Thursday, May 22, 2008

OSMAN TAKË ÇAMËRIA

Çdo hap i valles të largonte nga vdekja,
Sikur të ishte valle që i dehu mendjet e tyre,
Osman i tokës çame shkruar në zemra,
Që tunde dheun me vallen e shpëtimit.
Erdhe ti, Osman, si shqiponjë në male,
Të jetojë në zemrat tona Çamëria e madhe,
Kapedan, o Osman çami, pushka jote plot barut,
S’t’u tremb syri nga dushmani, as nga plumbi si di vetë,
Dorën dhe koburen tënde e mburrte gjithë Çamëria.
Kush bën gjurulldi me valle,
Osman trimi famëmadhi,
Kush mbledh popullin në mejdan,
Hallall qumshti i nënës, Osman,
Ka një bir trim Çamëria
Që rreh malet me pushkë në krah.
Ia mllefose zemrat ti me vallen tënde,
I shastise, i mahnite edhe i tërbove fare,
Sa milet u mblodh, Osman, ditën që ti hodhe valle.
Seç të mbytën lotët ty kur hidhje valle çame
Kijamet u bë vatani, iu drodh dora dhe xhelatit,
Osman Takë Çamëria po e pret vdekjen me valle.
Ngel pashai me gojë hapur edhe si beson dot sive,
Thotë me vete: ç’bën vaki, ç’arnaut na qenka ki,
Do vdesë edhe hedh valle njësoj sikur do ringjallet.
Porsi flutur, si shqiponjë fluturoje ti me valle,
Sa e trembe edhe vdekjen edhe e zbrapse fare,
Se s’ia kishe frikën vdekjes, ia kalle datën me valle.
Puth flamurë, e puth Kuranë,
Puth nënën edhe babanë,
Sa lezet, i shtroje lotët me valle e me shami,
Qan për vatan derëzinë, edhe qan për Çamëri!
Ç’britmë e madhe, mor Osman,
E turpërove dhe pashanë,
E skuqe, e nxive fare, sa i tha edhe xhelatit:
Zhduku, horr, se më zu turpi,
se Osman Takë Çamërinë e do populli të gjallë!...

ABEDIN RAKIPI

No comments: