Vepra e një autoreje me të ardhme
Shënime për romanin "Me putrat tona shetitëm botën" të autores Xhulia Xhekaj
Kur gjykon një vepër letrare, padyshim duhet të kesh parasysh edhe moshën e autorit apo autores së saj. Në rastin tonë tek lexon romanin "Me putrat tona shëtitëm botën" të Xhulia Xhekaj, autore e re, në moshën e fëmijërisë, bindesh plotësisht se ke të bësh me një talent në fushën e letërsisë që do të ketë të ardhme me veprat që do të krijojë, natyrisht po e vazhdoi këtë rrugë. Përse?
Së pari romani i Xhulia Xhekajt dallohet për një gjetje sa të qelluar, aq dhe interesante. Dhe kjo nuk është pak për një vepër artistike. Që të mos i zbehim kureshtjen lexuesit, nuk po i rrefejmë subjektin e veprës, por duam të shtojmë se gjetja apo fabula që ka krijuar autorja, e cila si një ngrehinë e mban romanin e saj, është pjellë e një fantazie të admirueshme, ç'ka për një krijuese si Xhulia, është një dhunti e veçantë për të mos thënë fat, që ia ka dhënë natyra. Në këtë kuptim, Xhulia lipset të dijë që i është dhuruar një dhunti që pakkush e ka e që, po diti, me përkushtim e punë të palodhur, do ta shfrytëzojë në të ardhmen për të krijuar vepra të bukura, me cilësi artistike e me peshë.
Së dyti, fantazia e ndezur e romanit, që lexohet me kureshtje, shpesh të lë mbresa të thella e të befason, sa thua me vete se si i ka vajtur në mendje autores së re për të krijuar me shije e me mjeshtëri, situata të tilla interesante, plot humor, në të cilat enden personazhe-mace, po kaq interesante si Arsa, Bina, Kuqoja, Otomina, Riki, Sui, Xhoi, Steberei, të cilat shetitën botën siç shprehet autoria qysh në titullin "Me putrat tona shëtitëm botën".
Lexuesit do të kenë mundësinë që të njihen me bëmat gjurmëlënëse të këtyre maceve-personazhe, me shëtitjen e tyre, me aventurat që kalojnë ato, me teta Shadiskën e vetmuar, së cilës i ngjallin kënaqësinë e fëmijëve që i janë larguar e me plot ngjarje të tjera të përshkruara jo vetëm me fantazi, por edhe me njëlloj naiviteti ç’ka shpjegohet me moshën e autores.
Së treti, vepra dallohet për gjallëri e temporitëm. Është shkruar me një stil të shkathët, modern, pa zvarritje e proliksitet. Si mjet artistik për zbulimin e personazheve në të mbizotëron dialogu, një dialog plot ritëm e nerv artistik. Ç’do gjë në vepër është në lëvizje, në aksion. Autores Xhulia Xhekaj nuk i hyjnë në punë përshkrimet e zgjatura, përkundrazi asaj i pëlqejnë batutat e personazheve të saj të dashur, me të cilat sillet e vepron sikur janë në një lojë, në një lojë fëmijësh. Mendoj se pikërisht këtu qendron një nga pikat e forta të romanit, i cili besoj se do të lexohet me ëndje e kureshtje prej të vegjëlve. Ajo shpalos një botë fantastike, tejet fëmijnore, plot gjallëri, ç’ka është e tepërt të themi se është e pëlqyeshme prej fëmijëve.
Edhe mbyllja e romanit, kur teta Shadiskës, pasi i ikin macet e dashura, i vijnë fëmijët, është kuptimplotë dhe e gjetur artistikish. Kësisoj gjithçka, tërë ato ngjarje e aventura plot ritëm, gjallëri e humor, mbyllen me një situatë simbolike që shpalos mesazhin: në jetë, çfarëdo që të ndodhë, tek e fundit mbizotëron malli për vendlindjen, dashuria për të afërmit, për njerëzit e për gjithçka të mirë e të dobishme.
Ky është romani i Xhulia Xhekajt; le t’jua lëmë juve lexues të gjykoni më mirë për të...
Sokol JAKOVA
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
2 comments:
Xhulia je njësh!
Xhulia je njësh!
Post a Comment