Monday, April 27, 2009

Europa dhe shqiptarët

Shtypi dhe televizionet njoftojnë se Europa do të liberalizojë vizat për serbët dhe maqedonasit në qershorin e vitit 2009. Pra, Serbia dhe Maqedonia, me sa duket, do të hyjnë në BE para Shqipërisë. Flitet edhe se Europa justifikohet se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standartet, pavarësisht se Kryeministri ynë, Sala, u ça e u nda duke këmbëngulur se do ta paraqesë kërkesën për anëtarësimin e saj në BE më 28 prill 2009. Kjo, vetëkuptohet, sjellje parazgjedhore e të shumëpërpjekurit Sali, nuk u vjen për shtat politikanëve evropianë, të cilët nuk lenë rast pa deklaruar, ashtu si me lezet, se nuk është koha që politika shqiptare të bëjë kllounada të tilla. Shqipëria le të bëjë njëherë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pastaj shohim e bëjmë se si do të veprojmë me të. Kështu sugjerojnë liderët evropianë, po ec e mbushi mendjen këtyre tanëve se sa shumë na do Europa ne, shqiptarët, në krahasim me serbët e maqedonasit.

Bukur. Europa edhe kësaj here nuk nguroi t’i shpallë hapur simpatitë dhe antipatitë e veta, siç ka bërë në shekuj e shekuj… Asgjë më shumë e më pak… Siç bëri më 1913 me Shqipërinë, copat më të mira të saj, Kosovë e Çamëri e plot troje të tjera, ua fali fqinjëve tanë lakmitarë; siç bëri edhe në vitin 1945, kur na la nën sundimin e diktaturës komuniste enveriane. Ne, shqiptarët e Shqipërisë, si gjithmonë, plebejtë e Europës (për shqiptarët e Kosovës sot për sot as nuk mendohet e jo të përmenden për të hyrë lirshëm në BE), dje, sot, mbase edhe nesër, po nuk ndryshuam.

Epo nuk ke ç’bën, do thotë ndonjëri. Kështu është sjellë qëmoti kurva plakë Evropë (qysh kur u shpik kurvëria, zanati më vjetër i botës) dhe kështu do të vazhdojë të sillet. Kjo është logjika e të fortit. Këtë logjikë përdor edhe kurva Europë. I forti do kurdoherë shoqërinë e të fortëve dhe jo të të dobtëve, siç na ka katandisur ne, shqiptarët, politika jonë e shitur greko-serbofile (nga kjo anë nuk ka faj Evropa).

Po Serbia e Maqedonia a nuk janë xhelatët e shqiptarëve?! - do thotë ndonjë tjetër... A nuk ishte Serbia kasapi ballkanas që kur është formuar si shtet, më vonë e më vonë në vitin 1990 dhe veçanërisht më 1999, me kosovarët? Të mos ishte Amerika, e cila angazhoi NATO-n për të ndërhyrë në Kosovë kundër makinës luftarake vrastare serbe, sot kosovarët do të bridhnin si muhaxhirë udhëve të botës, ashtu si çamët të përzënë prej shovenëve grekë. Të mos ishte Amerika, shqiptarët e Maqedonisë do të kishin pësuar të njëtin fat të keq, atë që u gatuan kasapët e politikës shovene maqedonase, të cilët vranë e prenë sa deshën dhe janë të gatshëm të veprojnë kështu përsëri, po të munden?!...

Pra, serbët e maqedonasit e sotëm xhelatë, si grekët e djeshëm, me shqiptarët çamë dhe sa shumë na i dashka Evropa! Po shqiptarët?!... Eh, shqiptarët, këta viktima të përjetshëm të politikave shovene të fqinjëve dhe të vetë politikës së tyre greko-serbofile!... Viktimë e përjetshme edhe Shqipëria!… Nëpër këmbët e Europës, po nuk ndryshoi…

Punë e madhe fort! Evropës as që i rruhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. E ç’i duhen asaj nëpër këmbë viktimat? Shoqëria e të fortëve kërkon të fortë dhe dihet se xhelatët janë të tillë. Pra, Europa e mençur, i mirëpret me dashuri në gjirin e vet xhelatët e fuqishëm, Serbinë dhe Maqedoninë. Vktima-Shqipëri larg, sa më larg saj!... Shqiptarët, si gjithmonë plebejtë e përjetshëm të patricëve evropianë, - thonë ata që s’na duan.

Përkundrazi, unë them: Kjo është logjika që e ka udhëhequr dhe do ta udhëheqë në jetë të jetëve Europën, derisa ne, shqiptarët, të kuptojmë se duhet t’i shkelim me këmbë politikat greko-serbofile që na drejtojnë, të marrim në dorë fatin tonë e të bëhemi të fortë, zotër të vetvetes, ashtu siç na sugjeron përditë politika e Amerikës së lirë. Ajo politikë që na bëri vend mes të fortëve të NATO-s.

Pra, detyrimisht, duhet të ndryshojmë, të bashkohemi e të bëhemi të fortë. Vetëm kështu do të jemi faktor i pranueshëm për Europën dhe për këdo tjetër. Duhet të bëhemi të fortë për t’u radhitur mes të fortëve të kësaj bote.

Shefki Hysa

No comments: