QEMAL VELIJA
Qemal Velija, (pseudonimi Gent Ulqini), lindi më 6 nëntor 1964 në Tiranë. Ai është një ndër publicistët, shkrimtarët dhe përkthyesit shqiptarë më në zë të brezit të vet.
Qemali u arsimua në Tiranë.
Që në moshë të re shfaqi prirjen për t’u marrë me letërsi dhe publicistikë. Në vitin 1988 filloi një aktivitet të dendur publicistik në gazetën "Tirana" dhe deri tani ka punuar me mbi 50 organe të medias së shkruar si dhe në Radio Tirana (si kryeredaktor, redaktor apo bashkëpunëtor), si dhe pranë disa shtëpive botuese me mbi 25 libra të përkthyer e redaktuar. Në vitet 1988-1990 Qemal Velija bashkëpunoi edhe në gazeta të tjera të kohës si "Puna", "Bashkimi", "Hosteni", "Drita", "Studenti", etj.
Në dhjetor të vitit 1990 ishte ndër aktivistët e krahut qytetar të lëvizjes për përmbysjen e regjimit. Në vitet 1991-1992, pas rënies së sistemit komunist, Qemali punoi në gazetën "Kosova", ku ishte ndër themeluesit e këtij organi kombëtar. Në vitin 1993 ishte kryeredaktor i gazetës "Ekonomia e Tregut" si dhe bashkëpunoi si analist pranë gazetës "Zëri i Rinisë". Në vitin 1994 punoi si kryeredaktor i gazetës "Harku i Dhjetorit", bashkëpunoi edhe në gazeta të tjera të kohës.
Në vitet 1999-2005 ishte analist për problemet e politikës kombëtare dhe historike te gazeta "Bota Sot", me qendër në Zvicër; po në këto vite ishte bashkëpunëtor për politikën dhe historinë në gazetën "Republika", revistën "Koha", "Krahu i shqiponjës" dhe në shumë organe të tjerë.
Qemal Velija në vitet 1999-2007 punoi si gazetar analist në gazetën "Rimëkëmbja", si dhe bashkëpunëtor i gazetës kulturore "Milosao", po ashtu edhe në organe të tjera si "Koha Jonë", "Flamuri", "Tradita", etj.
Në vitet 2004-2008 është bashkëpunëtor i rregullt i Radio Tiranës për problemet historike, si dhe kryeredaktor i revistës "Tjetër".
Në vitet 1999-2008 ka përkthyer rreth 25 libra albanologjikë si Faverial, Katapano, Ugolini, Petrota, etj.; historikë si Martin Gilbert; filozofikë si Ruso, Monteskje, Vatimo, etj.; psikologjikë si Le Bon, Frojd, From etj.; letërsi si Borges, dhe redaktor i shumë librave të tjerë me shtëpitë botuese "Plejad", "Fan Noli", "Logoreci", "Enciklopedike", "Reklama" etj.
Aktualisht Qemali vazhdon punën si përkthyes dhe redaktor me disa shtëpi botuese si dhe bashkëpunimin me shtypin e shkruar dhe Radio Tiranën.
Në veprimtarinë e tij politike dhe në mënyrën e shpalosjes së ideve dhe të bindjeve të veta, përfaqëson ekstremin e djathtë nacionalist.
Është anëtar i kryesisë dhe përgjegjës i botimeve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ja disa nga veprat kryesore që ka përkthyer:
"Dorëshkrimi i Brodit", nga Horhe Luis Borhes
"Ligjërata", nga Zhan Zhak Ruso
"Madhështia dhe rënia e romakëve", nga Sharl Monteskie
"Psikologjia e racave", nga Gustav Lebon
"Psikologjia e ankthit", nga Zigmund Frojd
"Psikologjia e histerisë, nga Zigmunnd Frojd
"Anatomia e destruktivitetit njerëzor", nga Erih From
"Historia e madhe e Luftës së Dytë Botërore", nga Martin Gilbert
"Kontrata sociale-Origjina e pabarazisë mes njerëzve", nga Zhan Zhak Ruso
"Thoti fliste shqip", nga Xhuzepe Katapano
"Historia e Shqipërisë", nga Zhan Klod Faverial
"Gjuha, historia dhe letërsia shqipe", nga Gaetano Petrota
"Shqipëria e Lashtë", nga Luigji Ugolini
"Laikë, me hir të Zotit", nga Xhani Vatimo
Elim Xanxari
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
1 comment:
Studiues, jo llafe!
Post a Comment