Krahu i Shqiponjës
Një kokë i rri në Jug e tjetra shikimin e hedh në Veri,
një krah në Tomorr e tjetri pikon gjak përmbi Çamëri,
një flatër mbi Tarabosh e tjetrën ia merr vet lumi Dri,
e thërret Ura e Ibrit e tupanat bien prapë n’Dardani.
Përgjakur flatrat me sfondin e kuq të Atdheut pikojnë,
qumështin i marrin Rozafës e Teutës bekimin kërkojnë,
ia marrin këngës ilirishte, shqyer me sqep tisin territ,
s’u mposht jo kurrë prej tmerrit kënga e Bilal Xhaferrit.
E kënduar brezave e gjeneratave kënga e Çamërisë,
fustanellë e përgjakur Shqipëria, kësulë e vet Ilirisë,
kur iu turrën danajtë e bajlozat tokës stërgjyshore,
kënga iu bë hymn: O, mos ma shkel barin mbi vorre!
Pikëllim i përgjakur që rri mbi qepallë të syrit Çamëria,
e lotët pikojnë faqeve, dhimbjet mba në gji Shqipëria,
sa mot e sa mort, e era e detit valën e ka pikëlluar,j
a troku i kuajve, Konstantini Doruntinën ka në duar.
A do vijë, a do kthehet, Nënë a do vijë tej legjendës,
a do gdhijë agimi në fjalën e dhënë përtej bjeshkës,
po fjala e poetit që mba mbi supe valën e vet detit,
Nënë, a do vijë në gjirin tënd e prapë pranë vetit?!
Zot, në çdo kapërcyell shekulli dielli na rri i përgjakur,
në sfondet hyjnore të shqipes dykrenore, i përflakur
Qielli i Arbrit me këngë tupanash e shqyen vet terrin,
e sa herë tiranët ngrihen, ajo e thërret Bilal Xhaferrin!
Në krahun e Shqiponjës rri i biri i saj e pendën sqep,
ia lakmojnë lakejtë, po kushtrimin ai e di kujt ia jep,
se përkundur në djep e ka vet e këngët mba në gji,
kur thërrasin plisat Shqipëri, Ai thërret veç Çamëri!
Atje është Arta, atje është Janina e tutje Preveza,
atje është kënga e gjyshërve, mbajtur ndër breza,
atje ku bolla e sprija mëtojnë të veshin shamizeza,
shtojzovalle e zana ngadhnjejnë mbi lafsha e keza.
Pikëllim zemrash e refkëtime shpirtrash gjaku si shi,
kalorësit e lirisë e krushqit e ngrirë në këngët me oi,
oi, oi, oi, gjakim brezash rri e zemrave tona Çamëri,
fustanellë e bardhë e kësulë mbi sy ç’të rri Shqipëri!
Një kokë i rri në Jug e tjetra shikimin e hedh në Veri,
një krah mbi Tomorr e tjetri pikon gjak përmbi Çamëri,
një flatër mbi Tarabosh e tjetrën ia merr vet lumi Dri,
e thërret Ura e Ibrit e bien tupanat prapë n’Dardani.
Xhemail Peci
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment