Tuesday, April 29, 2008

KOSOVË – GJAKU IM T’U BËFTË DRITË
(Marie Shllakut)

Sa fort i qeshej rrezja e diellit në dritë të syrit, e sytë sikur vet shqiponja,
E zemër e saj Kosovës i falej, siç i falej varg i Asdrenit me sytë te Kosova,
Kosovë, oj lulja e kuqe e trimërisë, Kosovë – oj lule e bukur e Shqipërisë,
Kur librat i vranë e kur graniti u thye, Ajo zemrën dardane ia fali Lirisë.

Ecte Atdheu nëpër gjurmë gjaku e gjurmët e gjakut merrte Marie Shllaku,
Si Ymer Prizreni thirrte ai Ymer Berisha e Ajet Gërguri si shtizë bajraku,
Tej Nusja e Lirisë si Shote Galica në kostumet kombëtare e ballin vetëtima,
Ngre prapë Flamur Marigo Postja e hapin me lule e ka si Igballe Prishtina.

Një gërshetë e zezë ç’i ka rënë mbi supe, e supet mbushur gjithë pëllumba,
Shqipëri e dashur a më fal ca lule? Përgjakej Kosova, gjoksin me plumba,
Gjergj Martini e Bernard Llupi, para vdekjes sy më sy jo nuk jepen burrat,
Blinaja e Prishtina, Gjon Sereçi dhe Rifat Berisha, i kanë bërë kala kullat.

Në pranverë kur çelin lule, manushaqe e lulebore, thur Kosova ca buqeta,
Merr qerpikë në sytë prej zane, ca dafina me ca fjongo duarve ca gërsheta,
E bie buzëqeshja e saj tok me rreze dielli e nurin Lirisë Ajo ia fal si prikë,
Plisin e bardhë mbi vetull e sërish rilind: Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë.

Xhemail Ali Peci