Monday, June 29, 2009

Çamëria e gjithë shqiptarëve

Bisedë me Shkëlqim Gjoçukaj,
drejtor i Burgut 314, Burrel

- Zotëri Gjoçukaj, ju keni një post politik. Po të mos ishit drejtor në këtë vend kaq të përfolur me emër të keq (nga koha e diktaturës), cili do të qe profesioni tjetër i juaji, se ju pëlqen edhe letërsia?

- Jam ushtarak karriere me gradën kolonel. Kam qenë komandant i Divizionit të Tretë të Këmbësorisë Burrel, karrierë që u ndërpre pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Jam drejtor burgu, (burgu më famëkeq në Shqipëri), por jam edhe qytetar i mirë. E vërtetë! Më pëlqen letërsia. Kam rreth 2500 libra artistikë, historikë, shkencorë etj., por edhe pse jam drejtor, nuk jam njeri i rrymës së ashpër, jam për zbatimin e ligjit, nëpërmjet këshillës dhe edukatës. Burgu i Burrelit tani është shumë i hapur, me rregulla që kohët e fundit kanë qenë shumë tolerante, ku jepen leje për ata që janë në dy vjet ose më pak kohë burgimi, bëhen aktivitete kulturore, (kam bërë promovimin e një libri të një të burgosuri të talentuar me burgim të përjetshëm), veprimtari sportive, aplikohet feja me mesha për të dënuarit etj.

- Meqë jemi tek letërsia, sa e njihni atdhetarin dhe shkrimtarin disident Bilal Xhaferri?

- Njoh jo vetëm apostullin e disidencës Bilalin, por njoh dhe persekutimin e familjes dhe të së motrës, që nuk e takoi kurrë deri në vdekje. Ai sistem mundi të bënte çdo ligësi, (se edhe e helmuan në Amerikë), siç bëri edhe me Aristidh Kolën në Athinë, e helmuan në korridor të spitalit. Ka shkruar shumë, por nuk më kujtohen të gjitha veprat e tij, mmbaj mend mirë vetëm romanin “Krastakraus”, që e kam në koleksionin e veprave të mia.

- Ju, sigurisht, keni dhe familje. Sa ndikon angazhimi juaj i ngjeshur në punë, për të plotësuar kërkesat dhe nevojat familjare?

- Familja? Kam gruan dhe tre fëmijë. Një djalë dhe dy vajza. Djali i martuar, ka dhe një fëmijë. Vajzën në Universitet, në Modena, Itali. Studion për ekonomi - informatike. Edhe unë jetoj në Itali bashkë me familjen. Shkoj e vij shpesh. Vitin e Ri e kam bërë në Itali.


- Z. Drejtor, le të ndërrojmë temë, sa e njihni ju çështjen çame dhe ç’dini për Çamërinë?

- Çamëria historikisht është e njohur si krahinë shqiptare, me kufijtë e saj nga Arta deri në Prevezë. Të gjitha krahinat pothuaj kanë qenë të populluara nga shqiptarë, deri në genocidin grek të viti 1944-45. Qeveria greke, me anë të kolonel Zervës, dëboi masivisht një popullsi tërësisht muslimane nga trojet e saj, se gjoja paskan bashkëpunuar me gjermanët, një pretendim ky qesharak, kur dihet botërisht se nuk është e vërtetë, por ato toka janë shqiptare, edhe pse sot janë zaptuar nga të tjerë.

- Sa ka kontribouar politika dhe shteti shqiptar në zgjidhjen e kësaj çështjeje?

- Politika jonë, për të mos prishur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ka qenë e mefshtë për problemin e çështjes çame, duke e lënë në dorë të çamëve, që ta zgjidhin në mënyrë individuale, madje deri në gjykatën e Strasburgut, gjë e cila është e paarritshme për pericepitë që dihen. Politikanëve tanë u intereson ta mbajnë “tërhiq e mos e këput” me Greqinë, se ajo ka ndikim në BE për integrimin tonë, dhe po të na zemërohet ajo, “zemërohet” dhe Brukseli. Në fakt, kjo çështje është anashkaluar, jo pa qëllim, nga politikanët tanë, si të majtë ashtu dhe të djathtë, për të ruajtur ekuilibrat false me Athinën zyrtare. Edhe një rezolutë në Kuvendin shqiptar nga qeveria socialiste, (që nuk u miratua as nga ata vetë), nuk arriti të shkonte as si notë proteste deri tek Ambasada greke në Tiranë. Rezouta ishte e nevojshme të miratohej, por politika jonë e pengoi që mos ta prishte me Greqinë për të firmosur MSA-në për në NATO, si një shenjë bashkëjetese prej dy “fqinjëve të mirë”.

- Sa të largët e shihni zgjidhjen e çështjes çame?

- Kjo çështje zgjidhet paralel me zhvillimet ndërkombëtare, kur Europa të shkrijë kufijtë ballknikë. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe aplikimi për në BE, do të jenë një kartë e fortë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame. Do të zgjidhet vetëm me bisedime dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë. Greqia është anëtare me potencë në NATO dhe BE. Duket e largët zgjidhja, se Greqia dhe politikanët e saj nëpërmjet deklaratave janë mohues, së fundmi edhe qëndrimi i znj. Bakojanis ishte i ftohtë dhe aspak bashkëpunues. Dihet tashmë qëndrimi grek, nga postulatet dashkakeqe, se “nuk ekziston problemi çam”, gjë që shpie në shtyrjen e kësaj çështje në kalendat greke.

- Cila është rruga më e shpejtë e zgjidhjes së këtij problemi?

- Rruga më e mirë janë bisedimet. Nuk e shoh të shpejtë zgjidhjen e kësaj çështje, se Greqia nuk do të pranojë, pa “shtysë” nga jashtë, ose deri kur kancelaritë europiane ta marrin seriozisht dosjen çame. Por, pa ndërhyrë si gjithmonë mbrojtësja e të “vegjëlve”Amerika, vështirë se do të ketë progres për çështjen çame. Greqia si zor të dorëzohet para “dashurisë së saj të vjetër” dhe pretendimit për Vorio-Epirin. Greqia nuk e “dorëzon” lehtë Çamërinë.

Bisedoi: Emrie Krosi

No comments: