuhën shqipe dhe me shkrimin shqip, që njihet edhe si fillesa e shkrimit të shqipes moderne, Bardhin, Budin, Bogdanin, Fishtën e sa e sa të tjerë, kanë qenë e vazhdojnë të jenë atdhetarë të mëdhenj e mbrojtës të flaktë të çështjes kombëtare shqiptare.

Aleksandri krenohet edhe me një fakt tjetër: është nip i luftëtarit atdhetar Zek Jakini, i cili është shquar në luftërat kundër turqve. Madje për bëmat e tij rapsodi popullor i ka thurur këngë. Dhe dihet sa të dëshiruar janë heronjtë e trevave të Shqipërisë Veriore për të hyrë në këngët e popullit. Pikërisht është edhe kjo një nga arsyet që ata u përkushtohen bëmave heroike. Dhe është me fat heroi që hyn në këngë. I urojmë edhe Aleksandit bëmat e aventurat e një heroi, si i pari i tij Zek Jakini, me dëshirën që të hyjë edhe ai në këngët popullore shkodrane.

Elim Xanxari

No comments: